PARA BUSTIT TE SELAM MUSAIT

30
Jul
2023
Shkruan: Dilaver Goxhaj


Selam Musai udhëhoqi fshatarët e Labërisë, në Luftën e Vlorës 1920, kundër forcave okupuese italiane me garnizonin e Kotës, Drashovicës, Kaninës e rrethinave të Vlorës. Në luftime, u shqua aftësia e tij udhëheqëse dhe trimëria e tij, në luftimet që shkuan deri në trup më trup në “Qafë të Koçiut” ku dha jetën për çlirimin e vendit më 26 korrik 1920,(sipas gazetës “Drita” e Gjirokastrës, 27 korrik 1920)…
Baladë
Nga poeti AGIM SHEHU
.
Koha hedh pa prerë
Përmbi festen tënde:
Dimri – flokë bore,
Vera – dritë hëne.
.
Dhe vinë të mveshin
Rreth duke t’u mbledhur;
Ndërsa ti në heshtje
Rri në bronx i derdhur.
.
Eh, gjith këtë Bronx
Gjallë ku ta gjëje,
Vetë do ta shkrijë,
Plumba do t’i bëje.
.
Rri … Po nuk rrihet,
Ndaj të vinë mornica.
. . . Vrapi yt endet
“Poshtë nga Babica”.
.
. . . Lugjesh në ato net
Zbrite si veri;
Prozhektorët ndiqnin
Sharkun tënd të zi.
.
Flaka nëpër duar
Me rrëmbim të futëj;
Gjalmi mbi dyfek
Dridhej mos këputej.
.
Plumbatë në xhepe
(Gjetur breg pas bregu),
Me thërrime misri
Hynin te dyfeku.
.
Dhe kërcisnin egër
Plumbat tanë të rrallë,
Se kish shpirto misri
Dhe desh gjak në ballë.
.
Malet nëpër mjergull
Sa i zgjoi pushka,
Kafshatën e gojës
Varën poshtë mbi mushka.
.
“Bukë për lirinë
Moj kasolle t’ errta;”
Dhe u drodhë kapistrat
Nga mushkat e serta.
.
“Biruni, o burrani !
Hop!. . . t’i zëmë së gjalli !”
Dhëmbët nga urrejtja
Krrisnin si stërralli.
.
Kështu e pësofsh
Hasëm rrënjëdalë:
Kufomat përposh,
Pëndët përmbi valë.
.
Deti sa të pa
Kur në qafë dole,
Të thirri si nëna,
Ti si djalë i fole;
.
Dhe vërviti valët
Sa të pa te shtegu,
Të të mir’ te gjiri,
Të të sill’ te bregu.
.
Vlora krahëlidhur
Ç’vrull të dha te gjuri;
Malua nga ballkoni
Të tundte flamurin.
.
Ndaj ti, si i dehur
Rrugën poshtë e more. . .
Po ç’kish aq shumë tela,
Ç’ kish aq shumë llogore?!
.
Plagë më plagë, si lule
Ty të doli gjaku.
Me të kuq flamuri
T’u qëndis shajaku.
.
“Kështu rënçim, – fole, –
E ç’vlen sa liria?”
Lule, labi ynë,
Selam Salaria!
.
Plumbat breshërimë
T’u mblodhë brënda. . .
Labët kokë më kokë
U mblodhë te kënga.
.
Si prush kënga jote
U digjte në ballë;
Ndërsa ti, mes këngës
Erdhe prapë i gjallë.
.
Prapë ti, i pari
Zgjuar nga liria.
Ti, lule stërralli,
Selam Salaria.
.
Nga çdo vrimë plumbi
Që në gjoks të shtinë,
Tej për tej të bukur
Shokët panë lirinë.
.
Zilet e këmborët
Heshtën përmbi pllaja.
Lugjet prapë gjëmime
Gatuanin në maja.
.
… Dhe sot, retë nga mali
Që gjëmimet sjellin,
Posi iso labe
Vinë e të mbështjellin.
.
Ti ngul sytë drejt tyre
Si mes luftëtarësh,
Sikur rri mendohe
Ç’këngë do t’ia marrësh.
.
Buzëtë te kënga,
Ballin te liria,
Lule, Selam labi,
Selam Salaria.
.
Çdo tufan zbërthyer
Gjoksin ti ta gjeti;
Sharku si legjendë
Përmbi tel të mbeti.
.
E të vimë te busti
Si në prak të derës,
Po ti as duhanin
S’ke kohë të na dredhësh.
.
Duart i ke zënë.
Ç’ke ashtu në duar?!
Grykë e nxehtë e topit
T’i ka përvëluar.
.
Krahët me shajak
Dredhur nëpër tytë
Hahen nëpër hekur
Sa të shkrepin sytë.
.
. . . Ja kështu në bronx
Ty të ka liria,
Lule, Selam labi,
Selam Salaria.
.
Përmbi festen tënde
Që kur ti ke rënë,
Mali po derdh borë,
Fusha po derdh hënë.
.
Dhe rri, gjoksin hapur
Ballë çdo furtune.
Sharku si legjendë
Telave të tundet.
.
Marë prej librit: Agim Shehu “Vite pa thinja”, Tiranë, 1970, f.6

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 30/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk