Një thirrje për humanizëm dhe solidaritet: Ta ndihmojmë akademik Abdulla Mehmetin në këto momente të vështira
Në jetën e një kombi, ka individë të rrallë që, me përkushtim dhe pasion, lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën, historinë dhe arsimin e tij. Njëri prej tyre është akademik Abdulla Mehmeti, një intelektual dhe veprimtar i shquar shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i cili sot, fatkeqësisht, ndodhet në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe ekonomike.
Akademik Abdulla Mehmeti, i lindur më 2 janar 1962 në Shipkovicë të Tetovës, i kushtoi jetën e tij promovimit të arsimit dhe kulturës shqiptare. Ai kontribuoi me përkushtim në kauzat kombëtare që për shumë dekada kanë sfiduar qenien shqiptare në trojet tona. Si një nga themeluesit e Bashkësisë Kulturore Shqiptare dhe një ndër nismëtarët e themelimit të Universitetit të Tetovës, Mehmeti luajti një rol kyç në krijimin e mundësive arsimore për brezat e rinj shqiptarë.
Kontributi i tij nuk ndalet vetëm në fushën e arsimit. Përmes studimeve dhe shkrimeve të tij, akademik Abdulla Mehmeti sfidoi falsifikimet historike dhe ngriti zërin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Ai mbeti një mbrojtës i palodhur i identitetit dhe të drejtave kombëtare shqiptare, duke kërkuar gjithmonë një interpretim të drejtë dhe shkencor të historisë, larg ndikimeve politike dhe propagandës.
Por sot, ky intelektual i shquar ndodhet në një situatë të vështirë, i sëmurë dhe pa mjetet e nevojshme për të jetuar. Ai nuk meriton të përballet i vetëm me këto sfida. Kontributi i tij ndaj kombit tonë është një thirrje për të gjithë ne që të tregojmë solidaritet dhe të bashkohemi në ndihmën për të.
Unë, si një ndër të informuarit për këtë situatë nga miku im Xhemil Zeqiri, që jeton dhe vepron në Danimarkë, nuk mund të qëndroj indiferent. Edhe pse personalisht nuk e njoh akademik Abdulla Mehmetin, veprat dhe sakrificat e tij për çështjet kombëtare flasin më shumë se fjalët.
Prandaj, ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë trojeve tona, veçanërisht diasporës sonë, që të kontribuojnë në këtë kauzë humanitare. Çdo ndihmë, sado e vogël, do të jetë një tregues i vlerësimit për jetën dhe veprën e një njeriu që i kushtoi gjithçka kombit të tij.
Një vërejtje ndaj shqiptarëve në qeverinë e Maqedonisë së Veriut
Në këtë situatë, nuk mund të mos ngremë një shqetësim të rëndësishëm ndaj përfaqësuesve shqiptarë që punojnë në strukturat qeveritare të Maqedonisë së Veriut. Lënia në harresë e akademik Abdulla Mehmetit nga qeveria, ku shqiptarët kanë një përfaqësim të rëndësishëm, është një dështim i madh, jo vetëm i institucioneve, por edhe i përfaqësuesve tanë.
Shqiptarët në qeveri kanë për detyrë të jenë zëri dhe mbrojtësit e komunitetit që përfaqësojnë. Në rastin e akademik Abdulla Mehmetit, jo vetëm që duhet të kishin siguruar mbështetje institucionale për të, por edhe të kishin marrë masa për të njohur dhe vlerësuar kontributin e tij. Ky dështim tregon indiferencë dhe papërgjegjshmëri.
Është koha që politikanët shqiptarë të reflektojnë dhe të kuptojnë se postet që mbajnë nuk janë vetëm për përfitime personale, por për t’i shërbyer atyre që kanë luftuar për të drejtat dhe identitetin tonë kombëtar. Nëse një figurë si akademik Abdulla Mehmeti lihet në mëshirën e fatit, çfarë mesazhi përcillet për të ardhmen e popullit tonë?
Thirrje për ndërgjegje dhe solidaritet
Ky moment kërkon zë të bashkuar dhe veprim konkret. Nuk duhet të lejojmë që ata që kanë punuar për kauzën shqiptare të ndihen të braktisur. Le të jetë kjo një thirrje jo vetëm për ndihmë humanitare, por edhe për përgjegjësi politike dhe morale nga ata që kanë fuqinë për të ndryshuar diçka!
Le të tregojmë se shqiptarët nuk harrojnë ata që kanë dhënë gjithçka për të mirën e kombit tonë. Bashkohuni me mua dhe me shumë të tjerë që tashmë kanë nisur të kontribuojnë në këtë kauzë. Bashkë, mund të bëjmë diferencën!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!