Miqësi e tradhtuar!

26
Aug
2023

Janë publikuar sot për herë të parë në DITA faksimile të letërkëmbimeve mes shkrimtarëve të njohur Ismail Kadare dhe Nasho Jorgaqi.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Faksimilet shoqërojnë një intervistë me Kristina Jorgaqin, vajza e Nasho Jorgaqit, në 1 vjetorin e ikjes së shkrimtarit.

Prof. Jorgaqi, akademike, kërkuese shkencore dhe pedagoge e njohur e gjuhësisë, flet në këtë intervistë në DITA për raportin e veçantë me të atin, të vërtetën e dosjes së Sigurimit dhe ato që nuk u thanë kurrë në debatin publik të disa viteve më parë mes të ndjerit Nasho Jorgaqi dhe Kadaresë

Më poshtë, intervista, e cila mund të lexohet e plotë edhe në versionin print, në numrin e sotëm të gazetës DITA:

DITA – U bë një vit që kur profesor Nasho Jorgaqi, babai juaj, u nda nga jeta. Çfarë ju ka munguar më shumë prej tij gjatë këtij viti?

K.J. – Gjithnjë e mendoj se kam qenë me fat që prindërit e mi kanë jetuar gjatë: im atë iku nga kjo jetë gati 91 vjeç, kurse ime më po shkon 85 dhe ka një kthjelltësi mendore të admirueshme. Nuk është e paktë t’i kesh patur prindërit pranë përgjatë 40 e ca viteve të jetës tënde si e rritur e, përvec kësaj, të kesh kaluar me ta kohë cilësore.

Ama ndodh një gjë e çuditshme, kur prindërit jetojnë gjatë: të krijohet herë pas here iluzioni sikur ata janë të përjetshëm dhe do të jenë aty, përherë me ty, deri sa ti të mbyllësh sytë. Natyrisht që këto janë momente kalimtare, që i lenë vendin të vërtetës se jeta ka ciklin e vet, pra, njeriu ka një kohë për të jetuar, por ka edhe një kohë për të ikur nga kjo botë. Ai që ikën vazhdon të jetojë më pas në forma të tjera. Në rastin e tim eti, përmes atyre që ka shkruar e, veçanërisht për ne të afërmit, përmes kujtimeve.

Më mungojnë pa dyshim shumë gjëra të tijat: që nga telefonatat që më bënte i merakosur sa herë udhëtoja e vetme me makinë jashtë Tiranës, te përkujdesja (ndonjëherë e tepruar) për shëndetin tim, gëzimi dhe entuziazmi me të cilin i priste ato që botoja… Për fat të keq, këto e të tjera kishin nisur të më mungonin kohë përpara se im atë të ndahej fizikisht nga kjo jetë. Saktësisht, tre vjet përpara, kur Covid19 i përshpejtoi ose i shkaktoi (nuk di ta them me siguri) një formë demence, që e tëhuajsoi nga gjërat e bukura e të dashura të kësaj jete.

DITA – Duke e pasur bashkëpunëtor për një kohë të gjatë në gazetën “Dita”, e dimë se sa miqësor ishte me të gjithë. Besojmë se i tillë ka qenë dhe në familje, paksa larg rolit tradicional të një babai shqiptar, apo jo?

K.J. – Një nga gjërat që unë kam vlerësuar gjithmonë tek im atë në raportet me mua si vajzë ka qenë komunikimi. Them se dinte të komunikonte, nga që dinte të dëgjonte. Ishte një dëgjues i rrallë, aq sa edhe sot e kësaj dite unë nuk kam njohur njeri që ta zotërojë më mirë “artin” a “mjeshtërinë” e të dëgjuarit sa ai. Dëgjonte me durim e qetësi dhe ndërhynte me takt, pa u imponuar e pa paragjykuar. Të gjitha këto, bashkuar, natyrisht, edhe me predispozitën time për komunikim, çuan në krijimin e atij raporti të hapur, të drejtpërdrejtë e miqësor tonin, që, për hir të së vërtetës, nuk ka qenë një model shumë i zakonshëm për shoqërinë e kohës, ku unë kam kaluar thuajse gjysmën e jetës.

DITA – Në filmin “Mimoza llastica” ka një vajzë që quhet Tina. Emrin tuaj e gjejmë, gjithashtu, edhe në krijime të tjera për fëmijë të babait tuaj. A janë këto përjetime letrare të tijat si babai i Kristinës?

K.J. – Im atë nisi të shkruante letërsi për fëmijë, kur unë dhe im vëlla ishim të vegjël. Madje shumë prej tregimeve, që ai do të botonte, unë i kisha dëgjuar më parë teksa na i rrëfente mbrëmjeve përpara se të flinim. Një pjesë e tyre vërtetë është e lidhur me mua dhe me shoqet e mia të fëmijërisë, sic e dëshmojnë jo vetëm emrat e një numri personazhesh, por edhe subjektet e disa tregimeve të frymëzuara prej ngjarjesh apo episodesh reale.

Kështu, te filmi “Mimoza llastica” (1973), skenarist i të cilit ka qenë babai im, unë “jam e pranishme”, përvecse me emrin, edhe si prototipi i Mimozës. E vogël kam qenë një fëmijë shumë i llastuar, përpara tekave të të cilit prindërit e mi dorëzoheshin. Po pse im atë nuk e quajti Kristina protagonisten e filmit, por Mimoza, mund të pyesni, kur dihet që Mimoza ishte emri i protagonistes së një vepre të mëparshme të tij, romanit “Dashuria e Mimozës” (1960)? Ndoshta për një lloj nostalgjie e dëshire për të mbajtur gjallë kujtimin e një vepre, që ishte ndaluar tashmë të qarkullonte (e gjykuar se nuk i mishëronte tiparet e një vepre të realizmit socialist).

Por edhe për faktin se Kristina nuk ishte një emër tipik, që u vihej vajzave të brezit, të cilit u takonin personazhet e filmit. Kristina nuk ishte, në të vërtetë, emër tipik as për brezin tim, i konsideruar askohe i vjetëruar, demode apo një “emër gjyshesh”, sic më thonin shoqet.

DITA – Cila nga veprat e Nashos është e preferuara juaj?

K.J. – Preferencat e mia për veprat e tim eti kanë ndryshuar përgjatë kohës. Në adoleshencën time “Dashuria e Mimozës” ka qenë vepra e parapëlqyer. Kurse sot do të veçoja memuaristikën e tij, ku kryet e vendit për mua e zë “Jeta e Fan Nolit”, e ndjekur nga kujtimet që ka shkruar për njerëz të shquar të letrave e të kulturës, me të cilët ka punuar ose ka patur njohje, si dhe shënimet e udhëtimeve nëpër vendet, ku kanë jetuar shumë nga personazhet historike të botës shqiptare. Ndër të parapëlqyerat e mia janë, gjithashtu, haikutë dhe prozat e shkurtra poetike, pas të cilave im atë u dha në periudhën e sprasme të jetës.

DITA – Ju e përmendët veprën “Dashuria e Mimozës”, ribotimi i së cilës në fund të viteve ’90 u prit fillimisht me mjaft interes, por më vonë hapi dhe një debat, ndërkohë që Nasho Jorgaqi s’e pat fshehur kurrë faktin që personazhi kryesor ishte frymëzuar nga Ismail Kadareja. Nëse do të ktheheshit pas në kohë, a do ta këshillonit babain tuaj ta shmangte përplasjen me Kadarenë dhe të mos i bënte publike faktet e argumentet e tij se romani i Kadarese nuk qe një vepër rinie, por e kohëve të fundit?

K.J. – Konfrontimi publik me Kadarenë ishte gjëja e fundit, që mund t’i kalonte nëpër mend tim eti jo vetëm për faktin se ata i lidhte një miqësi e hershme, por edhe pse ndjenja e miqësisë në përgjithësi ishte një gjë e çmuar për tim atë. Unë personalisht raportin mes tyre e kam gjykuar gjithnjë si një raport “josimetrik”, në kuptimin që, ai që jepte, dhe jepte pa kushte, ishte im atë.

Kishte një besnikëri dhe përkushtim të tijin ndaj Ismailit, që sinqerisht më habiste e më linte pa fjalë, madje ndonjëherë edhe më nervozonte. Kjo nuk do të thonte se ai nuk i njihte cenet e karakterit të Ismailit – egocentrizmin, cinizmin, arrogancën, zemërngushtësinë, natyrën hakmarrëse etj.-, por, si natyrë e butë që ishte, e mbi të gjitha si admirues i talentit e i veprës së Kadaresë, falte dhe toleronte.

Raportet mes tyre do të mbeteshin të mira edhe me kthimin e Ismailit për herë të parë nga Franca, ku kish kërkuar azil politik, e të tilla do të vazhdonin deri aty nga fundi i viteve ’90.

Gjërat nisën të ndryshonin kur Ismaili, i obseduar prej idesë së marrjes me çdo kusht të çmimit Nobel, filloi përpjekjet “për ta rishkruar” historinë e jetës së tij nën diktaturë. Në këtë kuadër ishte edhe distancimi i tij nga njerëz, me të cilët e lidhte e kaluara dhe që ia komprometonin besueshmërinë si “armik” i regjimit të vjetër. Një ndër këta ishte im atë, autor ndër të tjera i “Mërgatës së qyqeve”, së cilës i “kishte dalë për zot” publikisht në një kohë kur pasardhësit e ish-Legalistëve e kishin sulmuar me egërsi.

Kështu që me një si Nashoja Ismailit nuk i mjaftonte thjesht e vetëm distancimi, por i duhej edhe diskreditimi. Zgjodhi atëherë një mënyrë që vetëm një mendje e sëmurë e diabolike dhe një karakter pervers mund ta fabrikonte: të bënte një roman (“Mjegullat e Tiranës”), ta paraqiste atë si një letërsi sirtari të shkruar para një gjysmëshekulli dhe t’ia kundërvinte romanin e tij romanit të “realizmit socialist” të ish-mikut (“Dashuria e Mimozës”) pikërisht për të treguar “kontrastin” e madh ideor, botëkuptimor, letrar e kulturor mes tyre që atëherë. Për të qarë e për të qeshur…

Çdo shkrimtar i kësaj bote është i lirë që, përmes imagjinatës, të krijojë në veprat e tij letrare lloj-lloj realitetesh, edhe nga ato më fantazmagoriket, por nuk mundet që historinë e jetës së tij ta shpikë e rishpikë sipas qejfit e interesave duke trilluar në kurriz të atyre, që kanë qenë bashkudhëtarë me të në këtë rrugëtim. Për fat të keq, këtë po e bën prej vitesh një shkrimtari të madh si Kadareja.

Natyrisht që im atë do të reagonte. Çdo njeri normal në kushtet e tij do të reagonte. E kush do të heshtte përpara një baltosjeje publike të ngritur mbi shpifje nga më të ulëtat?!

Im atë reagoi përmes dy letrave publike drejtuar Ismailit, ku faktoi dhe argumentoi, sipas meje, bindshëm, që “Mjegullat e Tiranës” ishte një roman i hartuar rishtas dhe se “Dashuria e Mimozës” ishte shkruar nën nxitjen dhe me mbështetjen e vetë Ismailit, asokohe mik i ngushtë i tim eti, me të cilin ndante shumçka, madje dhe dhomën ku flinin.

Pas vdekjes së tim eti, duke kqyrur e sistemuar bashkë me time më bibliotekën dhe arkivin e tij, pata rast të gjeja, ndër të tjera, edhe një tufë letrash të Ismailit drejtuar Nashos, që nisnin në shtator të v.1958, kur Ismaili sapo kishte shkuar për studime në Moskë, e përfundonin në v.2001, si dhe disa letra të së shoqes, me të cilën Nashoja kishte lidhje gjaku.

E dija që kishte patur një letërkëmbim mes tyre, por nuk kisha patur rast ta shihja. Zbulova aty, ndër të tjera, një fakt, të cilin, mesa duket, im atë me vetëdije ia “kishte kursyer” ish-mikut, edhe pse ishte në favor të vet: gjatë kohës që Nashoja shkruante “Dashurinë e Mimozës”, subjekti i së cilës ishte frymëzuar nga historia e vërtetë e një lidhjeje dashurie të Ismailit, ky i kish dhënë Nashos gjithë letërkëmbimin me të dashurën.

E pra, a ishte e mundur që në kushtet e asaj miqësie aq të ngushtë e duke jetuar deri dhe në një dhomë Ismaili të shkruante “Mjegullat e Tiranës” e ta mbante të fshehtë prej mikut të tij? Them se s’ka nevojë për përgjigje. Nuk kam ndër mend, sidoqoftë, t’i bëj publike të plota këto letra, por vetëm faksimilet e disa pasazheve, që mbështesin të vërtetën ashtu siç e ka dëshmuar atë im atë.

DITA – Si i kujtoni ju takimet me Kadaretë? Sa të pranishëm kanë qenë ata në jetën e famijes Jorgaqi?

K.J. – Në vitet ’70-’80 një ndër njerëzit, që vinin më shpesh në shtëpinë tonë, në apartamentin, që kishim atëherë në rrugën e Durrësit, ishte Ismaili. Ardhjet e tij ishin normalisht të përjavshme, kurse në periudha shqetësimesh e frikërash të tijat për shkak të atyre që shkruante, ato bëheshin të përnatshme për javë e muaj me radhë. Në kohën e kritikave për “Dimrin e vetmisë së madhe” nuk do të më vinte cudi madje, nëse një mëngjes do ta gjeja edhe duke fjetur në kolltukun, ku ulej përherë, në dhomën e pritjes.

Ai që sakrifikonte me të vërtetë, ishte im vëlla, i cili flinte aty, e ndërkohë i duhej të përpëlitej gjatë sa ta zinte gjumi ashtu me dritën hapur e bezdinë e bisedave, që vazhdonin me orë të tëra. Ismaili vinte pasi binte nata, zakonisht aty nga ora 8.30-9, dhe shpesh priste i vetëm në dhomë sa të kthehej im atë. Këmbëngulja e tij për të bërë bisedat që e shqetësonin, ishte e tillë sa nuk pyeste as kur im atë ishte i sëmurë. Kujtoj një herë që Nashon e kishte zënë një krizë shumë e fortë veshkash, sa jo vetëm nuk ngrihej dot nga krevati, por nuk hapte dot as sytë. Ismaili, kur erdhi, e gjeti ashtu dhe priti me durim më shumë se dy orë me shpresën se mos atij i kalonte kriza dhe Ismaili realizonte bisedën e radhës. Por pritja i shkoi kot.

Miqësia, për hir të së vërtetës, nuk ka qenë një miqësi mes dy familjeve tona, por vetëm mes Nashos dhe familjes Kadare, pra, Ismailit e të shoqes, që, siç e thashë, ishte kushërirë e tij. Ndodhte herë pas here që çifti Kadare vinte bashkë deri tek pallati ku banonim, por aty ndaheshin: Ismaili vinte te ne, kurse e shoqja shkonte tek një mikesha e saj e ngushtë, Liliana Zheji, që banonte në shkallën tjetër. Më pas ritakoheshin e ktheheshin përsëri të dy në shtëpi.

DITA – Si u ndje Nashoja dhe familja e tij, kur Ismail Kadareja, apo dhe të tjerë pas tij, e akuzuan si bashkëpunëtor të Sigurimit?

K.J. – Sulmi i parë i hapur i Ismailit ndaj Nashos ishte ai i v.2014 te libri me ese “Mëngjeset në kafe Rostand”. Ky sulm vinte si përgjigje ndaj letrës publike të tim eti pas trillimeve të çartura të Ismailit ndaj tij në parathënien e romanit “Mjegullat e Tiranës”.

Kujtoj që pezmi i tim eti nuk buronte aq nga akuza publike e Ismailit për të si “spiun” i Sigurimit sesa nga deklarata e tij që romanin që kish shkruar, ia kishte mbajtur të fshehtë Nashos nga që kishte patur frikë se mos ky e spiunonte. Kjo shpifje e ulët e Ismailit e tronditi pa masë, pasi nuk kishte ndodhur kurrë, po kurrë, përgjatë disa dekadave miqësi mes tyre që im atë ta kishte shpërdoruar besimin e tij. S’e kish bërë me askënd, miq, shokë e të njohur, e jo ta bënte me mikun e ngushtë. Diabolizmi dhe malinjiteti i Ismailit kishte tejkaluar kështu çdo kufi.

Disa vite më pas, në shtator të 2020-s, Agron Tufa, ish-drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, publikoi në adresën e tij të Facebook-ut, nga Zvicra, ku kishte kërkuar statusin e azilantit politik, faksimile dokumentesh nga dosja personale e tim eti si b.p. i Sigurimit. Shtypi më pas do t’i merrte ato dhe do t’i botonte bashkë me komentet e Tufës, një përzierje pak të vërtetash, ca të vërtetash të shtrembëruara dhe shumë shpifjesh.

Dosja e Nashos publikohej në një kohë që nuk kishte (dhe ende nuk ka) një ligj për hapjen e bërjen publike të dosjeve të Sigurimit dhe kur faksimile dokumentesh të dosjeve nuk kishin dalë as për politikanë e funksionarë shtetërorë, për të cilët është i detyrueshëm verifikimi i pastërtisë së figurës. Po pse atëherë dosja e tij? Dosja e një njeriu që, siç do të kisha rastin ta lexoja edhe vetë më pas, nuk kishte dëmtuar askënd, pra, që nuk kish hequr nga puna, internuar, futur në burg apo kontribuar për eleminimin e askujt; një dosje që, në 30 vjet demokraci, nuk rezultonte ta kish kërkuar askush që ta shihte në cilësinë e të dëmtuarit prej veprimtarisë së Nashos. Mbi të gjitha, ajo ishte dosja e një intelektuali të shquar, një njeriu erudit, me një formim të gjerë e të thellë, që deri atëherë, afër të 90-ave, nuk kishte reshtur asnjëherë së punuari me përkushtim e ndershmëri.

Ishte dosja e një shkrimtari, e një studjuesi të historisë së letërsisë shqipe të traditës, e një biografi të disa prej figurave të shquara të historisë e kulturës shqiptare, e një skenaristi të disa prej filmave më të mirë shqiptarë, e një pedagogu që kish kontribuar në formimin e kaq brezave të studentëve… Pra, dosja e një njeriu, që me dinjitet e profesionalizëm kish vënë disa tulla në ngrehinën e kulturës, të arsimit e të shkencës shqiptare.

Po për cfarë hynte në punë publikimi i dosjes së Nashos? Për cfarë shërbente? Kujt i duhej? Këto ishin disa nga pyetjet, që mbetën për disa kohë pa përgjigje. Më pas gjërat u bënë të qarta… Tufa s’kishte qenë veçse ekzekutuesi i zellshëm i një plani të ideuar me ligësi e perversitet, prej të cilit ai shpresonte se do të kishte përfitimet e veta, mbi të gjitha, marrjen e azilit politik (që, në fakt, iu refuzua). Për fat të keq, ndodh jo rallë që gjenia krijuese dhe karakteri demoniak jetojnë të ngërthyera në një trup të vetëm njeriu.

DITA – Vetë Nashoja nuk bëri ndonjë reagim pas publikimit të dosjes së tij nga Agron Tufa. Pse? A ishit ju në dijeni të një dosjeje të tillë?

K.J. – Publikimi i dosjes u bë kur im atë ishte 89 vjec dhe, për fat të keq, kishte nisur të vuante pasojat e një demence të saposhfaqur. A mund të pritej reagim prej tij në këto kushte?! Ndërkohë as unë dhe asnjë pjesëtar tjetër i familjes nuk ishte në dijeni të dosjes.

DITA –A pati Nasho ndonjë peng që nuk e bëri publik në lidhje me të shkuarën apo këtë dosje?

K.J. – Me sa di e sa kam kuptuar unë, them se jo. Duke mos pasë dëmtuar askënd, mendoj se nuk e ka gjykuar të arsyeshme të shprehej publikisht me vullnetin e tij të lirë për angazhimin si b.p. i Sigurimit, sikurse kishte bërë, për shembull, ndonjë koleg i tij shkrimtar me emër.

Nashoja kishte qenë vetëm 23 vjec, kur kishte pranuar të nënshkruante një deklaratë bashkëpunimi me Sigurimin, pa u vetofruar, por si përmbushje të një kërkese që i kishin bërë. Im atë duhet të ketë qenë i bindur se po kryente një detyrë patriotike duke i shërbyer shtetit të tij. Këtë e them me bindje, pasi, me vdekjen e Nashos, kam patur rast të lexoj ditarët e fletoret e tij të shënimeve të mbajtura pa ndërprerje që nga v. 1945, kur ai nuk kishte mbushur ende 14 vjeç, e deri në v. 1960. Në të ritë e tij, Nashoja e kishte admiruar ideologjinë marksiste dhe kishte besuar sinqerisht në idealin e ndërtimit të një shoqërie si ajo që përshkruante propaganda komuniste. Më pas ai nisi të kishte dyshime, hezitime dhe disa gjykime e vlerësime kritike, por bindjet e majta i ruajti të palëkundura deri sa vdiq.

Në përfytyrimin kolektiv të shumicës së shqiptarëve b.p. e Sigurimit qenë ca “spiunë ordinerë”, që përgjonin bisedat e njerëzve dhe shkonin i denonconin duke i cuar shumë prej tyre në burg a internim, imazh ky që edhe Kadareja u përpoq ta krijonte për Nashon në akuzën e tij publike.

Angazhimi i tim eti në organin e inteligjencës së kohës, për aq sa ishte, kishte të bënte, sic e dëshmon edhe dosja, me veprimtari në fushën e zbulimit, fryt i së cilës qe edhe romani “Mërgata e qyqeve”. Historia njeh shumë figura shkrimtarësh të angazhuar në shërbimet inteligjente të vendeve të tyre, si Ernest Hemingway, Graham Greene, Ian Fleming, sa për të përmendur disa emra; sikurse njeh edhe të tjerë, që u vunë në shërbim të inteligjencave të huaja, ndër të cilët edhe emra autorësh të shquar shqiptarë, si Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj e të tjerë.

DITA – Shumica e atyre që e përflisnin Nasho Jorgaqin për lidhjet me Sigurimin i referoheshin romanit “Mërgata e qyteve”. Në një intervistë për revistën Klan në vitin 2004, me rastin e ribotimit të tij, ai nuk e fsheh që jo vetëm iu dha leja për ta shkruar, por iu mundësua edhe vizita jashtë Shqipërisë për t’u njohur me mjediset dhe disa prej figurave të emigracionit politik shqiptar. Ju si e mbani mend këtë periudhë? Apo si ua ka treguar?

K.J. – Vajtjen e tim eti në Francë dhe në Belgjikë në 1973-shin e kujtoj shumë mirë për faktin se më solli prej andej një çantë shkolle dhe një palë çizme shumë të bukura, të cilave iu gëzova pa masë. Duke qenë se isha ende në shkollë fillore, nuk kisha si ta dija qëllimin e vizitës së tij. Kujtoj, gjithashtu, pak më vonë, që, kur qendronim verës në plazh, shkoja ndonjëherë me tim atë të haja akullore te hotel Adriatiku, ku ai takonte e bisedonte me atë që unë e thërrisja “xhaxhi Çufe”.

Sic do të merrja vesh më tej, pasi doli “Mërgata”, ai ishte heroi i vërtetë i romanit, personi i infiltruar i shërbimit inteligjent shqiptar për mbi dhjetë vjet në oborrin e mbretit Zog në mërgim, Isuf Mullai. Shumë më vonë pastaj do të kisha rast të dëgjoja nga goja e tim eti, ndër të tjera, edhe plot përshkrime e histori lidhur me ato që ai kish parë e përjetuar në ato javë të qëndrimit të tij jashtë.

DITA – A keni menduar të ndërmerrni hapa ligjorë ndaj atyre që abuzuan me detyrën për të nxjerrë në shtyp dosje, që ligjërisht duhet të ishin të mbrojtura?

K.J. – Në një vend demokratik, ku sundon ligji, për çështje të tilla normalisht që çdokush do të duhej t’i drejtohej gjykatës. T’i drejtohej për të paditur një individ, i cili publikon materiale, që ligji në fuqi e ndalon të bëhen publike. T’i drejtohej për të paditur edhe një tjetër individ, mik me të parin, i cili e siguron materialin duke përfituar nga aksesi që ka patur në dosjet e Sigurimit si drejtues institucioni.

T’i drejtohej për të paditur një institucion shtetëror si Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit apo, sic njihet, Autoriteti i Dosjeve, që e ka për detyrë t’i ruajë e t’i mbrojë këto materiale, por nuk e bën. T’i drejtohej për të paditur po këtë institucion, prej nga vazhdoi të ridhte informacion te Tufa&co mbi veprimet tona si familje me Autoritetin… Indiferenca dhe mosveprimi i shtetit ndaj disa punonjësve të tij, përgjegjës për shpërdorim detyre, si dhe besimi ZERO te drejtësia shqiptare, na bëri të mos i hynim asaj “aventure”.

DITA – Pas publikimit të dosjes së Nashos, cili ishte përgjithësisht reagimi i njerëzve, vecanërisht i të njohurve të tij, kolegëve, miqve…?

K.J. – Kjo ka qenë një përvojë më vete që, për ta përshkruar, nuk do të mjaftonte as një intervistë e tërë… Shumë prej reagimeve publike, në media e në rrjete sociale, kryesisht nga njerëz të panjohur, por edhe ca të njohur, ishin të tilla që të risillnin shijen e atmosferës së kohës së diktaturës: sharje e fyerje gjithë histeri, mllef e vrer, paditje e denoncime si ato që u bëheshin “armiqve të klasës”.

Pikërisht ashtu siç thonte dikush në një shkrim se “Ish-sigurimsi i bërë publik sot shihet si diversanti i djeshëm, si qenie që duhet linçuar me mjetet e mundshme, si pre e kollajshme”. Dhe a e dini se cilët ishin ndër “linçuesit” më të egër, pas “armiqve ideologjikë”? Ca të njohur, të konsideruar prej tim eti si shokë, miq e kolegë, njerëz të cilët ai i kish ndihmuar me mish e me shpirt, u kish dhënë dorën të ecnin në rrugën e krijimtarisë e të studimeve, i kish përkrahur e ofruar miqësi në një kohë kur askush nuk i përfillte e nuk u qasej. Dhe, ndër këta, a e dini se cilët ishin ata që ulurisnin duke nëmur? Ca të përfolur edhe vetë si b.p. të Sigurimit… Po shyqyr që im atë nuk ishte në gjendje t’i lexonte e dëgjonte hukubetet e tyre. Errësira e harresës që kish pllakosur në mendjen e tij, e pati edhe një të mirë: e ruajti të paprekur nga diabolizmi satanik, që veç ish-miqtë mund ta kenë në ato përmasa. Në bibliotekën dhe arkivin e tim eti gjeta më pas dedikime librash e letra të këtyre krijesave, që sapo përshkrova, të mbushura me lavde e hosanara të të njëjtit intensitet me diskursin e tyre linçues.

Natyrisht që pati edhe reagime, që vinin prej mendjesh të mënçura e të ekuilibruara, që nuk gjykonin bardhë e zi, por i shihnin gjërat në kompleksitetin e tyre. Sikurse pati edhe plot të tjerë që heshtën. Dhe heshtja e miqve të vret ku e ku më shumë sesa fjalët e armiqve. Pikërisht prej kontingjentit të “heshtësve” ishin edhe shumë prej atyre që nuk e panë të udhës as të vinin në homazhe a varrim në përcjelljen e tim eti e as të na ngushëllonin si familjarë. Heshti tërësisht edhe një institucion si Universiteti i Tiranës e Fakulteti i Historisë e i Filologjisë. Kurrfarë ngushëllimi zyrtar e ofrimi mjedisi për homazhe, sic i takonte Nashos, që kish dhënë atje mësim për disa dekada, duke u dalluar si një ndër pedagogët më të përgatitur e më mendjehapur.

DITA – Jeni ndër të paktat personazhe publike, që pranoni një diskutim të tillë, në nje kohë kur të tjerë familjarë të të tjera figurave publike, që janë akuzuar si bashkëpunëtorë të Sigurimit, kanë zgjedhur heshtjen…

K.J. – Qëndrimi im për të folur publikisht për këtë çështje lidhet, para së gjithash, me raportet që unë si individ kam me të vërtetën. Unë e dua të vërtetën, nuk i frikësohem, nuk i iki, madje e kërkoj, kam kurajon të përballem me të. Si mund “t’i vidhesha” atëherë të vërtetës për një çështje, që prek drejtpërdrejt familjen time?! Për më tepër, një të vërtete që u servir e pjesshme në publik, e zhytur në një det shpifjesh dhe trillimesh të ulëta.

DITA – A keni ndonjë peng të ndonjë bisede të padiskutuar me babain tuaj? Po vetë ai, a pati ndonjë peng të ndonjë vepre të pabotuar?

K.J. – Im atë jetoi shumë gjatë, por gjatë pata edhe unë fatin të jetoja pranë tij, në një komunikim të ngushtë e të pandërprerë. Në këto kushte si zor që njeriu të ketë pengje. Natyrisht që dëshirë për të bërë edhe ndoca biseda a për të thelluar ca të tjera do të kisha, por pengje jo. Sa për pengje të tijat, nuk kujtoj të më ketë shprehur ndonjë të tillë, por as kam kuptuar e dyshuar se mund të kishte.

E vetmja gjë që ma ka përsëritur nja dy-tre herë ishte një lloj keqardhjeje që kujtimet (të cilat i përfundoi pak përpara se të sëmurej) nuk i kishte shkruar më parë, në mënyrë që të kishte më shumë energji për ta përballuar punën e të mos e lodhnin aq shumë. E rëndësishme është që im atë arriti t’i shkruajë kujtimet dhe ato janë tashmë një pasuri e paçmuar për ne njerëzit e familjes.

/ marë nga Gazeta DITA/

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 26/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk