PEJA SI ROMA – TË GJITHA RRUGËT SHPIJNË NË PEJË !

23
Jun
2023

(E kujt është gazeta Express, televizionet T7 dhe ABC News)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!


Shkruan: Ali Mehmeti
22.06.2023

Televizioni T7 dhe Gazeta Express, edhe pse ekzistojnë edhe më herret, janë të regjistruar në ARBK në vitin 2018 me kapital 174 mijë euro, respektivisht 18 mijë euro. Të dy këto mediume ishin në pronësi të ndërmarrjes “Media Works” sh.p.k. të regjistruar në ARBK në vitin 2004 me kapital 1,613,901.29€. E përbashkëta e të tre kompanive është se për drejtor menaxhues kanë Leonard Kërqukun (foto 1,2 dhe 3). Kurse Media Works është pronë e një kompanie të quajtur “ABC Menagment” (foto 3) e cila nuk është e regjistruar në ARBK, por në Regjistrin Kombëtar të Qendrës Kombëtare të Biznesit të Shqipërisë (RKQKB). Është interesante se kjo kompani është regjistruar me 11.07.2019 me një kapital prej 100 lekë dhe është në pronësi të një shtetase greke të quajtur Efthymia (Vasileios) Gkouma (foto 4).

Kjo kompani, respektivisht kjo zonja nga Selaniku, pa kaluar dy muaj pas regjistrimit u bë pronare e televizionit ABC News nga Tirana të cilin e bleu për 70 milion lekë (rreth 600 mijë euro) (foto 5). Kur e bleu kompaninë “Media Works”, respektivisht Televizionin T7 dhe Gazetën Express nuk është e qartë, sepse mungon historiku në ARBK, por në dhjetor të vitit 2021 ishte pronare e këtyre tre mediumeve me vlerë disa milionë euro.

Megjithatë, 5 muaj pas publikimit tim, më 15 maj të vitit 2022 kjo zonja si pronare e vetme e dy televizioneve dhe një gazete, i shiti të gjitha aksionet e kompaninë “ABC Menagment”, kompanisë “Media ABC Holding BV” të regjistruar në Amsterdam të Holandës, për një çmim prej 100 euro(?!) e cila ishte pronë e kompanisë tjetër të quajtur “Dutch Trust Menagment BV” e përfaqësuar nga znj, Dorina Zhuka (foto 6).

Me 5 tetor 2022 u themelua shoqëria “Media Holding” sh.p.k. në pronësi të Esat Bojku nga Peja, me kapital 1 milion lekë (rreth 9 mijë euro) (foto 7) dhe me administrator Kumbim Shala nga Peja, i cili një muaj më vonë u zëvendësua me dy administratore tjera, Amarda Kapaj dhe Erjona Zaimi. Kurse me 24 nëntor të të njëjtit vit, kjo kompani bëhet pronare e aksioneve të kompanisë “ABC Menagment” të blera nga “Media ABC Holding BV” nga Holanda (foto 8) me çmim prej 2,722,500€ (foto 9).

KONKLUZIONI:

Kompania “ABC Menagment” që kishte në pronësi kompaninë “Media Works”, respektivisht Televizionin T7 dhe Gazetën Express nga Graçanica, sikurse televizionin ABC News nga Tirana, u shit për 100€ një firme në Holandë, për t’u blerë pastaj nga pronari i kompanisë “Media Holding” Esat Bojku nga Peja, për 2,72 milion euro?!

Njëkohësisht, u shndërrua pronësia, nga një shtetase greke të një shtetas nga Kosova.

SHTROHET PYETJA: Pse Esat Bojku nuk e bleu kompaninë “ABC Menagment” direkt nga grekja Efthymia Gkouma për 100 euro, por nga shitësi i panjohur(!?) nga Holanda për 2,72 milion euro? Ose, ku shkuan 2,72 milion euro?

Publiku, edhe mund të mos i kuptoj të gjitha këto akrobacione financiare, por ata që i bënë, sigurisht i kuptojnë më mirë. Do duhej t’i kuptonin edhe institucionet tona shtetërore!

Në ARBK, sot e kësaj dite si pronar të gazetës Express dhe Televizionit T7 figuron kompania MediaWorks, që nuk është e saktë?! Kurse kjo e fundit sikur pronë e “Media ABC Holding BV” nga Holanda, që prapë nuk është e saktë! Sepse të gjitha këto janë në pronësi të “Media Holding” sh.p.k. ku 100% të aksioneve ka Esat Bojku nga Peja.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 23/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk