MEHMET SHEHU EDHE I VDEKUR I TMERRON NEOFASHISTËT

15
Aug
2024
Shkruan: Dilaver Goxhaj

(Pjesa e Tretë e kritikës ndaj librit “Dosja Amerikane për Shqipërinë Komuniste”)

Libri “Dosja Amerikane për Shqipërinë Komuniste” me autor Bejtullah Destani çelet me Dokumentin Nr.7274/54/.21 Gusht XI-1275.BS, me nëntitull: “HISTORIKU I MEHMET SHEHUT, “KASAPI-t.”, prej 16 faqe. Atë volum ka edhe edhe parathënia e shkruar nga Visar Zhiti; ndërkohë, çdo kre tjetër është 2-3 faqe!
Burimi – Athinë: Refugjatët shqiptarë në Greqi.
1
Pyetje: Cilët janë ata refugjatët shqiptarë në Greqi që mbi dëshmitë e tyre është mbështetur autori për hartimin e historikut për Mehmet Shehun?
Përgjigje: Dëshmitë e emigrantët kolaboracionistë shqiptarë në Greqi, mbi të cilat është mbështetur Bejtullah Destani që ka përgatitur këtë Historik për Mehmet Shehun na i jep poeti, shkrimtari dhe gazetari Aleks Çaçi, i cili ka qenë në Greqi “në periudhën 30 janarit 1947 deri në 12 prill 1947 si gazetar i Përfaqësisë Shqiptare pranë Komisionit Hetimor i UNO-s (OKB), që u krijua pas ndërhyrjes së imperialistëve në Dhjetorin e vitit 1944.” Me këtë fjali nis parathënien e librin e tij ”Përmes Greqisë heroike”, prej 84 faqe, botim i “Ndërmarrjes shtetërore e botimeve dhe e shpërndarjes”, Tiranë 1949.
Aleks Çaçi sqaron, se “Prej muajit të parë të vitit 1945 Janina ishte qendra e kuislingëve fashistë shqiptarë, ku qëndruan afërsisht 300 veta. Por më vonë, si rrjedhojë e reagimit të popullit të Janinës kundër kuislingëve fashistë jugosllavë, shqiptarë e bullgarë që bashkpunuan me italianët e gjermanët kundër Lëvizjeve Nacional-çlirimtare të vendeve të tyre , i larguan andej dhe i dërguan në Patra, Selanik dhe në qytete të tjera të Greqisë Veriore. Më vonë i zbritën në Llarisa, Athinë, Pire, ishullin Siro, ndërsa kuislingët më të dalluar u dërguan në Athinë dhe Pire për të bërë një jetë më të rehatshme”. Në ishullin Siro – sqaron më tej Çaçi – kriminelët shqiptarë filluan të shkonin në fillim të vitit 1946, ku kishte 53 kuislingë shqiptarë, të cilët jetonin në kushte lluksoze. Në Pire kuislingët mbaheshin në Pallatin Haxhiqirjaqi. Në këtë pallat ishin sistemuar edhe kolaboracionistët shqiptarë: Fiqiri Dine, Hysni Dema, Muharrem Bajraktari, Alush Leshanjaku, Prek Previzi, Abas Ermenj, Ali Nivica, Haki Rushiti, mësonjësi Mihal Mone etj. Të gjithë këta u morën në pyetje nga Komisioni Hetimor, se çfarë funksione kanë pas gjatë okupacionit italio-gjerman. Dhe pothuajse të gjithë kishin gati të njëjtën përgjigje: “Unë kam qenë patriot…Unë kam luftuar gjithnjë për Shqipërinë”. Ndërsa Muharrem Bajraktari i bëri të qeshnin të gjithë anëtarët e Komisionit Hetimor me përgjigjen: “Unë jam i pari nacionalist në Shqipëri. Unë jam i vetmi patriot në Shqipëri.” (Aleks Çaçi “Përmes Greqisë Heroike”, f.28 – 33)
Dihet fare mirë se të gjithë këta “dëshmitarë” të Bejtullah Destanit nuk e kanë njohur aspak Mehmet Shehun, pasi jo vetëm që nuk kanë pasur asnjë kontakt me atë, por, përkundrazi kanë luftuar me armë kundër njeri-tjetrit. Kjo për vetë faktin që Mehmet Shehu u kthye nga Lufta e Spanjës në Shqipëri në vitin 1942 kur Shqipëri ishte nën pushtimin italian dhe u bashkua menjëherë me Partinë Komuniste Shqiptare dhe me rezistencën shqiptare në Mallakastër; ndërkohë që këta “dëshmitarë” ishin vënë nën komandën e pushtuesive, të cilëve Mehmet Shehu u ktheu pushkën të nesërmen e mbritjes në Mallakastër. Ky është dhe paradoksi më i madh i autorëve të këtij libri.
2
Ja si e fillon Bejtullah Destani improvizimin e tij: “Koment vlerësimi: Edhe pse detajet e këtij raporti nuk mund të konfirmohen, edhe vetëm një e dhjeta e tij nëse është e vërtetë, do t’i bënte lexuesit të ndjejnë neveri. [..] Mehmet Shehu, Kryeministri i ri i Shqipërisë, del më shumë në pah për gjakpirësinë personale që e karakterizon.[..] Ai është një vrasës i lindur dhe merr kënaqësi duke vrarë personalisht. Arma e tij e preferuar është thika. Rrëfimet e dhëna nga burimet tona e bëjnë të qartë se pse Kryeministri i ri sot në Shqipëri përflitet mes pëshpëritjeve si Mehmet Kasap-i” (f.31)
Dhe Visar Zhiti, në parathënien e tij shton: “Dokumentat përmbledhin nga vitet 1943-1953, pra, dhjetvjetëshin e parë të diktaturës komuniste në Shqipëri. [..] Një sërë dëshmish, kemi të vërteta të gjalla që i mbartnin të arratisurit.”,(f. 18,19). Dhe se cilat janë “të vërtetat e gjalla që i mbartnin të arratisurit”, e sqaruam më lart.
Prandaj dhe pasardhësi i tyre Bejtullah Destani, i frymëzuar prej dëshmive “të vërteta e të gjalla” na thotë: “Rrëfimet e dhëna nga burimet tona e bëjnë të qartë se pse Kryeministri i ri sot në Shqipëri përflitet mes pëshpëritjeve si Mehmet Kasap-i”. Mirëpo, “noteri” i të “vërtetave të gjalla” sqaron këto dëshmi janë marrë “dhjetvjetëshin e parë të diktaturës komuniste ndërkohë që Mehmet Shehu në “dhjetvjetëshin e parë të diktaturës komuniste në Shqipëri”, ndërkohë që Bejtullahu përgënjeshtron veten kur na thotë: “Në 20 korrik 1954 Radio TIRANA transmetoi se SHEHU po merrte detyrën si Kryeministër.”?! (shih f.46 të librit të tij).
Dhe eja e mos e beso Erio Remarkun kur thotë: “Urrejtja të bën të pakujdesshëm.” Dhe, me qenë se këtë urrejtje ndaj “kryeministrit të ri te Shqipërisë”, Bejtullahu e ka edhe të verbër, gjë që e pranon vetë kur thotë se, informacionin e ka nga “refugjatë të besueshëm dhe të mirëinformuar shqiptarë në Greqi”,(f.31), po vërtetohet plotësisht ajo që Balzaku ka thënë: “Urrejtja e verbër ushqehet me gjithfarë gjërash të vogla.” Por kjo lloj urrejtje më së shumti tregon ndjenjë armiqësore! Po ngase I ka lindur Bejtullahut nga Kosova kjo urrejtje ndaj Mehmet Shehut, vetëm pse është një komandant i lavdishëm antifashist? E shtrojmë këtë pyetje për faktin se, derisa ka qenë gjallë SHEHU, Bejtullahu nuk ia kish dëgjuar as emrin. Urrejtja e Bejtullahut ndaj antifashistit Mehmet Shehu ka ngjyrat e një akti kriminal të një shpirti fashist. Dhe kjo është e besueshme përderisa Bejtullahu shfaqet neofashist tipik me të pavërtetat e tij të llahtarshme, sikundër do t’i ballafaqojmë në vijim.
3
Dhe ja gënjështra e parë llahtarë e Bejtullahut: ”Mehmet Shehu mësoi “artin e terrorit” në Spanjë dhe u dallua për pamëshirshëmrinë e tij dhe shpërfilljen e jetës njerëzore gjatë likuidimit të përgjakshëm të trockistëve, anarkistëve dhe fraksioneve të tjera kundërshtare që komunistët kryen pas frontit republikan. [..] Disa nga mizoritë që i atribohen atij gjatë këtyre viteve janë, therrje në masë, sadizma, madje edhe likantropi që shkojnë në kufijtë e imagjinatës.” (f.34, 39).
Në këta 5-6 reshta bindet çdo lexues se Bejtullah Destani është tabula rasa për Luftën e Spanjës. Çdo e keqe vjen nga padija. Prandaj na del për detyrë t’i tregojmë Bejtullahut një grimcë të së vërtetës për atë luftë internacionalistësh nga 53 vende të botës, duke i cituar shkencëtarin e shquar Albert Ajnashtajn: “Në ngjarjet politike të tanishme, lufta e popullit spanjoll për liri dhe dinjitet të njeriut, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ngjalljen dhe ruajtjen e shpresës për një të nesërme më të mirë.” (“Lufta e Spnajës (1936-1939)”,Tiranë, 1959, f.149).
Dhe lë të vijojmë me një dëshmitar tjetër okular shqiptar të asaj lufte, “njeriun më të kulturuar nga të gjithë vullnetarët shqiptarë në Spanjë”, sikundër e cilëson vullnetari i Luftës së Spanjës, shkrimtari Petro Marko. Dhe ai është shkrimtari Skënder Luarasi:
“Në Spanjën republikane vullnetarët nga Shqipëria erdhën si përfaqësues të Shqipërisë nga gjithë shtresat përparimtare të shoqërisë. 1) [..] 2) [..] 3). Nga shtatëdhjetë e ca vullnetarë, 10 qenë ushtarakë, që t’u tregonin shokëve në ushtrinë e mbretit faqezi se cili qe armiku i vërtetë i Shqipërisë dhe kundër kujt t’i drejtonin armët kur të vinte momenti vendimtar për liri a vdekje. [..]
“Që në fillim, ata të shtabit “Linkoln” kur do të formonin batalionin e tretë “Makkezzi”, kërkuan një oficer shqiptar për komandant, mundësisht të zotëronte gjuhën anglisht. Atë behar, si me porosi erdhi në Spanjë MEHMET SHEHU, nxënësi im në Shkollën Teknike të Fullcit në Tiranë. Shkova në Quintanar dela Republika dhe e grisha në Albaceta që ta bisedonte çështjen vetë me komisarin amerikan. Mehmeti nuk pranoi postin; shkoi në front me Brigadën “Garibaldi”, NË TË CILIN IA RRITI NDERIN TRIMËRISË SHQIPTARE….”. (Skënder Luarasu “Në brigadat internacionale në Spanjë”, Toena, 1996, f. 35, 40, 46)
4
Na lind pyetja: Nga e ka marrë “historiani” Bejtullah këtë informaciuon kaq “të saktë” për “artin e terrorit” të Mehmet Shehut, pasi asnjë nga refugjatët shqiptarë në Greqi nuk ka qenë në atë luftë?
Dhe të tillë informacion për “shpërfilljen e jetës njerëzore” të SHEHUT, kuptohet që e ka nga dëshmitë e gjalla të kolaboracionistëve që do të kenë qenë ushtarakë kolaboracionistë që kanë luftuar kundër formacioneve partizane që ka komanduar Mehmet Shehu. Dhe gjasat janë që Bejtullahu ta ketë marrë nga libri i kolonelit të arratisur, kolaboracionisti Faik Quku, me qenë se librin ai e ka botuar fillimisht në Nju York, më 1966, të titulluar: “Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore(1941-1944)”, Tiranë, 2006, ku në f.226 të tij, të cilin na e citon vetë Betullahu: “Ekzekutimi në masë me thika i ushtarëve dhe i oficerëve italinë prej Mehmet Shehut, në Mallakastër, në prill 1943, dhe në Çermenikë në shtator 1943, prej Xhelal Starveckës me urdhër të Mehmet Shehut, kanë ba përshtypje shumë të keqe te populli jonë.”
Mirëpo, sikundër do ta shohim më poshtë, Xhelal Staravecka, (1912–1966), ish-komandanti i Batalionit të dytë në Br.1 S, me komandant Mehmet Shehun, i cili, edhe pse i tradhëtoi Enver Hoxhën dhe SHEHU-n, më pas na flet krejt ndryshe, nga sa na prezanton Faik Quku.
Staravecka dezertoi nga Brigada e Parë Sulmuese të nesërmen e martesës së tij, më 13 shkurt 1944. Dhe, sikundër shkruan në librin e tij, me insistimin e Kryetarit të Regjencës Gjermane Mehdi Frashëri (refugjat në Greqi), Staravecka pranon detyrën e komandantit të xhandarmërisë të Kryeqytetit Tiranë, detyrë të cilën e kreu deri më 10 shtator 1944; dhe, pas lufte u arratis duke mos u kthyer më kurrë në Shqipëri. Me sa duket e ka vrarë ndërgjegjia e të qenë gati katër vite rresht partizan çlirimtar, e cila nuk e ka lejuar të thotë vetëm shpifje në librin e tij, të shkruar kur ishte 54 vjeç. Dhe kuptohet pse. Sepse, Staravecka kur shkoi në Itali, kolaboracionistët tanë u treguan autoriteteve italiane se pushkatimin e 130 karabinierëve gjakpirës italianë më 15 tetor 1943 te Guri i Muzhaqit e kishte kryer Batalioni i dytë i Br.1 S, i komanduar nga Xhelal Staravecka, dhe gjykata italiane e dënoi me burgim të përjetshem. Xhelal Staraveckës i qe ngarkuar nga Komandanti i Br.1 S detyra që karabinierët e kapur t’i shoqëronte për ne zonën e Burelit. Kur i urdhëroi që të dorëzonin armët, komandanti i tyre, Kol. Gamuci i urdhëroi: “Mos i dorëzoni armët, komunistët janë pabesë!”. Dhe pastaj ndodhi ajo vrasje. Dënimi me vdekje e bindi Staraveckën se qeveritarët italianë po hakmereshin, edhe pse ishin karabinierët e tyre ata që, ndryshe nga e gjithë ushtriaitaliane, e kthyen në hi Shqipërinë dhe vranë mbi 40 mijë shqiptarë të pafajshëm.. Duhet ta pësosh, që të mësosh. Prandaj dhe ndoshta ka bërë vlerësimin e mëposhtëm për ish bashkëluftëtarët e tij:
“Enver Hoxha me shokë nuk i është përkulur Lindjes dhe Perëndimit pse i mjaftojnë vlerat heroike të popullit shqiptar. [..] E di që do të mërziten shumë Kol Biba dhe shokë dhe monarko zogistë që unë vë në dukje të tilla punë, porse faji nuk është i imi nëse Shqipëria nxjerr nga gjiri i vet burra të shquar si Ali Pashë Tepelenën, Enver Hoxhën, Mehmet Shehun e të tjerë bij të vlefshëm.” (Xhelal Stravecka “Përpara gjyqit të historisë – kujtime historike)”, Tiranë, 2012, f.254)
Është po ky Xhellal Staravecka që shprehet: “Mehmet Shehu kish krijuar një çetë dhe ishte model me të gjitha cilësitë që i duhen një çete për të përballuar me aftësi çdo situatë luftarake”. (Po aty, f. 222).
Ndërsa në f. 224 të këtij libri, Staravecka vijon: “Në luftrat nacionalçlirimtare ka shumë prej tyre që janë epopera, por ajo e Selenicës (1 prill 1943) e bërë nga Mehmet Shehu me çetën e vetë kundër 500 karabinierëve italianë që vinin në Selenicë për ta bërë gur e hi, qëndron në radhën e parë për kurajon dhe tripërinë e bijve të popullit shqiptar.”
Dhe këtij luftimi Staravecka i rikthehet në f. 240-241:
“Koloneli Felice, komandant i legjionit të karabinierisë së Vlorës marshoi duke bërë operacione në katunde rrugës deri në Selenicë për të terrorizuar gjithkushin, për të mos lejuar një fenomen që theksova më lart.
Në një brinjë ku bashkohen Cakrani me Kreshpanin, kur shkoja të blija armët tek një katundar, me dylbi pashë një grup njerëzish në buzë të Vjosës, dhe pas një çasti pash një barkë plot me njerëz që kalonin drejt Selenicës. Nuk mbaj mend nëse barka u përdor vetëm një herë për të hedhur matanë vjosës gjithë njerëzit, apo dy a më shumë here. Pas gati 40 minutave, përtej në Llakatund e në Armen filloi të çohet tym, e më pas krisma pushkësh e mitralozësh. Fillimisht krijova bindjen se ai ishte një operacion i nisur nga italianët, ngaqë italianët marshonin me urë zjarri në dorë, duke u rënë me pushkë e me mitraloza katundarëve; porse nuk munda ta kuptoja se ç’ishte ai grup njerëzish që nga Gjonça apo afër Gjonçës u hodhën me barka në Selenicë. [..] Të them të vërtetë për atë grup që kaloi me barka Vjosën, kur konstatova kolonën që ishte nisur nga Vlora, mu mbush mendja se do të ishte ndonjë detashment Italian që edhe ai do të marshonte drejt Selenicës, dhe kurrë nuk dyshova se mund të ishte Mehmet Shehu me çetën e tij, ngaqë për mua ishte një çmenduri e madhe një veprim i tillë. Dhe unë, atë veprim e quaj veçse trimëri, as mrekulli e as heroizëm që mund të realizohet në fushën e epopeve.
Po e shpjegoj se pse m’u duk çmenduri.
Të nisesh nga Mallakastra me më pak se 100 partizanë, të kalosh Vjosën me një barkë, duke lënë në shpinë atë lumë në muajt mars-prill të shirave dhe të hidhesh në Selenicë për t’u përleshur me armikun që është pesë herë më i madh në numër dhe i armatosur deri në dhëmbë me mjetet më moderne të kohës, një luftë e tillë sigurisht që është e fituar nga armiku.
Mehmeti e la kolonën e karabinierëve derisa hyri në Selenicë dhe, kur ajo arriti në distancën e duhur u hodh mbi italianët me shokët e tij trima si një luan i plagosur, e për një kohë jo më shumë se 80 minuta luftë grykë për grykë e shpartalloi atë fuqi italiane nga e cila gati gjysma u mbyt në Vjosë, duke kërkuar shpëtimin me ikje, pjesa tjetër, përveç të vrarëve, u kap rob nga çeta trime e Mehmetit.
Duke bërë sehir atë luftë, që po admiroja pa masë, më ra ndër mend, ndërmarrja e arabëve kundër Spanjës. Treqind arabë kur zbritën në buzëdetin e Spanjës i dogjën anijet e tyre. Ata kishin vendosur ose të fitonin ose të linin kockat e tyre në atë ndërmarrje, pa pasur mundësi të ktheheshin të gjallë në vendin e nisjes. Ky episod më ra ndër mend nga vepra e Mehmetit, që ishte luftë çlirimi nga i huaji, e cila më ka prekur më shumë nga ana e vendosmërisë dhe e guximit, dhe jo nga ana politike.
Çetat e Ballit prisnin në afërsi të ndeshjes derisa Mehmeti e shkatërroi armikun. Atëhere ballistët dolën dhe i kërkuan Mehmetit disa nga karabinierët, nga ata që ai i kishte zënë rob; natyrisht, me pretekst të tregonin se gjoja edhe ata kishin marrë pjesë në luftim. Dhe Mehmeti u dha dhjetë karabinierë, pa dyshuar aspak se ballistët do t’i çonin të nesërmen në Vlorë, si shënjë besnikërie, duke u thënë italianëve se “vetëm ata karabinierë kishin mundur të shpëtonin nga dora e kriminelit Mehmet Shehu”. […] Karabinierët, nënoficerë e oficerë, që Mehmeti i zuri rob, i çoi në Mallakastër, dhe u propozoi italianëve shkëmbimin me 16 shqiptarë të Nacionalçlirimtares që italianët i mbanin si peng. Mirëpo, nuk ranë në ujdi. Atëhere Mehmeti, mbas një muaji e ca që priti të përfundoheshin negociatat, me disa shokë të çetës së tij i mori italianët dhe i hodhi në një sterë (kanion) të Kremenarit që ishte nja njëqind metra e thellë.”
5
Atëhere, e pyesim Bejtullahun: A na e shpjegoni dot se cilin Staraveckë të besojmë, për Mehmet Shehun, atë që citon Fauk Quku, apo këtë të vetë Xhelal Staraveckës? Me sa duket, Bejtullahut i ka ardh keq për vrasësit karabinierë italianë që nuk lanë gjë pa djegur e pa vrarë shqiptarë, dhe aspak për 16 luftëtarët shqiptarë që mbanin peng dhe I vranë italianët.
Madje, ju Bejtullah, në f.41 të librit e deformoni edhe atë çka ka treguar më lart Staravecka, duke na thënë: “Në këtë gropë (sterë) bandat vrasëse të Mehmet Shehut hodhën trupat e qindrave gjermanë e italianë të burgosur dhe antikomunistë shqiptarë, pasi u hoqën rrobat dhe çizmet.”
Gënjështra, Bejtullah, i ka këmbët e shkurtëra. Së pari, kur janë hedhur karabinierët italianë në atë gropë që tregon Staravecka, jemi në prillin e vitit 1943; mirëpo, gjermanët erdhën 5 muaj më vonë, kur kapitulloi Italia. Gënjeshtra e dytë, ju shkruani se u hodhën edhe antikomunistë. Përsëri bini ndesh me veten, Bejtullah, pasi jini ju vetë që shkruani se “lufta civile ka filluar pas 1-2 Gushtit 1943”, ndërkohë që Lufta e Selenicës është zhvilluar në 1 prill 1943. Gënjeshtra e tretë, Bejtllahu na thotë se “ua hoqën çizmet edhe antikomunistëve”, me të cilën kërkon të na bindi se ka pas shqiptarë kolaboracionistë të rreshtuar në rradhët e Karabinierësë Italiane, gjë që nuk na e thotë dëshmitari Staravecka. Atëhere, a na bën dot dallimin Bejtullahu midis karabinierëve shqiptarë kolaboracionistë që dogjën dhe vrisnin shqiptarët e thjeshtë, nga karabinierëve italianë? Bejtullah, rëndësi nuk ka se prej kujt ke lindur, por me kë rri. Shqiptari që bashkohet me pushtuesin dhe vret shqiptarë, nuk duhet të vritet vetëm pse flet shqip?! A dihet se, para ligjit të gjithë janë njësoj? Kështu veprohet edhe me ligjet e luftës. Bejtullah, kujt i shërbejnë këto gënjeshtra? Dihet, gënjështra është feja e shërbëtorit.
Po mirë, meqenëse Bejtullahu është lodhur shumë duke numuruar kaq shumë “dëshmi”, a mund të na tregoi se sa karabinierë duhet të kenë qenë ata “që i therri me thika” Mehmeti kur i hodhi “në grykën e çuditshme midis fshatit Hekal dhe Klos.”? E bëjmë këtë pyetje se, duke lexuar Relacionin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Italiane në Shqipëri, Rosi, raport që mban datën 6 korrik 1943, që i dërgohet Mëkëmbësit të Mbretit Perandor, Gjeneral Alberto Parinit, midis të tjerave raporton: “E quaj të nevojshme – për të bërë një përmbledhje të situatës – të sjell disa të dhëna statistikore mbi gjakun e derdhur në Shqipëri në tremujorin që po mbyllet: – ushtarakë italianë dhe shqiptarë, të rënë gjatë luftimeve: 104 të vdekur, 162 të plagosur, 195 të humbur.” (shih Fondi i Gjeneral Parianit, Tiranë 2017, f. 85). U kujtoj se relacioni nuk është për periudhën 3 mujore, 1 prill-30 qershor 1943, por për periudhën 6 mujore, 1 janar-30 qershor 1943.
6
Po, a e dini ju neofashistët DESTANI dhe ZHITI se kush ka vrarë më shumë: fashistët italianë kanë vrarë shqiptarë, apo partizanët kanë vrarë fashistë italianë? Vrasjet e fashistave italianë kanë qenë ku e ku më të larta se sa fashitë italianë kanë vrarë partizanët.
A doni të bindeni për këtë?
Lexoni Fletën “Shumë Sekrete” me nr. 717, e 6 Korrikut 1943 XXI, “MASA TË ASHPRA”, e nënshkruar nga Kavalier V.Romano, Romë, 17 Mars 1943XXI:
“Kurdo që ndodhin vrasje nga ana e komunistëve ose prej njerëzve të ngarkuar prej tyre jepen këto Masa të Dhunshme:
a)- Për çdo oficer, funksionar apo nëpunës të vrarë do të dënohen menjëherë me pushkatim nga pesë deri në dhjetë komunistë;
b)- Për çdo ushtar, karabinier, xhandar, agjent policie dhe Polic të Shtetit ose punëtor të vrarë, do të dënohen menjëherë me pushkatim tre komunistë”. (shih Fondi i Gjeneral Parianit, Tiranë 2017, f. 100-101).
7
Por, me sa kuptohet, ju Bejtullah urrejtjen armiqësore kundër Mehmet Shehut, përveç urdhërdhënësve, duhet t’ua ketë ngritur në të tilla nivele, sikundër ua thamë më lart, edhe libri i Kolonelit klaboracionist Faik Quku, i titulluar “Qëndresa shqiptare gjatë Luftës Dytë Botërore”, Tiranë 2006. Faik Quku ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar prej Janar 1943, ndërsa në Maj 1944 u emrua edhe Kryetar i Departamentit Ushtarak pranë Këshillit të Naltë Fashist, (f.474 e librit të tij). Dhe në Gusht ai emrohet edhe Komandant i Forcave të BK për Jugun e Shqipërisë. Faiku u arratis familjarisht së bashku me kolonat gjermane gjatë tërheqjes së tyre; dhe këtë libër ai e ka botuar fillimisht në Nju York, në vitin 1962, ku banojnë familja e tij, si dhe ju Bejtullah e Visar.
Bazuar në ato çfarë Faik Quku shkruan, bindemi se atij i ka mbetur merak, (si dhe ju të dyve sot), që nuk e la udhëheqja e lartë e Ballit Kombëtar që të asgjësonte Brigadën e Parë Sulmuese të komanduar nga Mehmet Shehu kur ajo “bani një rrotullim në Veri të Shqipnisë”, të cilën na e tregon vetë:
“Kur në Mars 1944, Mehmet Shehu me Brigadën e tij tue u nis prej Jugut, bani nji rrotullim të gjatë nëpër Çermenikë-Malsi e Tiranës-Malsi e Pezës, kam ngulë kambë që kjo ishte nji shëtitje për me ngritë moralin e ushtrisë partizane dhe shenjë e ringjalljes së saj; prandaj ishte shumë e rëndësishme që të sulmohej dhe të shpartallohej para se të kthehej në bazat komuniste. Brigada jo vetëm që u shkëput prej bazave komuniste që ishin në Jug, por edhe po udhëtonte në nji zonë konservatore nacionaliste, prej nga që në Nandorin e kaluem ishin largue forcat komuniste. Kështu, si vendi ashtu edhe koha ishin të favorshme për nji sulm të tillë. Mirëpo Mit’hati as që përpiqej për këtë qëllim dhe jo se nuk donte, por sepse nuk e kuptonte. Kur Mehmeti e mbaroi rrotullimin, i pata thënë: “Balli e ka humb luftën”.”,(f.353–354). […] Dhe më tej ai shton: “Nëse operacionet gjermane kanë qenë grushte të randa për forcat partizane, po ashtu edhe masakra e 4 Shkurtit dhe ndjekjet e vazhdueshme kanë qenë paralizuese për veprimet e prapavijës së Nacionalçlirimtares. Ishte momenti vendimtar për Ballin, por Balli nuk diti dhe nuk qe i aftë me shfrytëzue këtë gjendje për me i dhanë Lëvizjes Nacionalçlirimtare grushtin e vdekjes.” (f.401)
Dhe, interesante, ngjashëm si Faik Quku dhe ju, edhe qeveria aktuale e Kosovës po e shndërroni në hero Xhaver Devën, urdhërdhënësin dhe zbatuesin e Masakrës së 4 shkurtit 1944 në Tiranë, duke e kthyer në muze historik shtëpinë e tij në Kosovë(!)
8
Gjithashtu ju “historiani” Bejtullah shkruani: “Për SHEHUN dhe shokët e tij “dita e shënuar” ishte data 22 qershor 1941, kur Hitleri u kthye kundër aleatit të tij Stalinit dhe doli në mal me një grup të vogël partizanësh. Njësia e tij u focua më tej kur të rinj të tjerë, komunistë, dhe jo vetëm, dolën me armë në dorë për të luftuar kundër pushtuesve fshistë. [..]. Gjatë kësaj periudhe ai filloi të tregonte egërsinë e tmerrshme dhe tendencën e gjakatarit që e kanë bërë emrin e tij t’i tmerrojë njerëzit në Shqipëri.” (f.35).
Bejtullah, nuk e din ty se pakti i mos-sulmimi nuk është traktat miqësie? Ja si na tregon historiani Roberto Batalia: “Molotovi ia preu shkurt Ribentropit: “Nuk mund të ket mes nesh vëllazërim”. Ishte kjo një shuplakë e fortë që iu dha hipokrizisë naziste.” (shih Roberto Batalia “Lufta e Dytë Botërore”, Tiranë 1991, f.74)
Nga ky pasazh i Bejtullahut kuptohet se i ka ngelë merak ,se pse Mehmet Shehu kur ishte 28 vjeçar, në vend që të kishte ikur në Londër, (sikundër bëri Bejtullahu kur ishte 31 vjeçar, kur filloi lufta për çlirimin e Kosovës), por qëndroi në Shqipëri dhe ngriti çetë partizanë për të luftuar pushtuesit fashit që i kanë kaq për zemër Bejtullahu e Visari(!). Dhe këtë merak Bejtullahu e shpreh edhe sot, duke i fyer si Luftën Çlirimtare të Shqipërisë ashtu dhe Luftën Çlirimtare të Kosovës, ngaqë nuk e lanë atëhere Shqipërinë nën Itali, edhe Kosovën para 25 vitesh nën Serbi.
Por këtë armiqësi të tij ndaj SHEHUT Bejtullahu duhet ta ketë edhe nga “dijet e mëdha”, si historian ushtarak që hiqet, kur na thotë: “SHEHU doli në mal me një grup të vogël partizanësh. Njësia e tij u focua më tej”. Së pari, historia e LNÇ e Shqipërisë nuk di që SHEHU të ketë krijuar në Mallakastër një njësi partizane para se të kalohej nga çetat në batalione dhe në Ushtria Nacional-Çlirimtare. Mirë Bejtullahu që nuk di se ku bie Shqipëria, por të mos e dijë Visar Zhiti se “një grup i vogël partizanësh” nuk është më shumë se një formacion prej 10-20 veta, kurse njësia partizane më e vogël është me jo më pak se 500-600 veta. Që këtë e dini të dy, e dini, por nuk i len urrejtja ndaj LNÇ që të mos shpifni. Lum Kosova dhe Shqipëria me të tillë historianë. Ku-kuu, moj nane!
9
Diplomati, shkrimtari dhe “historian” Bejtullah, ngaqë e urren legjendarin e Luftës Nacionalçlirimtare dhe anti-serbin e pashoq, Mehmet Shehun, edhe vrasjen e Anastas Lulos ia atashon SHEHU-t! Ky me demek “historian” paska parimin e Hitleritt: “Shpif, shpif se diçka do mbetet!”. Ky nuk e ka problem fare të gënjejë lexuesin, ngaqë këtë formim duhet të ketë për të qenë historin, kur na thotë se “Mehmet Shehu priti deri një natë kur Anastas Lulo po ushqehej pranë një zjarri, pastaj në pabesi i nguli thikën në shpinë!” (f.36).
Kështu do t’i ketë të gjitha të vërtetat ky “historiani” shqiptar i dalë nga universiteti i Beogradit?! Anastas Lulo nuk ka qenë as edhe një orë në çetën e SHEHUT deri kur ai është vrarë. Anastasi ka qenë në çetën e Xhelal Staraveckës. Ja si na e tregon vetë Xhelali: “Anastas Lulon ma dërguan mua në Skrapar. Anastasi përpara syve të mi tregohej i urtë dhe fatkeq, por prapa krahëve nuk rrinte pa helmuar partizanët me disfatizmin e tij. [..] Mirëpo ai luajti me jetën e tij, pasi kur unë shkova në Mallakastër në ndjekje të Isa Toskës, (në luftimet në Ruzhdie), çetën e lash nën komandën e komisarit tim e të sillej ajo rreth Nahijes. Dhe celula e çetës, në të parin rast që Anastasi filloi farën e keqe të disfatizmit në çetë, e vranë.” (Xh.Staravecka “Përpara gjyqit të Historisë”, f.170)
Dhe, sikundër e theksuam, në datat 11, 12 dhe 13 mars 1943, kur është vrarë Anastas Lulo, çetat e Mallakastrës, e Myzeqesë dhe një pjesë e çetës së Skraparit luftonin në Luar dhe në Ruzhdie të Mallakastrës, për të përballur operacionin fashist italian kundër Mallakastrës. (“Historia e LANC”, v.1, Tiranë, 1975, f.337). Dhe Bejtullahu kërkon të na bindi, se Mehmet Shehu e paska lënë Ushtrinë Italianë të digjte Mallakastrën dhe ka shkuar në Skrapar për të therrur më tikë Anastas Lulon kur po hante darkën! Një shpifje e llahtarshme!
Dhe më interesantia është se këtë luftë Bejtullahu na e përmend edhe vetë në f.37, të librit të tij(!) Këto fakte tregojnë se sa të vërteta janë ato dëshmitë e të arratisurve kolaboracionistë në Greqi, kriminelë ballisto-zogistë, të përzgjedhur nga Bejtullah Destani, e të noterizuara nga Visar Zhiti.
10
Bejtullah Destani, midis të tjerave na thotë: “Më 15 gusht 1943, komunistët formuan “Brigadën e Parë Sulmuese” në Vithkuq, në malet në perëndim të Korçës dhe e vunë nën komandën e SHEHUT. Ky ishte prototipi i “Brigadave Sulmuese” te tjera. SHEHUT i ishte dhënë autoriteti i plotë të vepronte me inisiativën e tij në terren.” (f.37).
Kuptohet se ty Bejtullah nuk të ka pëlqyer cilësori “Sulmuese”, sikundër u emërtuan njësitë çlirimtare partizane. Dhe kjo ty të falet, ngaqë ky është niveli i juaj njohës i historisë së kryenhritjeve dhe luftrave çlirimtare, prandaj dhe nuk e dini që formacionet e çdo ushtrie çlirimtare, si strategji dhe taktikë të tyre kanë vetëm sulmin dhe vetëm sulmin; pa sulme nuk asgjësohet armiku; pa sulme nuk çlirohet dot vendi. Me sa duket, ty Bejtullah të ka pëlqyer strategjia “çlirimtare” e Rugovës: “Secili të mbrojë pragun e vet.”, që do të thotë: “Secili për vete, Zoti për të gjithë”. Prandaj ty Bejtullah, kur popullit tënd në Kosovë iu puqën kushtet të zhvillonte luftë sulmuese çlirimtare, ia mbathe nga sytë-këmbët për në Londër. Derisa ke ideologjinë e Rugovës, të japim të drejtë.
Së dyti, ty Bejtullah nuk të ka pëlqyer gjithë LNÇ e Shqipërisë, e jo vetëm Brigada Sulmuese që iu besua Mehmet Shehut, prandaj dhe e urreni Mehmet SHEHUN, ngjashëm si inspiruesi juaj Faik Quku, ngaqë edhe ai, si puna juaj, e ka pas inat dhe zili SHEHU-n pse nuk e bënte dot “vezën” e tij, ngaqë ai e shndërroi në legjendë Br.1 S, atë brigadë që u shndërrua në “Shpresë për popullin,Tmerr për armikun!”, sikundër u shpreh Mehmeti në betimin e tij para Brigadës ditën e inaugurimit të saj.
Dhe ja si e shpreh xhelozinë dhe zilinë e tij inspiruesi juaj fashist Faik Quku ndaj SHEHU-t, ndoshta dhe pa dashje: “Unë synoja në fushën e organizimit, nji militarizim gradual të Ballit, tue fillue me formimin e nji regjimenti special të veprimit, të përbamë prej elementëve ma të zgjedhun, si qe Brigada e Parë e Nacionalçlirimtares.” (F. Quku Qëndresa shqiptare…”,v.2, Tiranë, 2006,f.378). Bejtullah, ajo që siguron fitoren në luftë nuk është fuqia e një ushtrie, as cilësia e armëve, që i kishin ballistët, por forca shpirtërore. Këtë nuk e ka ditur Faik Quku.
Druaj Bejtullah se kur të lexoni se si e vlerëson SHEHU-n oficeri i misionit angles Reginald Hibbert, ka gjasa t’ju bjerë të fikët, ngaqë do shohësh ndërgjegjen tënde në pasqyrë: “Mund të diskutohet që pushteti i Enver Hoxhës u rrit nga armët e Brigadës I-rë. ishte mbijetesa e kësaj Brigade në dimrin e vitit 1943-1944 që i siguroi bërthamën rigjallërimit dhe zgjerimit fenomenal të LNÇ dhe të ushtrisë partizane në pranverën e vitit 1944. [..] Në rast se Brigada I-rë nuk do të kishte ekzistuar në dimrin 1943-1944, kishte mundësi që LNÇ të ishte shkatërruar nga bashkëpunimi i gjermanëve dhe ballistëve “ (R. Hibbert “Fitorja e hidhuer”, Tiranë, 1993, f.364-365).
Bejtullahu nuk resht së shpifuri: “Veprimi i parë i SHEHU-t për marrjen e komandës ishte urdhërimi i një ofensive të përgjithshme kundër Ballit Kombëtar. [..] Shehu ishte i vedosur të shkatërronte elementin antikomunist të rezistencës para se të materializohej zbarkimet aleate / që sigurisht nuk ndodhën kurrë.”,(f.37).
Bejtullah, çdo gjë ka një masë, ka një kufi. Si gënjeshtrat ashtu dhe shpifjet, kanë edhe ato një kufi, ta hajë djalli, ta hajë. A e di ty o “ushtaraku atdhetar” Bejtullah se çfare kuptohet me togfjalëshin “ofensivë e përgjithshme”? Lexoje në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe. OFENSIVË: Lloj i luftmit mësymës që bëhet nga njësitë e mëdha luftarake në një hapësirë të gjerë dhe që zhvillohet në disa beteja mësumjeje. Bejtullah, Brigada nuk është njësi e madhe, por njësia më e vogël taktike. Njësi të mëdha quhen divizionet, korpuset, armatat e më lart.
Së dyti, po u pyesim, o të nderuar “historianë” Destani dhe Zhiti: A mundej dot një brigade partizane vullnetare e porsa formuar me partizanë të mbledhur nga e gjithë Shqipëria, duke mos e njohur ende njeri-tjetrin dhe e pakompaktësuar, që me 556 vetë që pati ditën e inaugurimit të ndërmerrte të nesërmen një ofensivë të përgjithshme në shkallë vendi, kundër 100 mijë forcave italiane, (se ato ikën një muaj pas krijimit të Br.1S), dhe kundër 70 mijë forcave gjermane, por dhe 20 mijë forcave Balliste? A jini vizituar te mjeku ju të dy para se ta botonit këto shpifje? Megjithatë, mirë e keni, vijoni t’i qëndroni besnik parimit hitlerian: shpif, shpif se diçka do mbetet, se vetëm kështu mund të mashtroni pasardhës të kolaboracionistave ballisto-zogistë, neofashistë, e që janë duke u shtuar edhe në këtë shekullin e ri që porsa kemi hyrë.
11
Në faqen 38 të librit, ju zotërinj intelektualë studjues të arkivave, shkruani: “Pas SHEHU-t fshihej Dushan Mugosha, “njeriu i Moskës” dhe delegat i Kominternit. […] Ishte Mugosha dhe jo Enver Hoxha, ai që i dha urdëhrat SHEHU-t dhe ushtarëve të tjerë të komunizmit.”
Sa vështirë e paske, o Bejtullah, të heqësh dorë nga deviza jote e shpifjes! Mehmet Shehu Mugoshën e pat njohur mirë prej fillimit të vitit 1943. Se sa i nënshtrohej Mehmet Shehu Mugoshës, na e sqaron bashkëluftëtari i Mehmet Sheut gjatë gjithë LNÇ, gjeneral Maliq Sadushi, i cili rreshtohet fillimisht partizan në çetën e Vajzës në moshën 16 vjeç, më pas në Batalionin “Ismail Qemali”; në nëntor 1943 rreshtohet në Brigadën e 5-të Sulmuese, dhe e ndoqi armikun deri përtej kufijve shtetërorë, deri në Sanxhak. Pas çlirimit të vendit rreshtohet në forcat e ndjekjes për asgjësimin e bandave diversioniste, deri në 5 dhjetor 1945. Më pas komandant batalioni në Shkollën e Bashkuar (Akademinë) e Oficerëve. Në vitet 1955-1956 kryen kursin për filozofi dhe ekonomi politike dhe, nga viti 1958-1961 kryen Studimet e Larta në Moskë në “Akademinë Ushtarake Frunxe”. Në korrik 1962 emërohet Komandant Brigade. Prej 1968-1969 kryen Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë. Prej 1969-1973 caktohet Shef Shtabi Korpusi. Në vitin 1973 caktohet pedagog në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”. Prej vitit 1974-1982 ka kryer detyrën e Zv/Ministrit të Mbrojtjes dhe njëkohësisht deputet i Kuvendit Popullor për Vlorën dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili, në librin e tij “Mehmet Shehu–si e kam njohur”, Tiranë, 2007, në f. 138-139 shkruan:
“Mehmet Shehu është njohur me përfaqësuesin e PKJ Dushan Mugosha nga filimi i majit 1943. Në atë kohë Mehmeti ishte sekretar organizativ i Qarkorit të Vlorës dhe komandant i forcave partizane në Mallakastër. Ato ditë qëndronte në krahinën e Vlorës edhe Liri Gega e dërguar e KQ. Liria kish edhe mbështetjen e “shokut” Dushan Mugosha. Mehmet Shehu dhe Qarkori u shqetësuan kur mësuan se Dushani me Lirinë punonin jashtë drejtimit të Qarkorit dhe donin të shkrinin Këshillat Nacionalçlirimtare dhe t’i zevendësonin me sovjetët, si në BS. Situata u acarua shumë dhe Hysni Kapo e Mehmet Shehu kërkuan largimin e “mikut” të paftuar dhe të shoqes Liri Gega. […] Pas nja dy muajsh a më shumë, kur u formua Br1S, Mugosha gjëndët pranë saj për “ndihmë”. Në një rast i bëhet njoftim komandantës së Brigadës se “miku” nga Jugosllavia, donte të bënte dashuri me një partrizane. Shkeljet e moralit partizan në atë kohë dënoheshin me pushkatim. Pas shumë ndërhyrjesh, u mjaftua me largimin e Dushan Mugosha nga Brigada e Parë.”
12
Po të ishte Mehmet Shehu, sikundër dëshironi ju Bejtullah, nuk do kishte ndodhur ajo që na tregon vullnetari i Spanjës, shkrimtari i shquar Petro Marko:
“Mehmet Shehu, me ide komuniste qysh në Shqipëri. Pjesmarrës i Lëvizjes së Fierit. Njeri me karakter. Ushtarak i lindur. U bë anëtar partie në Spanjë. […] Më 28 Nëntor 1944, do të parakalonin fitimtarët. U ngrit një tribunë para Hotel “Dajtit”. Në tribunë hypa edhe unë, në këndin e majtë, nga do të vinin për të parakaluar fitimtarët.[…] Filloi parakalimi madhështor. Gjithë Tirana ishte shkulur për të parë se kush ishte Enver Hoxha, kryetari i Qeverisë, se asnjëherë nuk ia kishin dëgjuar emrin. Në atë kohë si luftëtar i dëgjuar për çlirimin e atdheut njihej Mehmet Shehu. […] Ishte një parakalim që të ngulitet në kujtesë sa të jetë jeta. […] Njerëzit brohorisnin nga gëzimi dhe nuk mbanin dot lotët nga mallëngjimi.” (shih Pertro Marko “Retë dhe gurrë”, Tiranë, 2000, f.226, 441). Dhe ju dy autorët e këtij libri qani nga marazi se pse Shqipëria u çirua nga nazi-fashizmi!
13
Mashtrimet tuaja zotërinj të librit “Dosja amerikanë për Shqipërinë Komuniste”, nuk kanë të mbaruar! Jini ju që në faqen 38 shkruani:
“Në kohë të caktuara sjellja e SHEHU-t si shërbëtor i Kremlinit i troditi edhe kolegët e tij të Fronteve Nacionalçlirimtare, kur ai propozoi që YLLI i KUQ sovjetik të vizatohej në flamurin kombëtar shqiptar.”(!) Deri në këtë shkallë e keni paturpësinë, apo e keni nha injoranca? A e dini ju dy “intelektualë” se injoranca nuk është argument?
O historianë “të ndershëm”! Së pari, vendosja e YLLIT TË KUQ në flamurin kombëtar shqiptar është vendim i Konferencës së Pezës, në shtator 1942, ndërkohë që Mehmet Shehu nuk ka qenë delegat në atë Konferencë. Në Konferencën e Pezës morrën pjesë 20 delegatë. Përfaqësues të PKSH ishin Enver Hoxha dhe Nako Spiru, e të tjerët ishin nacionalistë patriotë, përfaqësues të rinisë nacionaliste, komuniste dhe grave antifashiste. U zgjodh edhe Këshilli i Parë i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar prej 7 vetësh, 2 prej tyre komunistë (shih “Historia e Shqipërisë”,vëll.2, Tiranë 1965, f.718.) Si mund të thuhet atëherë: “motorri i gjithçkaje asht Partia Komuniste”, kur raporti komunistë me nacionalistë, ishte 2 me 5?!
Në Rezolucionin e Konferencës së Pezës thuhet:
“Delegatët e kësaj konferencë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e të gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar, të PKSH, të rinisë nacionaliste, të rinisë komuniste dhe të rinisë femnore popullore shqiptare çfaqën dëshirën dhe vullnetin e vazhdimit të luftës së popullit shqiptar kundër okupatorit; në konferencë është pranuar që çetat partizane, që luftojnë me flamurin e Skënderbeut, të mbajnë si shenjë dalluese shenjën partizane, FLAMURIN KUQ E ZI ME YLLIN E KUQ, dhe çetat vullnetare si shenjë dalluese FLAMURIN KUQ E ZI.” (Shih Dokumenta të Organeve të Larta të Pushtetit Revolucionarnacional Çlirimtar”, Tiranë 1962, f.12)
Në atë Konferencë u miratua edhe Himni i Këshillit të Përgjithshëm Naciona-Çlirimtar: “Çohuni o vëllazën, / Pa dallim feje / Krahine dhe ideje, / Në front të përbashkët, / Në luftë kundër fashizmit, / Çohi të gjithë, / Se koha ma nuk pret!” (po aty, f.7)
Dhe, që të qetësoheni ju të dy, se cila ështrë e vërteta e Konferencës së Pezës lexojeni dhe përcaktimin e inspiruesit tuaj Faik Quku, i cili, ndoshta instiktivisht shkruan në librin e tij tij të përfunduar e botuar në Nju York në vitin 1962, shkruan:
“Suksesi i mbledhjes së Pezës qe shumë i madh dhe efekti i saj do të bëhet përcaktues për zhvillimin e ngjarjeve, për rrjedhojën e luftës dhe për fatin e Shqipërisë e të popullit tonë. Mbas tashit do të bëhet organizimi në luftë i popullit shqiptar. Parrullat e ditës përherë sillen rreth fjalëve: SHQIPNIA, FASHIZMI, BASHKIMI, LUFTA. As në statutin, as në trakte dhe as në propagandë nuk përmendet gja mbi programet shoqnore, mbi ideologjinë. Fjala komunist gati nuk përmendet fare, kurse motorri i gjithçkaje asht Partia Komuniste e mshehun mbrapa fjalës magjike Nacionalçlirimtare.” (shih “Qëndresa shqiptare”, v.2, f. 88),
14
O Destan, si nuk lodhesh tuj gënjy, bre burrë, kur në f.38 na shkruan:
“Kur ai (SHEHU) propozoi që ylli i kuq sovjetik të vizatohej në flamurin kombëtar shqiptar, zhurmë disidence doli në pah nga oficerët e tij të “Brigadës së Parë Sulmuese”, major Mestan UJANIKU dhe dy kolonelët, Baba FAJA dhe Baba FEJZO, pjesë të sektit muhamedan bektashi.”(!)
Së pari, të tre këta oficerë nuk kanë qenë kurrë pjestarë të Br.1 S. Së dyti, kur janë vendosur gradat në UNÇSH, Mehmet Shehu nuk ishte ma komandant Brigadës I, por u ngarkua me detyrën e nënkomandatit të Divizionit I-rë, pastaj, më vonë, u emrua komandant i tij, ndërsa komandant i Brigadës I-rë u emrua Muhamet Prodani. (Shih “Historiki i Br.1S, Tiranë 1971, f.350).
Ndoshta pa dashje ju Bejtullah thoni një gjysëm të vërtetë: “Si Ministër i Brendshëm SHEHU organizoi “brigadat e ndjekjes” të posaçme për të përballuar ato pak banda të mbetura antikomuniste, të cilat ende fshiheshin ndër male.”, (f.43-44)
Mjerani ty, që të ka ngelur merak që nuk ka pas edhe më shumë nga ato bandat antikomuniste! Sa për korrektësi, ato nuk ishin “pak banda” por me qindra banda, por të hedhura me avjonë nga ajrri, të sjella me det nga Italia, të futura nga toka prej Greqisë dhe Jugosllavisë.
Ja se si e ka dokumentuar akademiku Irakli Koçollari luftën me “ato pak banda të mbetura antikomuniste”:
“Mjafton të përmendim se nga viti 1949 deri në fund të vitit 1953, kishin hyrë me misione sekrete spiunazhi në vendin tonë, duke kaluar ilegalisht kufirin tokësor me Jugosllavinë, kufirin tokësor me Greqinë, duke u zbarkuar në bregdetin shqiptar apo desantuar nga ajri, 1508 agjentë, të dërguar nga zbulimet greke, jugosllave, italiane, britanike dhe amerikane. Nga këta, 1098 ishin agjentë të dërguar me misione spiunazhi vetëm nga zbulimi jugosllav, shifër kjo që tregon se gati 70% e agjentëve të infiltruar në Shqipëri i takonin vetëm Shërbimit Sekret Jugosllav dhe 30% (410 agjentë) u takonte të gjithë Shërbimeve Sekrete të tjera, të marra së bashku.” (I. Koçollarit “Operacione sekreteSekrete”, Tiranë, 2022, v.2, f.430).
Bandat zakonisht ishin të madhësisë 3-5 banditë, që do të thotë 300 – 500 banda. Si thua, Bejtullah? Pak? Mos harro! Hidheshin dhe futeshin njëherësh në të gjithë territorin e Shqiperisë, e jo në 1 apo disa fshatra.
Humbjet njërëzore gjatë së njëjtës periudhë që iu shkaktuan nga ato banda forcave shqiptare të Sigurisë, të Policisë, të Kufirit, Reparteve të Ndjekjes, të vrarë nga radhët e vullnbetarëve, njerëzve të thjeshtë nga radhët e popullit, që ndihmuan dhe kontribuan në parandalimin e veprimtarisë së spiunazhit të huaj, llogaritet që të jenë rretn 1.234 vetë,. Nga rradhët e të arratisurve brenda vendit, agjentëve të ardhur nga jashtë me misione spiunazhi, etj, në përballje me forcat e ndjekjes, të policisë, sigurisë dhe popullit u vranë 494 vetë, (3 herë më pak se sa popull kishin vrarë ata), u kapën të gjallë 533 vetë dhe 496 vetë të tjerë ju ishin dorëzuar forcave të sigurisë. Gjithsej 1.523 vetë.(shih Arkivi I Ministrisë së Punëve të Brendshme, D.72, viti 1953).
Bazuar po në librin e akademikut Irakli Koçollari na rezulton se Jugosllavia përveç 1098 agjentëve të futur në vendin tone në periudhën 1948-1953, ka futur në Shqipëri: në vitin 1954 -172 agjentë; në vitin 1955 -75 agjentë; në vitin 1956 – 9 agjentë; në vitin 1957 – 18 agjentë; në vitin 1958 – 25 agjentë; në vitin 1959 – 23 agjentë, dhe në vitin 1960 – 23 agjentë. Për 13 vjet – 1443 agjentë; që do të thotë 300 – 500 banda
Në një relacion për 6 mujorin e parë të vitit 1953, dërguar Ministrit të Brendshëm Mehmet Shehut për ndjekjen dhe kapjen e bandave të diversantëve, thuhet: Zbulimet e huaja dërguan në territorin e Republikës së Shqipërisë: zbulimi jugosllav – 46 banda me 150 diversantë; Zbulimi amerikan – 3 banda me 13 diversantë; Zbulimi grek – 2 banda me 7 diversantë; Gjithsej 53 banda me 179 diversantë. [..], përcaktohen ekzaktësishtë edhe zonat dhe rrethet ku kishin vepruar këto grupe agjentësh dhe pjestarët e tyre, si “në Shkodër – 10 banda me 32 diversantë, Kukës – 13 banda me 43 diversantë,Peshkopi – 1 bandë me 3 diversantë, Korçë – 3 banda me 11 diversantë. . . e me rradhë. (shih I.Koçollari, vepër e cituar, v.2, f.431-433).
15
Për mos u zgjatur më tej se kush ka qenë Mehmet Shehu, mjafton t’u referohemi dëshmive të oficerave amerikanë, anëtarë të Misionit Ushtarak Amerikan në Shqipëri gjatë luftës antifashiste, të përmbledhura në librin e Peter Lucas, me titull “Misioni Amerikan në Shqipëri”, Tiranë 2007. Ky mision ishte i përbërë nga një grusht oficerash amerikanë të zotë, të Zyrës Amerikane për Shërbime Strategjike (OSS) që tregn se si SHBA ndihmuan partizanët shqiptarë të mundnin nazizmin dhe të merrnin pushtetin në vend. Ja se si shprehet togeri amerikan i Marinës Nik Kukiç për Mehemet Shehun:
“Ai mund ta kishte marrë pushtetin. Ai po e bëntë luftën. Ushtria partizane e pëlqenin Shehun. Kishte intimitet midis tij dhe luftëtarëve. Njerëzit e donin Shehun sepse ai ishte një luftëtar që po luftonte për vendin e tij. Ai kishte një nam të mirë nga lufta e Spanjës. Ai u kthye në Shqipëri si Hero. Ai ishte tepër i disiplinuar. Dhe gëzonte respekt. Hoxha e la atë të merrej me luftën, dhe SHEHU i la HOXHËS punët e politikës. Ai e dinte se mund ta merrte pushtetin në vend. Ai mund ta kishte vrarë Hoxhën. Por ai nuk donte ta bëntë këtë kurrë. Unë nuk mendoj se Hoxha kishte ndonjë plan për betejën e Tiranës. Ai ia la Shehut ta bënte atë. Unë i thash Shehut në terren të hapur, pa qenë të vëzhguar: “Mehmet, ty të duan luftëtarët. Populli të do ty. Ty duhet të marrësh pushtetin. Ty duhet të drejtosh vendin.” Ai m’u përgjegj: “Niko, mos bisedo me mua për gjëra të tilla. Politika është zanat i Hoxhës, jo i imi. Larg meje!, Niko.” (f.233)
16
Është e vërtetë që edhe majori i misionit anglez (SOE) në Shqipëri, Peter Kemp, shkruan keq për Mehmet Shehun, si puna juaj. Por pse e bën këtë, na e sqaron oficeri tjetër anglez Smajli dhe historiani Peter Lucas: “Një nga arsyet kryesore që Kempi nuk e pëlqente Shehun buronte nga Lufta Civile e Spanjës. Vetëm pak vite para se të mbrinte në Shqipëri, Kempi kishte luftuar si vullnetar në anën e Nacionalistëve (fashiatëve) në Spanjë, ndërsa Shehu kishte luftuar në anën tetër, me Republikën (komunistët).”,(f.235)
Por, lexoni se si shkruan për SHEHU-n gaztari amerikan Cyrud i. SULZBERGER, një nga emrat më të shquar të gazetarisë botërore të shekullit XX, nipi i pronarit të gazetës amerikane “Nju York Times”, më 19 janar 1950, në pikun e operacioneve sekrete kundër Shqipërisë, shkrim në të cilin flet për Hoxhën dhe Shehun, të cillën na e prezanton z.Irakli Koçollari, (në f.502, në vëll.2 të librit të tij), ku gazetari amerikan e cilëson SHEHU-n si “njeriu i fortë i vendit të vogël ballkanik, i shkolluar në Moskë, shef i Sigurimit të Shtetit dhe ndoshta personi më i fuqishëm në vend, pa përjashtuar edhe vetë Enver Hoxhën.” (mare prej Bethell, Nikolas “The Great Betrayal”, London, 1964).
Por, kur lexon se çfarë shkruani ju Bejtullah në faqen 45-46, të neveritesh:
“Ashtu si derjtuesit komunistë kudo, SHEHU duket se ka ndjerë një detyrim neurik për të provuar se ishte “intelektual” duke shkruar një libër “Tirana dhe çlirimi i Shqipërisë”. […] Një nga burimet tona që e ka lexuar librin në shqip tha se: “stili i tij nxjerr në pah poshtërsinë dhe vulgaritetin e mendjes së njeriut.” Pavarësisht na cilësia mediokre e mendjes së tij, SHEHU ka treguar se nuk është fare pa arritje, duke mësuar të flasë një sërë gjuhësh të huaja me rrjedhshmëri të ndryshme: anglisht, italisht,spanjisht, rusisht dhe pak frëngjisht.”
Ooo Bejtullah(!): “Çdo njeri që njeh katër gjuhë, ka vlerën e katër vetave”, na thotë poeti dhe shkrimtari polka-hebre Albert Kacyzne.
Pyesim: Si mund të thuash për Mehmet Sehun mediokër? Si ja ia lejuar vetes, o Bejtullah, këtë brutalitet të jashtëzakonshëm?! Megjithëse nuk është për t’u çuditur se “brutaliteti është shprehje e mendjeve të pafuqishme”, sikundër shprehet autori i studimeve mbi teorinë e përqendrimeve të stresit, Dr.Pr.Eli Sternberg (1917–1988). Por ajo që të befason më shumë është se si e ka pranuar këtë marrëzi (budallallëk) të Bejtullahut noteri i librit të tij, poeti Visar Zhiti?! Por, edhe mund të justifikohet sepse budallallëku është diçka që ngjitet.
Sikundër e kemi shprehur edhe më lart, urrejtja e verbër e Bejtullahut në drejtim të figurës së Mehmet Shehut duket ashiqare, që e ka të urdhëruar, dhe si e tillë ajo i ushqehet me gjithfarë gjërash të tjera të pista. Kjo konstatohet përnjëherësh edhe me shtrëmbërimin e titullit të librit të SHEHU-t. Qysh në botimin e parë të atij libri, në vitin 1945, dhe në të gjithë ribotimet e pastajme, libri titullohet “Lufta për çlirimin e Tiranës” dhe jo “Tirana dhe çlirimi i Shqipërisë”!
Ju Bejtullah derisa dini të shkruani, duhet ta dini se drejtimet kryesore të letërsisë janë dy: romantizmi dhe realizmi. Realizëm quhet pasqyrimi i drejtë, i pazbukuruar i ngjarjeve; në rastin tonë i luftimeve. Ai libër është një karakteristikë e letërsisë së madhe shqiptare, duke i dhënë letërsisë historike shqiptare të pasçlirimit atë origjinalitet, atë forcë pasqyruese e lindur nga përshtypjet e shumta gjatë luftimeve dhe beteje sulmuese, lindur nga nevoja e brendshme e SHEHU-t për t’i rrëfyer ato. Prandaj shkrimtari ynë i madh Shefqet MUSARAJ, autori i poemës satirike e pashoqe në historinë e kësaj gjinie të letërsisë botërore, “Epopeja e Ballit Kombëtar”, në parathënien e botimit të librit “Lufta për çlirimin e Tiranës”, botim I vitit 1959, shkruan:
“Çdo episod, që tregon gjeneral Mehmeti në veprën e tij, është një subjekt më vete. Një tjetër gjë që ua shton vlerën këtyre episodeve është edhe origjinaliteti i tyre, pse vetë autori i ka jetuar ato episode. Në “Luftën për çlirimin e Tiranës” dhe në atë “Kujtime nga jeta e Brigadës I-rë Sulmuese”, gjeneral Mehmeti nuk është më një rrëfenjës i thjeshtë i kujtimeve apo i episodeve që ka jetuar me partizanët e formacioneve që komandonte, por është më tepër një përshkronjës i zoti i asaj strategjie dhe taktike të zgjuar që shpuri Ushtrinë tonë Nacional-Çlirimtare në fitoren e madhe të 17 dhe 29 Nëntorit 1944.”
Përsa i përket intelektit të Mehmet Shehut prononcohet edhe Leitn.-Kol. Arkile Rositos, ish Komannadat Batalioni i Regjimentit të Këmbsorisë italiane Arecos, dhe më pas partizan, këshilltar ushtarak i Batalionit “Antonio Gramshi” në Divizionin e Parë i Ushtrisë tonë Çlirimtare, i cili shkruan:
“Gjen. Mehmet Shehu, një komunist fanatik i pandrysheshëm, i kulturuar, poliglot dhe i zgjuar, fliste italisht rrjedhshëm, dhe ishte shefi i vetëm i rëndësishëm që ishte i aftë të çmonte dhe të vlerësontë italianët si luftëtarë.” (marë prej Buletini i Ushtrisë Italiane, 15 Nëntor 1945, i pasqyruar te libri i gjeneralit anglez Deivis “Aventura ilire”, London 1952,Tiranë 2008, f.182)
17
Por, derisa Bejullah Destani arrin ta cilësoi Mehmet Shehun, duke thënë se ai dallohet: “ nga cilësia mediokre e mendjes së tij”, na imponon t’i themi: U NGRITËN KËMBËT T’I BIEN KOKËS. E mbështes këtë për nivelin e tij intelektual, në rastin kur shprehet vetë Bejtuhhahu për datën e lindjes së Mehmetit: “SHEHU lindi në janar të vitit 1911 / data e saktë nuk dihet.”, (f.32). Ndërkohë që, po të kërkosh në internet emrin e Mehmet Shehut që në rrjeshtin e parë të prezantimit të tij jepet data e lindjes së tij: 10 Janar 1911. Dhe të pretendosh se je intelektual, apo analist, apo historian, apo shkrimtar, (siç na prezantohet Bejtullahu), aq më shumë që zotëron edhe anglishten, e të mos e dijë se në “Enciklopedinë e lirë ikipediA” e gjen këtë detaj edhe për një person që ka botuar edhe vetëm një poezi. Nëse dikush që e ka lexuar, qoftë edhe vetëm kreun ”Historiku i Mehmet Shehut”, (f.31-49) të këtij libri, do të shprehet se “Bejtulla Destani qënka treguar mediokër”, por mund të kuptohet se komentuesi i ka bërë elozhe Bejtullahut.
Lidhur me intelektin e Mehmet Shehut shprehet edhe anëtari i Shtabit Operative për Çlirimin e Tiranës, gjeneral Qazim Kondi (1912-1988), oficer me akademi të kryer në Italii qysh në vitin 1831, pjesmarrës në kryengritjen e Fierit 1937, gjatë LANÇ-it një nga organizatorët kryesorë të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër, Kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Kurveleshit, komisar i Batalionit territorial “Ismail Haki” i Kurveleshit të Poshtëm, komisar i Batalionit Çamëria, Shef Operati i Shtabit të Zonës së Parë Operative, komisar i Brigadës VIII Sulmuese, Anëtar i Kshillit të Prgjithshëm Nacionalçlirimtar i zgjedhur në Kongresin e Përmetit, anëtar i Shtabit Operativ për Çlirimin e Tiranës (Mehmet Shehu, Qazim Kondi, Zija Kambo), dhe pas çlirimit funksione shumë të larta deri edhe zv.Ministër i Brendshëm, i cili shkruan:
“Ishte hera e parë që u njoha nga afër me Mehmet Shehun dhe rasti e solli që njohja të realizohej në një detyrë të rëndësihme e delikate..[..] Mehmeti ishte bashkëpunues e bashkëveprues me këdo që ai e kuptonte se kishte dijet dhe aftësitë për realizimin e detyrës së dhënë, dhe guximin e kurajon për të mbrojtur pikëpamjet personale. Dukej i vrazhdë, brutal e jo debatues, por këto i kishte me të paaftët, llafazanët e injorantët. Kërkesën dhe besimin për realizimin e detyrave Mehmeti e garantonte me inteligjencën dhe me njohjen si askush tjetër të të gjitha fushave kryesore të jetës.” (Qazim Kondi “Kujtime”,Tiranë, 2007, f.276)
18
Më tej Bejtullahu kërkon të na bindi se midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut ka pas rivalitet për primo: “Shehu dhe Hoxha janë raportuar si rivalë në favoret e Moskës. Dhe ky rivalitet ndoshta ekziston, në kuptim të fshehtë, siç ekziston në të gjitha marrëdhëniet midis satrapëve të shteteve të kuq satelitorë.”, (f.46). Kësaj shpifjeje kanë filluar t’i bëjnë jehonë kohët e fundit edhe në televizionet e Tiranës.
Dhe këtë shpifje të qëllimshme të Bejtullahut, me qëllimin e keq që lexuesi ta urrejë sa më shumë epokën më të lavdishme të kombit Shqiptar, e rrëzon poshtë ish-zv.Ministri i Mbrojtjes general Maliq Sadushi:
“Në janar të vitit 1980, në një mbledhje që organizoi Enveri në zyrën e tij, ku u thirrën për të marrë pjesë Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu dhe gjithë ne zevendësat e tyre, aty Enveri komunikoi vendimin e Byrosë Politike mbi lirimin e Mehmet Shehut nga detyra e Ministrit të Mbrojtje që e mbante në atë kohë, dhe Enveri tha: “Shoku Mehmet lirohet nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes për t’ju kushtuar më shumë detyrës si Kryeministër. Vdekja e Hysniut na ka krijuar boshllëqe të mëdha në punën e Partisë, ndaj kemi vendosur që shoku Mehmet të ngarkohet edhe me detyra që ka mbajtur Hysniu, por nuk do të deklarohet Sekretar meqë është Kryeministër. Ne mendojmë që shoku Mehmet duke kryer këtë funksion do të mund të orientohet edhe më mirë për drejtimin e partisë. Deri tani shoku Mehmet i ka kryer shkëlqyshëm të gjitha detyrat.” (vepër e cituar, f.151)
Dhe ju Bejtullah Destani, i noterizuar edhe nga Visar Zhiti, mundoheni ta bindni lexuesin se Mehmet Shehu nuk ka lidhje fare me inteligjencën, sikundër e shprehni në f. 46 të librit.
Por, na rezulton se Mehmet Shehu e ka pas parashikuar këtë realitet të agresivitetit kundër historië së LNÇ dhe të personaliteteve të dalluara të saj nga pasardhësit e kolaboracionistëve dhe karjeristët e sotëm pas largimit nga jeta të brezit çlirimtar, duke thënë për ju pasardhësit e kolaboracionistave do ta merrnit pushtetin edhe me ndihmën e te huajve. Dhe këtë na e pohon gjenerali Maliq Sadushi: “Në janar të vitit 1980, kur Mehmet Shehu do të linte detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, duke ia kaluar këtë detyrë Kadri Hazbiut, duke na dhënë disa porosi na tha: “Dëgjoni mirë. Ballistët do përpiqen që t’ju marrin pushtetin, jo sot, por kur të mos jemi më neve të vjetrit. Ballistët i kemi këtu brënda, janë të gjallë, kanë rrënjë dhe degë, kanë edhe përkrahje të madhe nga jashtë.”, (vepër e cituar, f. 131-132)
19
Por, që të mos zgjatemi shumë me rrëzimin e të gjitha fyerjeve dhe shpifjeve të Bejtullahut, i cili, duke u munduar të bindi lexuesin se Mehmet Shehu ka qenë një person me inteligjencë nën mesataren njerëzore, po mjaftohemi vetëm me një fakt fare të thjeshtë, po që flet shumë, i cili e shumëzon intelektin e Bejtullahut me ZERO.
Dhe ajo është poema e tij e titulluar “Adelante kamaradas!” (Përpara shokë!). Një poemë tepër e veçantë, e përpiluar dhe shkruar nga SHEHU kur ai ishte në moshën 26 vjeçare, gjatë kohës që ishte në Luftën e Spanjës, e botuar në Revistën “Vullnetari i Lirisë”, organ i shqiptarëve në Brigadat Internacionale në Madrid, në vitin 1937. Dhe, ajo që ia rrit edhe më shumë vlerat intelektiale dhe vyrtitin e Mehmet Shehut, është fakti që Mehmet Shehu nuk lejoi të botohej ajo poemë kur erdhi në pushtet dhe derisa qe gjallë. Ç’do të thotë kjo? Mediokritet, apo shkallë të lartë të aftësisë mendore për të arsyetuar e gjykuar?
Veç të tjerave, ajo është edhe modesti. Dhe modestia s’është gjë tjetër, përveç se vyrtit. Duke qenë se modestia është vyrtit, në shumicën e rasteve ajo e grushton armikun, kundërshtarin. Dhe kjo është arsyeja pse ju të dy ndiheni armiq të tij. “Modesti nuk është ambicioz, – thotë egjiptologu gjerman Georg Ebers (1837-1898) – ai i lë të tjerët të dalin në pah.”
Poema “Adelante kamaradas!” është e pa arritshme deri sot edhe nga poetët më të mirë shqiptarë. Poema ka 300 strofa, me nga 4 vargje 16 rrokësh secila, që do të thotë 1.200 vargje, për të mos thënë 2.400 vargje 8 rrokësh. Dhe në çdo varg ai përdor mjeshtërisht pauzat dhe veçoritë akustike të fjalës, e kombinuar edhe me vargun e thyer.
Në këtë rast po mjaftohem me dy strofat e para të saj, por, bëni kujdes!, se mos harroni e nuk merrni dot frymë.
ADELANTE KAMARADAS!
Atë natë shënëndreu – kur në borë e në tufan,
Përmbi gërxhet e thepisur, nëpër shtigje me kallkan,
Vargu ynë i vullnetarëve gjarpëronte këmbë-e-duar
Pirenejve për në Spanjë, – kurrë s’kam për ta harruar –
gjer në varr!..
Shtatëdhjetë vullnetarë drejt kufirit ecim varg,
Detra, male kapërxyem, kemi ardhur që nga larg,
Unë vij nga Shqipërija, – që përtej Adriatikut;
Gjithë bashkë po marshojmë lartë malit, drejt rrezikut –
drejt në zjarr.
(Marrë prej Revistës “Vullnetari i Lirisë”, organ i shqiptarëve në Brigadat Internacionale – Madrid-1937)
Tiranë, 14 Gusht 2024

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/08/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk