Në ditën e dëshmorëve!

05
May
2024
Shkruan: Medai Shaholli


(Përkujtojmë dëshmorët struganë)
Sot është 5 Maji, dita e dëshmorëve të kombit.
Në këtë ditë të shenjtë përkujtojmë me respekt dy dëshmorët tanë të rrethit Bajram Coma dhe Demisha Hoxha, të rënë në Betejën e Nikolicës (Korçë) si pjestarë të taborit të Strugës në mbrojtje të kufijve të Atdheut kundër andartëve grekë në vitin 1914.
Dy luftëtarët e lirisë nga Ladorishti ranë dëshmorë më 24 prill të vitit 1914, si dy luanë në betejën e Nikolicës në mbrojtje të tokës shqiptare kundër pushtuesve grekë.
40 burra nga tabori i Strugës, i cili u formua një vit më parë nga kryengritësit shqiptarë të rrethit që morën pjesë në kryengritjen e 1913-ës dhe në betejën e Petrinjës, iu përgjigjën edhe këtë radhë kushtrimit të lirisë dhe thirrjes së komandantit të përgjithshëm të forcave vullnetare shqiptare kapedan Sali Butkës, në mbrojtje të kufijve të shtetit të brishtë shqiptar nga agresioni grek në jug të Shqipërisë.
Bajram Coma dhe Demisha Hoxha janë dy nga shumë dëshmorët e tjerë të kombit që dhanë jetën në mbrojtje të Atdheut në Nikolicë të Korçës.
Ata mbetën monumente të lirisë për jetë.
Gjaku i dëshmorëve të kombit dhe heroizmi i tyre në ato beteja, u bënë burim frymëzimi dhe guximi për luftëtarët e lirisë në mbrojtje të çdo pëllëmbë toke të larë me gjak, përballë agresionit grek në malet e Gramozit në ato vite të vështira të rimëkëmbjes së shtetit të ri shqiptar.
Ja dhe një përkushtim i këngës popullore për dëshmorët e Atdheut që përmbledh të gjitha periudhat kohore, për të cilët do të ruhet kujtimi i pashlyer i pavdekësisë së martirëve të lirisë, ku ata do të mbeten në përjetësi si monumente më të ndritura të kombit:
Ju kish rritur nëna
për një botë të re,
Lule more trima
që ratë për Atdhe!
Lavdi dëshmorëve të kombit!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/05/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk