MËSUESI QAUSH HAXHOSAJ – FANAR NDRIÇUES NË RRUGËN E DIJES

17
Oct
2024
Shkruan: Demir Reshiti


Në këtë vit të veçantë, kur ish-mësuesi im i shkollës fillore, Qaush Haxhosaj, përmbyll dekadën e tetë të jetës, ndjej për obligim ta nderoj këtë figurë të rëndësishme të arsimit dhe njeri me vlera të larta njerëzore i cili ka dhënë një kontribut të madh në formimin e brezave të rinj.
Qaushi, i lindur më 23 mars 1945, ishte fëmija i parë Dinë Haxhosajt nga fshati Prekolluk i komunës së Deçanit, një personalitet ky i respektuar në atë zonë, i cili kishte edhe tre djem tjerë dhe një vajzë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Pas përfundimit të shkollës fillore, Qaushi vazhdoi arsimimin e tij në normalen e Gjakovës, ku u diplomua me sukses në vitin 1967. Ky vit përfaqëson gjithashtu fillimin e një karriere të gjatë si mësues, kur ai u punësua në shkollën fillore “29 Nëntori” në Bresanë të Opojës. Këtu, ai shërbeu me përkushtim për 12 vite, duke ndihmuar nxënësit të zhvillohen dhe të formojnë karakterin e tyre. Dy vitet e para punon si arsimtar i lëndës Bazat e Arsimit Teknik, ndërsa dhjetë vite tjera si mësues klasor duke i përcjellë deri në klasën e pestë tri gjenerata, njëra nga të cilat ishte gjenerata ime.

E konsideroj vetën me fat që e kam pasur mësues këtë personalitet të respektuar i cili ka pasur ndikim të madh në trasimin e rrugës sime të dijes dhe të ngritjes intelektuale. Ishte pikërisht mësuesi Qaush i cili që në orën e parë të mësimit nuhati talentin tim dhe aftësitë e mia për të zënë dije dhe më mbështeti për tërë kohën sa e kisha mësues. Ndërsa kujtoj të gjitha mësimet që kam marrë prej tij, e ndiej se isha i bekuar që kisha fatin ta kem mësues një njeri si ai.

Edhe pse ishte vetëm 22 vjeçar kur e filloi punën në një fshat larg nga vendlindja e tij, mësuesi Qaush u prit me dashamirësi nga kolegët dhe nxënësit. Ai kujton me nostalgji dhe respekt ato vite dhe ndjen një lidhje të veçantë me opojanët.
Ndonëse në vitin 1979, pas 12 vitesh të kaluara në Opojë, u detyrua të rikthehet në vendlindje për tu përkushtuar ndaj nevojave të familjes, ai gjithmonë me mendje dhe zemër kujtonte ish-nxënësit e tij në fshatin ku për herë të parë rroku ditarin shkollor.
Misionin e shenjtë të mësuesit, Qaushi e vazhdoi në vendlindjen e tij ku ka punuar fillimisht në shkollën fillore “Avni Rrustemi” në fshatin Irzniq, ndërsa pas çlirimit të Kosovës, deri në arritjen e moshës së pensionit (2010) ka punuar në shkollën fillore “Ardhmëria” në Beleg. Gjatë gjithë këtyre viteve mësuesi Qaush thotë se asnjëherë nuk e ka harruar Opojën duke shtuar se shpeshherë kolegëve dhe nxënësve të tij ju folur për Opojën dhe opojanët si njerëz të respektuar me virtyte të larta njerëzore.

Në Opojë përveç mësuesit Qaush, nga komuna e Deçanit kanë punuar edhe Hajdar Çekaj, Sylejman Ferizi, Dinë Ahmeti dhe Ismet Ferizi, (tre të fundit tashmë të ndjerë). Ishte pikërisht mësuesi Hajdar ai që e ftoi Qaushin të fillojë punë në Opojë dhe punuan bashkë më shumë se një dekadë. Ai edhe tani, pas 13 vitesh në pension, vazhdon të mbajë kontakte me kolegë dhe ish-nxënës, të cilët e kujtojnë me respekt dhe admirim. Kontaktet me mësuesin Hajdar i ka vazhduar rregullisht pas kthimit të tij në vendlindje, ndërsa në Opojë kontakton me profesorin e nderuar Hajriz Meleqi, me ish-mësuesit Jahja Piraj nga fshati Pllavë, Nuridin Kutelin nga fshati Kosavë dhe me Hajri Nuhiun nga fshati Kuklibeg.

Qaushi ka 6 fëmijë (tri vajza e tre djem) dhe 15 mbesa e nipa. Dy djem i punojnë në botën e jashtme ndërsa njëri djalë dhe vajzat jetojnë në Kosovë. Si kryefamiljar i devotshëm që është, ai vazhdon të ndajë dashurinë e tij, duke kaluar kohë të çmuar me ta, si dhe duke u angazhuar në aktivitete të tjera si leximi dhe punimi në kopsht. Një nga kënaqësitë e tij të mëdha është udhëtimi me familjen gjatë verës për pushime në det.
Mësuesi Qaush Haxhosaj është një model për shumë breza, dhe historia e tij tregon se si një mësues i përkushtuar mund të ndihmojë në ndërtimin e një shoqërie më të mirë. Të gjithë ne, ish-nxënësit e tij, jemi krenarë për të, dhe e nderojmë atë në këtë përvjetor të veçantë. Gëzuar, mësues i nderuar. Të priftë shëndeti dhe e mbara e shekullofsh bashkë me më të dashurit tu!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 17/10/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk