PAGËZIMI DHE MARTESAT SHQIPTARE

20
Sep
2023
Shkruan: Beqir Elshani


Pagëzimi i fëmijëve shqiptarë
Kaloi koha kur librat e shenjtë, Bibla dhe Kur´ani, lexoheshin në gjuhët origjinale, tani këta libra fetarë botohen të përkthyera edhe në gjuhën shqipe. Sot lypset që populli shqiptar t´i pagëzojë fëmijët me emra vetjakë shqiptarë. Gjuha shqipe, jo vetëm që është një ndër gjuhët më të vjetër në Evropë, por ka edhe fushë të gjerë antroponimie. Shqiptarët le të shkojnë edhe në xhami, edhe në kishë, por të detyrohen që fëmijët e tyre të pagëzohen me emra vetjakë të gjuhës dhe kulturës shqiptare, sepse mbi të gjitha, siç shkruan Pashko Vasa, feja e shqiptarit është shqiptaria.
Institucionet fetare duhet të bashkëpunojnë me Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe me Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë rreth pagëzimit të fëmijëve me emra të antroponimisë shqiptare. Emrat vetjakë shqiptarë mund të botohen si shtesë edhe në fjalorët e ndryshëm të gjuhës shqipe. Si ndihmës literature është edhe libri me emra shqiptarë i botuar nga autorët Qamil Batalli dhe Hasan Hasani: “Si t´i pagëzojmë fëmijët”. Këtë libër është kënaqësi ta ketë çdo familje shqiptare, i cili njëherit kryen funksionin e leksikonit nga fusha e antroponimisë së trashëgimisë ilire-shqiptare. Vetëm nga emri i mbretit ilir Genci mund të përfitohen emra të ndryshëm, siç janë: Genti, dhe Gentiani të gjinisë mashkullore, kurse Genta e Gentiana të gjinisë femërore. Pastaj nga emri i vjetër i qytetit ilir Theranda, mund të përfitohen emra të ndryshëm po aq edhe të bukur: Erandi dhe Eranda. Jo vetëm kaq, emrat e gjuhës shqipe janë elastikë, që vetëm nga emri i përgjithshëm drita të gjinisë femërore mund të krijohen emra të përveçëm, siç janë: Drita, Dritana, Dritare, Dritëza, Dritime, Dritona, Dritore, Dritushe, të gjinisë femërore dhe, Dritani, Dritëro, Dritimi, Dritoni, Dritori, Dritoshi, Dritushi të gjinisë mashkullore; por edhe emra të përngjitur Dritjona dhe Dritjoni etj.
Sipas librit ”Si t’i pagëzojmë fëmijët” (me emra të renditur alfabetikisht), i cili është i ndarë në dy gjini kryesore: mashkullore dhe femërore, shihet se emrat në gjuhën shqipe të gjinisë mashkullore marrin mbaresën e trajtës së shquar ~i dhe ~u; p.sh.: Artan~i, Sokol~i, Astrit~i, Gjerak~u, Zambak~u; Adriatiku, kurse emrat e gjinisë femërore marrin mbaresën e trajtës së shquar ~a: Alban:ë~a, Abetar:e~ja, Emir:ë~a, Sarand:ë~a, Vjos:ë~a, etj. Duhet pasur parasysh se këtë veçori karakteristike me mbaresa morfologjike që kanë të gjithë emrat e përveçëm në gjuhën shqipe nuk e kanë emrat e huazuara nga gjuhët e huaja, siç janë emrat mashkullorë: Nikoll:ë~a, Gjok:ë~a, Tom:ë~a, Mustaf:ë~ai, Zek:ë~a, Dem:ë~a, Ram:ë~a etj.
Me strukturën gramatikore dhe me thesarin e pasur leksikor, gjuha shqipe është dëshmia më e mirë e prirjes, e fuqisë krijuese, e pasurisë shpirtërore dhe emocionale të popullit tonë. Prandaj këshillohet që fëmijët e prindërve shqiptarë të kenë emra të trashëgimisë kulturore shqiptare, pa marrë parasysh bindjet e tyre fetare; në mënyrë që emri Drita dhe Dritani të jetë i barabartë për të gjithë fëmijët e ardhshëm shqiptarë pa dallim feje. Është fjala vetëm për pagëzim me emra të fjalorit të gjuhës shqipe, pa i cenuar normat fetare. Pagëzimi i fëmijëve shqiptarë me emra të trashëgimisë të rrënjës ilire-shqiptare është detyrë e shenjtë ndaj gjuhës dhe ndaj atdheut. Kundërshtimi fanatik i pagëzimit me emra shqipe, njëherit do të thotë kundërshtim me Biblën dhe Kur’anin shqip. “Zakonet e lindjes janë shumë të vjetra dhe i takojnë stadit të paganizmit. Prandaj fetë e reja, krishtere dhe muhamedane sado që kanë prekur e kanë ndikuar në ritet e lindjes, prapëseprapë nuk ia kanë dalë në krye ta zhdukin elementin pagan, i cili madje edhe dominon”, shkruan Dr. Demush Shala në librin e tij universitar “Letërsia popullore”.
Ne kemi pasur raste kur disa fëmijë shqiptarë ankoheshin tek prindërit e tyre: përse nuk quhen Teuta, Agim apo Dardan, por Osman dhe Zarife ose Pjetër dhe Katarina. Me anën e këtyre emrave jashtë leksikut të gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë krijohet një kompleks me pasoja psikologjike. Gjatë mësimit të gjuhës suedeze mësuesja praktikonte që në tabelë të shkruante emra të ndryshëm të nxënësve sipas përkatësisë së tyre kombëtare, ku në klasë ishim dy shqiptarë me përkatësi të ndryshme fetare, atëherë ne detyroheshim që të tregonim emra vetjakë shqiptarë, dhe jo fetarë, siç janë: Korabi, Lindita, Zana, Gëzimi, Artani etj. Për çdo kritikë është edhe pagëzimi me emrat e personaliteteve të ndryshme botërore, siç janë: Albert, Elvis, Robert, Indira, Elizabeta, Suzana, që emra të hua dhe kumbojnë si emra karrieristë të kozmopolitizmit. „Si shenjë e kësaj vazhdimësie, fëmijëve shqiptarë kur lindin, u vihen emra ilirë, – shkruan studiuesi anglez Robert Elsie në librin e tij Historia e letërsisë shqiptare. Pagëzimi i fëmijëve të porsalindur me emra bashkëkohorë shqiptarë, njëherit do të thotë emancipim kombëtar të cilën shovinizmi serb me çdo mjet e ka penguar.
Pagëzimi i fëmijëve shqiptarë me emra shqip ka edhe një përparësi dalluese në fushën e informatikës kompjuterike. Nëse në bibliografinë e korporatës google kërkojmë emrin e një shqiptari që quhet Hasan apo Suzana, në regjistrin e internetit do të paraqiten me dhjetëra faqe me emra të popujve të ndryshëm në botë, dhe është bukur vështirë të dallohen nëse Hasani apo Suzana janë shqiptarë. Kurse po të kërkohen emrat e shqiptarëve në gjuhën shqipe pa dallime fetare, rezultati në internetin shqiptar do të shfaqet më shpejt dhe do të dallohet më saktë se emrat joshqiptarë. Pikërisht emri patriot është i mirë, ka kuptimin e njeriut që do atdheun dhe popullin e vet, mirëpo është emër neolatin.
Këtë fond kaq të pasur e të mrekullueshëm me emra të toponomastikës ilire-shqiqptare na e ka zili tërë Evropa, prandaj ne duhet të bëhemi fanatikë për ruajtjen e trashëgimisë së emrave shqiptarë. Emri i popullarizuar Ana është përhapur në mbarë botën e konfeksionit katolik dhe ortodoks. Ky emër i bukur që shqiptohet dhe shkruhet me dy shkronja të parë të abëcësë shqipe, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, do të thotë drejtim, krah, pjesa, dhe anije, skaj, buzë, vendi, ana e lumit, e detit, e kodrës, ana e jugut dhe e veriut, ana jonë, ana e kundërt, në të katër anët, anë për anë, pastaj kompozitat: anamali, anadrini, anembanë, anëdeti, anasi etj. Të gjithë shqiptarë anembanë botës i lidh vetëm abeceja dhe gjuha shqipe, prandaj duhet që edhe emrat e fëmijëve të jenë me burim të gjuhës iliro-shqiptare. Është për çdo kritikë kur në ish-Jugosllavi, në rrethana të shtypjes, prindërit fëmijët i pagëzonim me emra shqiptarë, sot nipat dhe mbesat e prindërve me emra shqiptarë fëmijët i pagëzojnë me emra fetarë dhe kozmopolitë. Ngjashëm po ndodh edhe në Shqipëri, dikur në Shqipërinë Socialiste, prindërit fëmijët i pagëzonim me emra shqiptarë, sot po ndodh e kundërta, nipat dhe mbesat e prindërve me emra shqiptarë fëmijët i pagëzojnë me emra fetarë dhe kozmopolitë.
Sa i përket emrave historikë të kulturës, letërsisë dhe historisë kombëtare, siç janë të: Sami dhe Naim Frashërit, Mihail Gramenos, Sevasti Qiriazit, Bajram Currit, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Adem Jasharit, Fehmi Lladrovcit etj. janë emra personalitetesh të shquara kombëtare që populli shqiptar i nderon, me emërtimin e rrugëve të qyteteve, objekteve shkollore, klubeve si dhe shumë institucioneve të ndryshme kulturore. Duhet të kemi parasysh dashurinë e tyre të madhe ndaj Nënës Shqipëri, prandaj dëshirohet që fëmijët të pagëzohen vetëm me emra të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Konkretisht porosia ime e fundit që do t´ju lë fëmijëve të mi është që emri im Beqir të nderohet si personalitet familjar, por jo të trashëgohet, sepse nuk i përket fjalorit të gjuhës shqipe; kurse emrat e fëmijëve të mi, për të cilët kam bërë një luftë kundër ndikimit fetar: Arben, Dritan, Dardan, Adriatik dhe Genta janë burimorë shqiptarë, ndaj mund të trashëgohen brez pas brezi. Kujtoni urtësinë e poetit të madh, Naim Frashëri “Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël, sa e gjerë, sa e lehtë sa e lirë, sa e bukur, sa e vlerë”. Me këto vargje atdhedashurie obligohet që çdo shqiptar t´i dalë zot çështjes sonë të madhe kombëtare.
Mbiemrat e bukur me burim shqiptar
Ashtu siç është e pasur gjuha shqipe me emra të bukur njerëzish, është e pasur edhe me mbiemra të bukur dhe të vjetër fisnor: Kelmendi, Tomorri, Korabi, Frashëri, Krasniqi, Kuqi, Berisha, Gashi, Hoti, Thaçi, Kastrati, Elshani, Kodra, Lumi, Malaj, Zogu, Drini, Anamali, Fusha, Bjeshka, Sokoli etj. Duhet pasur parasysh se fusha e antroponimisë së mbiemrave shqipe nuk është e varfër, përkundrazi është shumë më e pasur se mbiemrat e mbarë popullit të madh gjerman. Kjo është për shkak se të gjitha fiset e vjetra ilire janë shkrirë në bërthamën e vetme shqiptare. Ilirët edhe pse ishin nën administratën e perandorisë romake, traditën dhe emrat e fëmijëve i kishin në gjuhën ilire – shqipe. Dihet që populli shqiptar nuk ka fise të pastra fetare, por vetëm fise me burime shqiptare. Për shembull fisi Berishë dhe Krasniq në Kosovë është i përzier në dy konfeksione fetare: katolik dhe mysliman. Në bazë të mbiemrave vetjakë shqiptarë të njerëzve ne mund të zbulojmë më lehtë përkatësinë kombëtare, sidomos në mërgatën shqiptare. Nëse në derën e banesës së shqiptarit në mërgatë shkruan me emër dhe mbiemër sipas përkatësisë fetare, bashkatdhetari e ka vështirë të konstatojë në është shqiptar. Në anën tjetër, të rinjtë shqiptarë me emra dhe mbiemra të traditës shqiptare shumë lehtë mund të identifikohen si shqiptarë në mërgatë. Kur dikush paraqitet me emër dhe mbiemër shqip Burim Kabashi, pa dyshim shihet se ky nuk është askush tjetër pos shqiptar pa dallime fetare. Njëkohësisht, me anën e emrave dhe mbiemrave të kulturës kombëtare, rinia shqiptare identifikohet shumë lehtë se është me burim shqiptar. Është e pamundur që familjet shqiptare të jenë pa mbiemra fisnorë të qytetërimit shqiptar, shumica e pleqve janë në gjendje të identifikohen me burim të djepit shqiptar, të cilët më vonë kanë marrë mbiemrin e ri mysliman sipas kryeplakut. Si vazhdim i traditës së kulturës iliro-shqiptare dallohen edhe bujqit shqiptarë, të cilët bagëtinë e tyre e thërrasin me emra të antroponimisë shqiptare, siç janë: Murroja, Kuqoja, Larushi, Bozhurja, Gala, Gjeraku, Rudina, Sokoli, Syska etj. Prandaj do të ishte krim po të thërrisnim bagëtinë shqiptare me emra sllav e turk.
Krahas transformimit të gjuhës shqipe duhet të transformohet edhe antroponimia e emrave dhe mbiemrave shqiptare. Dihet që gjuha shqipe është më e vjetër se kultura e pushtimit 500-vjeçar të perandorisë osmane, prandaj nuk jemi të detyruar që në mënyrë fanatike t’i përmbahemi mbiemrave sipas diktatit turk, e cila bie në kundërshtim me normat e gjuhës dhe traditës shqiptare. Ngjashëm porsi pushtuesi turk që me anën e emrave dhe mbiemrave turk u mundua të asimilojë popullin vendës shqiptar, të njëjtën gjë e zbatoi edhe pushtuesi serbosllav. Pushtuesit serbosllav nuk i pengonin emrat dhe mbiemrat me prejardhje turke, edhe pse antroponimia shqiptare është e djepit tërë kulturës evropiane, por donte që nën vellon e kësaj shqiptarët t’i merrte për turq dhe në fund t’i dëbonte në Anadolli. Për shembull emri themelor bunar është fjalë e gjuhës shqipe që rrjedh prej fjalës burim (bunim), mirëpo për inat të shqiptarëve historiografia serbe shkruan se është me prejardhje turke. Këtu shihet se si me anën e emrave dhe mbiemrave të huaj ishim objekt i torturimit dhe i ndjekjes nga ana e pushtuesve të ndryshëm. Këtë atmosferë të zymtë me mbiemra orientale e përjetuan sidomos shqiptarët e Kosovës verilindore, dhe të Maqedonisë. Sa i përket pagëzimit të fëmijëve me emra shqiptarë Shqipëria ka përparuar dukshëm, mirëpo në fushën e mbiemrave me përkatësi fetare është treguar fanatike. Me mbiemra turko/myslimane manovruan kryesisht serbo-malazezo-maqedonët, të cilët mbiemrin Hasani e ndryshonin në Hasanoviq dhe në Hasanovski. Prandaj ashtu siç dallohen popujt sllavë me anën e mbaresave -viq, -ski, suedezët -son (i biri), duhet të dallohen gjithë shqiptarët pa dallime fetare me mbiemra të etnogje-nezës ilire, sepse është në të mirën e kombit dhe atdheut tonë. Shqiptarët flasin e shkruajnë shqip, prandaj duhet të kenë emra me burime ilire.
Suedi, 2002

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 20/09/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk