Faktet mbetën jashtë studios. Brenda, tymi vallëzonte mbi gënjeshtra. U përmend drejtësia, por u ushqye turpi. Si u cenzurua e vërteta në TV Dukagjini.
Panduri si Prokuror, Zeka si Hakmarrës: Tribunali i Rremë i Dukagjinit
May-29-2025
Si u përdor një studio televizive për një gjyq publik pa prova
Mbrëmja e së mërkurës në televizionin Dukagjini nuk solli vetëm zëra, solli tym. Jo tymin që del kur ndriçon drita, por atë që del kur digjet arsyeja. Në një emision të drejtpërdrejtë, ku Milaim Zeka¹, me duart bosh dhe gojën plot, kishte sjellë shpifjet e tij të fabrikuara ndaj Gjykatës së Kosovës në Hagë, u prit që pretendimet e tij të diskredituara e të rënda për korrupsion ndaj Dhomave të Specializuara të transmetoheshin, por jo edhe të verifikoheshin.
Verifikimi, si duket, nuk kishte qenë i ftuar atë mbrëmje. Aty ku duhej të vendosej reflektori mbi fakte, u ndezën prozhektorët mbi një akt të përgatitur dobët, me tonin e një teatri rruge: aktorë të paftuar, dëshmitarë të papërgatitur dhe një publik që nuk kërkonte më të vërtetën, por spektaklin. Fjalët nuk u renditën për të sqaruar, por për të zhurmuar. Mikrofonët nuk u ndezën për të dëgjuar, por për të shuar zërin e atij që guxon të flasë.
Tym kishte kudo, në sy, në vesh, në ndërgjegje. Sepse aty nuk po ndodhte një debat, por një dënim pa gjyq. Dhe më tragjikja ishte se as dënimi nuk kishte arsye; kishte vetëm një qëllim: të trembë të vërtetën që guxon të ekspozojë rrënjët e krimit të organizuar. Në atë mbrëmje, drejtësia nuk u ftua. U ftua heshtja. Dhe kur ajo nuk erdhi, u imponua me ndërprerje, me zë të mbyllur dhe me shpifje të lëshuara pa asnjë filtër etik.
Në atë emision, Milaim Zeka, një figurë e njohur për përdorim të shpeshtë të shpifjes si metodë për të maskuar hallkat e veta në rrjetin e errët të ndikimit, kishte ardhur për të hedhur pretendime që, siç do të zbulohej, nuk ishin gjë tjetër përveç tentativës për të shpëtuar lëkurën e vet dhe të bashkëpunëtorëve të tij nga hetimet për përpjekje për të minuar legjitimitetin e drejtësisë së Kosovës në Hagë.
Në fillim të emisionit, Zeka përmend emrin tim, Vudi Xhymshiti, duke u munduar të më lidhë me një akuzë të shpikur për “prezencë në Beograd” dhe “bashkëpunim me agjentë të huaj”. Një lexues më njofton se emri im është përmendur në emision, dhe i dërgoj drejtuesit të emisionit, Ermal Panduri, dy artikuj investigativë që zbulojnë lidhjet e errëta të Zekës me figura të dyshimta, përfshirë edhe një operativ rus të quajtur Halit Sahitaj².
Panduri më telefonon në Facebook dhe, me mendimin se ai kërkonte të kuptonte më shumë për gjetjet e hulumtimeve tona, e pranoj thirrjen. Nuk e dija se po transmetohesha live.
“A ke qenë në Beograd?” – më thërret me ngulm Panduri, duke shpërfillur çdo përpjekje timen për të dhënë kontekst.
“Nuk mund të përgjigjem për një situatë të trilluar,” i them, “sepse nuk dua t’i jap legjitimitet një gënjeshtre.”
Por aty ndërhyjnë të tjerët. Zeka me sulme personale, Lirim Mehmetaj me tone të paduruara:
“O a ke qenë në Beograd o zotëri, nuk po na interesojnë njohjet e tua me persona të tjerë.”
Përgjigjja ime ishte e qartë:
“Halit Sahitaj është përpjekur të më korruptojë për të publikuar një dokument të fabrikuar që targetonte Richard Grenell, nën direktiva të Zekës.”³
Por mikrofonin ma mbyllin. Panduri e ndal zërin tim, duke ia kaluar fjalën Zekës, i cili shpërthen në akuza të ulëta:
“Po ti je faqezi, ti je rrenc, ti je spekullant… hajde në studio, hajde thuaj!”
Në këtë moment, emisioni e humbi çdo përmbajtje të një debati televiziv. Ky ishte një kurth.
Kur gazetaria shndërrohet në mjet për linçim publik
Nëse Panduri do të kishte vepruar kështu në Britani, pasojat do të ishin të menjëhershme.
Në një shoqëri demokratike, e sidomos në një vend me kulturë të përparuar të mediave siç është Britania, sjellja e gazetarit Ermal Panduri do të cilësohej si abuzim i rëndë me pushtetin editorial. Atë natë, ai nuk ishte moderator. Ishte një kapës mikrofonash, një ofrues i një fushate publike linçimi ndaj një gazetari investigativ që kishte sjellë në dritë fakte të rënda për rrjete të dyshimta kriminale.
Në vend se të më ofronte hapësirë për të dhënë shpjegime, ai zgjodhi të më vendoste në një pozicion të pamundur: i thirrur për “shpjegim”, por i ndërprerë kurdoherë që përpiqesha të sqaroj. Mikrofonin ma ndaloi kur Zeka nisi shpifjet. Kjo është e papranueshme.
Nëse kjo do të ndodhte në një program britanik, le të marrim për krahasim “Newsnight” në BBC, drejtori editorial dhe producenti do të thirreshin për hetim të brendshëm. Rregullorja e Ofcom (Autoriteti Rregullues i Medias në Britani) ndalon qartë çdo formë të manipulimit, mosbalancës apo përpjekjejes për të turpëruar publikisht një individ pa i dhënë mundësi të barabartë për t’u mbrojtur.
Në Britani, veprimet e Pandurit do të shiheshin si:
Shkelje etike e kodit të Ofcom: për shkak të mosgarantimit të të drejtës për përgjigje dhe ndërprerjeve të vazhdueshme të palës së akuzuar.
Shkelje e parimit të “due impartiality”: që kërkon një trajtim të balancuar të palëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për akuza serioze.
Praktikë gazetarie që synon linçim dhe jo informim.
Në Shqipëri dhe Kosovë, shpesh e vërteta mbytet nga spektakli. Por kjo nuk e amniston askënd. Kur gazetaria bëhet armë për të shpifur, atëherë nuk jemi më në fushën e informimit. Jemi në fushën e propagandës dhe shpifjes.
“Të lutem, më lejo të sqaroj…” – e përsërita disa herë. Por më shumë se pesë herë u ndërpre fjala ime.
Ermal Panduri, në vend se të respektonte minimumin etik të ftesës që më kishte bërë, më keqpërdori si figurë për spektakël. Kur ndodhen përballë një të vërtete që trondit rrënjët e një rrjeti të errët, ata që kanë frikë nga ajo e vërtetë, ose e mohojnë, ose përpiqen ta bëjnë qesharake. E në këtë rast, Panduri bëri të dytën. Dhe me vetëdije.
Ky nuk ishte emision. Ishte një provë gjyqi e tipit sovjetik, ku aktakuza lexohet para dëshmitarit, pa gjykatës, pa mbrojtës, pa fakt.
Dhe në këtë rast, dëshmitari nuk u lejua as të fliste.
Në një vend që pretendon të jetë demokratik, kjo nuk duhet të kalojë pa përgjegjësi.
Nëse dikush si Panduri do të përpiqej të bënte diçka të ngjashme në BBC apo Channel 4, do të ndodhte vetëm një gjë: do të pushohej nga puna, dhe do të hetohej nga rregullatorët për shkelje të rënda etike.
Një Gazetar, një Ndërmjetës dhe një Mjeshtër i Manipulimit
Milaim Zeka: dezinformues i lidhur me krimin dhe shërbimet ruse, që paguhet për të shtrembëruar narrativën e Kosovës për të goditur Tribunalin Kosovar të drejtësisë në Hagë. Kronika e Hulumtimeve The GPC/Spotlight.
2
Në Zemër të Makinerisë së Dezinformimit
Nga Krimi te Operacionet Sekrete: Si Halit Sahitaj dhe Milaim Zeka synojnë Tribunalin e Kosovës në një luftë të rrezikshme dezinformimi. Kush janë në të vërtetë këta? — Kronika e Hulumtimeve The GPC/Spotlight.
3
Brenda Komplotit për Shkatërrimin e Gjykatës Speciale
Si më ofroi një person me nofkën ‘Laky Laky’ 5,000 euro për të botuar një tregim të rremë për Richard Grenell, duke e demaskuar një rrjet të madh të dezinformimit kundër drejtësisë në Kosovë. — Kronika e Hulumtimeve The GPC/Spotlight
Kosova e ka nevojë urgjente për një Ofcom të vetin.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!