PËR (JO)LEGJITIMITETIN E PËRFAQËSIMIT TË SHQIPTARËVE NË PUSHTETIN E MAQEDONISË VERIORE

28
Jun
2024
Shkruan: Akademik Abulla Mehmeti

A k t u a l e

(Pse janë dhe sa janë të njëanshme, të padrejta dhe me ngjyrime partiake, debatet në lidhje me çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve në pushtetin e Maqedonisë Veriore)
Përderisa në Maqedoninë Veriore nuk organizohen zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike, askush nuk ka të drejtë të kërkojë legjitimet për qeverisjen e vendit, për aq më pak përfaqësimin e shqiptarëve, në këto kushte, kur kjo varet kryesisht nga marrëveshjet politike mes subjektit që ka fituar më tepër mandate dhe të drejtën e formimit të Qeverisë me subjekte të tjera që e pranojnë programin e saj, jo nga e drejta legjitime e sovranit, me dalje më të ulët se 50% në zgjedhje.
(Në zgjedhjet parlamentare të majit të këtij viti, në njësinë zgjedhore VI, ku i fitojnë shumicën e mandateve subjektet politike të shqiptarëve, dalja në votime ka qenë 42,90 %.)
1. Maqedonia Verore ka gjithsej 1. 829. 954 banorë.
Numri i banorëve rezidentë, sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës, më 31. 12. 2022, nga publikimi “Maqedonia Verore në numra, 2023”, f. 12.
2. Maqedonia Veriore ka gjithsej 1. 815. 350 votues.
Numri i zgjedhësve sipas Listës së përgjithshme të votuesve, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024.
3. Deri në fund të vitit 2018, mbi 630. 000 banorë, afër 1/3 e banorëve të Maqedonisë Veriore e kanë braktisur vendin.
Numri i banorë të Maqedonisë Veriore të larguar në botën e jashtme, sipas Bankës Botërore, është mbi 630. 000 banorë deri në fund të vitit 2018.
4. Pushteti në Maqedoninë Veriore ka dhënë mbi 2. 460. 000 shtetësi. Këta persona janë pajisur me dokumente personale, letërnjoftime dhe pasaporta.
“Në shtet janë dhënë diçka më tepër se 2 milionë e 400 mijë shtetësi dhe kjo është lista e votuesve, domethënë numri prej 1 milion e 800 mijë votuesve është numër real në Listën e përgjithshme zgjedhore.”
– Oliver Derkoski, ish-kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) në Maqedoninë Veriore (AIM)
Nga numri i banorëve jorezidentë, në Listën e përgjithshme të zgjedhësve janë përfshirë afër 450.000 votues fiktivë. Në disa cikle zgjedhore, mediet e vendit dhe të huaja kanë publikuar të dhëna për keqpërdorimet e shumta në zgjedhje, për një numër të madh të votuesve fiktivë, presona të njëjtë në disa vendbanime të ndryshme dhe me dokumente personale (pasaporta dhe letërnjoftime) të dyfishta.
Numri gati i barabartë i votuesve, sipas Listës së përgjithshme, me numrin e përgjithshëm të banorëve është rezultat i përfshirjes së votuesve fiktivë, sipas shtetësive që i ka dhënë pushteti i Maqedonisë Veriore. Kjo nënkupton se, numri i banorëve të moshës prej 0 – 18, të cilët nuk kanë të drejtë vote, e që marrin pjesë në numrin përgjithshëm të banorëve, janë zëvendësuar me numrin e votuese fiktivë, sipas numrit të shtetësive të paligjshme që ia dhënë pushteti i këtij vendi, kryesisht gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.
Kjo është arsyeja kryesore pse pushteti në Maqedoninë Veriore asnjëherë nuk ka organizuar zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, që nga pavarësia e vendit (1991) deri më sot (2024).
Me këtë rast duhet të theksojmë se, asnjëherë partitë më të mëdha politike të kampit maqedonas, në asnjë cikël zgjedhor nuk kanë hyrë të vetme, por në koalicione me partitë më të vogla kryesisht të bashkësive etnike pakicë, të serbëve, turqve, romëve, vllahëve, boshnjakëve etj. Edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare të majit 2024, koalicioni “Për Maqedoninë Tënde”, i udhëhequr nga OBRM-PDUKM (VMRO-DPMNE), ky kalicion është përbërë nga 21 parti të tjera politike, duke i sjellë një fitore me sigurimin e 58 mandateve, nga 120 sa ka gjithsej Parlamenti i Maqedonisë Veriore. E përkthyer në përqindje, kjo nënkupton se për këtë parti politike kanë votuar të gjithë banorët me përkatësi etnike maqedonase, nëse nuk llogaritet përqindja e votuesve fiktivë në Listën zgjedhore, përkatësisht manipulimet e pushtetit me zgjedhjet, në kushtet që i theksuam më lartë!
Ky fenomen absurd përbën një tragjikomedi ndaj qytetarëve të vendit, të organizuar nga pushteti dhe partitë politike.
(28. 6. 2024)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 28/06/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk