Nëse mundet Italia të sanksionojë me ligj përdorimin e fjalëve angleze, mundet edhe Shqipëria të vë rregulla ligjore për ta mbrojtur gjuhën shqipe që vetë bijtë e shqipes po e shkelin me të dy këmbët duke futur vend e pa vend fjalë të huaja, e duke ia “përshtatur” edhe rregullat e shpik(f)ura gramatikore atyre gjuhëve!
Shkruan: Daut DAUTI
Shumëkush do të thotë, po çka, një qeveri ekstremiste e djathtë, mund të bëjë ç’ti kujtohet! Jo, jo, nuk është fjala për Francën, se atje nuk është në pushtet zonja Le Pen, por atje kjo që mëton ta bëjnë djathtistët italianë,që duan ta herrin italishten nga anglicizmat!
Ekstremizmin e djathtë qeveria e zonjës Xhorxhia Meloni nuk po e tregon vetëm me qëndrimin kundër martesave “liberte” mashkull me mashkull dhe femër me femër (që edhe një nga priftërinjtë tanë ditë më parë u shpreh se janë në kundërshtim me natyrën, sikundër që në çdo nasihat kur vjen fjala e thonë edhe hoxhallarët tanë), por, me masat që u paralajmëruan ditë më parë. Më saktë, qeveria ka propozuar një ligj për të ndaluar përdorimin e fjalëve anglisht në komunikimet zyrtare, duke kërcënuar me gjoba deri në 100,000 euro!!! Parta në pushtet “Vëllezërit e Italisë” projekt ligjin e kanë arsyetuar motivin “se përhapja e anglishtes e poshtëron dhe e dëmton gjuhën italiane”.
Me këtë ligj do t’u rëndohet paksa puna administratorëve, pasi prej tyre do të kërkohen të kenë njohuri të gjuhës italiane duke ua ndaluar atyre përdorimin e fjalëve dhe shprehjeve në gjuhën angleze në dokumentacionin zyrtar. Nuk e dimë si do të jetë fati i këtij ligji, pasi atë duhet ta përkrahin të dy dhomat e Parlamentit. Ky nacionalizëm shtetëror, ngjashëm si me gjuhën, kohë më parë u shpreh edhe me ndalimin e ushqimeve të prodhuara në laborator, që në këtë mënyrë, të mbrohet trashëgimia agro-ushqimore e Italisë.
Shumëkush në Evropë dhe ndër kozmopolitët e të gjitha vendeve do t’ia hedhin “ideologjisë ekstremiste djathtiste”, që lidhet me imazhin e partisë “Vëllezërit e Italisë”. Duke mos hyrë në elaborim për orientimin ideologjik të kësaj partie që ndokush e sheh si një pinjollë të frymës së Duçes, si ilustrim se a është mirë të mbrosh “tënden”, e kemi një ekzemplar nga vitet 90-të në Maqedoni, kur një ministër i bujqësisë, që vinte nga rajoni i Strumicës, liroi importin e domateve të lira nga Turqia ndërkaq vendalinjtë e tij që pranverën e prisnin me padurim për të shitur me çmime pak më të mira, domatet e tyre i hodhën në xhade! Dhe këtu s’më duket se ka fort lidhje ekstremizmi djathtist të mbrosh prodhuesin e vendit, kundrejt atij të jashtëm. Edhe në këtë BE aq shumë të përfolur e ëndërruar, nëse blen një veturë në Gjermani, Itali ose Belgjikë e Holandë, nuk e ka njësoj me ato të vendeve skandinave, prej nga, siç e dimë, askush nga ne nuk importon, sepse janë shumë të shtrenjta!
Por ta lëmë bujqësinë dhe të merremi pak me këtë “ekstremizmin djathtist” të ndalimit të anglicizmave në gjuhën italiane për administratë. Duket ekstrem në shikim të parë, por më duket se më së shumti qan për këtë pikërisht Shqipëria që ta aplikojë një ligj të tillë dhe atë ta zgjerojë jo vetëm për institucione, por dhe në media. Sepse, harakiri që po i bëhet gjuhës shqipe në media, do të përfundojë me veteutanazi! Prej shumë shembujve që kohë pas kohe i kemi veçuar, rastisa këto ditë në media edhe shprehjen “facilitete” dhe pyeta fëmijët e mi se ç’domethënie ka, sepse nuk më dukej e logjikshme që shqipja të mos ketë fjalë adekuate për të. Doli se na kishte kuptimin objekt, ose nëse duam edhe më shqip, mundet ndërtesa ose ndërtime, pa pasur nevojë për facilitete. Në media e tregtim kemi aq shumë “skonto” e “okazione”, “surprizëra” e “oto-otoçinkue”, saqë kjo ka nisur ta cenojë shqipen seriozisht.
Se duhet shteti ta marrë në dorë fatin e gjuhës shqipe, nuk ka dilemë. Shumë shtete marrin masa për ta mbrojtur gjuhën e tyre. Në një koment në facebook, publicisti Nijazi Muhamedi karikon por nuk është larg së vërtetës kur e thotë se ne kemi gjuhë angloshqipe, pastaj italoshqipe, grekoshqipe, duke përkujtuar se akademitë e popujve të tjerë,e veçmas ajo frenge çmenden nëse në gjuhën e tyre depërton në vjet së paku një fjalë e re angleze dhe nëse nuk shqetësohet bota akademike për t’ia gjetur asaj fjalën frenge. “Nga anglishtja në frëngjisht ka mbetur në përdorim vetëm fjala “uiski”, se nuk kanë mundur t’i gjejnë një fjalë përkatëse frenge,sepse anglezët janë ata që e kanë shpikur ” uiskin”.Tash te frengët,të anglezët,te sllavët, shpallet “fjalë e vitit” dhe shënohet në shtyp ajo fjalë frenge, që heq nga përdorimi ndonjë fjalë té re të sajuar nga anglishtja dhe që ka depërtuar përkohësisht brenda vitit,sikundër janë fjalët “selfie”, “forwayd”, për të cilën vetëm kroatët kanë sajuar afër 10 fjalë barasvlerëse,rusët poashtu, serbët .etj,etj.”, shkruan Nijazi Muhamedi.
Të mos përmendim rastin e Kroacisë, ku vetë politika ia imponoi si imperativ linguistikës që sa të jetë e mundur të favorizohen fjalë kroate.
Kur jemi këtu, pa dashur të tingëllojë si një autarki kulturore, francezët që e kanë kompleks anglishten pasi të dyja këto gjuhë kanë bërë garë me shekuj për primat në botë, nëpër radiotelevizione kanë vëllim fare të kufizuar të këngëve angleze. Diç ngjashëm veproi edhe Maqedonia(!?) në fillim të pavarësisë, kur deshi të shkëputet nga ndikimi i popujve të tjerë sllavë të ish-Jugosllavisë, favorizoi produksionin muzikor maqedonas. Përveç kësaj, solli dhe ligj për mbrojtjen e gjuhës maqedonase. Tash kemi edhe për shqipen diçka të ngjashme. Çka bën shteti shqiptar në këtë drejtim? Shqipja e medias është e dominuar nga barbarizmat, ndërkaq shfytyrimi i rregullave drejtshkrimore shkon deri në shkallë sa dhe emrat shqiptarë kanë filluar të mos i shquajnë apo lakojnë. Shembulli më pervers i përdhosjes është emisioni i Marin Memës kushtuar Hoxhë Tahsinit, emetuar të shtunën, ku disa herë u shkrua kjo frazë: “Manushaqe Halili, stërmbesë e Hoxhë Tahsin”!!! Çka të thuhet tjetër, përveçse të kërkohet me ngulm që edhe qeveria “majtiste” e Tiranës të propozojë “ligj djathtist” për mbrojtjen e gjuhës shqipe nga ndikimet e gjuhëve të tjera, ku do të sanksionoheshin edhe fjalët e huaja, edhe shkelja e rregullave gramatikore.
Ndryshe, si po shkojnë punët, na hëngri dreqi! Nëse mundet Italia të sanksionojë me ligj përdorimin e fjalëve angleze, mundet edhe Shqipëria të vë rregulla ligjore për ta mbrojtur gjuhën shqipe që vetë bijtë e shqipes po e shkelin me të dy këmbët!
Pastaj është paradoksi tjetër: Ne në këtë anë të kufirit bëjmë çka bën Shqipëria…!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)-/ Huazuar FCB e Autorit/
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!