Në kohën, që duhet të lulëzonte, edhe humori është në krizë si shumë çka në vendin tonë. Në kohë krizash të shoqërive, teatri, komedia, humori, letërsia dhe arte të tjera arrijnë suksese të paimagjinueshme. Kjo nuk ndodh në Shqipërinë tonë. Këta dy djemtë te tv Vizion Plus, me sa duket janë dhe ata në krizë. Por kriza e tyre nuk është se lidhet me krijimtarinë e tyre artistike. Ata janë marrë dhe tjetër herë me mua dhe ajo që vërej është se te ata mungon krejtësisht talenti për t’u marrë me humor. Po të ishte vetëm kjo, do ishte gjysma e së keqes, por atyre iu mungon edhe ajo që quhet kulturë e përgjithshme. Janë brezi i rritur me lodra elektronike playstation, kur ne, në moshë të tyre, për lodra kishim librat…
Pa dashur t’i fyej, këta “humoristat” e tv. Vizion Plus, i përgëzoj që janë të punësuar diku dhe shpien diçka në familje e nuk rrinë si parazitë, ama humor nuk përcjellin te teleshikuesi dhe humori nuk është punë për ta. “Humorit” të tyre i mungon vetëm një gjë e vockël: humori. Për të mos u dukur cinik me ta, më duhet të jem i qartë dhe t’u them se përtallja publike e punës së tjetrit, kur nuk ia ke idenë fare se çka është e çfarë bën ai tjetri, të kthehet në bumerang dhe kështu, ky lloj “humoristi” tretet e publiku nuk i jep mbështetje.
Humoristi i vërtetë është një njeri me kulturë të lartë që njeh filosofinë e kohës ku jeton dhe e përdor satirën si bisturi për t’i hequr mishin e huaj shoqërisë, ku ai bën pjesë. Në rastin konkret, nëse i qasemi “humorit” të këtyre djemve të tv. Vizion Plus, më duhet t’u them se “humorii” tyre për neologjizmat që unë sjell në gjuhën shqipe, nuk ka asnjë kuptim.
Me përparimin e vrullshëm të teknologjisë në çdo gjuhë lind nevoja për krijimin e fjalëve të reja. Edhe gjuha shqipe nuk bën përjashtim. Ka gjuhë për të cilat paguhen gjuhëtarë të caktuar që të krijojnë neologjizma. Është e njohur se Luigji i XIV paguante me rrogë një gjuhëtar të quajtur Bijon që ai të krijonte fjalë të reja për frengjishten.
Unë nuk jam autoriteti që fus me detyrim neologjizmat në gjuhën shqipe. Përsa njoh mirë se si gjuha emërton realiet, mundem më mirë se shum të tjerë të krijoj fjalë të reja që i duhen gjuhës sonë. Këto neologjizma i tregoj, pastaj ato mund të pëlqehen dhe mund të zënë vend në gjuhë ose e kundërta. Shpesh ndodh që shkrimtarë kanë krijuar neologjizma dhe ato gjuha i ka bërë të vetat. Por ca neologjizma të tjera të tyre gjuha nuk i ka pranuar. Ngaqë gjuhëtarët shqiptarë nuk njohin identitetin gjuhësor të fjalëve të shqipes, ka ndodhur që në përpjekjen për ta pastruar shqipen nga huazimet, kanë krijuar sinonime, por nuk kanë mundur ta heqin “huazimin”, sepse në fakt ai nuk është huazim dhe gjuha në nëndërgjegjen e saj i njeh fjalët e veta dhe nuk i heq ato. Në këtë kurth ranë edhe rilindasit, të cilët krijuan neologjizma për fjalë autentike të shqipes duke kujtuar se disa nga ato ishin turqizma, persizma etj. Kështu për fjalën shqipe penxhere krijuan sinonimen dritare, duke e hamendësuar atë si turqizëm, porse gjuha shqipe nuk e hoqi fjalën penxhere nga përdorimi i saj. Këtë fjalë e hoqi turqishtja nga përdorimi, sa sot shumica e turqishfolësve as e njohin fare.
Jam i bindur se “dy humoristët” e tv. Vizion Plus nuk e njohin punën time dhe për shkak të mosnjohjes, shumë etimologji të mia iu duken absurde dhe për ta përbëjnë “material humoristik” dhe “humori” i tyre përfundon në një qesëndi vulgare e pa shije. Më shumë humor kishte peticioni i 200 akademikëve e profesorëve, që mbahen si ajka e intelektualizmit shqiptar, kur i kërkuan Kuvendit të Shqipërisë që Dalipajt t’i ndalohet të shfaqet në media.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!