NJË DITË DO TË KTHEHEM

12
May
2025
Nga: Krenar Sardi


Nga historia ime personale…
Jam në një emigrim të dytë më gjithë familjen dhe mendoj se nuk kisha alternativë më të mirë, si nga aspekti ekonomik ashtu edhe nga eksperiencat e jashtëzakonshme.
Kishim një biznes (karburant) të ndërtuar me shumë sakrifica që në vitin 1993, i cili nuk mund të mbahej më me ndershmëri pas viteve 2000. Na detyronin (pushtetet lokale/qëndrore) në rrethana të ndryshme që të paguanim më shumë nga ç’fitonim dhe kësaj dhune ekonomike ju shtua edhe një devijim i rrugës nacionale me disa metra, me qëllim të qartë për të na falimentuar. Pastaj u bë edhe monopolizimi i atyre produkteve të cilat ne tregëtonim. Duhet të them se kjo ka ndodhur jo vetëm gjatë qeverisjeve të njërit kah politik. Hienat ishin të njëjtë.
Nuk kisha rrugë tjetër. Nuk mund të mbaja familjen time duke punuar disa dynym tokë të përfituara nga ligji 7501, sepse prodhimet shpesh nuk shiten në Korçë.
Ndjesia e momentit të largimit nga Shqipëria ishte shumë optimiste por aspak e lehtë.
Pas 25 vitesh emigrim kam përfituar shumë, në shumë aspekte të ndryshme, por kam humbur vëndlindjen. Edhe vëndlindja më ka humbur mua ashtu si shumë prej jush, të cilët kontribuojnë dhe ngrejnë lart shtetin ku jetojnë, por jo vendin që i përkasim.
Në momente të caktuara kam menduar se kam bërë gjënë më të mirë për veten dhe për familjen time. Kam menduar se sa me fat, që kam vendosur të largohem nga Shqipëria, sepse në të kundërt do vuaja shumë për të jetuar me dinjitet në vendin tim.
Megjithatë dëshira dhe shpresa për t’u kthyer nuk kanë humbur asnjëherë. Kam edhe unë atë pjesën time të atdheut, e cila është vetëm e imja dhe askush nuk mund të ma mohojë.
Sa herë që lëkunden muret e një pushteti antishqiptar, i cili nuk është vetëm 35-vjeçar, aq herë mendja dhe zemra thonë “do të kthehem”.
Me respekt nga vëllai juaj i të njëjtit gjak, KS!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 12/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk