Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
Në 6 vjetorin e ndarjes nga jeta të Adem Demaçit
Gjashtë vite më parë do të ndahej nga jeta një figurë mitike, i cili kaloi në histori që në gjallje të tij. Adem Demaçi.
I shkurtër në trup, ai të afronte natyrshëm mirësi dhe të ngjallte shpresën. Disa breza në Kosovë e kishin pasur mësuesin e tyre, përmes tij kishin mësuar të donin më shumë se veten Kosovën dhe Shqipërinë. Asnjëherë në jetë nuk kam njohur një njeri të tillë, me të cilin nuk mund të zemëroheshe kurrë, që mbeti deri në ditën e fundit ai që kishte qenë, i mbushur me mirësi, qëndresë dhe dashuri.
Ai ishte një ndergjegje e pastër dhe në shpirtin e tij sundonte absolutja!
Çuditërisht burgu i gjatë, 28 vite, e bëri më tolerant. Ishte njeri pa vese dhe nuk mund të zemëroheshe kurrë me të.
Ai e adhuronte nga larg furtunën.
E ndolli atë dhe, kur ajo erdhi, e bëri edhe më të pranueshme.
Në vetvete ishte një çlirues, zemërbutë, që nuk e kishte për turp të pranonte se, “ Vetëm të vdekurit dhe të marrët nuk ndryshojnë”.
Nuk e di se si ndodhi, por u takuam në Zvicër, në Gjenevë. Isha mik te Basri Misini, të cilit i detyrohem shumë për jetën time, por kjo është një histori tjetër, kur u takova me Adem Demaçin. Ai sapo ishte kthyer nga Shqipëria, të cilën e donte me përgjërim të pashoq dhe me ngazëllimin e njeriut që tashmë ishte pjesë e saj reale.
Trupvogël, i lëvizshëm si pak kush tjetër, gjithë jetë dhe përherë si në ankth, gëzohej për gjithçka dhe nuk urrente asgjë, i vemendshëm kur të dëgjonte dhe ekspresiv kur fliste, dhe në të njëjtën kohë lëvizte duart sikur të thonte diçka shtesë, që ende nuk kishte arritur ta artikulonte; i frymëzuar prej idesë së lirisë ai ishte bërë apostull i saj, gjithnjë një mrekulli dinjiteti, e, në të njëjtën kohë , shpërthyes si pak kush tjetër.
Edhe Demaçi kishte çastet e tij të ashpërsisë. Në fillimet e vitit 1998, kur lufta në Kosovë sapo kishte filluar të merrte përmasat e saj, departamenti Amerikan i Shtetit propozoi që qeveria e përkohshme e Kosovës të ndryshohej dhe që, kryeministër të ishte Demaçi. Bisedimet zgjatën shumë dhe, në një moment, zoti Holbruck doli i zemëruar nga dhoma e bisedimeve dhe turfulloi se, “ kush është ai që kërkon të më mësojë mua diplomacinë dhe historinë e politikës?”. Pastaj u qetësua, e njihte prej kohe Demaçin dhe e dinte se zilia nuk kishte shenjë tek ai dhe as egoja për të mbetur në histori.
Kam pasur shumë herë takime të shkurtra apo të gjata me Adem Demaçin. Vlera e madhe e këtyre bisedave ishte se ata më stimulonin dimensione të reja të mendimit.
Më thonte shpesh, ua thonte edhe të tjerë vese,”Bedriu është Fehmian”, dmth dishepull i Fehmi Lladrovcit dhe më vinte mirë, si të ishte dekorata më e madhe e gjithçkaje.
Nejse, fjalën e kisha te biseda me Demaçin, ndërsa po ecnim buzë liqenit të Gjenevës. Lufta kishte ardhur dhe Demaçi e ndjente këtë me atë shqisën e luftëtarit të vjetër.
-Lufta është gjë serioze, thonte, dhe kjo luftë është serioze. Lufta më serioze që kemi përpara. Për deri sa në këtë punë është ” zharava”, kjo do të thotë se e kemi seriozisht dhe do fitojmë.
“Zharava ose ” Zjarri”, ai i thonte Fehmi Lladrovcit, pasi askënd në botë nuk besonte më shumë se sa atë.
Pastaj, nuk e di se si erdhi fjala te demokracia. Si vlerë, si sistem dhe si pritshmëri. Ai kishte besim të madh se, pas luftës, në Kosovë do të kishte demokraci, ndoshta edhe më të gjërë se në shtetin amë, pasi kishin qenë dy herë të shtypur, edhe nga sistemi komunist, edhe nga pushtimi klasik serb.
Kishte drojën se në fillim mund të kishte vështërsi, moskuptime të mëdha, trazime, ngutje dhe shprishje të vlerave. Kësaj të fundit i trembej më shumë.
-” Ata që , pas luftës, do të qeverisin Kosovën, domosdo, duhet të demonstrojnë kreativitet, dhëmbshuri, guxim dhe lidership. Jam i vetëdijshëm për vlerën e çmuar të kohës, për rilindjen e kombit mbi bazën e vlerave dhe të drejtën e veprimit.
Jo vetëm totalitarizmi bën krime. Edhe demokracia është e aftë të bëjë krime, nëse abuzohet me të. Nuk mund të kërkojmë gjithçka prej demokracisë. Në Shqipëri e keqkuptojnë këtë. Demokracia është hapësirë, por edhe mbyllje. Hapësira yte nuk mund të ngushtojë hapësirën e tjetrit. Gjëja kryesore që duhet të kërkojmë nga demokracia, nga sistemi i vlerave të demokracisë është kalimi i pushtetit pa gjak nga njëra forcë politike në tjetrën. Demokracia këtë ka themel dhe , po këtë, ka edhe përmendore.
Në Kosovë , për shumë njerëz, ndoshte për shumicën, kjo është një ëndërr e bukur. Përse? Sepse janë mësuar me egërsinë dhe dhunën, me vrasjet, burgosjet, me praninë e pushtetit të prapshtë e shpesh herë mizor.
Shpesh popujt zihen në një kurth të madh, nganjëherë tragjik, dhe, mjerisht, e kanë të vështirë të ndahen nga ai”.
Fliste duke lëvizur duart dhe me atë vrullin që kishte pasur gjithnjë në jetë. Ai nuk kishte turp nga optimizmi dhe shpresa. Ishte e pabesueshme se sa optimist ishte dhe, në të njëjtën kohë, sa real.
Demaçi kishte qenë thuajse adolishent kur ishte njohur me idenë e nacionalizmit, ama përmes një rruge që nuk kishte qenë në brendësinë e tij, marksizmit.
Vite më vonë ai , në mesin e lëvizjes klandestine çlirimtare, në burgun e Stara Gradishkës, ku të burgosurit politikë shqiptarë do të ishin më të lirë se sa gardianët e tyre, sepse ishin të lirë në shpirt, Demaçi do të bënte pyetjen që, më pas, do të ndërronte rrjedhën e kësaj lëvizje:
-Do të jemi ideologjik apo kombëtarë?
Do të ishin kombëtarë.
– Në Shqipëri, vazhdoi Demaçi, njerëzit i duan të gjitha njëherësh. Duan edhe të mirat e socializmit, edhe dobitë e kapitalizmit. Është rast i rrallë të gjenden të dyja njëherësh dhe në pak kohë. Aq më shumë tani, kur një pjesë e madhe e njerëzimit porsa ka dalë nga perandoria e përmbysur e komunizmit dhe është e çoroditur, e thyer moralisht, e hutuar dhe, jo pak nga kjo pjesë do të jetë humbëse.
Kapitalizmi, djalë i bacit, të shkyen, të bën copë – copë, dhe të përqesh. Liria njerëzore është e vërtetë kur mbikqyret nga e drejta. Kur abuzohet me lirinë, nuk ka demokraci, por autoritarizëm dhe, më tej, absolutizëm. Në Shqipëri ka shumë mundësi të ketë autokraci të Njëshit dhe absolutizëm të pakicës. Sepse pakica do të jetë oligarki politike. Në Shqipëri nuk idealizoj idil politik mes pozitës dhe opozitës, por, të paktën , bashkëjetesë. Mirëkuptim për thelbin. Nuk do e kemi. Palët egërsohen në mënyrë të pafalshme.”
Kujtonte gjithnjë Ukshin Hotin. Babai i Ukshinit, pas burgut , kishte qëndruar 13 vite pa punë. Pastaj gjeti një vend si shitës gazetash në Krushë. Për deri sa Ukshini ishte në detyrë, për 10 vite rrjesht, nuk e vizitoi asnjëherë në zyrat ku punonte, megjithëse ai ishte figurë e njohur. Ndërkaq, gjatë 8 viteve të burgjeve aktive të Ukshin Hotit, nuk humbiste asnjë vizitë në burg, veç kur sëmundja e tij kronike, astma, e rëndonte së tepërmi. Megjithëse nuk e pranonte, Ukshini ishte lideri i mendimit politik dhe filozofik në shqiptarët e Kosovës.
Kam dëgjuar më pas për Demaçin shumë gjëra. Janë shkruar libra për të dhe librat e tij. Me Demaçin ka qenë e pamundur të zemëroheshe dhe as të bëje kujdes kur flisje. Me Demaçin njeriu ndjehej si me veten dhe , pavarsisht moshës, rrethanat të dukeshin të njëjta.
Në Zvicër ai kishte mik të madh Shaban Mujën, ” Magjupin”, një klandestin të herëshëm, i gazmendshëm, që në fakt ishte e kundërta e Demaçit si figurë njerëzore, por të përbashkët në qendresën që kishin pasur, besimin te liria dhe përkushtimin ndaj saj. Kishte raste kur ai flinte te shtëpia e Shabanit në Zvicër dhe kisha dëgjuar për një ngjarje mes tij, Shabanit dhe portretit të një figure të njohur politike të kohës së shkuar.
Demaçi qeshi, një herë më tha se nuk e mbante mend, pastaj në atë gazmendin e tij kur kujtonte ngjarje të shkuara , plot dritë, më tha se Shabanit bënë gabim shokët që ia mblodhën trutë, kur ia nxorrën jashtë milicët serbë e ja vunë në vend, se ,kur i futën trutë brenda, diçka kanë bërë gabim”
Dhe qeshi si një çunak adoloshent , me atë të qeshurën e tij gurgulluese, që miqtë e shokët ia dinin mirë.
Dhe që nuk ia kam harruar!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!