MBI PRANINË E SHQIPTARËVE NË BULLGARI, RUMANI, MOLDAVI DHE GJITHË ILIRIKUN LINDOR

05
Nov
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

Reflekse
Nga një kënvështrim ndryshe, në lidhje me shkrimin tim
“Pallatet e nëndheshme në Shpellën Arbanase dhe Shpellën Trojane në Bullgari” Reflekse,
MBI PRANINË E SHQIPTARËVE NË BULLGARI, RUMANI, MOLDAVI DHE GJITHË ILIRIKUN LINDOR
Shqiptarët janë autoktonë në Bullgari, nga Parahistoria, në vazhdimësi historike që nga Antika e hershme e deri më sot, pavarësisht nga numri i tyre sot, i mbetur pas dëbimeve dhe masakrave gjatë historisë nga pushtuesit dhe zaptuesit e huaj në hapësirat e Ilirikut Lindor.
Të gjithë banorët e sotëm të Bullgarisë, pavarësisht nga prejardhja etnike, fetare apo çfarëdo përkatësie tjetër, këtë shtet e kanë atdhe, identitet, pjesë të pashkëputshme të jetë dhe ardhmëri. Le ta gëzojnë e trashëgojnë!
Më së paku shqiptarët kanë interesa të veta strategjike ta falsifikojnë historinë, apo të kenë pretendime ndaj vendeve të tjera fqinje, siç është edhe Bullgaria dhe populli i saj, miq tradicionalë të shqiptarëve në periudha të vështira të historisë.
Por, historia duhet të shkruhet me fakte, sipas burimeve historike të besueshme, për të kaluarën e hershme dhe të mëvonshme të këtij vendi.
Pavarësisht se shumica e studiuesve vendës dhe të huaj, sidomos e studiuesve shqiptarë, nën ndikimin e propagandave të huaja politike dhe fetare, shumë pak janë marrë me të kaluarën e lashtë të Bullgarisë dhe banorëve të saj, në dritën e burimeve shkencore të besueshme, shqiptarët më tepër se çdokush tjetër kanë të drejtë të hulumtojnë, studiojnë dhe shkruajnë, ta njohin të vërtetën dhe t’ua mësojnë brezave të ardhshëm historinë e të parëve të tyre, pa shtrembërime e falsifikime, pa paragjykime e ngarkesa, të çfarëdo natyre qofshin ato.
Nga ajo që është shkruar e mësuar deri më sot, edhe nga studiuesit shqiptarë, për praninë e shqiptarëve në rajonin e Bullgarisë së sotme, del sikur shqiptarët në këtë pjesë të Gadishullit Ilirik kanë qenë banorë të vonshëm, edhe atë një pjesë e parëndësishme në numrin e përgjithshëm të banorëve të këtij vendi, madje nga disa studiues është thënë se shqiptarët janë shpërngulur në ato vise nga vende të tjera, nga periudha e Mesjetës e më vonë. Kjo përbën një rrenë të madhe dhe falsifikim, që nuk përputhet me faktet historike dhe të vërtetën, të cilën duhet ta mësojnë e dinë brezat e sotëm e të ardhshëm, bullgarët, shqiptarët, fqinjët e tyre dhe të tjerët.
Shqiptarët në Bullgari, si në gjithë Gadishullin Ilirik, janë banorët më të hershëm, janë autoktonë, jo të shkuar atje, të shpërngulur në periudha të caktuara historike, siç pretendojnë disa studiues, aq më pak, shqiptarët nuk janë shpërngulur në Bullgari nga periudha e Mesjetës ose më vonë, sepse faktet historike dëshmojnë që prania e shqiptarëve, e të parëve tanë pellazgë, ilirë, dardanë, pajonë, nuk kanë qenë mongolë, as sllavë apo tartarë, si të tillë, prania e shqiptarëve të lashtë në truallin e Bullgarisë së sotme daton nga parahistoria dhe antika e hershme.
Trashëgimia kulturore dhe historike e çdo vendi, edhe ajo nga hapësira gjeografike e Bullgarisë së lashtë, sot trajtohet, çmohet e vlerësohet si pjesë e trashëgimisë kulturore e botës, që nuk i përket vetëm një populli dhe një vendi.
Brezat e sotëm e të ardhshëm të popujve ballkanikë duhet të pajtohen me realitetin, ta mësojnë të vërtetën dhe të kultivojnë vlera të tjera më human dhe qytetërues se të parët e tyre, të përgjakur ndër shekuj nga luftërat dhe pushtimet, me ambicie të sëmura për dominim, dhunë e terror ndaj të tjerëve, fqinjëve të tyre, me të cilët fati historik i ka detyruar të jetojnë pranë njëri-tjetrit, në paqe e harmoni, sot e përgjithmonë.
(5. XI. 2023)
Shpalime nga trashëgimia e lashtë kulturore-historike
PALLATET E NËNDHESHME NË SHPELLËN ARBANASE DHE SHPELLËN TROJANE NË BULLGARI
Në vitin 2014, në qytetin Tërnovë, kryeqyteti i lashtë i Bullgarisë, është organizuar një ekspozitë tepër interesante, për shpellat në territorin e këtij shteti fqinj. Edhe më simbolik dhe domethënës ka qenë emërtimi i kësaj ekspozite: “Pallatet e nëndheshme në Bullgari dhe Evropë”.
Nga shpellat më të njohura në territorin e shteti të sotëm të Bullgarisë, disa prej tyre mbajnë emra në gjuhën shqipe dhe kanë histori tepër interesante lidhur me banorët shqiptarë dhe vendbanimet e tyre të lashta në Bullgari, që nga periudha pellazge-ilire-trake.
Kësaj radhe ju sjellim vetëm disa fotografi nga shpellat gjigande, të cilat mbajnë emra shqip:
SHPELLA ARBANASE (ARBËRORE, SHQIPTARE)
Shpella Arbanasе ndodhet rreth 200 m në lindje, midis fshatrave Arbanasi dhe Sheremeti në rrethinën e Tërnovës. Deri më tani është arritur të eksplorohet rreth 1000-1200 metra nga brenda, pasi janë kaluar 3 ngushtica në një distancë 20-25 metra nga njëra-tjetra.
SHPELLA TROJANE
Shpella është zbuluar në vitin 1989 gjatë një ekspedite speleologjike në kushte tepër të vështira për shkak të terrenit shkëmbor, në territorin e katundin Emen të Tërnovës. Nga galeritë e shpellës gjigante deri më tani janë eksploruar vetëm 1500 metra nga gjatësia e saj.
Këto shpella nuk janë të vetmet në ato hapësira, që mbajnë emra shqip dhe lidhen me të kaluarën, historinë e lashtë të shqiptarëve.
Këto vlera të trashëgimisë kulturore-historike duhet të shfrytëzohen për forcimin e bashkëpunimit dhe miqësisë me popujve të rajonit dhe Evropës.
* * *
Në gjithë hapësirën e Gadishullit të Ilirisë dhe përtej, nga Kaukazi deri në Alpet evropiane, nga brigjet e Mesdheut dhe gjithandej në Evropë, deri në ditët e sotme kanë mbetur të pa hulumtuara dhe të pazbuluara shumë gjurmë nga jeta dhe kultura e lashtë pellazge-ilire-arbërore.
Në të gjitha shtetet fqinje, por edhe në territorin e shteteve shqiptare, deri në ditët e sotme kanë mbetur të pa eksploruara shumë lokalitete arkeologjike, të njohura e të panjohura, por edhe shpella nga më të lashtat dhe më atraktivet, nga mund të përfitojë shteti edhe interesa ekonomike, përveç zbulimit, ruajtjes dhe afirmimit të vlerave të trashëgimisë kulturore-historike.
Asnjë nga organet e pushtetit dhe institucionet kompetente nuk ka dhënë përgjigje, pse pas njëqind vjet nga krijimi i shtetit të pavarur të Shqipërisë kaq pak investohet për kulturën shqiptare, për trashëgiminë e lashtë, për të kaluarën e lavdishme që i bën krenarë edhe shqiptarët e sotëm para botës.
Me këtë rast duhet të përmendim rastin e arkeologëve polakë, të cilët në vitin 2018 në territorin e Shqipërisë, afër qytetit të Shkodrës, arritën të zbulojnë një qytetet të lashtë së pak dymijë vjet. Me çfarë merren arkeologët shqiptarë dhe institucionet kompetente të shtetit tonë?!
(22 mars 2022)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk