NJË SHKRIM KONTRAVERS I PROF. DOK. FATOS TARIFA PËR SITUATËN NË KOSOVË!

12
Jun
2023

Shkruan: Gjon Bruçi
-Gazeta SOT, date 12 qershor 2023-
Prej disa ditësh, situata në veriun e Republikës së Kosovës është e nderë. Situata në fjalë, e ka zanafillën qysh në ditën e parë të çlirimit të Kosovës, kur Komandanti i trupave franceze, ndaloi qarkullimin e shqiptarëve në Mitrovicën e sipërme dhe në krejt pjesën veriore të Kosovës. Kjo gjendje “ndalim qarkullimi” në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, vijoi edhe pas vitit 2008, kur Kosova shpalli Republikën e saj të Pavarur, për të vijuar gjer në ditët e sotme, kur tensioni i pritshëm, kapërcej kufijt e zakonshëm. Për 15 vjet rresht, politikanët dhe shtetarët e Republikës së Kosovës, në vend që të “luftonin” për konsolidimin e shtetit e të pavarësisë, preferuan “paqen e rreme” dhe bisedimet e pafund në pritje të “Godosë”. Do të ishte “i krisuri” Albin Kurti, ai që do të shpërthente “qelbin” e maisur nga bisedimet “tërhiq e mos këput” midis Kosovës e Serbisë, të drejtuara nga Lajçakët dhe “Lojcakët” e Europës plakë, por edhe të përtej Atllantikut.
Kjo situatë e krijuar, apo më saktë “që plasi” në veriun e Kosovës, ka angazhuar shumë personalitete shtetërore, politike e diplomatike të kontinentit e më tej tij, por njëherësh edhe batalionet e apologjetëve të tyre, që nuk mund të mungojnë në sistemin kozmopolit e globalist, drejt të cilit po rendim. Duke lënë mënjanë të parët, po rrekem të them disa fjalë për “kozmopolitët” dhe “globalistët” tanë, një pjesë e të cilëve kanë dalë në “avangardë” të kësaj “risie” të re të kohës sonë moderne. Është fjala për intelektualin dhe diplomatin e karierës, zotin Fatos Tarifa, i cili në datën 10 Qershor 2023 boton në gazetën DITA një shkrim, të cilin kur e lexon, të ndjell neveri për pozicionin e tij në relacion me çështjen tonë kombëtare. Është fjala për një intelektual dhe diplomat kariere, i cili ndonëse është rritur, edukuar e arsimuar në vendlindjen e të parëve të tij, me emrin Shqipëri, mendon dhe analizon, si të jetë pjesëtar i një kontinenti të largët dhe pa lidhje organike e shpirtërore me vendin e vogël buzë Adriatikut. Shkrimin e tij, professor Tarifa, e ka titulluar “Çdo të thoshte sot, Madelenë Albright”?
Në përgjigje të kësaj pyetje hipotetike, Tarifa na kumton se Albin Kurti, nuk duhet të bëjë asnjë lëvizje pa “hyqmin” e Amerikës dhe BE, që çiruan vendin e tij. Pra, të vijojë të presë “Godonë”, siç bënë kolegët e tij parardhës për 15 vjet rrjesht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës e gjer më sot. Prof. Dok. Tarifa, dhe jo vetëm ai, na deklarojnë me të madhe, se vendi ynë, Shqipëria dhe Kosova, si vende të vogla që janë, nuk mund të jetojnë mbi shpinën e dheut, pa mbështetjen e Amerikës, ndaj, ne duhet të themi vetëm “siurdhëron”, e ta kthejmë kësulën mënjanë.
Këtij “fiksimi” të profesorit dhe shokëve të tij, unë do t’u kujtoj një filozofi të thjeshtë të mirditorit, që ka qenë edhe filozofia e gjithë shqiptarëve. Mirditori thoshte: “Kapidanin, (të fuqishmin), mjer kush e ka armik, e mjer kush e ka mik”. Kur e ke armik, je në rrezik sepse ai është fuqi e madhe e të qet fare. Por edhe kur e ke mik, ka rrezik të të shesi për hesapet e tij. Ndaj mirditori zgjodhi një rrugë të mesme: Jashtë shtëpisë, Kapidanin e konsideronte mik, ndërsa kur i vinte brenda konakut, rrinte me kujdes, me koburen në gadishmëri, sepse nuk i dihej lojës së “mikut” të fuqishëm. Këtë filozofi të thjeshtë por të saktë të shqiptarëve, e realizoi në mënyrë të shkëlqyer Shqiptari Madh, Enver Hoxha. Ai pati miqësi me superfuqitë e Europës e të botës, por asnjëherë nuk e hoqi “koburen nga brezi”, duke vigjiluar sjelljet e tyre në relacion me punët e tij të brendshme.
“SHBA, – thotë Tarifa, – edhe mund të gabojnë, siç kanë gabuar në Vietnam, apo në Irak. Por Kryeministri i Kosovës nuk është Davidi që mund të matet me Goliadhin, . . .!”
Për pjesën e parë të ligjëratës, atë të “gabimeve të mundshme të SHBA”, vetiu shtrohet pyetja: A mund të na sigurojë Fatos Tarifa, se SHBA nuk do të gabojnë me Kosovën, siç gabuan me Vietnamin dhe Irakun?! Vini re: vetëm një kundërshtim verbal i Kryeministrit Kurti ndaj një deklarate të sekretarit të shtetit të SHBA, e bëri këtë të fundit ta parjashtojë Kosovën nga stërvitja e përbashkët me NATON, dënim ky që mund të aplikohej nga Kongresi Amerikan, ose nga Komanda dhe Udhëheqja politike e këtij organizimi politiko-ushtarak i 30 shteteve të Botës, dhe jo nga një individ, sado i lartë qoftë në hierarkinë e SHBA.
Ndërsa për pjesën e dytë të ligjërimit, atë që lidhet me Davidin dhe Goliadhin, po e cekim pak më gjatë: Fatos Tarifa, sigurisht nuk beson në legjendën e Davidit dhe Goliadhit të lashtësisë, por këtë legjendë shqiptarët e kanë vertetuar praktikisht në dy raste, që historia i ka shënuar me germa të arta. Në shekullin e XV-të, Gjergj Kastriot – Skënderbeu, kishte shtetin dhe ushtrinë më të vogël në kontinet, por për 25 vjet rrjesht, përballoi me sukses Ushtrinë më të madhe të kohës, atë të Perandorisë Osmane. Po ashtu, në pjesën e dytë të shekullit të XX, periudhë që Fatos Tarifa e ka përjetuar, “Davidi” shqiptar me emrin Enver Hoxha, përballoi politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht, dy superfuqitë më të mëdha të Botës, duke ruajtur të paprekur Lirinë dhe Pavarësinë e vendit të tij.
Diku gjatë shkrimit, Tarifa citon një thënie të Madelenë Albright, e cila në qershor të vitit 1999 në mitingun e Prishtinës u paska thënë shqiptarëve: “Të mos gabojë askush. Për sa kohë që kjo është deshira juaj, Kosova do të mbetet shtëpia juaj”! Mirëpo Albright, tashmë është ndarë nga jeta dhe nuk e din se shqiptarët e Kosovës, edhe pas 23 vjet nga çlirimi, edhe 15 vjet nga shpallja e Pavarësisë, ende nuk e shohin veten në shtëpinë e tyre. Të paktën në gati gjysmën e vendit të cilën bashkë me Madelenën, Klintonin dhe amerikanë të tjerë e patën çliruar. Dhe kjo nuk ka ndodhur se nuk duan kosovarët shtëpinë e tyre, por se nuk duan serbët dhe lojcakët e Europës e të Botës, t’i lënë ata në shtëpitë dhe trojet e tyre mijëra vjeçare.
Për fat të keq, profesor Tarifa, në shkrimin e tij të mësipërm, manifeston edhe disa koncepte e gjykime, në mos të neveritshme, të paktën të çuditshme dhe kontraverse. Sipas profesorit, Albin Kurti është filistin dhe megaloman si politikan. “Këto dy cilësi, – vijon ai, – natyrisht vishen me petkun e një “patrioti konsekuent”, që manifestohet si një pupulizëm folklorik dhe ka, pa dyshim, ndjekës të shumtë në një shoqëri politikisht e kulturalisht ende jo mjaftueshmërisht të emancipuar, si shoqëria kosovare”!
Unë, do t’i thoja Prof. Dok. Tafifës, se patriotizmi i shqiptarëve të Kosovës, është një patriotizëm tepër i kualifikuar, i kulturuar dhe i emancipuar. Ai kurrë nuk ka rënë në grackën e nacionalizmit të sëmurë, por ka bashkëjetuar më së miri me qytetarët e etnive të tjera, qofshin këta dhe “shkiet”, pa shkelur të drejtat e tyre etnike, por ama edhe duke mbrojtur me jetë etninë e tij në trojet amtare.
Akoma më keq, profesor Tarifa, shembujt e mbështetjes në portale elektronike të qytetarëve të Kosovës për Kurtin, na i jep në “origjinal” në dialektin e Kosovës, duke lënë të kuptohet se edhe dialekti i tyre, është anakronik e arkaik, ashtu si patriotizmi i “pakultivuar” i tyre. Madje arrin gjer aty sa të cilësojë në shkrim edhe thirrjen – urim të tyre ndaj Albinit: “Allahu t’forcoft, o Albin”! Por nga ana tjetër, asnjëherë profesori ynë nuk është kujtuar të vërë në lojë politikanët dhe pushtetarët këtu në Shqipëri, përfshirë Saliun, Ramën, Metën e madje dhe Presidentët, që çdo fund fjalimi në parlament, apo në mitingje, e mbyllin me urimin: “Zoti e bekoftë Shqipërinë”. Në këtë rast, ndryshimi është “Zot” dhe “Allah”, që është e njëjta Hyjni.
Mund të sillja edhe po kaq shembuj nga shkrimi kontravers i Profeor, Doktor dhe Ambasador Tarifës, por dritarja e gazetës për mua është e ngushtë. Ndaj, po e mbyll me një konkluzion pesimist: Kur nga prof-doktorët dhe ambasadorët e nivelit të Fatos Tarifës, kemi të tilla “xhevaire”, ç’mund të presim nga analistët e komentuesit e tjerë, në rolin e “apologjetëve” të sistemit dhe “kapidanëve” të Botës, si puna e Lorenc Vangjelit, p.sh., i cili, shkrimin e botuar në të njëjtën gazetë e datë me Tarifën, e që lidhet po me problemin e Kosovës, e mbyll me frazën:
“Sepse është koha të thyhet mallkimi që i ka ndjekur shqiptarët në shekuj: Çfarë fitojnë në luftë e me luftë, e humbasin nga marrëzia e lakmia në paqe pa gjetur paqe me veten”! – frazë që Vangjeli e din shumë mirë që nuk është e vërtetë.
Shqiptarët kanë luftuar dhe kanë fituar, por janë tradhëtuar e lënë në baltë nga liderët, nga inteligjenca, nga njerëzit më “shkollë”, siç kemi një pjesë të çartur të inteligjencës së sotme.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 12/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk