Mos u bëni Trojanë e as Hamzakastriot të interesave serbe

31
Aug
2024
Shkruan: Gëzim Mekuli


Deklaratat e pamatura dhe të papërgjegjshme të disa ambasadorëve të huaj në Kosovë nuk janë vetëm të papërshtatshme, por edhe të rrezikshme. Në vend që të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në Republikë, këto deklarata duket se po i japin krahë Serbisë, duke e nxitur Beogradin të vazhdojë me planet e saj serbizuese e destabilizuese brenda Republikës.
Unë kam përshtypjen se ndërsa trupat ushtarake janë të vendosur në Kosovë, mendjet dhe agjendat e ca ambasadorëve janë të ndikuara e të kapura nga interesat serbe.
Të nderuar ambasadorë,
Është e palejueshme që ju të na bëni të zezë jetën tonë duke luajtur me fjalën publike dhe duke mirëkuptuar projektet që favorizojnë politikat ruse të Beogradit.
Ju ambasadorë,
duhet të jeni të vetëdijshëm se deklaratat e juaja publike kanë pasoja të mëdha, dhe çdo lëshim ndaj Vuçiqit është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të Kosovës.
Ambasadorë,
Nuk pajtohem të heshtë dhe kritikoj rrept e hapur gjithë ata ambasadorë të cilët pretendojnë të jenë miq të vendit, e në anën tjetër të veprojnë si Trojanë apo si Hamzakastriot të interesave serbe.
Të nderuar ambasadorë, unë i kam edhe disa fjalë:
Nëse ju vazhdoni të deklaroheni me dy kuptime dhe të mbani një qëndrim të paqartë politik, unë frikësohem se çdo përpjekje për destabilizim do të ketë një çmim, e këtë nuk e duan qytetarët e Republikës pa dallim feje, kombi apo kulture.
Unë përsëri e them se Kosova nuk është një terren për eksperimentet e juaja ekonomike e diplomatike.
Nëse ju, të nderuar ambasador, nuk jeni në gjendje të mbroni të vërtetën, pavarësinë dhe drejtësinë, më mirë të heshtni sesa të bëheni zëdhënës të agjendave serbe e ruse të shekullit XIX, agjenda që po e minojnë pavarësinë, lirinë, demokracinë dhe stabilitetin e Republikës sonë.
Me agjenda të dyfishta nuk ndihmohet demokracia e as Pavarësia. Përpjekjet për të destabilizuar Kosovën janë të papranueshme dhe përgjegjësia për çdo pasojë do të bjerë rëndë mbi juve ambasadorë që, në vend të ndihmoni demokracinë dhe paqen, ju me deklaratat e juaja po kontribuoni për kaos.
Paralajmërim im është i qartë: Kujdes, mos u bëni shkrepsë në dorën e Vuçiqit për të ndezur zjarrin ballkanik!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 31/08/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk