NË 75 VJETORIN E RËNIES SË “HEROIT TË POPULLIT”, BARDHOK BIBA!

06
Aug
2024
Shkruan: Gjon Bruçi


“Heroi i Popullit” Bardhok Biba, tribun i madh popullor,
luftëtar i Lirisë dhe Idealeve Partizane e Komuniste!
-Botuar në gazetën DITA, datë 6 Gusht 2024-
Mirdita, në historinë e saj të lashtë e të re, ka plot figura patriotike e atdhetare, por “Heroi i Popullit”, Bardhok Biba, ishte dhe do të mbetet një Tribun i madh Popullor, Luftëtar i Lirisë dhe Idealeve të pavdekshme Partizane e Komuniste.
Për arsye moshe, unë nuk arrita ta njoh Bardhok Bibën, dhe për pasojë nuk mund të sjellë kujtime të drejtpërdrejta për këtë Tribun Popullor të jashtëzakonshëm, për këtë përfaqësues nga më të spikaturit e Mirditës sime emërmadhe. Ndaj po ndalem vetëm në një episod të shkurtër, treguar nga personazhe që kanë jetuar e bashkëpunuar me Heroin në ato vite të zjarrta të ngritjes së Pushtetit Popullor dhe Rindërtimit të vendit të sapo dalë nga lufta.
Ta shohësh tjetrin në sy!
Kur bisedoje me Bardhok Bibën, – tregon njëri nga bashkëluftëtarët e tij, – ai kërkonte që ta vështroje në sy. “Kur bisedon me tjetrin dhe nuk e shikon në sy, – thoshte Bardhoku, – atëhere ose nuk po e dëgjon, ose po mendon ndonjë pabesi ndaj tij”!
E thjeshtë, por tepër e rëndësishme. TA SHOHËSH TJETRIN NË SY! Si shokun e mikun, edhe hasmin e armikun. Kjo ishte deviza jetësore e Heroit të Popullit, Bardhok Biba. Bardhok Biba e pa popullin e tij në dritë të syve, dhe iu përkushtua atij me vetmohim. Dhe populli i besoi e i shkoi mbrapa në të gjitha aksionet e LANÇ dhe ato të Ndërtimit të Shqipërisë së Re. Bardhok Biba, edhe armikun e shihte drejt në sy, pa iu dridhur qerpiku. Dhe kur erdhi momenti, nuk i bëri lak ballafaqimit me të, por dha jetën e tij të re, që të rronte e lulëzonte Mirdita, Shqipëria.
Po, si shpjegohet, që vetëm në një dekadë veprimtari politike e atdhetare, Bardhok Biba arriti në shkallën më të lartë të heroizmit, dhe madje të kapërcente edhe në legjendë?!
Heroi ynë, qysh në Gjimnazin e Shkodrës, me siguri e kishte lexuar e madje edhe recituar poezinë e Migjenit, e cila midis të tjerave kumtonte: “Na t’birt’ e shekullit të ri / Me hovin tonë të ndezun peshë / Ndër luftra të reja kemi me u ndeshë / Dhe për fitore kem’ me ra fli”. Nga ana tjetër, ai ishte jo vetëm Luftëtar i Lirisë, por edhe Luftëtar i Idealeve Partizane e Komuniste, për të cilat, ashtu siç këndon poeti i popullit, Dritëro Agolli: “Ishin betuar vetëm njëherë / Në Thirrjen e Parë, në vitin dyzet e një / O ngremë Botën e Re mbi gërmadha e skëterrë / O s’mbetet nga ne, as hi e as zë”!
Bardhok Biba dhe Bota e re
Bardhok Biba me shokë e arritën objektivin. Ata e ngritën Botën e Re shqiptare mbi gërmadhat e mesjetës. Në themele të kësaj Bote, ata vunë gjakun e tyre të pastër. Për këtë ata fituan mirënjohjen dhe respektin e thellë të popullit dhe Lavdinë e përjetshme në historinë e ij shumëshekullore.
Ishte detyra e ne brezave që erdhëm pas tyre ta ruanim e forconim këtë Botë të Re. Por gjatë periudhës së Lirisë dhe të Paqes, që na i dhuruan Dëshmorët, për fat të keq ne e humbëm vigjilencën. Tradhëtia paskesh qenë shumë afër dhe ne nuk arritëm ta dallojmë. Ndaj dhe jemi rikthyer në vitet e errta, ku janë përmbysur vlerat e lartuar antivlerat; ku po baltosen Heronjtë dhe lartohen tradhtarët.
Sot, në ditët e zeza të “demokracisë” borgjeze e fashiste
Ne vimë sot në 75 vjetorin e rënies së Bardhok Bibës, që përkon me vitin jubilar të 80 vjetorit të Çlirimit të Atdheut, jo për t’i rritur lavdinë Heroit. Bardhok Biba, me aktivitetin e tij luftarak e politik në shërbim të popullit e Atdheut, me sakrificën e tij sublime, e ka fituar tashmë lavdinë e përjetshme. Ai nuk ka nevojë për lavdi. Jemi ne që kemi nevojë për lavdinë e tij. Ndaj dhe në çdo përvjetor, e në çdo 5 maj, Ditën simbolike të Dëshmorëve, ne vijmë tek Bardhok Biba dhe Dëshmorët e tjerë, për të marrë sa më shumë nga lavdia e tyre, sa më shumë nga akti i tyre heroik, të cilat na frymëzojnë e na armatosin ne dhe brezat që pasojnë, për vepra të dobishme ndaj Shqipërisë sonë.
Por në këto vite të të ashtuquajturës “demokraci borgjeze”, ardhja jonë ka qenë dhe është e mangët. Ku e kemi monumentin e Heroit tonë. Pse nuk është në mesin e qytetit, që Ai vetë ia pati hedhur themelet në prill të vitit 1949?!
34 vjet më parë, qindëshet e zeza të PD-së, të prira prej Sali Berishës, në radhët e të cilave ishin edhe pinjollët e Pjetër Lleshave e Llesh Marashëve me kompani, pasi përmbysën, dogjën e shkatërruan gjithçka kishte ngritur populli në gjysëm shekulli të Epokës së ndritur të Enver Hoxhës, na rivranë edhe Dëshmorët, duke përmbysur lapidarët, bustet, monumentet…
Bustet e Bardhok Bibës, Ndrec Ndue Gjokës, Pal Mëlyshit dhe shtatoret e katër Heroinave, ishin emblema e heroizmit mirditor, ishin krenaria jonë.
Nëse në krye të herës u tulatëm, apo toleruam për hir të paqes sociale, tani pas tri dekadave e gjysëm, kur gjërat janë sqaruar me themel, dhe vandalët e errësirës mesjetare kanë dalun në dritë të diellit, përse nuk e rivëmë krenarinë tonë ne piedestalin e nderit ku i takon?
Të rivëmë në piedestalin e nderit Krenarinë tonë!
Plot njëzet vjet më parë, dhe pikërisht në 55 vjetorin e rënies së Heroit Bardhok Biba, Partia Komuniste e Shqipërisë, pati kërkuar publikisht, që qytetit të Rrëshenit, t’i jepej emri “Qyteti Bardhok Biba”! Ky propozim, ishte dhe mbetet jo vetëm i drejtë, por edhe shumë domethënës për krahinën e Mirditës. Ky emërtim, si dhe rivendosja e busteve të Heronjve dhe Heroinave të Mirditës, është në dorën tonë. Le të mos presim Komisionin Shtetëror për kremtimin e 80 vjetorit të Çlirimit, i cili gjer tani as në letër nuk ka funksionuar, por me të drejtën e Popullit Sovran, ta marrim çështjen në dorë dhe të vendosim. Në krye të këtij aksioni politik e atdhetar duhet të vihen Organizata e Veteranëve dhe ajo e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat kanë në mbështjetje pjesën dërmuese të shqiptarëve. 80 vjetori i Çlirimit të Atdheut, i cili do të përmbyllet për Mirditën më 26 tetor, ndërsa për gjithë vendin më 29 nëntor 2024, le të na gjejë me bustet e shtatoret e Heronjve dhe Heroinave mirditore, dhe njëherësh edhe me emërtimin e qytetit tonë, “Qyteti Bardhok Biba”!
Nëse kjo thirrje nuk vlerësohet, por do të vijojmë të zvarritemi pas partive politike borgjeze, të gënjyer pas ngjyrave fosforoshente që ato veshin kur dalin para popullit, misioni ynë në mbrojtje të Historisë së Popullit do të dështojë. Dhe një popull që i nakatosin dhe i përdhosin historinë, është i destinuar të shkojë drejt asimilimit!
LAVDI “HEROIT TË POPULLIT”, BARDHOK BIBA!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 06/08/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk