PARASHIKIMI I KADARESË, PËR PASHALLARËT TANË MODERNË!

29
Dec
2024
Shkruan: Gjon BRUÇI

Po afishoj shkrimin që nxora pardje ne fejzbuk per miqte e shoket, me disa plotesime, botuar ne gazeten SOT te dates 29 Dhjetor 2021

As Nostradamusi i famshëm nuk ishte kaq preçiz në parashikimet e tij, se sa Kadareja ynë në Romanin e tij “Nëntori i një Kryeqyteti”, ekranizuar në filmin artistik “Radiostacioni”.
Në faqen 143 të romanit, lexojmë këtë dialog të zonjës Mukades, një nga personazhet e romanit, e cila kuvendon në një bodrum me shokët e sojit të saj të përmbysur nga Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe Revolucioni Popullor.
-”A u përmbysëm”!,- dëgjohet një zë i zvargur në një qoshe të bodrumit, ku ishin mbledhur disa nga soji i borgjezëve të para luftës, të cilët nuk kishin arritur të iknin së bashku me “kapot” e tyre pas “karrocës” tashme të prishur të pushtuesve.
Si për t’i mbajtur në nivelin e “shtresës së tyre të lartë”, zonja Mukades ndërhyn dhe thotë:
– “Një urrejtje e gjatë shpeshherë ka prirjen të përfundojë në dashuri” . . . “Pasi të na kenë përmbysur, të na kenë poshtëruar, të na kenë zhbërë, ata papritur do t’i zërë malli për ne”. Më tej ajo vijon: – “Malli për zotërinjtë e përmbysur është në natyrën e njeriut. Do të vijë një ditë, kur pas shembullit tonë, pas fytyrave tona të masakruara, ata do të përpiqen të krijojnë zotërinjtë e tyre. Kur atyre t’u vijë një dëshirë e tillë, kjo do të jetë shenja e parë që ata do të kenë marrë fund. Atëhere ne do të kthehemi”!
. . .
Pa diskutim shkrimtari ynë Kadare, këto fjalë nuk i ka dëgjuar kurrë nga zonja Mukades, atje në bodrumin e errët të kryeqytetit në fund-nëntorin e zjarrtë të vitit 1944. Por janë mendimet dhe fjalët origjinale të autorit të romanit, të shkruara e të publikuara në vitin 1975. Pesëmbëdhjetë vite më vonë, dhe pikërisht në vitin 1990, “profecia” e tij doli e vërtetë.
Shqiptarët me fitoren e LANÇ dhe të Revolucionit Popullor të 29 Nëntorit 1944, i përmbysën afendikojnjtë, bejlerët, agallarët, bajraktarët dhe gjithë skotën e atyre, që për mbi pesë shekuj i kishin pirë gjakun rajasë (popullit), duke i shërbyer nga ana tjetër sulltanit, serbit, grekut, italianit, gjermanit dhe gjithë atyre që lakmuan dhe lakmojnë edhe sot trojet e shqiptarëve.
LANÇ dhe Revolucioni Popullor i udhëhequr nga PKSH dhe Shqiptari i Madh Enver Hoxha, e nxorën popullin tonë nga mesjeta e errët, në dritën dhe rrugën e vërtetë të lirisë, pavarësisë e përparimit, duke na rikujtuar gjithnjë se ish klasat e përmbysura mund të kthehen një ditë, nëse humbim vigjilencën. Këtë paralajmërim na e bëri edhe shkrimtari Ismail Kadare. Romanin e tij “Nëntori i një kryeqyteti” dhe filmin “Radiostacioni”, shumica e shqiptarëve e kanë lexuar, dhe e kanë parë në ekranin e kinemasë. Intelektualët e të gjitha instancave e kanë përuruar dhe komentuar me qindra herë këtë roman (film) me paralajmërimin e mësipërm.
Por shumë prej tyre, rezultoj se mesazhin e shkrimtarit në faqen 143 të romanit në fjalë, nuk e paskeshin lexuar si duhet, e për më keq as nuk e kishin kuptuar. Ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti që në fund të vitit 1990, ne kërkuam që të ktheheshin ish bejlerët, agallarët, borgjezët, dhe bajraktarët. Dhe nga që të “moçmit” e këtij soji mungonin, sepse ishin tretur e firasur në varrezat e pushtuesve, ne vrapuam të krijojmë bejlerët, agallarët dhe bajraktarët e rinj nga “radhët tona”. Në fund të tri dekadave të kësaj “përpjekje”, sot kemi brezin e konsoliduar të pashallarëve dhe agallarëve tanë modernë, të cilët kanë krijuar tashmë piramidën e “pashallëkut” tonë me mbiemrin mashtrues “demokraci”! Në krye të këtij “Pashallëku” janë “sadrazemët” e rinj me emrin Berisha, Rama, Basha, Meta, e ndonjë tjetër, dhe rreth tyre një mori pashallarësh, bejlerësh e bogjezësh të të gjitha ngjyrave politike që ka shpikur pluripartitizmi i sotëm në vendin tonë.
Mjafton të shihni listën e pagave stratoferike të kësaj piramide “pashallarësh”, që këto ditë ka dalë me “bythë jashtë”, dhe do të më jepni të drejtë për konkluzionet e mësipërme.
E gjithë kjo “skemë” ndodhi sepse më 11 prill 1985, Zoti i Konakut tonë, u nda nga jeta, dhe vemjet e reja përfituan e dolën si krimbat e plehut në pranverë, duke na grabitur e degjeneruar gjithë atë që patëm arritur me LANÇ dhe punën vetmohuese të Ndërtimit Socialist.
Në prag të 40 vjetorit të Çlirimit të Atdheut, Shqiptari i madh Enver Hoxha, iu drejtua popullit shqiptar me THIRRJEN – AMANET:
“Ta ruajmë pra, si sytë e ballit gjithçka kemi arritur; ta zhvillojmë me konsekuencë edhe më tej; t’u lëmë brezave të ardhshëm një Shqipëri kurdoherë e më të fortë, kurdoherë të kuqe, si flaka e pashuar e zemrave dhe idealeve komuniste e partizane, një Shqipëri që të rrojë e të përparojë në shekuj!”
Fatkeqësisht këtë Thirrje ne nuk e dëgjuam; këtë Amanet ne nuk e mbajtëm. Kur them “Ne”, nuk e kam fjalën për popullin. Populli qëndroi gjer në minutën e fundit të përmbysjes së madhe. Madje, në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991, në shumicë votoi për të ruajtur rendin socialist, të cilit i ishte përkushtuar me gjak e djersë të pafund. Ndryshe ndodhi me ne intelektualët, komunistët, nëpunësit e shtetit, të privilegjuarit e shoqërisë. Ne, jo vetëm nuk dolëm në krye të popullit për ta shpëtuar atë dhe vendin nga rikthimi i kohërave të errta, por madje disa prej nesh, vrapuan të fitonin titulin e urryer ndër shekuj të Bajraktarit, Bejlerbeut e të Agallarit. Dhe këta “disa” ia arritën qëllimit. Ata na kapardisen sot në majë të priamidës së “pashallëkut” tonë, duke na tundur hapur pasuritë, që na kanë grabitur sypërsy në këta tri dekada të të ashtuquajturës “demokraci” pa asnjë gram të tillë. Këta “bir kurvash” e “karakurvash”, siç shprehet shkodrani, nuk e kanë për gjë që, ndërsa ditën bëjnë sikur hahen me njëri-tjetrin si gjoja “pozitë e opozitë”, sapo perëndon dielli dhe pllakos nata, i gjen të bashkuar nëpër klube nate e resorte, duke ndarë plaçkën që i kanë rrëmbyer e i rrëmbejnë qytetarit, popullit. Pashallarët tanë modernë, janë të sigurtë në veprën e tyre antipopullore e antikombëtare, sepse ashtu si dikur pashallarët tanë kishin mburojë Sulltanin e Turqisë, kanë sot mburojë “sulltanët” e Europës dhe të Ameriqisë.
Sa i “gjatë” është ky tynel errësire, ku na kanë futur antishqiptarët dhe mercenarët?
Përgjigjen e kësaj pyetje e kemi tek poezia luftarake e Nolit “Anës lumejve”:
“Dhe një zë vëgon nga lumi / Më buçet, më zgjon nga gjumi, / Se mileti po gatitet / Se tirani lebetitet, / Se pëlcet, kërcet furtuna, / Fryhet Vjosa, derdhet Buna, / Skuqet Semani dhe Drini, / Dridhet beu dhe zëngjini, / Se pas vdekjes ndriti jeta, / Dhe kudo gjëmon trompeta / Ngrehuni dhe bjeruni / Korrini dhe shypini, / Katundarë e punëtorë, / Që nga Shkodra gjer në Vlorë . . . !”
Thirrja e Nolit nuk është vjetëruar. Ajo qëndron në rend të ditës. Populli shqiptar do ta gjejë rrugën e daljes nga tuneli i errët. Dhe kur të dali, do të dijë ta marrë shpagën për injorimin dhe mandatën që bejlerët dhe pashallarët modernë i kanë imponuar në këto dekada të jashtëzakonshme e të zeza. Dhe shpaga e tij do të jetë e tmerrshme, sa nuk do t’u japë mundësi allabejve e bejlerbejve për të akuzuar komunizmin për ashpërsi në gjykimin e atyre që tallen me shqiptarët dhe trojet e tyre të lashta.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 29/12/2024

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk