Nominimet Trump 2

16
Nov
2024
Shkruan; Ramazan Bekteshi


Presidenti i zgjedhur Trump me shpejtësi ka filluar që të sajoj listën e neo-konservatorëve, aleatë të tij, kandidatët që do t’i shërbejnë kabinetit të tij, por edhe në pozita tjera të larta gjatë mandatit të tij të dytë. Kabineti mbërthen së paku 16 pozita, nënkryetari dhe krerët e 15-të departamenteve ekzekutive. Pra lista nuk është ende e gatshme pasi disa kandidatë vetëm sa janë shpall e disa janë emëruar ku duhet konfirmimi i Senatit.
Dy nominime që janë me interes të përmenden për opinionin shqiptar janë John Ratcliffe, ish-drejtor i Inteligjencës Kombëtare dhe ish kongresist Republikan në katër mandate, tani i nominuar për Drejtor të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, CIA. Pra, vlen të theksohet se Z. Ratcliffe është edhe mik i hershëm i disa shqiptaro-amerikanëve në shtetin e Teksasit.
Kandidati tjetër i rëndësishëm për Sekretar të Shtetit është Marco Rubio, Senator nga Florida që e mban karrigen e tij në Senat që nga 2011. Prindët e Marco-s erdhën nga Kuba 1956. Rubio në një fjalim të tij flet me admirim për Mbrojtjen Kombëtare, sa e rëndësishme është ajo për paqen dhe Amerikën, që gjatë shekullit të kaluar e ndali nazizmin, komunizmin dhe e parandaloi pastrimin etnik serb. Rubio po ashtu shquhet për kritikat e tij ndaj Trump-it më 2016 kur garoi për president.
Një risi është pozita e Elon Musk-ut që do të bashkëudhëheq “Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë” si risi me Vivek Ramaswamy. Pa Mask-un nuk dij se a do te kishte Trump 2. Ai i vetëm gjatë fushatës presidenciale iu kundërvu Holivudit, pra, në luftën për presidencë u përfshinë paraja dhe fama, manjati Musk dhe Holivudi. Të gjithë të famshmit e botës, aktorë, këngëtarë,e, shkrimtarë e poete, publiciste e nobeliste të gjithe së bashku ishin me demokratët; në anën e republikanëve qëndronte i vetëm në mënyrë stoike Elon Musk, njeriu që po ndryshon botën me inovacincionet e tij unike, dhe tanimë epilogu i garës presidenciale dihet, Musk vs Holivud =Trump2.
Deri në këto momente po ashtu janë nominuar: Pete Hegseth, Sekretar i Mbrojtjes, Mike Waltz, Këshilltar për Siguri Kombëtare, Tulsi Gabbard, Drejtor i Inteligjencës Kombëtare, Matt Gaetz, Prokuror i Përgjithshëm dhe Elise Stefanik, Ambasadore në OKB. Ajo që bie në sy deri në këto momente është se mungon emri i shumë të përfolurit, Richard Grenell.
Bazuar në mandatin e tij të parë, Trump-i mbetet i pa parashikueshëm kur është në pyetje zëvendësimi i shpeshtë i kabinetit dhe ministrave/sekretarëve. Ai zakonisht inkuadron njerëz neo-konservatorë që e kanë trurin si ai, anëtarë të familjes, dhe nuk udhëheq politikë tradicionale amerikane. Le të mbetemi me shpresë se s’do t’i prishi punët me NATO-n, aleanca që është mburojë paqe e BE-së, SHBA-së dhe botës, por, megjithatë barra e shpenzimeve nuk do të duhej jetë e njëanshme si ka qenë traditë. Testi i tij i parë është Ukraina, dhe spekulimet vlojnë deri në kupë të qiellit.
Richard Grenell, ish ambasador në Gjermani që u shpall i padëshirueshëm atje, dhe i dërguari special për dialogun paqësor Kosovë-Serbi deri para tri ditësh u përfol si kandidat potencial për Sekretar Shteti ose Sekretar për Siguri Kombëtare. Se a do të marri ndonjë rol të rëndësishëm në Ballkan që herën e kaluar dështoi keq, mbetet të shihet.
Grenell krenohet se është i vetmi politikan amerikan që është dekoruar nga Presidenti i Serbisë dhe Kosovës. Ai gjatë pandemisë e rrëzoi qeverinë Kurti për të instaluar një qeveri jo legjitime kukull, PDK, LDK, AAK me Hotin Kryeministër. Do të ishte fat nëse Grenell s’do të instalohej në Ballkan kur dihen punët e tij të ndyta si lobist serb, që njëkohësisht është edhe konflikt interesi. Sipas burimeve tona të sigurta, shqiptaro-amerikanëve të Michigan-it u është thënë që kampanjën presidenciale ta bëjnë përmes zyrtarëve republikanë në shtetin përkatës e jo përmes Grenell-it. Se ka dyshime për punën e njëanshme të Grenell kjo shihet, por se a do të mbes i paangazhuar në administratën Trump 2, kjo është vështirë të besohet. Çuditërisht, Grenell edhe si i pa punë e frekuentoi Ballkanin dhe u josh e u prit edhe nga liderë shqiptarë në Shkup, Tiranë e Prishtinë.
Puna e tij gjatë fushatës presidenciale dhe lidhja e Grenell-it edhe me Trump Jr, djali i Presidentit dhe me dhëndrin Jared Kushner, e bëjnë situatën të mundshme për angazhimin e tij në Ballkan e që do të ishte një fatkeqësi. Fatkeqësia tjetër është ajo shqiptare, që e joshin dhe përkrahin Grenell-in që vetëm të kthehen në pushtet qoftë edhe në dëm të Kosovës. Emri i Grenell-it ende vazhdon të qëndroj si një fantazmë e frikshme mbi qiellin e Kosovës.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 16/11/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk