PAK FJALË PËR POETIN ESAT MEKULI

23
Jun
2023

Shkruan: Fadil Shyti
Poeti i qëndresës i dhembjes dhe i krenarisë shqiptare Esat Mekuli, ishte njëri nga yjet e letërsisë sonë që po fillonte hapat e para pas Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.
-Kur Kosova dhe Viset tjera shqiptare, ranë përsëri nën robërinë e krajlive serbo-jugosllave, – Esat Mekluli, këndoi me guxim, dhembje e krenari për gjakun dhe djersën e shqiptarëve në trojet e veta të robëruara dhe më tej -kur detyroheshin të emigrojnë , kur ishin skajshmërisht të shtypur, të përbuzur, të robëruar dhe shumë të varfëruar.
-Kujtojmë, poemat dhe poezitë e tij flakadane me zjarrin e kushtrimeve partizane që i zgjonin nga gjumi gjumashët, “kosovarë” “tetovarë” “ ulqinakë” e të tjerë…, -ithtarët e mjerë të titizmit jugosllav që, kujtonin se “çka fluturon hahet”, se në ish-Jugosllavinë e Tito -Rankoviqit , shqiptarët nuk ishin të humbur, nuk ishin të shtypur, por kishin “vëllazërim-bashkim” -sepse “parajsa jugosllave”, në paqen e saj, nuk u jepte atyre plumba kresë dhe kërbaçin shpinës- por u jepte “irredentistëve, nacionalistëve, shovinistëve”, shqiptarëve që ishin të mashtruar nga propaganda e PPSH-së dhe Enver Hoxha, atyre që kërkonin kërkesa “ të panevojshme që nuk i donte” populli shqiptar në ish-Jugosllavi; ato kërkesa të qarta politike, që statusi i Kosovës të avancohej më tej dhe ribashkimi i viseve shqiptare, të mbetura padrejtësisht në ish- Jugosllavi të ribashkoheshin me shtetin amë-Shqipërinë.
-Poemat dhe poezitë e të madhit poet, Esat Mekuli si:
A është fajtor shqiptari?!
Kush i pari bani?!
O vëlla me sharrë në krah!…
E të tjera si këto, janë klithje revoltash e grishje për qëndresë, që atëbotë pak poetë e poetesha të mëdhenj nga stilet e tyre moderniste allë titiste , por shumë të vegjël –shpirtërisht; – kanë guxuar t´i shkruajnë dhe t´i botojnë në shtypin e asaj kohe me shumë të papritura e rreziqe nga çakejtë e serbo-sllavisë fashiste, e cila në mëngjeset e errëta dimërore të burgoste, në mesditë të plagoste, në mbrëmje të vriste-pastaj po ata xhelatë hiç se kishin për turp apo dert të vinin te varri e të derdhnin lot krokodilësh e të vajtonin…
-Po e përfundoj këtë përsiatje të thuktë me një rrëfim të Bacit Adem Demaçi, të cilin me një rast; (kujtoj në fillim të viteve 90-ta), kur njëri nga gazetarët e ka pyetur: “Ju ilegalët a kishit dikë pranë vetes që ju ndihmonte, pra që guxonte t´u përkrahte fshehurazi nga ato “shtresat e larta”, të institucioneve kulturore dhe politike?
-Ay, pasi u mendua pak -tha:
“Po i kishim dy veta; Esat Mekulin, që punonte në Rilindje” dhe Ilaz Kurteshin, i cili ishte njëri ngas udhëheqësit e asaj të ashtuquajturës, Krahinës Autonome të Kosovës”, e kishim dhe ndonjë tjetër që ndofta është herët të flitet për të ”…
Të tillë dishepuj të shqiptarisë të cilët vepronin në strofullat e armiqve – nuk duhet dhe kurrsesi nuk guxojmë t´i harrojmë!!!
Përndryshe, do të na mallkojë historia!
Lavdi jetës dhe veprës së ndritur të flakadanit të letërsisë revolucionare shqiptare, Esat Mekulit !
Më 23 Qershor. 2013.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 23/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk