“NDREC NDUE GJOKA” i GËRRMËRR-KRACISË !

05
Mar
2025
Shkruan: Gjon Bruçi


-Një krahasim i pakrahasueshëm-
Në vitin 1945, Komisari i Dritësi dhe Heroi i Popullit, Ndrec Ndue Gjoka, me inisiativën e tij, hapi në Mirditë 50 shkolla, për të çarë errësirën mesjetare që i kishte imponuar krahinës pushtuesi i huaj dhe Kapidani, Gjon Marka Gjoni. Mësuesi Hero, i sapo kthyer nga LANÇ, nuk kishte në dispozicion as lokale për mësim, as mjete mësimore, e as mësues për këtë inisitativë madhore. Madje nuk kishte as të ardhura personale, përveç kasolles së familjes së tij, në fshatin Bisakë të Fanit të Mirditës. Por ai kishte diçka më të madhe e më të fuqishme se çdo mjet e mundësi teknike:
Ai kishte IDEALET E PASTRA TË KOMUNISTIT dhe ATDHETARIZMIN E PASHOQ, midis intelektualëve të kohës, pse jo edhe të kohëve të sotme moderne.
Për këtë vepër madhore, ai u vra me 17 shkurt 1946 nga bandat e reaksionit, të cilët nuk donin që Mirdita të çlirohej nga errësira.
Më në detaje, lexoni fjalën e Udhëheqësit tonë legjendat, Enver Hoxha, mbajtur në Kongresin e II të PPSH në mars – prill 1952:
ENVER HOXHA për NDREC NDUE GJOKËN
“Në Mirditë, rronte dhe luftonte një komunist i quajtur Ndrec Ndue Gjoka. Ai ishte mësues, ai s’mund të duronte as shtypjen as errësirën që ushtronte në Mirditë fashizmi dhe Gjon Marka Gjoni. Fill pas çlirimit, i ndihmuar nga Bardhok Biba, ai, duke zbatuar direktivën e Partisë, me inisiativën e tij, që në dhjetor 1944, hapi në Mirditë 50 shkolla. Por, a hapen 50 shkolla pa lokale, pa lapsa, pa fletore dhe sidomos pa mësues? Po, hapen! S’ka kala që nuk e marrin komunistët. Ndrec Ndue Gjoka, fshatar i varfër, lokalet e shkollave i krijoi në shtëpitë e fshatarëve; fletoret dhe lapsat , çau e ndau andej-këtej i mblodhi vetë; mësuesit, gjëja kryesore, ai i grumbuilloi nga ish nxënësit e “Konviktit të Oroshit”, që përpara ai u foli për hapjen e shkollave, dhe vetë u bëri atyre një kurs të shkurtër pedagogjik. Dhe shkollat u çelën, 50 shkolla, shokë dhe këto funsionuan kështu për mrekulli derisa i aprovoi Ministria e Arsimit në vitin 1945. Me krenari, nxënësit e vjetër të “Konviktit të Oroshit”, që tani janë bërë mësues me eksperiencë, thonë “Na jena nga mësuesit e parë të përgatitur prej Ndrec Ndue Gjokës”.
Dhe shokun tonë. Ndrec Ndue Gjokën, na e vranë tradhëtarët e Gjon Marka Gjonit në Qafën e Vorres më 1946, pikërisht për këtë vepër të madhe patriotike të tij.
Unë e ftoj Kongresin që të nderojmë kujtimin e këtij Pionieri të shquar Komunist të Dritës dhe të Arsimit”.
(Enver Hoxha, nga fjala në kongresin e II të PPSH, mars-prill 1952)
* * *
80 vjet më vonë, dhe pikërisht më 2 Mars 2025, Kryetari i Partisë Socialiste dhe njëherësh Kryeministër i vendit, gjatë turrneut elektoral me shqiptarët që punojnë në Greqi, komunikon vendimin e pritshëm për dërgimin dhe mbulimin me fonde të 50 mësuesve nga Shqipëria në Greqi, të cilët do të punojnë me fëmijët e emigrantëve shqiptarë të mësojnë e të trashëgojnë gjuhën tonë të bukur shqipe.
EDI RAMA – për mësuesit e ardhshëm të gjuhës shqipe në Greqi:
“Me mësuesit shqiptarë në Greqi, ku nisim për herë të parë një program mbështetje financiare për 50 mësues, që do të zgjerohet më pas edhe në shtete të tjera, për ata që me misionin patriotik për të ruajtur e trashëguar gjuhën shqipe, mes sakrificave e ndjenjës së përkatësisë, i mësojnë gjuhën tonë të bukur fëmijëve shqiptarë, duke i mbajtur të lidhur fort me rrënjët e tyre, e për t’iu dhënë një mundësi më shumë për t’u kthyer e për të jetuar aty ku e kanë zemrën, në Shqipëri”.
Për të arritur gjer tek ky premtim, u deshën plot 34 vjet, ku të paktën 11 vite, Edi Rama, ka patur në dispozicion jo vetëm rrogën milionëshe të Kryeministrit, por edhe një buxhet shtetëror të përvitshëm, dhe një armatë mësuesish, ku një pjesë e tyre, duke qenë të papunë, janë të gatshëm të shkojnë tek mërgimtarët, për të përsëritur veprën e Ndrec Ndue Gjokës.
Ja, pse shënova në nëntitull të këtij shkrimi fjalët: “Krahasim i pakrahasueshëm!” Sepse, edhe nëse realizohet ky premtim elektoral, nuk mund të krahasohet kurrsesi me veprën madhështore të Mësuesit Hero, NDREC NDUE GJOKA!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/03/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk