– NJË MINISTËR KUISLING DHE NJË KOMUNIST I THJESHTË

26
Aug
2023
Shkkruan: Prof .Dr. Irakli Koçollari

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

/Botuar në DITA/

“Profesor? Ishte përgjegjës konvikti në një shkollë”, CIA për Devën dhe kolaboracionizmi si fyerje e demokracisë

Para pak ditësh me disa kolegë, miq të mi të mirë, të një institucioni shtetëror po diskutonim emërtimin e disa ambienteve me emra personalitetesh që historikisht kanë dhënë kontribute në rrugën e ngjitjes së atij institucioni ndër vite. Lista me gjashtë, shtatë emrat na ishte ofruar për të dhënë mendime rreth të përzgjedhurve. Personalisht, gjykova se emrat e ofruar ishin kandidatura të denja për tu emëruar ambientet e atij institucioni.

Papritur njëri prej të pranishmëve sugjeroi që njëri prej emrave (kontributorëve) të hiqej dhe në vendin e tij të vihej, emër i një njeriu tjetër, që në ato fusha nuk kishte kontribute të drejtpërdrejta, por që ai e vlerësonte si njeri me kulturë. I dëgjova me vëmendje debutuesit dhe këmbimin e mendimeve dhe mandej ndërhyra edhe unë.

Mbështeta mendimin e grupit që kishin përzgjedhur kandidaturat dhe theksova se nuk pajtohesha me emrin e sugjeruar rishtazi, për “njeriun e kultururar”.

– Nuk kundërshtoj faktin që kandidati i juaj ka qenë njeri i kulturuar, por ka dy arsye që nuk do ta mbështes kanditaturën e tij. Së pari sepse ai nuk ka qenë asnjëherë kontributor në këtë fushë që rrok aktiviteti i këtij institucioni dhe së dyti – emri i tij është i përlyer me kolaboracionizmin. Ne nuk duhet të harrojmë se ai ka qenë ministër i një qeverie kuislinge në shërbim të pushtuesit.

Por, pa mbaruar mirë fjalën, një prej kolegëve të rinj, i pranishëm në bisedë, ndërhyri e tha:

– Por, nëse ky ka qenë kolaboracionist, edhe kandidati i caktuar në listë ka qënë komunist!!!

Më habiti qëndrimi i të riut, drejtues i atij institucioni të rëndësishëm, që vinte shenjën e barazisë mes një komunisti të thjeshtë dhe një ministri kolaboracionist!!! Një vlerësim dhe argument tërësisht i papranueshëm, i pamoral dhe fyes!

I thashë se nuk shkojnë në asnjë mënyrë logjika dhe paralelet si argument. Ka një asimetri të papërgjegjshme sa morale edhe ligjore.

– Së pari, i thashë, – të ishte komunist nuk ka qenë dhe nuk është e paligjshme, aq më pak nuk ka qenë dhe nuk është kriminale. Një anëtar i thjeshtë parti, do të thoshte të ishe një qytetar me bindje të majta, që në thelb kishte ëndërruar apo ëndërron një shoqëri të barazisë sociale, të barazisë ligjore, të një shoqërie që synonte apo synon progresin dhe prosperitetin material dhe moral të shoqërisë. Ata komunistë të thjeshtë nuk kishin të bënin aspak me klikat dhe uzurpatorët dogmatikë të së majtës, as me regjime represive, me kulte individësh, të majtë apo të djathtë.

Ndërsa, një kolaboracionist, aq më tepër një ministër në një qeveri kuislinge ishte bashkëpunëtor i një pushtuesi, ishte ndihmësi më efektiv i një uzurpatori gjakatar. Ishte njeriu që shkelte sovranitetin e vendit të tij, lirinë, të drejtat, pa folur mandej për dhunën, reprezaljet, krimet dhe gjakun e derdhur…

Për këtë arsye të qenit kolaboracionist, aq më tepër ministër në një qeveri kuislinge ishte dhe do të jetë një akt dhe status i paligjshëm, kriminal, i parashikuar si i tillë në të gjitha legjislacionet penale të kësaj bote. Ishte kjo arsyeja që bota e qytetëruar, Europa dhe më gjerë, pas Luftës së Dytë Botërore, të gjithë anëtarët e qeverive kuislinge, kolaboracionizmin dhe kolaboratorët i akuzoi si kriminalë, i dërgoi në bankën e të akuzuarve dhe i dënoi për masakrat që i shkaktuan njerëzimit mbi 40 milion viktimave në atë kasaphanë shfarosëse të Luftës së Dytë Botërore.

Ky është ndryshim i madh, madje i pashembullt për simetri dhe identifikim të papranueshëm mes një komunisti të thjeshtë dhe një kolaboracionisti apo ministri, kuislingu kriminal.

Për këto arsye jo vetëm nuk mund të shkojë identifikimi vrastar, por ai është më shumë se fyes dhe cinik, mes një kuislingu kriminel dhe një qytetari të thjeshtë, ëndërrimtar i një shoqërie ideale.

*****

Është krejt normale madje e bekuar të besosh, të ëndërrosh një shoqëri të mirëqënies materiale dhe shpirtërore, të barazive ligjore, të lirisë së mendimit dhe fjalës, të atij standardi që ëndërrimtarët e iluminizmit dhe më tëhu themeluesit e “Kartës të të drejtave”, të “Kushteutuës amerikane” e identifikonin me “just naturalizmit”, të drejtës natyrore dhe “Shtetit të natyrës”.

Tek e fundit ky ka qënë dhe mbetet nëpër tërë historinë e shoqërisë njerëzore, misioni dhe qëllimi i ngritjes dhe funksionit të vetë Shtetit demokratik (dhe institucioneve të tij).

Këtë lloj shoqërie e kanë elaboruar në të gjitha doktrinat filozofike të majtë e të djathtë, prej antikitetit gjer në kohët moderne; nga Platoni me veprën e tij ”Republika” dhe Aristoteli doktrinën filozofike “Politika, “Etika Eudemia”, etj.; në mesjetë Tomas Hobsi me veprën monumentale “Leviatini”, Xhon Loku me gjetjet gjeniale të Shtetit të Lirisë dhe “Kontratën Sociale” tek veprat “Çështje të qeverisjes”, “Ese për tolerancën”…; në epokën e iluminizmit, Monteskje me veprat kushtuar demokracisë “Liberalizmi” dhe “Kushtetuta amerikane”, Volteri me “Idetë republikane”, “Analizë mbi tolerancën”; Hegeli me veprën monumentale “Filozofi e së Drejtës:, Hjumi, Kanti,… dhe gjer tek Tomas Xheferson me veprën e tijj “Shënime për Shtetion e Virxhinias”.

Bota e lirisë dhe demokracisë është ngritur dhe çapitet në rrugën e vështirë drejt progresit dhe prosperitetit mbi këto doktrina dhe parime, në ndeshje të përhershme me tiraninë, radikalizmat, pushtetet absolute të “monarkive” të rinj, arbitraritetin, korrupsionin, uzurpatorët, pushtuesit, kolaboracionistët e hapur dhe të fshehtë, që kërcënojnë lirinë, të drjtat e popujve, kundër atyre që kërkojnë të përdhosin këto simbole, të drejtat humane, shpirtin e demokracisë dhe heronjtë e saj.

– XHAFER DEVA, PADITURI, APO MORAL I DEFORMUAR?!

Çuditërisht, në vazhdim të bisedës, njeri prej të rinjve krah nesh, iu referua emrit të Xhafer Devës si për të sjellë kundërargumente në tematikën e bisedave tona, për më tepër që ai emër është bërë temë e bisedave të përditëshme, qëkurse ishte njoftuar se shtëpia e tij në Kosovë do të restaurohej!

– Si kolaboracionist, është etiketuar edhe Xhafer Deva, por në fakt atë e mirëpritën amerikanët dhe mbas luftës ai punoi si profesor në një nga Universitetet më të mira Amerikës!, – insistoi i riu.

Shokët e tij tundën kokën në shenjë pohimi dhe mbështetjeje!

– Kush ua ka thënë këtë gjë? Ku e kini gjetur këtë informacion? – pyeta unë.

Ata panë njeri tjetrin në sy …. por asnjëri nuk mu përgjigj! Ishte tronditëse, ishte fyese, ishte përdhosje e dytë e të vrarëve dhe masakruarve në natën e 4 shkurtit të vitit 1944, në Tiranë.

E vërteta është se Xhafer Deva kurrë nuk ka shërbyer si profesor! Sipas dokumenteve të Departamentit të Shtetit të SHBA, ai ka shërbyer si përgjegjës konvikti të një shkolle të mesme. Asgjë më shumë. Pohimi i të riut ishte papërgjeshmëri apo cinizëm?

– XHAFER DEVA, KRIM DHE MASAKËR

Pa dashur të shpreh apo përcjell tek lexuesi asgjë nga indinjata ime do të doja të shkruaja ato që thonë dokumentet e CIA-s për këtë emër të përlyer me krime, kolaboracionizëm, ministër kuisling të etiketuar nga shqiptarët e asaj kohe si “Kasapi i Tiranës”.

Në një numër dokumentesh të fondit të CIA-s, të fondit Obopus nr. 000068, flitet me hollësi për jetën dhe aktivitetin e këtij njeriu. Duke iu referuar një materiali të muajit Gusht të vitit 1954, ku përshkruhet me hollësi biografia dhe veprimtaria e Xhafer Devës thuhet:

“Mbas kapitullimit të Italisë, në gusht të vitit 1943, Xhafer Deva ishte thërritur në Beograd nga Komanda e Lartë Gjermane për Ballkanin, Herman Neubacher. Aty ai kishte marë porosinë të fomonte në vendin e tij Qeverinë…

Më 14 Shtator 1943 ishte krijuar Komiteti Ekzekutiv me anëtarë Xhafer Devën, Ibrahim Biçakun, Vehbi Frashërin… Gjermanët i dorëzuan këtij Komiteti armatimin e Italisë së kapitulluar, 10 000 pushkë dhe automatikë, 10 milion fishekë, 60 mitraloza të rëndë, 200 mortaja, dhe 2 tanke. Ato iu dorëzuan Kadri Cakrant për forcat e Ballit Kombëtar.

Me iniciativën e Xhafer Devës më 16 Shtator 1943 ishte krijuar Lidhja e dytë e Prizrenit…

Nga Tetori i vitit 1943 gjer më Qershor të vitit 1944, ai ishte Ministër i Brendshëm i qeverisë shqiptare dhe bashkëpunoi ngushtë me Gjermanët, Gjeralin SS – Fitztum, Gjejeralin Leiser, Ministrin Gjerman- Martin Schliep von Scheiger, Leitnantin Kolonelin Wolkmeister, majorin Shilloing, Majorin Otto Knoesel, Shefin e Gestapos Hauzding, etj.”

Në shkurt të vitit 1944 ai ishte një prej nxitësve dhe organizatorëve kryesorë të masakrës së tmerrshme të 4 Shkurtit 1944, kur 84 vetë ishin vrarë ndërsa ata ishin duke fjetur.

Në funksionin e Ministrit të Brendshëm, Xhafer Deva përgatiti këtë raprezalje pasi kishte përgatitur listën e atyre që do të duhej të ekzekutoheshin. Të gjithë personat e ekzekutuar në shtëpitë e tyre gjatë natës (madje një pjesë e tyre në gjumë) u nxuarën jashtë dhe trupat e tyre ishin lënë përgjatë të gjithë ditës të shtrirë nëpër rrugë gjithë ditën e 4 shkurtit.

Kjo klimë terrori vazhdoi për një muaj të tërë, gjatë të cilës edhe 12 të rinj të tjerë vdiqën nga torturat, ndërsa 28 të rinj të tjerë u nxorrën nga burgu dhe u masakruan nëpër rrugët e qytetit. Dhe të gjithë këto ishin bërë me urdhër të Xhafer Devës dhe bashkëpunim me Xhelal Staraveckën, Hysni Demën, dhe Qazim Mulletin.

Në shtator të vitit 1944 Xhafer Deva mendoi të organizonte një operacion në zonën Kukës-Mirditë-Peshkopi në bashkëpunim me Muharrem Baraktarin. Ai vendosi në kontakt Muharremin me gjermanët. Por operacioni nuk mundi të realizohej.

Në fund të vitit 1944 ai u largua së bashku me trupat gjermane në Itali dhe nga viti 1944 gjer në vitin 1948 ai shkonte nga një vend në tjetrin nëpër Itali e gjetkë. Më 1948 mbërriti në Egjypt ku qëndroi dy vjet mes krerëve të mërgatës dhe kuislingët në emigracion.

Gjatë të gjithë këtyre viteve, Shërbimi Inteligjent amerikan duket se e ka kontrolluar nga afër atë dhe ka mbledhur në mënyrë permanente informacione të hollësishme për të. Ku shkonte, me kë takohej, cilat ishin qëllimet e lëvizjeve të tij, të kontakteve që ndërmerrte, kush e drejtonte në këto lëvizje, marrëdhëniet e tij me Shërbimin Sekret Turk, marrëdhëniet e tij me Shërbimin Sekret Italian, etj.

“Që prej viti 1950 ai bashkëpunonte me njerëzit e Shërbimit sekret italian… Në shtator të viti 1952 ai ishte takuar me kosovarë dhe me njerëzit e shërbimit turk… Më Mars 1953 ishte në Turqi me porosi të Shërbimit italian… Gjatë Majit 1953 ai takohej me një oficer të shërbimit sekret Italian, i cili gjatë viteve 1948-1949 dërgonte agjentë me misione spiunazhi në Shqipëri….”

“Gjatë Qershorit 1953 ai shkoi përsëri në Turqi së bashku me një oficer italian dhe takonte shqiptarë të Kosovës që vinin si turistë në Turqi….”

“Xhafer Deva merrte pjesë në takimet me ish-fashistët… shqiptarë të arratisur, me banim në Itali…”

“Në janar të vitit 1954, Xhafer Deva ishte përsëri në Stamboll, ku qëndroi tre javë dhe takoi shqiptarë, mandej u kthye në Itali përsëri….”

“Ai mban tre pashaporta me identitete të ndryshme dhe kombësi të ndryshme. Në radhët e emigrantëve shqiptarë ai etiketohet si “Kasapi i Tiranës…”

Badigardi i tij i dikurshëm, Nexhip Musa kishte shërbyer si komandant i kampit të Jesnica në Jugosllavi (ku janë vrarë dhe masakruar shumë patriotë shqiptarë)

– REAGIMI I BOTËS DEMOKRATIKE NDAJ FALLSIFIKATORËVE DHE DEFORMATORËVE TË HISTORISË

Ndërsa lexoja informacionet për këtë ministër kuisling medoja: “Me çfarë moral apo të drejtë mund të justifikohen emërtesat e rrugëve apo ambienteve publike me identitete kuislingësh apo vrasësish në vendin tonë? Më tej akoma, me çfarë logjike vihen shenjat e barazisë mes një qytetari të ligjshëm dhe një subjekti të paligjshëm, madje kriminal!??? Më tej mbi çfarë barometër ligjor një vrasësi i thuren apoteoza për ta kthyer në simbol respekti???

Me çfarë vullnet apo autoritet vendosen buste, emra shkollash, rrugësh, idenitetet e një kontigjenti të shpallur prej kohësh në listat e kriminelëve të luftës, vrasës të pashpirt madje edhe të të miturve?

Kush janë këta matrapazë të gjakut dhe shpirtrave të rënëve për liri, që lëvrijnë në tregun e zi të perversitetit antihistorik? Le të dalin hapur! Të mos hedhin gurin dhe të fshehin dorën, t’i njohë populli dhe t’i dijë se kush pështyn mbi emrin, sakrificat dhe gjakun e të rënëve dhe viktimat e rëna nga dora këtyre kriminelëve.

Zotërinj, nuk jeni dhe nuk kini për të qënë kurrë monarkë absolutistë mesjetarë të këtij vendi, as të ambjenteve tona të përbashkëta, të rrugëve ku çapitemi, ku kalojmë ditët tona, ku rrisim dhe edukojmë fëmijët tanë, të këtij populli, aq më pak të bindjeve dhe shpirtrave tanë të lira, të një rendi dhe morali demokratik.

Ju nuk mund të përdhosni dhe as ta deformoni, ta përbuzni apo ta nëpërkëmbni historinë e një populli, të martirëve të lirisë, sipas dëshirave tuaja perverse.

Me këto akte ju kini shtënë nëpër netë dhe kini hapur plagë, por mos u kapardisni dhe mos t’u gënjejë mëndja se kini ndezur drita në rrugët e këtij vendi “për të ndriçuar të paditurit”; kini ndezur veç qirinj mbi dhimbjet dhe plagët e këtij populli.

Kur do të reagohet kundër akteve të rehabilitimit të krimineleve të luftës, kolaboracionistëve dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesve, emrat e të cilëve qëndrojnë të vendosur në tabelat e rrugëve, të shkollave, shesheve…?!

Kur do të kërkohet ndjesë për ofendimin e bërë qytetarëve shqiptarë dhe demokracisë duke nderuar padrejtësisht këtë takëm figurash të kompromentura duke mos cekur sfondin historik të tyre?!

Kur institucionet e këtij vendi do të përkushtohen të promovojnë të drejtat themelore të njeriut, të mbështesin lirinë, dinjitetin dhe të luftojnë disinformacionin? Kur institucionet shqiptare apo individë që drejtojnë ato do të pezullojnë “ndërtimin” e monumenteve të gënjeshtër!? Kur përfaqësuesit e dekoratave dhe të emërtesave do të rigjykojnë aktet dhe mënyrat e tyre – të gabuara ndaj kujtesës historike?

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 26/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk