NËN HIJEN E PRANGAVE

24
May
2025
Nga: Genc Sefaj

Flakë shprese në errësirën e padrejtësisë

Mbi mua ra nata pa emër, pa dritë.
Me pranga e thika më zgjoi mëngjesi.
Por thellë në brendi, ku rreh zemra shqipë,
Digjej një kushtrim – s’u shua besimi.

M’i lidhën duart, po jo idealin.
Në qeli të zezë më mbyllën shpresën.
Në mish më shpuan heshtjen e gjallë.
Po shpirti më brodhi si diell mbi valë.

Në trupin tim rrëfejnë plagë e shenja.
Çdo dhimbje – një kujtim pa pendim.
Por nuk më thyen, ndonëse pa ndjenja,
Se shpirti fluturonte mbi çdo trishtim.

M’i çuan ditët në dhé të harresës.
Më lanë me veten, lakuriq e i tharë.
Po unë s’jam mish i birucave të heshtjes –
Jam zë që s’vdes, jam flakë që s’ndal.

Kush mendon se burgun e bëjnë muret,
Gabim e ka – nuk janë çelësat që vrasin.
Ka burra që n’errësirë ndezin urat.
Me shpirt që shkreptin kur trupat ulërasin.

Prandaj, dhe sot, me gjak në mendim,
Ngrihem nga dhembja, pa asnjë pendim.
Unë jam i burgosur vetëm në emër, në trishtim –
Por në shpirt jam fitorja, zjarri i pakthim.

Në çdo prangë që më lidhin, gjallë,
Rrjedh gjaku i shpresës që s’vdes kurrë.
Liria s’është thjesht një emër, një fjalë –
Por zëri që mbi gur do të mbetet i shkruar.


Ish ushtarak e luftëtar në UÇK, UÇPMB,
dhe në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
I robëruar në emër të Atdhedashurisë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 24/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk