MIRËMËNGJESI BABLOKU IM, PO A FJETE A PUSHOVE NGA RRUGA E GJATË?!

15
Jun
2024
Shkruan: Fadil Shyti

(Nga kujtimet e mia, për gjyshin atdhetar.
Ribotim me rastin e 38 vjetorit të vdekjes).

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

(Bisedë e imagjinuar me gjyshin tim atdhetar,-të paharruarin tim të përjetshëm, Hajzer Mustafë Shyti).

(1900-1986)

Pas disa ditë udhëtimi në tokë e në det, ashtu pa paralajmërim,-siç e kishit ju zakon, mbrëmë më erdhe “mysafir” edhe këtej përtej detit, në Skandinavi, apo konkretisht në një shtet të kësaj ane të botës,
-siç thoshit ju burrat e moteve të mëdha.
Të afërmit, miqtë, e shokët, miket e shoqet kudo që janë nëpër botë i njoftova se, pas 27 vitesh nuk e kishim harruar kurrë njëri-tjetrin; prandaj, më erdhe në kujtime kurdoherë kudo në hidhërime, si kjo e mërgimit po edhe në gëzime kur kthehesha në vatrat tona e më tej.
-Po babëloku im, jeta i paska, -ashtu siç na thoshe ty; “të mirat dhe të këqijat e veta, tatëpjetat dhe të përpjetat, nuk jemi ne ata dhe ato që, krejt vendosim për veten tonë; por ne duhet të jemi të vendosur në punët tona, të mos i besojmë shumë fatit, por përpjekjeve tona në punë e në luftë”.
Sot, babëlok i dashur do të bisedojmë më shtruar gju më gju për disa punë që edhe po
t´i kemi edhe 30 ditë e natë kohë, e kemi zor me i përfunduar duke u dertuar si atëbotë,-në vitet 70-ta e gjer kur ty shkove të takohesh e çmallesh me prindërit tuaj të zhuritur nga vuajtjet, të përqafohesh me Muharremin, vëllain tënd dëshmor, për të cilin ke derdhur lot tërë jetën; mbrëmë kur njoftova lotët tua ishin të rënda për mua dhe për ne që ishim pranë-po, ato lot i ktheje në forca e na flisje për luftërat, për betejat në katundet e Drenicës së Kuqe, në Abri, Qëndresë , ish-Tërstenik,-pastaj në katundin Kullë -ish Kollë të Vushtrrisë, e në veçanti na flisje me adhurim të theksuar për trimin popullor Ilaz Rustemin, i njohur atëbotë nga populli si Ilaz Kolla,-tash, katundi- Kulla e rrethit të Vushtrrisë e cila u dogj tri herë gjatë historisë në flakë e barot nga okupatorët serbë.
Ilazi, qëndroi në atë betejë të vitit 1945 në vatrën e tij ishte treguar trim i rrallë!
Jo më kot- ty e pate lënë amanet që, askush tjetër para tij nëse unë iku në amshim para tij, -të mos më lëshoj në varrin tim të dytë, -pos duarve të tij-dhe shih mor babëlok ende s’patëm rast të të tregoj që, mua më pat ra hisja e hidhërimit të madh që të shkoja e ta lajmëroja se, i duhej të vinte tek ne për t´na u gjendur pranë dhe atje në varrezat tona, te “Arat e Frashërit” i duhet ta kryente amanetin tënd, të të jepte lamtumirën e fundit. Dhe, besa e burrit është më e fortë se TOKA, -sepse or babëlok, e dimë të gjithë se toka lëvizë ndonjëherë, por fjala- besë e burrit të shqiptarisë nuk lëvizë asnjëherë!
Epo, ku e pata fjalën na flisje për betejat në Veli Breg-, për trimëritë e shokëve të luftës si për Maliq Braboniqin,
-ashtu i thoshe, jo me mbiemër tjetër) i cili i revoltuar në armiqtë tha: “O qe besa o burra, se në kjofsha i gjallë sot, kam me ia kapë pushkën për gryke çetnikut atje lart në kodër”!
-Dhe, vërtet trimi u ngjit kodrës përpjetë, po në atë betejë gjatë luftimeve ra si burrat e moteve!
Na flisje për betejën Dezhevës, për shokun e katundit që kishe qëlluar aty kur ishte vrarë Muharremi, pra për Feriz Sheremetin i cili ishte plagosur lehtë në kokë.
Na flisje për dëshmorin (komisar) Latifin me dashuri e vaj në buzë!…
Na flisje për si vëllain tënd, Ismet Ashlanin i cili ishte vetëm 17 vjeçar, kur iu bashkua radhës së Shaban Palluzhës.
Na flisje për xha Rifat Monin si bashkëluftëtar juaji, -eh mor babëlok, më lejo të tregoj tani –se, xha Rifati në moshën 87 vjeqare , nga dhuna serbe në luftën e fundit u detyrua të del me popullin-refugjatë në Kukës, (1999), pak ditë para se të ikte Serbia pushtuese me ushtrinë e saj nga Kosova –atje ndërroi jetë.
Na flisje për xha Hamzën nga Luboveci, një katund fqinj yni ,
i cili luftonte pa frikë flakë për flakë me ushtrinë e Drazhë Mihajloviqit.
Na flisje, për Mulla Ilaz Brojën, për Ahmet Babajn nga Llausha e Drenicës,–sesi kishin luftuar shumë vite, por në vitin 1947 kishin dalë malit, pasi ishin zbuluar ku gjendeshin ishin rrethuar, po për të mos pasur shumë humbje në familjen e jatakut (strehuesit të tyre),-ata kishin vendosur të bëheshin kurbanët e asaj familjeje që iu kishte dhënë buk´e besë!
Na flisje për Ramë Babajn, njërin nga ata 7 komandantët e Shabanit, të cilin e kishe njohur edhe në burg të Zharkoviqit në Mitrovicë, – tash ky burg u kthye në bibliotekë të qytetit disa vjet pas luftës së UÇK-së. Ngjarjen e tregoje thjesht: “Kur paska ardhur aty tradhtari i popullit , Ali Shukria, e ju paska thënë: “Hë more burra a jeni mirë, se po doni Shqipëri ju, mirë i keni tash aty nëpër biruca punët
–çka kujtonit ju, të luftonit me Jugosllavinë e Mareshal Titos a?!
Aty, u ngritë njëri nga Kçiqi i Madh, (emri s´më kujtohet) i tha Aliut: Zotni fort mirë jemi, të gjitha i kemi!
Kur i ka dëgjuar ato fjalë, si vetëtima u ngritë në këmbë Ramë Babaj dhe i tha:
“O zotni ne luftën e kemi bërë, po me ndihmën e fuqive të mëdha, ju e fituat.
-Tash ne jemi robër lufte, jemi këtu në burg, por, ju po shkelni çdo të drejtë njerëzore, nuk po na këqyrni si duhet, si të burgosur, këtu po kalojmë kohën sa s’ka ma zi”.
Kur i kreu fjalët, Rama e ka futë dorën nën sqetull; e ka nxjerrë një grusht me pleshta!…
Të gjithë jemi habitë me guximin e tij dhe kemi menduar e kemi druajtur se, atë natë do ta mbysin n burg;
por, – trimi-thonë e ka këtë dynja edhe ahiretin(amshimin), ndërsa, i ligu asnjërën, aty ndodhi befasia e madhe; Ramë Babaj nuk u dënua, për atë reagim, por ai edhe ne u shpërblyem të gjithë, sepse, brenda tri ditësh u pastrua burgu nga pleshtat, na ofruan ca me rroba dhe u përmirësua disi më mirë gjendja edhe në qelitë e ftohta…
-Më kujtohet babëok kur më thoshe:
“Biro, nuk është kollaj me kenë shkollovan, sepse, shkollovanat hasmi (armiku) i ndjekë më shumë se neve që ishim me armë n´dorë
në luftë me ata të pabesë pushtuesit sllavë që erdhën në trojet tona.
Juve-ju ndjekin , ju burgosin e ju vrasin–se, ata e dinë që, aty i fiken dritat Shqipërisë”!
-A të kujtohet biro kur të kam folur për Hasan Prishtinën?!
Hasani, ishte një burrë i madh i kësaj ane, ishte nga Polaci i Drenicës, po familja e tij u shpërngul në Vushtrri, ja, ato kullat që po shihen atje përballë me katundin tonë , atje në Balinc, -ato janë kullat e Zenullah Begut,–të xhaxhait të Hasan Prishtinës.
-Dëgjo biri im; baba im Mustafa, ishte ushtar i tij, në rrethin e Pantinës, atje ushtroheshin për luftë kundër turqve pushtues.
-Dije, babo se, fenë e kemi të njëjtë me turqit, por, mos harro që, sa ia kemi pa sherrin Turqisë, askujt tjetër më shumë mbi tokë, nuk ia kemi parë,–po them kështu, sepse, pas gjithë atij pushtimi të gjatë, e luftërave të pandërprera, më në fund kur u thye –na ra. n’ shpinë e na e ricopëtoi vendin bashkë me shtetet sllave okupatore dhe përkrah Rusisë me krejt Evropën.
Hasan Prishtina e ka ditë fort mirë si do të vinin punët, prandaj iu ka ndejtë (qëndruar ) vigjilentë punëve,
-sepse besë me hasëm nuk kishte as kurrë nuk ka!…
Hasan Prishtina, ishte i pasur, ishin bejlerë nga familja; po zemra i rrihte më shumë se për çdo pasuri në botë, për këtë Shqipëri, atij iu deshtë me i shitë shtatë magaze (dyçane ), për ta përgatitur popullin për luftë në mbrojtjen e vendit.
Po, ai burrë nuk ishte vetëm, burra të pathyeshëm e besnikë si ai , kishte edhe të tjerë si Haxhi Zeka, Bajram Curri, Azem Bejta Shote Galica, Shaban Manxholli e shumë të tjerë…
Eh, gjyshi im!…
Na flisje për luftërat e para me Serbinë e Malin e Zi, -për Zeqir Llaushën, dëshmorin e Flamurit Kuqezi, atje në luftë, në Prepellac s’kishte rënë me armë në dorë në luftë me shkja dhe bashkëvendësit tanë: Zeqir Sheremeti (bajraktari) dhe Shaqir Hyseni, duke i pritur me plumba pushtuesit serbë në sulmet e para, nga Serbia pushtuese në vitin 1912.
-Po, babëlok, kur ty ke vendosur me këmbëngulje, përkundër shumë pengesave objektive dhe subjektive me më shkolluar, shumë nga këto punë të ndershme e heroizma që po i tregon për Hasan Prishtinën, Haxhi Zekën, Azem Bejtën e të tjerë, ne i kemi mësuar në shkollat tona, pavarësisht nga pengesat që na kanë dalë nga pushtuesit.
–Ashtu biro, -po rrini gati shkollës, se dija
s´ka skejë (kufij), kurdoherë e kudo qëndroj besnik të vërtetës, sepse biro më keq është me të zënë oda (Kuvendi) sesa me të ra lisi!…
Mos shko pas interesave, po përpiqu të jesh sa më i pastër
n´punët tua, mos ia bë askujt të keqen kurrë, por, të jesh vigjilentë që, askush të mos mundet dhe mos e lejo me ta lënë “ngile” të keqen pas,-e, aq më keq, largohu prej atij që se mbanë fjalën, që është lakmitar e lavdërohet (krekoset ) shumë, sepse, ai ka rrezik, që ta bën pabesinë; gjithashtu, kurrë mos vepro çfarë ke mundësi- pra, çfarë të vjen n´kuti,–kundër dikujt, askujt mos ia bë padrejtësinë, mos ia merr fytyrën dhe mos i hy në hak,- ndërsa, kur miku ta jep një kafe në qytet, pa dalë prej qytetit përpiqu nderoje e dhe ti;-kurrë biro mos e shtyjë, mos e largo dhe mos e nënvlerëso (mos e ha n´sy) askend; respektoje secilin –se, nuk i dihet jetës, puna të sjellë pranë…, me dikend, që kurrë se ke menduar-se të duhet apo i duhesh…
Kujdesu fort, mos u ngut me vepruar “fymë-n’ fyt” ; për ndonjë mosmarrëveshje të lehtë, e në veçanti ruaj vëllezërit e motrat, ruaje rrethin tënd–sepse, vëlla e motër nuk të bëhet askush. Nderin për miq e shokë, por, kurrë mos e “shit” tëndin n´miqësi apo më larg!…
-Bile, nuk është mirë pa e provuar shokun, me i thënë shok, pa e provuar shoqen me i thënë shoqe, kjo jo të bëhet për mosbesim ndaj tij apo asaj, por kur t´i thuash shok apo shoqe je borxhli me iu gjetur pranë në hidhërime e gëzime.
–Biro, njeriun shumë shokë e shoqe “e copëtojnë”, që d. m. th, duhet sakrifikuar për të gjithë, po këtë përgjegjësi duhet ta kesh të sigurt që edhe të tjerët të bëjnë për ty…
-Gjithashtu, kurdoherë ta kesh parasysh njëmijë herë, kjo ka rëndësi të madhe, shumë të madhe: mos lejo kurrë ta hash hakun e huaj, djersën e tjetrit, (pra, mos u shit- mos u korrupto) –as mos lejo kurrë me të shkelë paraja, po ti shkele atë, shkurt, -mos lejo me të koritë, sepse biro parja është si kurva, herë shkon te njëri herë te tjetri, herë te njëra herë te tjetra; po fytyra (nderi), duhet të ruhet!…
Ju të rinjtë e të rejat po e shoh se, nuk jeni të kënaqur sikur ne dikur: po kujdes me kë po Veproni, –sepse, s’ka parti as organizatë pa “dreqër”; ju shumica jeni të sinqertë, besnikë e besnike –po, në mesin tuaj ka edhe mashtrues, interesxhinj e të poshtër –që përfundojnë renegatë e renegatë, -pra, tradhtarë e tradhtare. Ndaj tyre të keni vigjilencë se “ju marrin n qafë”, ata ishin janë dhe do të jenë si mishi i keq dhe i ndyrë –në trupin e bukur e të pastër të Atmëmëdheut.
Jeta dhe vdekja japin e marrin,–e tillë qenka kjo botë me hidhërime e gëzime, me humbje e fitore!…
Kujtimet e gjyshit tim do të jenë në mendjen e zemrën time prore!
Lavdi qëndresës heroike të flakadanëve e flakadanëve të lirisë!…
Lavdi dëshmorëve të atdheut!
Më 16 Qershor. 2013
Ribotuar më 15 Qershor 2024.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/06/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk