Në 33-vjetorin e themelimit të Bashkësisë Kulturore Shqiptare

22
Jul
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

P ë r v j e t o r
Në 33-vjetorin e themelimit të Bashkësisë Kulturore Shqiptare

Një ditë e veçantë në jetën time, të shokëve dhe bashkëpunëtorëve; krenari për vendlindjen time – Shipkovicën, qytetin e Tetovës, shqiptarët në Maqedoni dhe në trojet tjera etnike, duke marrë parasysh se nga gjiri i kësaj organizate lindën më vonë shumë iniciativa dhe projekte kombëtare, si Universiteti i Tetovës etj.
DËSHMI PËR THEMELIMIN DHE NISMËTARËT E ORGANIZATËS
(Një përgjigje e merituar, përmes dëshmive të pakontestueshme, me këtë rast u drejtohet falsifikatorëve të shumtë, shumica e tyre agjentë të vjetër e të ri të shërbimeve të huaja sekrete, të cilët janë munduar t’i fshehin dhe falsifikojnë këto të vërteta, për të krijuar heronj të tjerë mbi idetë, vizionin dhe përpjekjet tona, të frymëzuara e brumosura ndër shekuj nga rezistenca e banorëve shqiptarë vendës kundër sundimeve dhe okupatorëve të huaj).
* * *
Lista e nënshkruasve të Vendimit për themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, të nënshkruar në mbledhjen themeluese të mbajtur më 21 korrik 1990, në Shipkovicë.
Kjo ka qenë mbledhja e fundit e Këshillit nismëtar për themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, para paraqitjes publike të saj në Kuvendin themelues, më 19 gusht 1990.
Në këtë mbledhje është miratuar Programi dhe Statuti i organizatës, si dhe është nënshkruar Vendimi për themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare. Mbledhja është mbajtur në salonin e shtëpisë së Ali Merxhanit, në Shipkovicë.
Kryesia e punës e kësaj mbledhje, në përbërje: Abdulla Mehmeti, kryesues, dhe Kadir Shabani e Xhemshit Maksuti, anëtarë.
Në këtë mbledhje, përveç miratimit të Programit dhe Statutit, nënshkrimit të Vendimit për themelimin e organizatës është diskutuar edhe për çështje të tjera me karakter organizativ, financiar dhe zhvillimor.
Programin, Statutin dhe aktet tjera të Bashkësisë Kulturore Shqiptare i ka përgatitur Abdulla Mehmeti, ideator, kryetar i Këshillit nismëtar dhe udhëheqës i kësaj iniciative. Ky Program, përveç anëtarëve të Këshillit nismëtar është konsultuar edhe me përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushave përkatëse, politike, juridike, kulturore dhe shkencore në Prishtinë dhe qendra të tjera, si: prof. dr. Fehmi Agani (LDK, Prishtinë), prof. dr. Sadri Fetiu (Instituti Albanologjik, Prishtinë), prof. dr. Ismet Saliu (Fakulteti Juridik, Prishtinë) etj.
Personi i parë që e ka lexuar projekt Programin dhe e ka mbështetur këtë iniciativë ka qenë prof. Kadir Shabani, veprimtar i dalluar i arsimit dhe kulturës nga Shipkovica, ndërsa kontribut më të madh në organizimin e aktiviteteve për shtrirjen dhe afirmimin e kësaj iniciative, si dhe shoqërues i udhëheqësit të kësaj nisme Abdulla Mehmetit, në takimet në Tetovë, Prishtinë dhe qytete të tjera, ka qenë juristi nga Shqipkovica, Xhemshit Maksuti.
Para kësaj mbledhje janë organizuar edhe disa takime dhe mbledhje të rregullta të Këshillit nismëtar, më 16, 17 dhe 19 korrik 1990. Takimi parë konsultativ është mbajtur në Tetovë, në shtëpinë e Kadir Shabanit, në të cilin kanë marrë pjesë Abdulla Mehmeti, Kadir Shabani dhe Ziber Muharemi, ndërsa të njëjtën ditë në mbrëmje është mbajtur një takim më i zgjeruar edhe me disa intelektualë të tjerë nga Shipkovica, në shtëpinë e Ejup Ajdinit.
Ditën e nesërme, më 17 korrik është mbajtur mbledhja e radhës në shtëpinë e Tasin Vokës, ku është diskutuar kryesisht për zgjerimin e iniciativën dhe programin e organizatës, ndërsa mbledhja e radhës, në të cilën është diskutuar për çështje organizative dhe programore, është mbajtur në shtëpinë e Xheladin Mehmetit, në të cilën kanë marrë pjesë edhe disa grupe intelektualësh nga rrethina e Tetovës, si nga Xhepçishti, të udhëhequr nga gazetari dhe publicisti Nijazi Muhamedi; nga katundi Gajre, të udhëhequr nga veterani i arsimit Rustem Kamberi; nga Sllatina, të udhëhequr nga profesori Abdilmedi Idrizi dhe nga katundi Rasadisht, të udhëhequr nga gazetari i Radiotelevizionit të Prishtinës, Muharrem Idrizi.
Përbërja e Kryesisë së Bashkësisë Kulturore Shqiptare, e shpallur në Kuvendin themelues të kësaj organizate, më 19 gusht 1990, është bërë me kooptimin e disa personaliteteve që nuk kanë qenë pjesë e Këshillit nismëtar dhe nuk kanë qenë nënshkrues të Vendimit për themelimin e kësaj organizate më 21 korrik 1990. Ky qëndrim i Këshillit nismëtar është marrë me qëllim të shtrirjes më të madhe, afirmimit dhe sigurimit të përkrahjes më të gjerë të organizatës dhe të qëllimeve programore të saj.
Anëtarë të kooptuar në Kryesinë e BKSH, mes datës 21 korrik dhe 19 gusht kanë qenë: Fadil Sulejmani, Ramadan Sinani, Liman Kurtishi, Abdilmedi Idrizi, Ejup Mahmuti, Hamdi Islami dhe Hysenxhevat Huseini-Kalishta. Mandati i kësaj Kryesie të përkohshme, deri në regjistrimin e organizatës, ka zgjatur deri në muajin shtator 1991.
Për shkak të refuzimit një kohë tepër të gjatë për regjistrimin e kësaj organizate nga organet përkatëse, në Tetovë, Shkup dhe Beograd*, janë të tërhequr me vetiniciativë shumica e anëtarëve të Kryesisë së përkohshme dhe procedura është rikthyer në kompetenca të Këshillin nismëtar, i cili me një punë të mundimshme, përmes procedurës gjyqësore, në fillim të muajit qershor të vitit 1992 arriti ta regjistrojë këtë organizatë.
Me këtë rast, u shprehim mirënjohje të thellë tre anëtarëve të Këshillit nismëtar për themelimin e BKSH, të cilët kanë ndërruar jetë: Ahmet Adili, Abas Seferi dhe Mursel Veliu.
Lavdi e përjetshme punës, veprës dhe sakrificës së tyre!
Lista e nënshkruasve të Vendimit për themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare:
1. Alirami Uzairi
2. Naser Bajrami
3. Idriz Demiri
4. Sulejman Ramadani
5. Xhever Imeri
6. Remzi Beqiri
7. Elmaz Jonuzi
8. Nervet Bajrami
9. Lazim Maksuti
10. Shahidin Sehadini
11. Qamil Rufati
12. Refik Veseli
13. Xhemshit Maksuti
14. Kadri Kadriu
15. Abas Seferi
16. Tasin Qaili
17. Nesim Seferi
18. Zeqir Kadriu
19. Zulqufli Ajvazi
20. Ahmet Adili
21. Ejup Ajdini
22. Adem Abdullahu
23. Zaim Halimi
24. Aziz Vejseli
25. Mursel Veliu
26. Shaip Emërllahu
27. Ziber Muharemi
28. Shaban Mehmeti
29. Xhabir Abdullahi
30. Muhamet Aliu
31. Nexhbedin Haliti
32. Gafar Halili
33. Xhevxhet Ahmeti
34. Nuhi Emërrllahu
35. Ali Merxhani
36. Abdulla Mehmeti
*Lista përfundon me numrin rendor 36. Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe persona të tjerë, por që nuk janë nënshkruar në këtë listë.
**Disa nga anëtarët e Këshillit nismëtar nuk kanë marrë pjesë në këtë mbledhje, për shkaqe objektive, por kanë qenë pjesë e tij, pjesëmarrës në mbledhjet e mëparshme dhe në aktivitetet e mëvonshme, si: Iljaz Osmani, Shefajet Ismaili, Shefqet Osmani, Ismail Iljasi etj.
*** Gjatë kësaj periudhe Republika e Maqedonisë ka qenë pjesë e ish-RSFJ-së dhe në fuqi kanë qenë ligjet e njëjta për të gjitha njësitë federative të saj, si edhe Ligji për themelimin e partive politike, organizatave shoqërore dhe shoqatave të qytetarëve, i vitit 1990.
(21 korrik 2022)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk