Një vështrim i shkurtër për fryrjen, shtrembërimin dhe falsifikimin e historisë së lashtë mbi Trakinë (Thrakinë) dhe thrakët, nga këndvështrimi i sotëm i shteteve të krijuara në hapësirat e këtij rajoni.

01
Feb
2023

Shkruan: Akademik. Abdulla Mehmeti
Njohuri të përgjithshme
Trakia (bullgarisht: Тракия, greqisht: Θράκη, latinisht: Thracia ose Threcia, turqisht: Trakya) është rajon gjeografik dhe historik në pjesën jugore të kontinentit të Evropës. Në antikën e hershme “Trakia” ka qenë e banuar nga disa fise të njohura trakase, por disa prej tyre janë dalluar në mënyrë të veçantë. Në disa periudha janë shtrirë, në veri deri në lumin Danub, në lindje me Detin e Zi, në jug me Detin Egje dhe në perëndim me lumin Moravë dhe lumin Vardar. Sot, rajoni i Trakisë përfshin pjesën jugore dhe juglindore të Bullgarisë (Trakia Veriore), pjesën veriperëndimore të Greqisë (Trakia Perëndimore) dhe pjesën evropiane të Turqisë (Trakia Lindore). Brigjet rajonit gjeografik të Trakisë i lagin ujërat e tri deteve: Detit të Zi, Detit Marmara dhe Detit Egje. Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane rajoni i Trakisë është njohur me emrin Rumeli.
MES KONCEPTIT GJEOGRAFIK DHE ETNIK MBI TRAKINË DHE TRAKËT
E para që duhet ta dimë është fakti se, kurrë nuk ka ekzistuar në lashtësi, në periudhën Antike apo në Mesjetë, ndonjë mbretëri apo shtet me emrin Traki, përveç nën mbretërinë e përbashkët të fiseve trake dhe dake nën sundimin e mbretit Burabista.
Trakia njihet si rajon gjeografik i banuar në antikë nga fise dhe popuj të shumtë, më vonë të përzier dhe shkrirë mes vete, por asnjëherë nuk ka ekzistuar ndonjë shtet, popull apo gjuhë me tipare të veçanta, të njohur si trakas-e.
Mitet e rrejshme për formacione shtetërore të lashta me këto emra janë sajesa politike të krijuara gjatë shek. XIX dhe më vonë, me ndihmën e qarqeve politike dhe shkencore evropiane, nën ndikimin e Rusisë, për interesa strategjike të tyre në rajonin e Ilirikut.
Pse u ka shërbyer shteteve ballkanike kjo propagandë në emër të shkencës, duke krijuar një mal shkrime, libra, harta dhe dëshmi të rrejshme, nga autorë vendës dhe të huaj (me pagesë), kjo është tepër e qartë: për t’ia kundërvënë të vërtetës së madhe të Ilirisë dhe përkatësisë ilire të shqiptarëve, që t’i fshehin krimet e tyre gjatë shekujve të fundit mbi shqiptarët autoktonë të Gadishullit Ilirik, t’i arsyetojnë pushtimet e territoreve të tyre dhe ta shuajnë çështjen e pazgjidhur shqiptare në rajon. Interesat e Rusisë për dalje në detet e ngrohtë, në Mesdhe dhe Adriatik, si dhe interesa të tjera strategjike të njohura e të panjohura për opinionin vendës dhe botëror. Por, cilat kanë qenë interesat konkrete të disa shteteve evropiane, si, Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Italia dhe Gjermania, gjatë shekullit XIX dhe XX, kjo duhet të hulumtohet, studiohet dhe analizohet me kompetencë shkencore dhe me shumë kujdes.
Përveç helenizimit (greqizmit) të gjithë periudhës antike, tepër lehtë vërehet edhe tendenca për krijimin e një sajese tjetër, përforcimi i elementit trakas, përkundër atij ilir, dardan dhe pajon, sa edhe kur bëhet fjalë për fiset ilire, si Dalmatët, Histrianët dhe të tjerët, të cilët asnjë kontakt dhe lidhshmëri gjeografike apo historike nuk kanë pasur me fiset dhe banorët e lashtë as me rajonin e Trakisë (shtet me emër të tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë), ia lejojnë vetes gjithmonë elementit ilir t’i bashkëngjisin (shtojnë) edhe elementin trakas, madje duke i dhënë përparësi atij. Tendenca është shumë e qartë.
Shembuj konkret, nga autorë dhe vepra të caktuara në lidhje me këtë ngatërresë të qëllimshme, nuk do të sjellim me këtë rast, meqë porosia e këtij shkrimi shpresojmë të shërbejë vetëm si një nxitje për studiuesit shqiptarë dhe apel për kujdes të vazhdueshëm, përderisa falsifikimi i historisë edhe sot vazhdon me intensitet të shtuar. Dëshmi për këtë mund të kërkoni edhe nëpër faqet e internetit, sidomos me publikimin e dhjetëra librave në gjuhën bullgare dhe në gjuhë të tjera lidhur me Trakinë, banorët dhe trashëgiminë kulturore të begatshme të saj.
Çfarë dëshirojnë të arrijnë politika dhe qarqet shkencore bullgare me këtë çështje? Nëse interesimi i tyre është vërtet për qëllime dhe dobi shkencore, që të ndriçohet dhe studiohet e kaluara e banorëve, fiseve dhe popujve që kanë jetuar në Trakinë e dikurshme, në territorin e shtetit të sotëm të Bullgarisë, kjo do të ishte një punë me vlerë dhe për lëvdatë. Por, jo gjithmonë shkenca është në shërbim të këtyre qëllimeve. Përvoja e popujve ballkanikë e ka dëshmuar se, mes shkencës, sidomos të historiografisë dhe politikës, gjithmonë fshihet një djall të madh.
Në pika kryesore, kjo temë duhet të shqyrtohet nga disa këndvështrime:
1. Trakia ka qenë gjithmonë një rajon i gjerë gjeografik në juglindje të Gadishullit Ilirik dhe të Evropës, ndërsa banorë të tij kanë qenë shumë popuj dhe fise, me emra, kultura, gjuhë dhe histori të ndryshme, të cilët i ka përcjellë fati i njëjtë në periudha të caktuara historike.
2. Në rajonin e Trakisë, gjatë historisë janë ngritur edhe shtete, mbretëri e principata, me emra të ndryshëm, por asnjëherë nuk ka ekzistuar ndonjë shtet (mbretëri) me emrin Traki në hapësirat e Gadishullit Ilirik, siç kanë ekzistuar për shekuj me radhë në periudhën antike, Dardania, Pajonia, Maqedonia, Epiri etj.
3. Rajoni gjeografik i Trakisë ka qenë pjesë e këtyre mbretërive gjatë periudhës antike, si dhe pjesë e perandorive të mëvonshme, e Romës Perëndimore, Romës Lindore (Roma e Re-Buzani) dhe e Perandorisë Osmane.
4. Në truallin e Bullgarisë së sotme kanë lënë gjurmë nga lashtësia shumë popuj dhe fise, para ardhjes së fiseve bullgare në fund të shek. VII, prandaj, cila është arsyeja e afirmimit vetëm të elementit trakas, i cili nuk mund të lidhet me ndonjë etni, kulturë apo gjuhë të veçantë, por me një gërshetim të gjerë të elementeve nga disa kultura, gjuhë dhe fise me emra e histori të veçanta, të gjithë banorë të rajonit të Trakisë, në juglindje të Gadishullit Ilirik, pa ndonjë shtrirje më të gjerë në brendi të gadishullit, siç kanë pasur mbretëritë, Dardania, Pajonia apo Maqedonia.
5. Tendenca për krijimin (lidhjen) e ndonjë vazhdimësie historike, kulturore apo etnike mes Trakisë së lashtë dhe Bullgarisë nuk mund të ketë mbështetje shkencore, përderisa mes bullgarëve dhe Bullgarisë së lashtë, nga Mesjeta, me fiset sllave, kulturën, gjuhën dhe identitetin e tyre të krijuar gjatë shekujve të fundit, ka ndonjë lidhje dhe pikë takimi, gërshetime dhe simbioza, ndërsa lidhja mes bullgarëve të ardhur nga fundi i shek. VII në brigjet perëndimore të Detit të Zi, përkatësisht në pjesën lindore të Gadishullin Ilirik, me fiset e lashta trakase, të cilët kanë qenë ilirë, pajonë dhe dardanë, të cilët kanë folur gjuhë të njëjtë mes vete dhe me të tjerët, nuk i lidh asgjë përveç tokave të pushtuara nga bullgarët disa shekuj më vonë dhe trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore, të cilat sot i takojnë kulturës së gjithmbarshme botërore, siç e dëshmojnë hulumtimet arkeologjike dhe burime të tjera të panumërta historike.
6. Është e vërtetë se një pjesë e banorëve vendës nga fiset trakase janë asimiluar dhe shkrirë mes banorëve të ardhur bullgarë dhe të tjerë, në gjashtë shekujt e parë pas ardhjes së tyre në këto hapësira ku jetojnë edhe sot, siç është e vërtetë edhe se, nga shek. XVIII dhe XIX kjo popullsi e përzier, ka filluar të sllavizohet në masë të madhe, nën ndikimin e kishës sllave, sidomos përmes shkrimit dhe gjuhës së vjetër kishtare sllave.
Kjo e vërtetë nuk e bën më pak të rëndësishëm popullin e sotëm bullgar nga popujt tjerë fqinj të tyre, grekët, serbët, turqit, rumunët apo shqiptarët, përkundrazi i obligon që në truallin e shtetit të sotëm të tyre të hulumtojnë dhe zbulojnë sa më tepër vlera materiale nga kultura dhe qytetërimi i popujve të lashtë, banorë të hershëm të këtyre territoreve, siç kanë qenë trakët dhe dakët, besët, pajonët, dardanët dhe fise të tjera të lashta ilire, jo greke dhe jo sllave.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/02/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk