-Botuar në gazetën SOT, datë 4 Korrik 2023-
Bashkimi Europian (BE) është një bashkim politik dhe ekonomik i 27 shteteve anëtare, që janë të vendosura kryesisht në Europë. Ai ka një sipërfaqe prej 4.475.775 km2, dhe një popullsi prej rreth 510 milion banorë. BE e nisi rrugën e tij qysh në vitin 1951, për t’u kompletuar në ditët e sotme më të gjitha institucionet e tij bazë, si Këshilli Europian, Parlamenti Europian, Këshilli i Bashkimit Europian, Komisioni Europian dhe Gjykata Europiane e Drejtësisë. Të gjitha këto institucione qëndrore, dhe të tjerat ndihmëse, që përbëjnë strukturën e tij, e bëjnë Bashkimin Europian një Institucion të mirëorganizuar e të konsoliduar në fushën politike, ekonomike, sociale e ushtarake, dhe mbi të gjitha, siç thuhet, një nga institucionet më demokratike në shkallë globale. Por, a është plotësisht e vërtetë kjo e fundit?
Vendi ynë, Shqipëria, pas ndërrimit të sistemit në vitin 1990, me një entusiazëm të paparë, nisi rrugën drejt Bashkimit Europian. Në fillim me parullën e famshme “E duam Shqipërinë si Europa”, dhe në të pastajmen me reformat e shumta, për t’iu përshtatur ligjeve dhe rregullave të këtij organizmi të stërmadh. Gjatë kësaj rruge tridhjetë e tre vjeçare, për t’u bërë pjesëtare e plotë e bashkimit në fjalë, krahas miradinave e përfitimeve, që nuk kanë munguar për qytetarët tanë, vihen re edhe sjellje e veprime me dy standarte të BE, të cilat, jo vetëm cënojnë rregullat e demokracisë, që vetë institucioni në fjalë ka vendosur, por njëherësh cënojnë edhe interesat tona kombëtare. Le të cekim vetëm disa nga këto “standarde të dyfishta” të BE në relacion me vendin tonë:
Që Shqipëria të pranohet me të drejta të plota në BE, përveç të tjerave, duhet të ketë marrëdhënie të mira e pa probleme me fqinjët, dhe veçanërisht të arrijë parametrat që kërkohen në trajtimin e pakicave kombëtare. Fjala është për marrëdhëniet me Greqinë, me të cilën ne kemi dy pozicione historike: Ligjin e luftës të vitit 1940, dhe traktatin e miqësisë të pas viteve nëntëdhjetë. Fqinji ynë, në vijim të sëmundjes së pashërueshme të shovinizmit qindravjeçar, bën xhonglerin me vendin tonë me këto dy “pozicione”: Na buzëqesh e tund traktatin e miqësisë, kur shtetarët tanë i bëjnë lëshime në kufijt detarë, apo në ligjërimin e vendvarrimeve për ushtarët e rënë për “Eladhën”, gjatë Luftës II B në vendin tonë; dhe nga ana tjetër, na nxjerrë “ligjin e luftës” po të L II B, kur këto lëshime mungojnë. Një pretekst tjetër absurd është edhe loja me “trajtimin” e minoritetit grek në vendin tonë. E gjithë bota e din, se jo vetëm tani në kohë “demokracie”, por edhe në periudhën e socializmit, minoritarët grekë në jug të vendit, trajtoheshin njësoj si vendasit, e madje në shumë aspekte edhe më mirë se qytetarët shqiptarë. E kundërta ndodh me shqiptarët që banojnë në trojet e tyre në Greqi, të cilët shteti grek nuk i njeh fare si pakica kombëtare, duke ju mohuar dhe ndaluar edhe gjuhën e tyrre amtare. Për të vizituar të rënët e tyre “për Eladhën”, pushtetarët grekë vijnë disa herë në vit tek varrezat e tyre në Bularat, Këlcyrë e Boboshticë (vija e parë e të ashtuquajturit “Vorioepir”), ndërsa nuk lejon këmbë shqiptari nga krahina shqiptare e Çamërisë, të vizitojnë trojet e tyre, prej të cilave u dyndën përdhunisht nga shteti grek, objektivi i të cilit, edhe sot si anëtare e BE, është i njëjtë me atë të kohës së Venizellos.
Shtrohet pyetja legjitime: Nuk e njeh BE dhe Brukseli, historinë e marrëdhënieve midis grekëve dhe shqiptarëve? Nuk kanë dijeni zyrtarët europianë për gjenocidin grek mbi popullin çam dhe krahina të tjera shqiptare, qysh nga viti 1913 e gjer në vitin 1945? Nuk e din BE se në Greqi jetojnë mijëra e miljona shqiptarë në trojet e tyre amtare, por shteti grek nuk u njeh atyre as statusin e pakicës kombëtare, e as gjuhën e tyre amtare?!
Gjatë tri dekadave të “demokrazisë”, mbi gjysëm miljoni shqiptarë nga Shqipëria, janë vendosur në Greqi me punë e dokumente të rregullta, por shteti grek nuk hap qoftë edhe një shkollë fillore në gjuhën e tyre. Madje, shumicës së tyre u ka imponuar edhe ndërrimin e emrave. Akoma më tej: Sikur të mos mjaftonin pretendimet për pakicat greke në Dropull e Sarandë, kryeministri grek, Micotaqi, pa marrë leje askujt, shkon në Himarë, me pretendimin se është tokë e popullsi greke, ashtu siç i qe shkrepur dikur mercenarit tonë, Milo Milo, në vitet 1925-26. Dhe në vijim të këtij pelegrinazhi, po ky kryeministër, kur ishte para do ditësh në Parlamentin Europian, akuzoi e kërcënoi qeverinë shqiptare, se ka burgosur kandidatin për Kryetar Bashkie të Himarës, i cili u kap me vota të vjedhura në dorë. Pyesim ashtu kot: Si nuk thanë asnjë fjalë parlamentarët e shteteve të BE, për këtë absurditet të Kryeqeveritarit grek? A nuk janë këto njolla të murme, madje duhet thënë “njolla të zeza” të BE, që e heq veten një organizëm superdemokratik?!
Sigurisht vasalitetin e neveritshëm të qeveritarëve tanë, me ata të Greqisë, e kanë ndihmuar dhe e ndihmojnë pothuaj gjithë “liderët” tanë të politikës e të pushtetit të këtyre tri dekadave të fundit, të cilët sollën Janullatosin në krye të Kishës sonë Ortodokse Autoqefale të krijuar nga Noli; ligjëruan vendvarrimet e ushtarëve grekë; shitën rreth 355 kilometra katëror të ujrave tona detare, shitje e cila, siç duken bathët, do të pasohet me shitje tjetër në debatin e ardhshëm të dy palëve në Gjykatën e Hagës, ku doemos, anëtari 40 vjeçar i BE, do të jetë superior në çdo pikëpamje, etj.
Por njollat më të murme, që po shkojnë drejt ngjyrës së zezë, po i krijon sjellja më e fundit e BE ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Duke i kapërcyer “lojrat” e shteteve europiane gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, dhe gjatë spastrimit “paqësor” të pjesës veriore të saj nga shqiptarët, le të shohim drejpërsëdrejti “dy stardadin” e çuditshëm europian të ditëve të sotme. Prej vitit 2008, Kosova është shpallur shtet i pavarur, status që e ka miratuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Shtetin e ri të Kosovës e kanë njohur rreth njëqind shtete, përfshi shtetet kryesore të Europës, SHBA dhe shtete e vende të tjera. Por paradoksi qëndron te BE, ku pesë shtete të këtij organizmi: Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia, nuk e njohin shtetin e ri të Kosovës. Arsyeja? Se këto shtete paskan probleme me krahinat e tyre seperatiste, që kërkojnë të shkëputen. Mirëpo, njëri nga parimet bazë mbi të cilat është ngritur BE, është dhe parimi i vetvendosjes së popujve, një parim ky universal. Nisur nga kjo, si nuk u thonë 22 shtetet e BE, këtyre 5 shteteve me “probleme”, se me mentalitete të tilla, nuk mund të jenë shtete anëtare të BE?!
Si për ironi të fatit, apo për djallëzi të çastit, dy moderatorët e bisedimeve dhjetëvjeçare midis Kosovës dhe Serbisë, Brukseli i ka përzgjedhur pikërisht nga dy shtetet që nuk e njohin Republikën e Kosovës! A nuk është një absurditet krejt i dukshëm dhe pse jo, edhe i qëllimshëm?!
Konflikti më i fundit midis Kosovës dhe Serbisë, ia ka nxjerrë gjer në fund kallajin, “enës së kallaisur” të BE. Përralla e moçme ku ujku akuzonte qengjin se i turbullonte ujin, ndonëse ky ishte poshtë ujkut, tashmë ka dalë nga loja. Ujku serb, me emrin Vuçiç akuzon “qengjin” Kurti se po kërkon luftë dhe gjak . . . Dhe “Ariu i pyllit”, në rastin tonë BE dhe Brukseli, në vend që t’i kërkojnë llogari Ujkut Vuçiç, i vendosin sanksione Kurtit, i cili po mundohet të mbrojë nga ujku, “kasollen e tij të vogël”, ngritur me gjak e sakrifica të panumurta të brezave të tërë të shqiptarëve të Kosovës.
Unë shkruesi i këtyre radhëve, jam më se i bindur se BE nuk është një organizëm demokratik aq sa thuhet, por një amalgamë e demokracisë së sotme kapitaliste e globaliste, me reminishenca të dukshme të kohës së Bismarkut. Të paktën në relacion me shqiptarët, çka verteton edhe njëherë, tashmë pas një shekulli e gjysëm, drejtësinë e thënies lapidare të Fishtës: “Moj Europë, moj kurvë e motit . . . “!
Për fat të keq, edhe aleati aktual që na ndihmoi në fitimin e lirisë, SHBA, për arsye konjukture e strategjie, është bashkuar në një linjë me BE, çka e ka vënë popullin shqiptar të Kosovës në udhëkryqin e historisë. Këtij “udhekryqi”, jo pak po i ndihmojnë politikanët dhe shtetarët e dy shteteve shqiptare, të cilët, për hir të karrikes së pushtetit, po shesin edhe prapanicën. Por karrika pushtetore nuk të hyn në punë kur nuk ke këtë të fundit.
Nëse ne qytetarët shqiptarë këtej e matanë Drinit, do të vijojmë të bëjmë sehir situatat, që në kohën e sotme ecin me shpejtësi, shumë shpejt do ta shohim veten refugjatë në trojet tona; ndërsa çështja jonë kombëtare, do të kapërcejë edhe “kalendat greke!” .
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!