Në fëmijëri habitesha kur pleqtë luteshin: “Zot, më ruaj mendtë!”, mendoja që njeriu mund të humbë dritën e syve, dëgjimin apo ndonjë gjymtyrë të trupit, mirëpo nuk mund të humbë mendtë (arsyen). Nuk mund të humbë, pasi që mendtë gjenden brenda në kafkë, siç thuhet me asht, me lëkurë e me flokë, besa edhe me kapelë. Prandaj sipas anekdotës “kur erdhën mendtë, më ikën dhentë”, sot disa njerëz as mend, as dhentë nuk i kanë.
Shkrimi për ngjarjen në gjimnazin “Hydajet Lezha” të Lezhës fillon me fjalën neolatine ´prononcim´, të cilën FGjSh nuk e përfshin, prandaj duhet shkruar “Në një deklarim për mediat”. Përdorimi i fjalës së huaj në vend të fjalës shqipe të kujton pulën e majme të fqinjës. Lidhur me akuzën e nxënësit që e akuzon mësuesen se nxënësve nuk u lejohet mbajtja e telefonave në orën e mësimit, nuk ka asgjë të keqe. Në mbarë botën shkollore bëhet pengimi i telefonave në orët mësimore. Edhe në shkollat suedeze ndalohet mbajtja e telefonit në orën mësimore. Prandaj është shembull i mirë që mësuesja e matematikës ndalon mbajtjen e telefonave.
Në vazhdim, mësuesja e matematikës në shkollën e mesme në Lezhë, si pedagoge e institucionit arsimor, nuk ka nevojë të betohet as në shpirtin apo në eshtrat e babait të saj, jo më në shpirtin e babait të ndjerë të nxënësit, që do ta ngelë në klasë e të ngjashme. Mësuesja nuk duhet t’i shqetësojë me anën e kërcënimeve psikike, duhet t´i përmbahet parimit pedagogjik. Megjithatë, nga ana etike, është e pamundur që mësuesja të jetë betuar në babanë e nxënësit, prandaj prindërit duhet të jenë të matur në deklaratat emocionuese të fëmijëve. Të qortohet nxënësi me ngelje në klasë është akuzë e rëndë, për të cilën edhe mban përgjegjësi pedagogjike. Megjithëse sulmi fizik i nxënësit me karrige ndaj mësueses së matematikës, të cilën e bëri për spital, është për çdo kritikë. Tekefundit, nxënësi nën efektin e tronditjes mësuesen nuk duhej ta sulmonte as me grusht, jo më me mjete të forta. Prandaj plagosjen e mësueses nxënësi duhet të dalë para drejtësisë.
Ngjashëm ka ndodhur edhe në rininë time shkollore në gjimnaz, një nxënës në klasë për shkak të qortimit, arsimtarin e sulmoi me grusht, ndërkohë nxënësit e mbrojtën arsimtarin. Mirëpo arsimtari ishte pedagog me përvojë, ndaj e kuptoi zemërimin e nxënësit. Prandaj mendoj se gabime ka në të dy palët: prej nxënësve që nuk mbajnë disiplínë si dhe prej mësueses me qëndrim të ashpër ndaj nxënësve. Ka shtatë vjet që në bulevardin e qytetit janë mbjellë me qindra drurë, mirëpo për t´i mbrojtur nga ernat e stuhishme dhe dëmtimi rrugor, ende janë të rrethuar me shtylla trekëndësh. Prandaj nxënësit ende kanë nevojë për shtylla të forta pedagogjike.
Ne vetë po i shohim, të rinjtë nuk dinë të shprehen. Në vend se i riu të thotë që polici e grushtoi apo e qëlloi me grusht, thotë “Polici ma hini me grusht”. Pastaj kur nxënësi e mbaron gjimnazin, edhe qindra klerikë të thonë që toka është e sheshtë dhe nuk sillet, gjimnazisti nuk duhet të mashtrohet në dogmat fetare. Mbaj mend në shkollën fillore në vitet ´60-ta, po qe se nuk i dinim kryeqytetet e shteteve evropiane, turpëroheshim, ndërkaq në pyetjen e reporterit se cili është kryeqyteti i Zvicrës, i riu prishtinas thotë që nuk e di. Në kohën time e dinim që Cyrihu është qytet më madh, por e dinim që kryeqytet është Berna; po ashtu e dinim që Nju Jorku është qytet më i madh në SHBA dhe në botë, por e dinim që Uashingtoni është kryeqytet. Në muajin korrik isha në Ulqin, gjatë rrezitjes në Plazhin e Vogël kam lexuar disa romane dhe revistën e vendit “Koha”. Vetëm një vajzë e kam parë me libër nën çadër. Gjatë leximit kam mbajtur shënime nën diellin përvëlues të Adriatikut. Është për të ardhur keq, që tek rinia mungon vullneti për lexim. Tekefundit, revista kulturore “Koha” shitet me çmim modest, për habi askund nuk hasa ndonjë qytetar duke shfletuar.
E kuptoj zemërimin e prindërve për bijtë e tyre, megjithatë sulmin fizik ndaj mësueses duhet qortuar, sepse është në dëm të ardhmërisë së tyre. Me një rast në shkollën fillore në Therandë nxënësit u grindën, prandaj kujdestari i klasës i qortoi me shkop. Të nesërmen prindi prej zemërimit, në shenjë hakmarrje arsimtarin e mbërtheu në gjoks, mirëpo kolegët e punës e mbrojtën. Për fat të keq, më vonë ky djalosh tashmë i rritur e dhunon një vajzë, për të cilën edhe dënohet me burg. Përkundrazi, në vitet e zjarrta për mbrojtjen e Kosovës nga dhuna jugosllave, në gjimnazin e Kaçanikut një nxënës në tabelë me shkumës kishte shkruar parullën “Kosova Republikë”, ndaj nxënësi shembullor vetëm pse nuk tregoi kush e ka shkruar parullën… bie viktimë dhe përjashtohet prej shkollës. Me kalimin e kohës gjimnazisti që kishte shkruar parullën… pas përfundimit të Fakultetit Juridik si gjykatës hibrid në Gjykatën Komunale dënon irredentistët për Kosovën Republikë. Prandaj prindërit duhet të tregojnë maturi, sepse më vonë mund të kenë pasoja të pakorrigjueshme.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!