Pellazgët e shenjtë sipas Homerit ishin ligjbërësit e parë (thesmophoroi) në rajonen ku banonin!

27
May
2025
Shkruan: Kol Marku-Itali


(Folja “them” dhe rrënja e saj e lashtë: Një analizë gjuhësore dhe historike me lidhje pellazge dhe evidentim në gjuhën e ashtuquajtur helene).
Nga Kol Marku
Ky shkrim merr shkas nga një fragment i botuar në librin “Pelasgi stirpe divina. Indagine sull’uomo e sulla civiltà delle origini. Vol. 1” të autores italiane Tiziana Pompili Casanova, botuar nga Drakon Edizioni më 2017 [1].
Libri trajton origjinat e qytetërimeve të lashta dhe rolin themelor që kishin pellazgët në shtrirjen e tyre evropiane dhe mesdhetare. Sipas autores, pellazgët ishin populli i parë civilizues, për të cilët autorët antikë si Katoni, Plini, Dionisi i Halikarnasit e të tjerë, japin referenca të shumta.
Casanova thekson një detaj interesant: se pellazgët ishin ligjbërësit e parë (thesmophoroi)[2]. Këtu lind natyrësisht interesi për ta analizuar prejardhjen dhe domethënien e këtij termi, dhe lidhjen e mundshme me gjuhën shqipe, në veçanti me foljen e përdorur sot “them”.
Termi grek i lashtë thesmophoroi (θεσμοφῳροι) vjen nga thesmos (θεσμῳς, “ligj”) dhe phoroi (φοροῳ, “mbajtës”). Në thelb: “ata që mbajnë ligjin”. Kjo lidhet me festivalin Thesmophoria kushtuar Demetrës, por kuptimi i zgjeruar mund të nënkuptojë themeluesit e ligjeve[3].
Ndërsa në shqip kemi foljen them (“ti the”, “ai tha”, “ata thanë”), që në të vërtetë është një nga veprimi themelor i komunikimit: të shprehësh me fjalë, të shpallësh, të deklarosh.
Kjo ngjashmëri fjalëformuese ngre një sërë pyetjesh: si ka mundësi që greqishtja e lashtë përmban rrënjën “the” pa kuptim aktiv foljor, ndërsa shqipja e ka si folje bazike? A mund të jetë kjo rrënjë një mbetje nga një gjuhë më e lashtë, ndoshta pellazgjishtja, që është ruajtur në gjuhën shqipe?
Studiuesit alternativë sugjerojnë se shqipja mund të jetë pasardhëse e një gjuhe të vjetër ballkanike, që parapriu gjuhët e njohura si ilirishtja, trakishtja dhe helenishtja. Për rrjedhojë, fjalë si them mund të kenë ekzistuar si pjesë e një sistemi të lashtë komunikimi gojor, që ruan ngjashmëri me konceptet si “shpallje ligji”.
Në shqip, forma the është pjesë e një paradigme të foljes së parregullt “them”, ndër foljet më të vjetra të gjuhës. Në kontrast, në greqishten e lashtë rrënja the- shfaqet si element fjalëformues por jo aktiv.
Ky fenomen i “ngurtësimit” të rrënjës mund të jetë rezultat i huazimit nga një gjuhë më e lashtë.
Gjuhët sllave, hungareze, turke e të tjera nuk e përmbajnë formën the me kuptim “të thuash”, duke treguar qartë se forma shqipe është unike dhe me gjasa shumë e hershme.
Sipas Catapano-s, Thoti i Atlantidës, i njohur nga mitet egjiptiane si shpikësi i shkrimit, mund të ketë lidhje me foljen “them” – pra “ai që thotë”[4].
Kjo ide sugjeron se rrënja “the” mund të jetë ruajtur si shenjë e një koncepti universal që lidhet me ligjin, shpalljen, urdhrin dhe komunikimin. Të gjitha këto janë funksione që lidhen ngushtë me qytetërimet e para dhe sistemet e tyre të organizimit.
Studiuesit shqiptarë duhet të marrin këtë si pikënisje për të rimenduar paradigmën e formimit të shqipes dhe statusin e saj në gjuhësitë historike. Duhet tejkaluar teoria që e paraqet shqipen si “gjuhë mesjetare” e formuar pas shekullit VI, dhe të shqyrtohet roli i saj si ruajtëse e elementeve proto-gjuhësore të qytetërimeve të lashta.
____
Fusnota
[1] Tiziana Pompili Casanova, Pelasgi stirpe divina. Indagine sull’uomo e sulla civiltà delle origini, Vol. 1, Drakon Edizioni, 2017.
[2] Po aty, f. 60. Citohet edhe Plini: Historia Naturalis, VII.57: “Pellazgët ishin bartësit e alfabetit në Itali”.
[3] Walter Burkert, Greek Religion, Harvard University Press, 1985, f. 242-245.
[4] Giuseppe Catapano, Il codice linguistico di Atlantide, Milano: Mursia, 2009.
_____
Shenim: Aty ku do të lexoni apo degjoni termat greqishte e lashtë, greqishte homerike e etj., duhet të dini se keto janë terma të krijuara nga studiuesit zyrtarë të pas shek.19-të.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

27 Maj 2025

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk