PËR DISIDENCËN DHE DISIDENTËT

10
Jun
2023

Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Rilexim për reflektim

“Ndaj disidentëve ndërmerren edhe sanksione nga strukturat udhëheqëse të pushtetit, të cilat mund të jenë kërcënime, ndëshkime, bugosje, ndalesa të ndryshme, heqje e mundësisë për avancim në karrierë, përbuzja që pushteti i bën një disidenti përmes opinionit publik, strukturave të specilaizuara të pushtetit dhe mediumeve, ndaj atij që nuk e sheh realitetin siç e shohin të gjithë të tjerët.”
Abdulla Mehmeti
– Çfarë është disidenca dhe kush janë disidentë?
Termi disident burimin e ka nga gjuha latine* dhe ka kuptimin e veprimeve ,,mospajtim”, ,,kundërshtim”, ,,mendim dhe veprim ndryshe”, ,,kondërthënie”, me të cilat cilësohet një individ i cili ,,nuk pajtohet me kushtet ekzistuese”, “që mendon ndryshe”, që përhap ide përparimtare dhe mbron të drejtat dhe liritë themelore të njeriut nga diktatura dhe regjimet jodemokratike ekzistuese.
Ky term është përdorur për herë të parë në vitin 1573, në Konferencën e protestantëve në Varshavë, të cilët nuk i kanë takuar besimit katolik. Në shekullin XVII, ky term është paraqitur edhe në Angli, si emërtim i grupimeve protestante që nuk i kanë takuar Kishës katolike angleze.
Më vonë, kryesisht ndërmjet viteve 1970 deri më 1990, ky term para së gjithash është përdorur për emërtimin e intelektualëve dhe artistëve të cilët publikisht janë angazhuar për liritë dhe të drejtat e njeriut. Për shkak të shprehjes së kritikave publike ndaj regjimeve ekzistuese, ndaj tyre janë zbatuar masa represive, ndjekje dhe persekutime nga ana e pushtetit.
Shumë disidentë të njohur nga këto masa të dhunshme ndaj tyre, janë detyruar të largohen nga vendet e tyre për në mërgim, ose u janë nënshtruar proceseve të montuara politike dhe gjyqësore, të pasuara me burgosje, punë të detyrueshme ose izolim. Disa pret tyre janë deportuar me dhunë nga vendet i tyre, të cilët në ekzil kanë qenë të detyruar ta sigurojnë ekzistencën e re.
Ka shumë raste kur disidentë të njohur janë mbajtur në mënyrë të dhunshme nëpër spitale psikiatrike, ose janë izoluar si ,,të çmendur”, me argumete se ,,secili që guxon dhe i jep të drejtë vetvetes ta kritikojë rendin shoqëror dhe regjimin ekzistues është i sëmurë psikik”.
Termi disident, në kuptimin më të gjerë nënkupton një person i cili nuk pajtohet me mendimin dominues, politikën dhe sistemin shoqëror të mjedisit në të cilin jeton. Ky term përdoret zakonisht për disidentët politikë, sidomos për ata që jetojnë në regjimet jodemokratike.
Disidentët politikë zakonisht përdorin mjete jo të dhunshme në luftën për realizimin ideve dhe mendimeve të tyre, edhe pse disa disidentë ndonjëherë përpiqen ta ndërrojnë ose ta përmbysin pushtetin e caktuar, duke kërkuar mbështetje nga populli, duke nxitur trazira dhe organizuar revolucion.
Zakonisht, disidenca trajtohet si fenomen karakteristik për regjimet jodemokratike, kryesisht për regjimet totalitare. Megjithatë, në kushtet moderne të rritjes së fuqisë së kontrollit mbi të menduarit, përmes propagandës dhe indoktrinimit, në kushte të nivelit relativisht të kënaqshëm të strukturave demokratike në vende të caktuara, disidenca është shndërruar në fenomen gjithnjë e më karakteristik edhe për vendet demokratike.
Jeta e disidentit shpesh është tejet frustruese dhe aspak nuk jep shpresë se ,,më në fund, ai do të ketë të drejtë”. Përveç kësaj, ekzistojnë edhe sanksionet nga strukturat udhëheqëse të pushtetit, të cilat mund të jenë kërcënime, ndëshkime, bugosje, ose ndalesa të ndryshme, heqje e mundësisë për avancim në karrierë, si dhe përbuzja që pushteti i bën një disidenti përmes opinionit publik, strukturave të specilaizuara të pushtetit dhe mediumeve, ndaj atij që ,,nuk e sheh realitetin siç e shohin të gjithë të tjerët”.
Ajo që disidentit i jep forcë dhe durim, pavarësisht nga të gjitha vuajtjet dhe mundimet që përjeton në jetë, për shkak të mospajtimit të tij, është kuptimi i përgjegjësisë intelektuale, që ta thotë dhe përhapë të vërtetën, pa marrë parasysh nëse ajo i pengon ose jo pushtetit, si dhe besimi i disidentit në faktin e thjeshtë se, të qenit njeri kërkon që të merr pozicionin që ka marrë, ose siç ka ndodhur gjatë Luftës së Ftohtë, disa prej tyre, duke e ditur se pala tjetër e vlerëson qëndrimin e tyre, do të kenë mundësi të përparojnë atje, nëse u jepet shansi të kalojnë në anën tjetër.
Kur mendohet për disidentët që kanë vepruar në regjimet jodemokratike, si disidentët më të njohur në nivel botëror njihen: Andrej Saharov, Aleksandër Solzhenicin, Vlladimir Bukovski, Leh Valensa, Vacllav Havel, Nelson Mandela, Jung San Su Çin, ndërsa në kohën më të re, si shembull i disidentit që jeton në demokraci formale, përmendet Noam Çomski.
Nga periudha e regjimit komunist, shumica e shteteve ish socialiste, sidomos shtetet e reja të pavarësuara pas shpërbërjes së federatës jugosllave, disa studiues konsiderojnë se ka pasur shkrimtarë, mendimtarë dhe politikanë që nuk janë pajtuar me rigjimin e asaj kohe dhe se ata bëjnë pjesë në grupin e disidentëve.
Po ashtu, edhe ndër shqiptarët mendohet se ka pasur disa disidentë, si në periudhat e mëhershme, gjatë regjimit komunist dhe në periudhën e pluralizmit dhe tranzicionit demokratik, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe viset tjera, por mungojnë studimet serioze në lidhje me këtë çështje.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk