ME RASTIN E 2 PRILLIT-DITËS NDËRKOMBËTARE TË LIBRIT PËR FËMIJË

03
Apr
2024
Me: Syrija Etemi

Nga intervista e zhvilluar më 03.04. 2019
në TV KLAN
Përmbajtja e intervistës së zhvilluar
Në cilësinë e një krijuesi për fëmijë dhe pedagogut shkollor, ç’mund të na thoni për Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë?
Është një festë që organizohet periodikisht më 2 prill të çdo viti, dhe e cila ka për qëllim zhvillimin e aktiviteteve, të cilat kanë lidhje me lexuesit e moshave të vogla. Për herë të parë u zhvillua në vitin 1967. Festohet në këtë datë pasi, 2 prilli është ditëlindja e shkrimtarit të shquar danez për fëmijë, Hans Kristian Andersen , i lindur në Odense – qytetin e tretë më të madh në Dk, përkatësisht nja 9 km. në periferi të këtij qyteti, ku ndodhet edhe shtëpia muze e këtij shkrimtarit të famshëm. Jam krenar që, në janar të vitit 2018 pata fatin që ta vizitoj këtë shtëpi simpatike që reflektonte butësi e delikatesë.
Si po na gjen neve si shoqëri kjo ditë ?
Kam ndjesinë se kjo datë nga viti në vit na gjen gjithnjë e më të ngathtë e më indolentë në shënimin e saj me organizim të ndonjë evenimenti ku do të flitej e publikohej libri për fëmijë. Na gjen të papërgatitur edhe si prindë, edhe si shkollë, por, fatkeqësisht edhe shoqëri (me institucione të vakta në kryerjen e detyrës së tyre, si bibliotekat shkollore, të qytetit apo bibliotekat kombëtare).
Prandaj, kur flasim për këtë ngjarje kulturore, në këtë kontekst, patjetër të shtrohet pyetja që në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhet me këtë datë:
– Ku është sot gjendja dhe pozita e librit për fëmijë në hapësirat tona shqiptare? Në ç’nivel? Në ç’pozitë? Në çfarë sasie e cilësie është ajo sot? Dhe, me këto edhe një gamë nënpyetjesh tjera, të cilat do të kërkonin përgjigje (të cilat, ndoshta edhe nuk do mund t’i gjejmë hë për hë), pasi mungojnë të dhënat empirike, mungon interesimi, mungon kompetenca, e k.m.r.
Çfarë mund të reflektoni nga pozicioni juaj si pedagog e krijues?
Unë këtu mund të jap opinionin tim vizavi këtyre dilemave, vetëm duke u bazuar në përvojën time në cilësinë e pedagogut apo punëtorit shumëvjeçar arsimor, njëkohësisht edhe në pozitën e krijuesit që, rëndom i përkushtohet me kënaqësi të veçantë edhe krijimtarisë artistike dedikuar kësaj kategorie apo moshe, sa të ndjeshme e sensitive, aq edhe fluente dhe delikate. Sepse, ata janë të vegjël me trup, por shpirtin e kanë shumë të madh.
Nga pozita e pedoagogut shkollor , përveç aktiviteteve të tjera të parapara në programet tona të punës, me vite të tëra kam përcjellë dhe po përcjelli, përveç tjerash, edhe prezencën e krijimtarisë apo Librit për fëmijë në shkollë. Fëmijët e moshës shkollore (fillore), përveç tekstit mësimor, ata në kuadër të programit të gjuhës amtare, në kuadër të sferës apo fushës programore nga letërsia, ezaurojnë edhe lektyra shkollore apo pjesë të ndryshme, qoftë nga letërsia kombëtare, qoftë nga ajo ndërkombëtare. Kjo është një sferë e veçantë për të cilën duhet diskutuar në qarqe dhe instanca më të larta institucionale, qoftë nga MASH-i, BZHA, Universitetet etj. , qoftë nga forume të ndryshme, si,: Lidhja e Arsimtarëve shqiptarë, Këshillat e prindërve, Shoqatat e Krijuesve apo Poetëve, Shoqatat e botuesve Shqiptarë, etj.Në këtë shtjellë të gjithëmbarshme , patjetër të përmendim edhe përdorimin e literaturës ndihmëse për fëmijë, siç janë revistat dhe publikimet tjera për këtë kategori fëmijësh.
Mos ta rëndojmë këtë eveniment apo shënim gjegjës me ankesa dhe pesimizëm të beftë… por një gjë është e sigurt dhe indikative: në shkollat tona fillore shumë pak i kushtohet rëndësi leximit apo publikimit të librit për fëmijë. Fakt ky që determinon një mobilizim shumë më serioz të të gjithë subjektëve të ndërlidhur me punën edukative dhe arsimore të kësaj kategorie fëmijësh, duke filluar nga familja (ku libri, të thuash është lënë në harresë), nga shkolla fillore: cikli klasor, dm.th. mësuesja apo mësuesi, madje edhe mësimdhënësit ( jo vetëm ata të gjuhës dhe letërsisë, por edhe të tjerët) e, gjithësesi, duke mos abstrahuar apo veçuar këtu edhe bibliotekat shkollore e nacionale, madje shtypin periodik, mediat e shkruara dhe elektronike e k.m.r.
Nga pozita e krijuesit për fëmijë, duhet të bëj një intro dhe retrospektivë imanente, ku do t’i përmendi disa praktika të punës dhe aktiviteteve organizative të jetës sonë publike – kulturore ndër vite, që, në fokus e kanë moshën për të cilën flasim. Përderisa më herët hapësirat për të promovuar krijimet artistike ishin më të ngushtuara, por përkushtimi i shoqërisë dhe mekanizmave institucionalë të shtetit ishte më i theksuar dhe më i përgjegjshëm. Për nevojat edukative, në vitet 90-ta botoheshin disa revista mujore për fëmijë: “Fatosi”, “Gëzimi”, Shtojca për fëmijë e gazetës “Flaka…” – “Shkollari”, nga Kosova depërtonte “Rilindja për fëmijë”, etj. Nxënësi, që nga kl. I (parë) binte në kontakt me revistën, madje me librin për fëmijë, autorët që krijojnë për ta, madje edhe vet fëmijët e shihnin veten në këto publikime. Përveç kësaj, me ndihmën e mësuesit, në shkolla depërtonte edhe libri që, për fokus kishte përmbajtje, tema e motive të përceptueshme dhe qasëse për moshën e caktuar të nxënësve të tij. Nëpër shkolla funksiononin grupet letrare, funksiononte “Gazeta e murit”; organizoheshin promovime dhe portrete krijuesish për fëmijë, organizoheshin takime me poetë që shkruanin për shkollarë apo fëmijë, e, shumë e shumë evenimente tjera të rëndësishme për përhapjen e fjalës së shkruar poetike, librit për fëmijë e revistave dedikuar kësaj kategorie.
Si e cilësoni zhvillimin e teknologjisë në raport me librin?
Gjithnjë – në trend me ndryshimet në sfera të ndryshme të jetës që mbajnë vulën e globalizimit, neve shqiptarëve të kësaj pjese të globit, ky zhvillim maramendës i teknologjisë bashkëkohore, sikur na gjeti të përgjumur dhe, nuk arritëm të mbajmë ritmin e duhur në hapërimin e këtij zhvillimi kaq frapant. Depërtoi interneti në çdo segment të jetës, në çdo sferë të shoqërisë,e, me këtë edhe në letërsi e mediume, e ku nuk u penetrua… Ne mbetëm këtu ku jemi. Nuk ditëm të luajmë rolin tonë me fëmijët – në menaxhimin e këtyre megainformacioneve karshi afiniteteve përceptive të tyre, qoftë në shtëpi, qoftë në institucionet arsimore të të gjitha niveleve. Me të vërtetë fëmija apo i riu aty gjen “gjithçka” virtuele, por asgjë – të ngrohtë e fizike e emocionale. Kështu, tani neve s’na ka mbetur tjetër, por vetëm ta “vajtojmë” situatën. E, kujit t’i ankohemi për gabimet e devijimet tona që ne vet nuk kemi ditur të veprojmë? E kaluara nuk mund të ndreqet, thonë njerëzit që “ kanë grisur një këmishë më tepër”.
Çfarë porosie keni për faktorët e involvuar në edukimin e fëmijëve?
Prandaj, le të ngel kjo bisedë edhe një apel tek të gjithë faktorët e involvuar në edukimin e arsimimin e fëmijëve:
1.Para se të hyjë fëmija në shkollë, Ju prindër, tregoniu ndonjë përrallë “engjëllit” tuaj të shpirtit; larg nga kontakti me manuale elektronike; Lëreni fëmijën tuja të luajë me libra e ilustrime , lapsa e fletore. Derisa të mësojë të lexojë vet, lexoji ti ndonjë tregim të shkurtër apo ndonjë përrallë. Kushtoi pak kohë fëmijës për të mësuar germat e para, në mënyrë që kur të vete në klasë të parë, të jetë i parapërgatitur.
2.Ti mësues që mban epitetin më të nderuar e respektuar në shoqëri, mos u bën rob i administratës së stërngarkuar pedagogjike, por gjej kohë dhe përkushtim më të madh për përvetësimin e leximit me të kuptuar- e leximit të krijimeve të zgjedhura për fëmijë. Ti duhet të nxitësh tek ata dashurinë për lexim, dashurinë për librin; Ti duhet të shprushësh imagjinatën e vrullshme fëmijërore, sepse secili fëmijë është poet në vete; Ti duhet t’u sugjerosh e rekomandosh për lexim librin më interesant; Ti duhet t’u sugjerosh, por, bashkë me ta të shikoni nga YouTube apo nga ndonjë platformë tjetër, përrallat e zgjedhura shqipe, por edhe ato të huaja – të përkthyera në shqip; Ti duhet, bashkë me nxënësit e tu të përcjellësh shfaqje teatrore për fëmijë; Ti duhet sa më shpesh të vizitosh bashkë me nxënësit e tu bibliotekën shkollore, por edhe ato të qytetit, se, fundja, fëmija më shumë mëson përmes shembullit…
3.Ju përgjegjës të institucioneve arsimore e kulturore: Bëni detyrën tuaj me nder e kompetencë, e mos i ngatërroni “reqatët”! Mbështetni materialisht e financiarisht përpjekjet e prindërve dhe mësuesve për një qasje më profesionale dhe më të lehtë të fëmijëve dhe nxënësve karshi librit e, krijoni mundësi më të favorshme për shoqërim e miqësim me librin. Lëreni politikën të bëjë punën e vet… Ju mos i shndërroni institucionet arsimore e kulturore në servis të politikës kapriçoze ditore, por bëni të kundërtën: atë vënie në funksion të shoqërisë e qytetarëve, sepse ata Ju paguajnë juve. Krejt kjo “sakrificë” e sotme dhe ky investim në libër e lexim, nesër do të na shpërblehet me një begati e prosperitet brezash, sepse, kush nuk mendon për ardhmërinë, nuk mund edhe ta ketë atë.
Nga intervista e zhvilluar më 03.04. 2019
në TV KLAN

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 03/04/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk