ME SHOKUN ENVER HOXHA GJATË OPERACIONIT TË DIMRIT (DHJETOR 1943)

29
Nov
2024
Nga: SPIRO MOISIU

ME SHOKUN ENVER HOXHA GJATË OPERACIONIT TË DIMRIT (DHJETOR 1943)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Komandant’i Shtabit të Përgjithshm i UNÇSH
Të ngarkuar me një punë të rëndësishme, në dhjetor të vitit 1943, unë së bashku me sokun Enver dhe me disa anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, ndodheshim në Labinot.
Disa muaj përpara, domethënë para kapitullimit t’Italisë, shoku Enver kishte shtruar para nesh mendimin e tij se armiku do t’ia fillonte një operacioni të gjerë në këtë zonë. Për këtë kishte udhëzuar shokët e qarkorit të Elbasanit që të depozitonin në shpellat e Çermenikës disa sasira të mjaftueshme ushqimi, për të përballuar gjithë kohën që do të zgjaste operacioni.
Ushqimi u depozitua, por shokët e Elbasanit në vend që këto t’i rezervonin për kohën më kritike gjatë operacionit, i harxhuan pa urdhër të Shtabit të Përgjithshm, për ushtarët italianë, të cilët dezertuan nga radhët e ushtrisë italiane me kapitullimin e Italisë fashiste. Kjo qe arsyeja që, kur shpërtheu operacioni, ne u gjendëm jo vetëm të rrethuar, por edhe pa ushqim.
Fillimin e ofensivës armike kundër forcave tona në zonën e Çermenikës ne e kishim marë vesh disa ditë përpara, kështu që shoku Enver shtroi para nesh planin për masat e domosdoshme që duheshin marrë, (ay e kishte gjithmnë zakon që çdo masë që mendonte të merrej t’ua parashtronte shokëve dhe të merrte mendimin e tyre). Ajo çka shtroi shoku Enver ishte shumë e drejtë, u aprovua dhe ne u mobilizuam të gjithë ta zbatojmë. U shpërndanë forcat në pozicione për luftime, dhe në të gjithë drejtimet e luftës u dërgua nga një shok i Shtabit të Përgjithshëm. Shoku Enver i porositi që të luftonin dhe, në rast pamundësie rezistence, të tërhiqeshin në drejtim të zonës së Matit.
Luftimet sa vinin ashpërsohehin; forca të mëdha gjermane dhe balliste u lëshuan si të tërbuar kundër forcave tona në zonën e Çermenikës, ashtu sikundër u lëshuan edhe kundë gjithë forcave partizane në Shqipëinë e Jugut. Në zonën e Çermenikës në këtë kohë ndodhej vetëm Brigada e II-të dhe e III-të, që ishin formuar para pak muajsh, si dhe batalioni i Çermenikës.
Gjendja paraqitej shumë e vështirë. Shtabi ishte i rrethuar dhe, midis tij ishim edhe ne: unë, shoku Enver dhe shokë të tjerë. Shoku Enver vazhdonte pandërprerje punën duke shkruar në dhomën e tij me gjakftohtësinë më të madhe. Më vonë na propozon që të tërhiqemi nga Shëmilli dhe të futemi në thellësi të Çermenikës; të gjithë ishim dakort dhe filluam të mbledhim plaçkat. Kurse shoku Enver, përsëri gjakftohtë, vazhdonte të punonte dhe u ngrit vetëm në minutat e fundit, kur ne i thamë se jemi gati të nisemi.
Në vazhdim të rrugës sonë arritëm në Orenjë; atje hëngrëm bukë, u shlodhëm pak dhe më vonë u lajmëuam se partizanëve u ishte mbaruar municioni dhe duhesh të tërhiqeshim; këtë ne e aprovuam dhe kështu Brigada e II-të shkoi në drejtim të Burrelit dhe forcat e tjera në drejtimet e parashikuar që më parë.
Ne të tjerët, si muarrëm me vete oficerat englezë që ndodheshin aty, tërhoqëm edhe gjithë partizanët e sëmurë, hymë në Martanesh dhe me qetësinë më të madhe u vendosëm në pyll, ku ndënjëm një natë e dy ditë. Ushqimi na mungonte krejtësisht; atëhere nisëm dy partizanë në katundin Martanesh për të gjetur ca miell misri. Mbas 6-7 orësh partizanët arritën me miellin e misrit, të cilin e ziem vetëm me ujë dhe e hëngrëm.
Ditën tjetër u detyruam të therrim edhe disa mushka, kështu që do të siguronim ushqim për atë ditë dhe veç asaj do të ishim edhe më të qetë, se shumë herë ato mushkat na bënin potere dhe ishim në rrezik të diktoheshim nga armiku. Partizanët nuk dëgjuan të therrnin kalin e shokut Enver dhe kalin tim.
Edhe këtu në pyll dhe me gjithë këto vështirësi, shoku Enver e rregulloi një copë vënd, ku të vazhdonte punën duke udhëzuar qarkorët që të merrnin masat e nevojshme lidhur me situatën që ishte krijuar.
Plani ynë ishte që të shkonim në Jug, në zonën e Korçës. Udhëtimi ishte i gjatë dhe plot rreziqe, për këtë shoku Enver, duke menduar moshën e tyre, propozoi që disa nga shokët, të qëndronin në shpellën e Çermenikës ku ishte vendosur teknika dhe ish depozituar pak ushqim për atë situatë. Ne të tjerët, duke marrë me vete edhe englezët, u nisëm për në krahinën e Korçës, duke kaluar nga ana e Librazhdit. Kur arritëm në malet në afërsi të Librazhdit, informatori ynë na informoi se është i pamundur kalimi më tutje. Shoku Enver nguli këmbë që të kalojmë, por shoqëruesi nuk lejoi dhe atëhere shoku Enver na propozoi që të ktheheshim në vëndin ku ishim nisur. Operacioni vazhdonte, rruga ishte e vështirë, dhe ne, duke pasur me vehte edhe rreth 20 parizanë të sëmurë, muarëm rrugën për t’u kthyer në vendin e nisjes. Kishim dy ditë pa ngrënë fare dhe e ndjenim veten shumë të lodhur. Në këtë çast erdhi një partizan, i cili na solli dy bukë misri dhe, pasi nxora dhe unë dy kokra qepë dhe kripë që më kishin mbetur në çantë, u ulëm të hamë. Si buka edhe qepët u ndanë në pjesë të barabarta për të gjithë se, ku të lejonte Spiro Koleka t’i jepnje ndonjërit më shumë. Kjo ka qene karakteristikë e tij gjatë gjithë kohës së luftës. Këtu na thotë gjenerali englez: “More, çfarë njerëz jini ju? Si u rezistoni gjithë këtyre mundimeve?”
Rruga që do të bënim ishte e gjatë, prandaj u ngritëm shpejt, por mbas ndonjë ore udhëtimi u gjendëm përsëri përpara lëvozhgave të qepëve. Në fillim zumë të mendoheshimk se kush do të kishte kaluar këtej, por më vonë u bindëm se ai ishte vendi ku kishim ngrënë bukë, domethënë ecëm sa ecëm dhe u kthyem përsëri në atë vënd; kishim humbur rrugën dhe as drejtonjësi nuk e dinte se nga duhej shkuar. Po errej dhe ne mbetëm në vend; atje nuk mund të qëndrohej, se në atë zonë kishte shumë ballistë, por shoku Enver na shpëtoi. Ai i kërkoi busullën një englezi dhe pas busullës ai na drejtoi në vendin ku duhej të arrinim.
Rrugës u diktuam nga ballistët; në Fushën e Studës na qëlluan edhe me pushkë, por ne me gjakftohtësi vazhduamrrugën drejt fshatit Kostenjë, hypëm majë malit dhe hymë në një pyll të madh. Këtu, ai që na udhëhiqte humbi përsëri rrugën, se kish rënë mjaft borë. Shoku Enver na propozoi që të qëndronim në pyll atë natë dhe të vazhdonim rrugën të nesërmen. Vendosëm të rrimë. Dëbora binte papushim, zjarri nuk na ndizej se drutë ishin të lagura; për të ndezur zjarrin na u desh të grisnim edhe këmishët tona. Të nesërmen zbritëm në fshat, ku ndenjëm 3-4 ditë, sa muarmë lidhje me Çermenikën, mirëpo armiku na diktoi dhe vendosëm të shkojmë në Çermenikë.
Gjenerali englez ndënji aty gjersa të sistemoheshim ne, pa të vinte. E lamë nën kujdesin e Baba Fajës, i cili ishte së bashku me partizanët e tij, si dhe partizanët e sëmurë. Në mbrëmjen e asaj dite, Baba Faja dhe gjenerali englez u rrethuan nga gjermano-ballistët dhe filloi lufta. Gjenerali englez u plagos lehtë në lëkurë dhe u dorëzua; megjithëse partizanët e siguronin ta merrnin me vete, ai nuk pranoi. E çuditshme ka qenë, se një kolonel englez që ishte me të, nuk u dorëzua, megjithëse kishte një këmbë të ngrirë: ay iku me partizanët, për të vetmen arsye se ata kishin një rregul që, po të dorëzohej gjenerali, koloneli bëhej automatikisht gjeneral.
Na u desh të qëndrojmë disa ditë në Shëmill, ditën ilegalë dhe natën duke marrë lidhje me shokët në Çermenikë, kështu që shoku Enver, me gjithë rreziqet, u vu në lidhje me shokët e Çermenikës. Edhe këtu shoku Enver filloi të punojë pa pushim, ashtu siç e kishte zakon të punonte kudo që ndodhej: në pyll, çadër, shpellë apo dhomë.
Guximi i shokut Enver ka qenë shumë i madh; shumë herë udhëtonim vetëm të dy për të vajtur në shpellën ku kishim vendosur teknikën. I thoshnja: “Mor Enver, nuk e ke mirë këtë, pse të mos marrim ndonjë roje pas? Të na vrasin është një anë, por ç’t’i bësh turpit pastaj kur të vritemi në këtë mënyrë.” Ai qeshte dhe vazhdonte rrugën plot kurajë.”Nuk marim partizanë, më thoshte, se dobësojmë rreshtat partizane.” Kështu, shumë herë edhe kuajt i tërhiqte vetë.
Operacioni akoma vazhdonte, por plani ynë duhej zbatuar, ne duhej të kalonim në Jug, por këtë radhë nga ana e Shpatit. Në vazhdim të rrugës sonë për në Jug, para se të arrinim në Galigat, ai që na udhehiqte, u tërhoq duke na thënë: “Ja, fshati, duket, kaloni vetë; unë nuk zbres në fushë”, etj. Unë dhe shokët e tjerë filluam t’i flasim për ta bindur që të na çonte në bazën për ku drejtoheshim, por ai nuk bindej. Pas pak, shoku Enver, me tonin e tij të butë e bindës e bëri që ai të na çoi gjer në vënd.
Kur arritëm në Kisht u drejtuam te një bazë e jonë, ku qëndruam ilegalë, se në majat përballë fshatit kishte ballistë, të cilët, sa muarrën vesh që po afrohej batalioni i Riza Kodhelit, u tërhoqën dhe hynë në fshat. Qëlloi që në atë shtëpi ku ishim ne të vinë edhe ballistë; kështu që dy dhoma ishin me ballistë dhe në një dhomë ishim ne. Në këtë rast shoku Enver thirri nj’a dy pionerë dhe ashtu, i dashur e i qeshur, bisedoi me ta dhe i udhëzoi që të hynin në dhomën e ballistëve e t’u thoshnin se ç’do të bënin ata sikur të vinin partizanët në fshat. Njëri nga ballistët iu përgjegj njërit prej pionerëve: “Unë do të rri te babai yt”.
Pionerët i sollën përgjigjen shokut Enver. Ai i nisi përsëi duke i porositur që t’u thonë: “mirë njëri do të rrijë te babai i pionerit, po të tjerët ku do të futen?” Pionerët e mbaruan edhe porosinë e dytë, por kur ata u kthyen dhe po i tregonij shokut Enver, ballistëve u kish hyrë frika dhe po bëheshin gati. Në mëngjes ballistët kishin shkuar që të gjithë dhe ne vazhduam rrugën tonë për në Panarit, ku ishte qëndra e Shtabit të Përgjithshëm.
Gjakftohtësia dhe guximi i shokut Enver kanë qënë shumë të mëdha gjatë gjithë kohës së luftës. Më kujtohet se si të gjithë shokët bisedonin për guximin e tij kur ishim në fshatin Odriçan të rrethit të Përmetit. Aty erdhën gjermanët dhe shoku Enve me disa shokë të tjerë hynë në pyll, mirëpo, pa ikur akoma gjermani i fundit nga fshati, ai zbrit menjëherë shumë i qetë në vendin ku ishte më parë dhe ia filloi punës.
Gjatë jetës partizane të shumta janë rastet ku tregohej mprehtësia e shokut Enver. Unë do të tregoj vetëm një rast: Kur ishim në Helmës na u kërkua nga gjermanët që të shkëmbenim disa robër lufte. Në këtë rast shoku Enver na propozoi që, në listat që do t’u paraqitnim gjermanëve, të mos vinim emrat e vërtetë të shokëve, sepse gjermanët mund të mendonin që këta janë njerëzit më me vlerë për partizanët dhe mund t’i vrisnin, prandaj të vinim në lista ca emra të atyre që ishin vrarë, ca emra ballistësh, etj. dhe, në rast se nuk i kishin këta, le të sillnin të tjerë. Mendim i tij u pranua prej nesh, plotësuam një listë me 100 emra dhe ua nisëm gjermanëve.
Vendi i shkëbimit u caktua afër Lavdarit. Neve nuk na shkonte ndër mend se mund të ngjiste ndonjë gjë e keqe në këtë rast, por shoku Enver e parashikoi të ligën dhe porositi që robërit gjermanë të mbaheshin shumë larg, të sigurohen mirë, se ka rrezik që gjermanët të vinë me forca dhe të na i marrin robërit pa na i sjellë tanët. Në të vërtetë ashtu ngjau, siç parashikoi shoku Enver. Gjermanët erdhën me forca, por robërit e tyre nuk i muarrën dot, se ishin vendosur mjaft larg ashtu siç kishte këshilluar shoku Enver.
Unë kam patur rastin që gjatë kohës së luftës të kem qenë gjithmonë afër shokut Enver dhe më bënte shumë përshtypje që ay, në çdo situatë kritike, vendoste me gjakftohtësi dhe gjithnjë vendimet e tij ishin të drejta. Më kujtohet se si ay e porosity Ymer Dëshnicën, kur u nis për në Konferencën e Mukjes, duke i thënë: “Ki kujdes që asgjë të mos vendoset jashtë atyre që të ka porositur Partia”.
Pa u kthyer akoma Ymer Dëshnica, shoku Enver mori vesh ç’kishin vendosur ata në kundërshtim me vijën e Partisë, u revoltua dhe mori menjëherë masa për anullimin e atij vendimi jo të drejtë duke udhëzuar gjithë qarqet e Partisë. Atë mendim që shfaqi shoku Enver n’atë çast, atë shfaqi edhe e gjithë Partia, ay ishte shumë i mprehtë,i qartë dhe ecte i sigurtë në vijën e drejtë të Partisë. Sa kujdes tregonte shoku Enver për njerëzit që nuk ishin në Parti! Ay i mbante gjithnjë afër, bisedonte gjatë me ta, merrte mendimin e tyre dhe respektonte shumë postin që u kishte besuar atyre Partia.
Shoku Enver, nuk ishte vetëm një udhëheqës politik i mirë, por edhe një strateg i mirë. Kjo më bënte shumë përshtypje, sepse ay, megjithëse nuk ishte marë ndonjëherë me çështje ushtarake, vendoste shumë drejt dhe për problem ushtarake. Gjithë plani i operacioneve të Brigadave, si gjatë mbrojtjes së Kongresit të Përmetit, ashtu edhe për kalimin e Brigadave tona në Veri, ka qenë hartuar nga vetë shoku Enver.
(Shënim: marë prej libri”Partizanët tregojnë…”-kujtime, ditarë, shënime të pjesmarrësve në Luftën Nacionalçlirimtare”, Tiranë, 1960, f.219-224.)
* * *
“Kështu në atë kohë të rëndë pushtimi,
Kur bora u nxi
E balta zu thinjë,
Komunistët vendosën
THEMELIMIN,
Koha thirri në skenë Partinë.
. . . . . . . . . . . . .
Ajo s’ishte firmë,
Ajo ishte vetëtimë
Në qiell të revolucionit me re dhe suferinë.
Duke nënshkruar dokumentin e parë,
Shoku Enver Hoxha nënshkroi
STUHINË.
Ismail Kadare”Shqiponjat fluturojnë lart”.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 29/11/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk