Operacion i mirëfilltë ushtark i UNÇSH-së

18
Nov
2023
Nga: Prof. asoc. dr. Marenglen KASMI

Çlirimi i Tiranës

Lufta për çlirimin e Tiranës përbën një nga operacionet më të mëdha e më të rëndësishme që ushtria partizane ka zhvilluar gjatë luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Kjo luftë u zhvillua sipas planit operativ-strategjik që përpunoi gjatë muajve shtator – tetor 1944 Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Plani synonte çlirimin e kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Për të përmbushur këtë synim duhej të asgjësohej garnizoni ushtarak gjerman që ndodhej në Tiranë së bashku me forcat kolaboracioniste qeveritare dhe jo qeveritare si edhe të merreshin masa për asgjësimin e forcave të tjera gjermane që mund të vinin në ndihmë të garnizonit gjerman në Tiranë gjatë tërheqjes së tyre nga Shqipëria.
Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua forcave partizane të Divizionit I Sulmues, konkretisht brigadave I, IV dhe XXIII Sulmuese. Më tej, brigada II, XX, XV dhe VII Sulmuese u urdhëruan të bashkërendonin veprimet e tyre luftarake me divizionin e parë sulmues, me qëllim asgjësimin e garnizoneve dhe kolonave gjermane që tërhiqeshin në rrugëkalimin rrugës Strugë-Librazhd-Elbasan.
Operacioni për çlirimin e kryeqytetit u realizua në tri faza: faza përgatitore (12 shtator-28 tetor), faza e parë e sulmit (29 tetor-10 nëntor) dhe faza e sulmit përfundimtar (11-17 nëntor). Luftimet zgjatën 19 ditë, nga 29 tetori deri më 17 nëntor 1944.
Martin Maller, ushtar gjerman që luftoi në Tiranë shkruan në kujtimet e tij: “Të krijohej përshtypja se Tirana përbëhej vetëm nga partizanë. Në sheshin Skënderbej kishim përgatitur llogore dhe në to kishim vendosur mitralozë. Prej këtu mbanim nën zjarr lagjen e ciganëve, rrugën e Durrësit dhe bulevardin kryesor. Nga malet zbrisnin partizanë që hidhnin granata për t’u ardhur në ndihmë shokëve të tyre që kishin mbushur qytetin. Ditë e natë qëndruam shtrirë në baltë, një dorë te arma dhe me dorën tjetër hanim ose pinim ndonjë cigare.“
Në Tiranë ndodheshin komanda e Divizionit 297, spitali ushtarak me rreth 1000 ushtarë të plagosur e sëmurë, si edhe autoreparte, të cilat ishin të plotësuara me efektiv dhe ruheshin nga reparte e nënreparte alarmi. Këtyre forcave duhej t’u vinte në ndihmë Grupi luftarak Steyrer me rreth 4000 forca, i cili vinte nga Struga dhe së bashku të vazhdonin tërheqjen në drejtim të Shkodrës.
Si pasojë e goditjeve sistematike e pritave mjeshtërore të partizanëve, kolonës së Steyrer-it ju deshën 4 ditë për të ardhur nga Elbasani në Tiranë. Në të gdhirë të 16 nëntorit, trupat e mbetura nga kjo kolonë hynë në qytet. Ajo kishte pësuar humbje të mëdha nga pritat partizane gjatë të 4 ditëve si edhe nga sulmet e aviacionit anglez dhe amerikan më 15 nëntor, madje siç raporton edhe vetë Steyrer-i, duke u ndjerë disa herë në situatë tejet të vështirë.
Që në Qafë-Kërrabë, e sidomos në betejën e Mushqetasë, është kryer një luftë e ashpër ndërmjet partizanëve dhe trupave gjermane nuk ka shteg për diskutim, madje këtë gjë e konfirmon edhe vetë koloneli Steyrer, i cili kërkoi ndihmë me radio në komandën e Div. 297 në Tiranë që t’i dërgoheshin tanke e autoblinda për të dalë nga rreziku në të cilin ndodheshin trupat e tij.
Hyrja e trupave Steyrer natën e 15 nëntorit, duke u gdhirë 16 nëntori, në Tiranë u krye nën zjarrin e armëve të rënda të partizanëve të cilat – siç pohon edhe vetë Steyrer – ishin vendosur me mjeshtëri në kodrat anash rrugës.
Këto goditje shkaktuan humbje të tjera dhe po ashtu e prishën rendin e marshimit të kolonës. Si rrjedhim, trupat gjermane hynë në Tiranë, sidomos njësitë e grupit të qendrës, në mënyrë jo të organizuar.
Në zonat e qytetit ku luftohej u riorganizua përsëri mbrojtja sipas parimit të mbrojtjes së një baze ushtarake, pra një mbrojtje rrethore.
Situatën e vështirë që ishte krijuar për forcat gjermane në Tiranë e raporton edhe vetë Steyrer: “Nga të gjitha rrugët dhe sheshet e qytetit partizanët hapnin një zjarr të rëndë e të vazhdueshëm; nga të gjitha dritaret, ballkonet dhe çatitë shtihej me pushkë, automatikë dhe mitralozë. Blloqet e veçuara të shtëpive ku ndodheshin trupat gjermane ishin nën zjarrin e artilerisë dhe mortajave.
Deri në drekë, zjarri armik u shtua nga ora në orë.”
Në mbledhjen e shtabit të Div. 297 të orës 09.00, datë 16 nëntor, mendimi kryesor i rrahur në këtë takim ishte largimi brenda ditës i trupave dhe mjeteve nga qyteti, i cili tashmë thuajse zotërohej nga partizanët. Qëllimi i forcave gjermane ishte të largoheshin nga Tirana duke u tërhequr me luftim e me sa më pak humbje të ishte e mundur, të bashkoheshin me trupat e tjera gjermane në Vorë, për të vazhduar më pas së bashku lëvizjen në drejtim të Shkodrës.
Me organizimin e tërheqjes së trupave gjermane nga Tirana, bazuar në përvojën luftarake që ai krijoi gjatë marshimit nga Struga në Tiranë, u ngarkua koloneli Steyrer.
Steyrer vlerësoi situatën dhe arriti në konkluzionin se, largimi i gjermanëve nga Tirana mund të arrihej vetëm nëpërmjet rrugës në jug të sheshit Skënderbej (Bulevardi Musolini, sot Rruga e Kavajës). Fillimisht duhej të hapej me luftim rruga brenda qytetit.
Më pas, (diku pranë kryqëzimit të 21 Dhjetorit) forcat gjermane duhej të ktheheshin djathtas drejt fushës së aviacionit, për t’u bashkuar me forcat e tjera që ndodheshin aty e për të lëvizur së bashku në drejtim të Vorës ku ishte caktuar edhe pikëtakimi me trupat e tjera që ishin afruar nga Elbasani nga drejtimi tjetër i tërheqjes.
Rrugëkalimi do të hapej nga dy drejtime, çka përbënte një taktikë të njohur gjermane gjatë luftimit në tërheqje. Steyrer-i kreu një përnjohje të hollësishme në terrenin ku do të organizohej tërheqja dhe arriti në përfundimin se largimi gjatë ditës ishte i pamundur.
Zjarri i armëve partizane ishte shumë i madh. Po ashtu ai konstatoi edhe mungesën e municioneve, sidomos për topat malorë 75 mm dhe për top-obusët 105 mm, të cilët ishin tepër të vlefshëm për mbulimin e tërheqjes.
Mundësia më e mirë pët t’u larguar nga qyteti nëpërmjet rrugës jugore (Rrugës së Kavajës) paraqitej në mbrëmje, duke i vënë me grupe sulmi flakën shtëpive në të dy krahët e rrugës dhe duke lëvizur mes tyre. Në orën 15.00, Steyrer i parashtroi Komandantit të Div. 297 planin e tërheqjes dhe ky i fundit e miratoi këtë plan.
Sulmi i forcave gjermane për të çarë rrethimin filloi në orën 18.00. Fillimisht grupet e sulmit arritën të përparonin në thellësi të rrugës dhe në orën 20.00 u raportua prej tyre se, gjatë pastrimit të rrugës, si pasojë e zjarrit tepër të madh dhe rezistencës së partizanëve, lëvizja kishte ndaluar.
Pas ndërhyrjes së katër tankeve, rruga e tërheqjes në drejtim të fushës së aviacionit e më pas drejt Vorës ishte hapur. Për këtë gjë Steyrer shkruan në raportin e tij:“Në orën 21.15 rruga ishte hapur me luftim dhe unë (Steyrer) mund t’i raportoja divizionit, që mund të fillonte lëvizja e kolonës. Si pasojë e vënies së zjarrit të shtëpive në të dyja krahët dhe sigurimit të rrugës zjarri i armëve kishte heshtur dhe kolonat mundën gjatë natës, thuajse pa pësuar humbje, të largoheshin nga qyteti”.
Ashpërsinë e luftimeve në Tiranë e mbështesin edhe dokumentet sekrete gjermane gjatë luftës. Sipas raportimeve të Grupit Luftarak të Forcave Tokësore E (për Korparmatën XXI) në periudhën 10 – 20.11.44, jepen “1600 burra të vrarë, të plagosur dhe të humbur. 50% e tyre i përkasin Grupit Luftarak Steyrer gjatë luftës në rajonin e Tiranës. Dëmtimi në armë dhe material i ndjeshëm.“
Lufta për çlirimin e Tiranës ishte një operacion i mirëfilltë ushtark i UNÇSH-së. Në këtë operacion si asnjëherë tjetër në këtë masë, u zhvillua një gërshetim vepimesh luftarake, kryesisht frontale në qytet dhe partizane jashtë qytetit, nërpmjet organizimit të suksesshëm të pritave. Ndryshe nga deri atëherë, mësymja u krye nga pozicione dhe vija të qëndrueshme, të cilat përforcoheshin me barrikada dhe vende-vende edhe me llogore dhe hendeqe, të ndërtuara edhe me ndihmën e popullit të Tiranës.
Në raporti ushtarak për largimin e trupave gjermane nga Tirana theksohet fuqia partizane, presioni i tyre luftarak dhe lufta pa kompromis, ndonëse për ta ishte e qartë që gjermanët tashmë po largoheshin.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 18/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk