MISIONARËT* E KAUZËS SË MUNGUAR KOMBËTARE TË SHQIPTARËVE NË MAQEDONI

24
Jul
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

Reflekse
Asnjë popull apo grup shoqëror nuk mund të ketë misionar për një çështje madhore, përderisa nuk ka kauzë, program dhe doktrinë të veten për atë çështje.
Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë Kauzë të veten, sepse nuk kanë Program kombëtar dhe Strategji, prandaj nuk mund të kenë as Misionarë, siç pretendojnë disa, me Kauzë të munguar, madje nuk kanë as lider politik, në kuptimin e plotë, siç ka nevojë Lëvizja politike e kombëtare e tyre. (Shpjegime të hollësishme mund të gjeni në shumë artikuj, vështrime dhe analiza të mëhershme)
Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë arritur deri më sot t’i realizojnë interesat e tyre strategjike, sepse nuk u është lejuar të kanë Kauzë (si popull i ndaluar) dhe Program për mbrojtjen e qenies së tyre kombëtare, për zhvillim e përparim, për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave qytetare e kombëtare, për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar, të historisë, gjuhës, trashëgimisë kulturore-historike, të veçorive kombëtare, aq më pak kanë strategji për realizimin e aspiratave historike të tyre.
Ndërkaq, shqiptarët në këtë shtet vazhdojnë disi të mbijetojnë, sa u mundësojnë kushtet aktuale ekonomike e sociale gjithnjë e më të vështira, të jermuar e mpirë nga propaganda e pushtetit me përkrahjen e faktorit politik vendës, të medieve në duart e pushtetit dhe “misionarëve” në shërbim të agjenturave të huaja, jo në shërbim të kauzës kombëtare dhe interesave të përgjithshme të popullit shqiptar në Maqedoni.
Rezultatet e arritura deri më sot nga faktorët politik shqiptar vendës, nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë më 1991 e deri në ditët e sotme, nuk dallojnë me asgjë nga arritjet e shqiptarëve nën sundimet e huaja, si nën Perandorinë Osmane, nën regjimin e Mbretërisë Jugosllave dhe të ish-Federatës së Jugosllavisë, sipas të drejtave të dozuara nga ato pushtete ndaj shqiptarëve, si:
– për ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve;
– ndërtimin e objekteve infrastrukturore dhe ekonomike;
– realizimin e të drejtës për t’u punësuar në administratën dhe institucionet e pushtetit sundues (qoftë me bashkëqeverisje jodemokratike);
– për përfshirje në xhandarmërinë (policinë), ushtrinë dhe shërbimet e agjencive të sigurimit shtetëror të pushtetit sundues;
– për pjesëmarrjen në organet e pushtetit, në Parlament, Qeveri, organet e sigurisë dhe diplomaci;
– të drejtën për zhvillimin e veprimtarive ekomomike dhe të tregtisë;
– për posedimin e pasaportës, sa për t’u larguar në botën e jashtme, si dhe të ngjashme.
Realizimi i këtyre të drejtave, kinse që ua ka “falë” pushteti shqiptarëve, ose i kanë realizuar shqiptarët “me luftë e kryengritje”, nuk mund të jenë pjesë të kauzës kombëtare, përderisa shqiptarët nuk kanë arritur të realizojnë asnjë nga të drejtat themelore për mbrojtjen e qenies së tyre:
– ta qeverisin territorin ku ata jetojnë në vazhdimësi historike dhe gjeografike;
– ta planifikojnë zhvillimin ekonomik e shoqëror;
-ta garantojnë sigurinë e pjesëtarëve të kombit të tyre dhe qytetarëve të tjerë të vendit;
– nuk kanë arritur ta ruajnë tërësinë e territoreve të veta etnike historike (tmerrësisht të tkurrura);
-nuk kanë mundur ta mbrojnë qenien fizike dhe identitetin e tyre, nga terrori, gjenocidi, shpërngulja me dhunë, zbrazja e vazhdueshme e trojeve etnike, kolonizimi i këtyre territoreve me banorë të ri kolonë, me vendosjen e sundimeve të huaja dhe qeverisjen e vendit nga të huajit, gati gjithmonë me ndihmën e renegatëve dhe mercenarëve vendës, siç ka ndodhur edhe gjatë këtyre tri dekadave të fundit me shqiptarët në Republikën e Maqedonisë Veriore.
Një shpjegim i shkurtë, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, i termave:
KAUZË dhe
MISIONAR (i një kauze)
KAUZË f.
Çështje e madhe dhe e drejtë; tërësia e interesave të një klase a shtrese shoqërore, të cilat ajo i mbron me këmbëngulje; çështje. Kauzë e shenjtë (e drejtë). Kauzë e përbashkët. Kauza e popullit (e atdheut, e revolucionit).
MISIONAR m.
1. fet. Pjesëtar i një misioni fetar (në vendet ku vepron kisha e krishterë). Misionarët katolikë (protestantë). Misionar i Vatikanit. Misionar i kishës ruse.
2. libr. Ai që ngarkohet me detyrë të posaçme për të përhapur një ideologji, një doktrinë etj. Misionar shoqëror. Si misionarë të klasës punëtore.
* Këto shpjegime janë të vjetruara, por sidoqoftë e shpjegojnë thelbin e kuptimeve që mbulojnë këto terma.
** Fjala Kauzë, që disa pretendojnë se ka prejardhje nga gjuhë të tjera, e ka prejardhjen (etimologjinë) e pastër dhe të qartë nga gjuha shqipe, që nënkupton: Kauzë – nga Ka-udhë, ka zgjidhje, ka shpëtim nga një gjendje e rëndë sundimi dhe okupimi. Pjesëtarët e shumë popujve të tjerë, të huajit gati pa përjashtim, fjalën udhë të gjuhës shqipe, në pamundësi të shqiptimit të bashkëtingëlloreve DH dhe TH, këtë fjalë e shqiptojnë si: Uzë-Uza apo Udë-Uda; si për shembull: fjalën Udha e madhe e belbëzojnë si: Uza e Made ose Uda e Maze.
(23 korrik 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 24/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk