ME NDRYSHIMET E REJA KUSHTETUESE TË GARANTOHET BARAZIA E PLOTË KOMBËTARE DHE GJUHËSORE E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI

09
Sep
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

Nga kujtesa

5 vite më parë
Shiko kujtimet e tua

Abdulla Mehmeti
8 shtator 2018 ·
ME NDRYSHIMET E REJA KUSHTETUESE TË GARANTOHET BARAZIA E PLOTË KOMBËTARE DHE GJUHËSORE E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI
Sot u mbajt takimi i radhës i Këshillit të intelektualëve, përfaqësuesve të sektorit civil dhe veprimtarëve shqiptarë në Maqedoni, për sensibilizimin e opinionit të brendshëm dhe ndërkombëtar për domosdoshmërinë e eliminimit të të gjitha formave të diskriminimit kolektiv të shqiptarëve dhe mundësitë e avancimit të statusit juridik-kushtetues dhe politik të popullit shqiptar në Maqedoni, si çështje e cila imponohet me referendumin e 30 shtatorit për Marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë për ndryshimin e emrit kushtetues të shtetit dhe çështjen e integrimit të shtetit në NATO dhe BE.
Në takimin e sotëm, i cili u mbajt gjatë orëve të pasditës në Kërçovë, morrën pjesë: Mamut Skenderi (SHSHA-SHBA), Osman Kadriu (Shkup-Kërçovë), Milaim Fejziu (LSHB, Gostivar), Adil Mustafa (IGFM, Tetovë), Dashamir Marku (Dibër), Nafi Pollozhani (SHBDPSH, Strugë), Alush Kamberi (Tetovë), Gafur Adili (Kërçovë), Valon Kurtishi (Ilirikum Libertas,Tetovë), Meli Jakupi (LSHB, Gostivar), Pllumi Veliu (Manastir), Qamil Qamili, Shpend Bajrami (LSHB, Gostivar) dhe Abdulla Mehmeti (Tetovë, ASHASHA-Shkup).
Pas shumë diskutimeve të gjata, përmbajtjesore dhe të argumentuara, nga të gjithë pjesëmarësit, përmes diskutimeve dhe analizave të hollësishme u arrit pajtim në lidhje me shumë çështje, sidomos për mënyrën e veprimit të mëtejshëm, edhe atë: të përgatitet një dokument politik-juridik me kërkesa të qarta dhe të argumentuara me të cilin ky Këshill do t’i drejtohet Qeverisë së Maqedonisë, Kryeministrit, partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, përfaqësive diplomatike në Shkup dhe faktorëve ndërkombëtarë, me çka parashtrohet domosdoshmëria që me ndryshimet kushtetuese që do të bëhen në frymën e Marrëveshjes së Prespës, të trajtohet seriozisht dhe zgjidhet statusi juridik-kushtetues i popullit shqiptar dhe statusi i gjuhës shqipe zyrtare në Maqedoni.
Ky Këshill kërkon që përfaqësuesit shqiptarë të jenë pjesë aktive në procesin e ndryshimeve kushtetuese, me atë që të përfshihen edhe ekspertë të fushës përkatëse të propozuar nga ky Këshill, me të drejta të barabarta me anëtarët tjerë të komisionit i cili do të përgatit draftin e amandamenteve kushtetuese.
Nga ky Këshill do të jepen propozime konkrete për zgjidhjen demokratike dhe të drejtë të këtyre çështjeve, në frymën e konventave ndërkombëtare dhe të traditës shtetformuese mbi parimet e së cilave është krijuar dhe duhet të ndërtohet më tej shteti i Maqedonisë, me sigurimin e barazisë së plotë kushtetuese të shqiptarëve me maqedonasit dhe të tjerët që jetojnë në këtë shtet.
Sipas analizave, në frymën e Marrëveshjes së Prespër pritet që ndryshimet e reja kushtetuese të bëhen mbi konceptin qytetar të shtetit, me çka do të eliminohet çdo formë e pabarazisë, diskriminimit dhe mohimit të edentitetit kombëtar, historik, kulturor dhe gjuhësor i qytetarëve me përkatësi të ndryshme, duke e ruajtur me këtë traditën e derisotme shtetformuese të maqedonasve, shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë në shtetin e përbashkët të Maqedonisë.
Me këtë rast duhet të tejkalohen dallimet dhe të eliminohen padrejtësitë dhe diskriminimi, të krijuara me Kushtetutën e vitit 1991, e cila është sjellë pas referendumit të njëanshëm për paravarësinë e Maqedonisë, të cilin nuk e kanë mbështetur qytetarët shqiptarë në Maqedoni dhe as nuk e kanë votuar atë Kushtetutë, si dhe ndyshimet e Kushtetutës të vitin 2001 në frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, e cila ka prodhur krizë, pakënaqësi dhe tensione ndëretnike të vazhdueshme në të kaluarën. Edhe ligjet e sjella në pajtim me Kushtetutën e derisotme, gjithashtu kanë qenë diskriminues, jodemkoratikë dhe të pazbatueshëm.
Përveç Preambulës, pritet që edhe në pjesën normative të Kushtetutës të saktësohet sidomos statusi i gjuhëve zyrtare, i gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, i gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj në nivel shtetëror, si dhe përdorimi i gjuhëve të tjera, të ndryshme nga gjuhët zyrtare, të cilat i flasin shumica e qytetarëve në nivel të vetëqeverisjes vendore.
(8 shtator 2018)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 09/09/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk