Diplomacia.dk

MBI PREJARDHJEN E MAQEDONASVE TË LASHTË

Shkruan: Dr.Prof. Abdulla Mehmeti

Shpalime historie

(Fisi i lashtë i Mygdonëve, rajonet dhe qytetet Migdoni në Mesopotami dhe në Ilirikun jugor, Gadishulli i Maqedonisë, më vonë Halkidiki)
Studiuesit seriozë të historisë së lashtë nuk duhet të hamendet dhe humbin kohë në studimet e tyre, duke iu referuar vetëm autorëve vendës, por duhet t’i kapin fijet nga e kaluara më e lashtë, nëse kanë edhe vetëm pak orientime se nga duhet të fillojnë me kërkimin e gjurmëve të lashta të popujve, sidomos të popujve të Gadishullit Ilirik, ku e ka zanafillën dhe djepin e tij qytetërimi evropian i sotëm, nga parahistoria, Antika, Mesjeta e deri në Kohën e re.
Një nga këto probleme që edhe sot diskutohen nga studiuesit dhe qarqet shkencore është çështja e prejardhjes së maqedonasve të lashtë, të cilët u shfaqën në skenën historike përmes mbretërisë së Filipit II dhe sidomos të Lekës së Madh. Ende nuk është zgjidhur enigma, nëse maqedonasit e lashtë kanë qenë popull pellazg-ilir, sikurse fqinjët e tyre dardanët, epirotët, të njohur edhe këta përmes mbretërive të tyre gjatë asaj periudhe kur ka ekzistuara edhe mbretëria e Maqedonisë antike, e Lekës së Madh.
Në lidhje me tezën e përhapur shumë gjatë shekullit të fundit, se maqedonasit e lashtë kanë pasur ndonjë lidhje me grekët, sidomos me grekët e sotëm dhe sllavët e ardhur shumë vonë, ka kohë që janë mbyllur këto debate për studiuesit seriozë, vetëm aty këtu mund të paraqiten edhe sot zëra të mekur, kryesisht me motive politike dhe joshkencore.
Teza tjetër, se ky popull i lashtë ka qenë i pranishëm edhe në periudhën e mëhershme, kur kanë jetuar në këto hapësira popuj më të lashtë, sikurse Pajonët, Dardanët etj., gjithashtu janë të zbehta dhe nuk mbështeten me asnjë burim historik serioz.
Teza më e sigurt mund të jetë, ardhja e një fisi të lashtë pellazg nga pjesa jugore e Azisë së Vogël (Mesopotamia e periudhës së vonshme), për shkaqe që duhet të studiohen, për aq sa mund të sigurohen burime shkencore relevante.
Rajoni i njohur me emrin Emathia ka ekzistuar edhe para daljes në skenë të popullit maqedonas antikë. Mes tyre ka afër pesë shekuj dallimi në kohë dhe zhvillime të bujshme në këtë rajon.
Një tezë që ka qarkulluar gjithashtu në lidhje me këtë çështje, është lidhja e maqedonasve të lashtë me ishullin Argos dhe me Morenë (Peloponezin), por edhe kjo tezë nuk ka gjetur mbështetje të duhur deri më sot.
Shumë autorë të lashtë kanë pohuar se maqedonasit e lashtë kanë folur të njëjtën gjuhë sikurse edhe ilirët, dardanët dhe popujt tjerë të Ilirisë dhe Trakisë. Nëse shikohen me vëmendje hartat e lashta të publikuara në lidhësen e këtij shkrimi, aty mund të kapen edhe fijet pse janë besuar këto konstatime të studiuesve të lashtë.
Lëvizjet e mëdha të popujve në periudhat e lashta kanë qenë të zakonshme, edhe të fiseve të veçanta, për shkak të luftërave shkatërruese, të krizave dhe kërcënimeve për ekzistencë, të katastrofave natyrore ose për ndonjë arsye tjetër.
Kështu, vendndodhja e një fisi të lashtë me emrin MYGDONI, siç është quajtur edhe rajoni ku ka jetuar më herët ky fis dhe të jenë zhvendosur më vonë banorët e tij në brigjet e gadishullit Ilirik, e që shumë studiues e lidhin këtë emër fisi me popullin maqedonas dhe me Maqedoninë antike.
Përmes kësaj teze mund të zgjidhet edhe enigma, pse maqedonasit e lashtë besohet se kanë folur të njëjtën gjuhë sikurse dardanët, pajonët dhe popujt e tjerë të Ilirisë dhe Trakisë, duhet të merret parasysh edhe fakti se, kryeqendra dhe qyteti më i madh i rajonit ku ka jetuar fisi i Mygdonëve në Mesopotami, qyteti kryesor i rajonit të tyre e ka pasur emrin NISIBIS (Nis-vis), sikurse shumë vendbanime dhe qytete të tjerë pellazgë-ilirë me emra të ngjashëm, të njohur së paku 3-5 mijë vjet para erës sonë, të cilët kanë kuptim të plotë vetëm në gjuhën shqipe.
Në periudhën pas vendosjes së këtij fisi në gadishullin jugor të Ilirikut, aktualisht Halkidiki, ku pranë tyre ka ekzistuar edhe njëri nga qytetet e lashtë ilir me emrin Apollonia (këtë emër e kanë mbajtur disa qytete të lashtë), për historinë dhe prejardhjen e të cilit kemi shkruar gjerësisht më herët.
Këto elemente e përcaktojnë dhe u japin orientim të ri studimeve të mëtejshme për prejardhjen e maqedonasve të lashtë, të cilët gati plotësisht janë zhdukur në rrjedhat e mëvonshme të historisë dhe nuk janë përmendur fare, as si emër, deri në fund të shek. XIX dhe sidomos në shek. XX.
Këtu bëhet fjalë në lidhje me fisin Megdoni jo më herët se shek. VII p.e.s., mbi pesë shekuj pas Luftës së Trojës, ku përmenden Dardanët, Pajonët dhe popuj të tjerë pellazgë-ilirë.
Nga fisi Mygdoni, me përzierjen e tij më vonë me popujt vendës, besojmë se është ngjizur populli që e ka ruajtur këtë emër, i njohur si Maqedonis në peiudhën Antike.
(3 janar 2023)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

GJERGJ KASTRIOTI

Kategoria:

Botuar: 04/01/2023

© 2016 - 2023 | DIPLOMACIA.dk