“PËRÇAJ E SUNDO”-ja, DYMIJË VJEÇARE QË PËRNDJEK SHQIPTARËT!

17
Dec
2023
Shkruan: Gjon Bruçi


-Gazeta Sot, 12 Dhjetor 2023-
Pas tri luftarave Iliro-Romake të zhvilluara në harkun e një shekulli, më në fund në vitin 168 para erës sonë, romakët, me tradhëti, e pushtuan Ilirinë. Por iu desh edhe një shekull tjetër që ta nënshtronte atë plotësisht. Kësaj ia arriti, jo vetëm me anën e forcës, por kryesisht më ndihmën e parullës “përçaj e sundo”, që Roma aplikoi. Fiset ilire, ishin një racë e veçantë, ku sejcili e quante veten princ e mbret. Ishte pikërisht kjo sjellje, që u shërbeu romakëve të përçanin krerët e fiseve, çka bëri të mundur nënshtrimin e trojeve të tyre të begata në bregun lindor të Adriatikut.
Për fat të këq, parullën “përçaj e sundo”, që përdorën romakët e lashtë, e shfrytëzuan me sukses të gjithë pushtuesit që kaluan mbi trojet ilire, dhe më vonë arbërore, e së fundmi shqiptare. Shembullin më të freskët e më të qartë të metodës së përçarjes së shqiptarëve nga pushtuesit, e kemi gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipërinë e pushtuan nazifashistët italo-gjermanë. Sapo komunistët shqiptarë arritën të organizonin një Front të Përbshkët të të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahinë e ideje, në luftën për çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashistë, këta të fundit futën në lojë metodën e vjetër të përçarjes, duke krijuar e ndihmuar organizata trëdhëtare, si ajo e Ballit, Legalitetit etj, e duke ia kundërvënë ato Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar të sapo dalë nga Konferenca Famëmadhe e Pezës e 16 shtatorit të vitit 1942. Sigurisht, tentaviva e pushtuesve të huaj për të sabotuar luftën çlirimtare nëpërmjet përçarjes së shqiptarëve dështoi, por sidoqoftë kjo tentativë i solli mjaft pengesa dhe sakrifica shqiptarëve në fitoren përfundimtare mbi pushtuesit dhe tradhëtarët e vendit.
Në gjithë këtë histori mbi dy mijë e ca vjeçare, ilirët, arbërit e më vonë shqiptarët, arritën të kishin edhe dy periudha, ku metoda e përçarjes nuk pati sukses. Këto periudha të lavdishme ishin: E para: Epoka e ndritur e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe e dyta: Epoka e lavdishme e LANÇ, që u përcoll me ndërtimin Socialist të vendit, të udhëhequra nga shqiptari i madh Enver Hoxha. Në këto dy epoka legjendare, shqiptarët ishin të bashkuar, mënyra e vetme për të përballuar pushtuesit e huaj dhe për të jetuar të lirë në trojet e tyre shekullore.
Por, siç e dimë nga historia, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, princërit shqiptarë u përçanë, duke u bërë mashë dhe shërbëtorë të perandorisë otomane, çka i dha kësaj të fundit mundësinë e një pushtimi 500 vjeçar mbi trojet shqiptare. E njëjta gjë ndodhi edhe pas vdekjes së Enver Hoxhës, ku Shqipëria sot, është kthyer në parametrat e periudhave më të errëta të saj, me shtet formal dhe vasal ndaj të huajve, dhe me një përçarje të brendshme akoma më të tmerrshme se në kohët e pushtimeve të huaja.
Fakti që në një popull prej rreth tre milionesh, ku gjysma e tyre kanë emigruar jashtë vendit, të gjenden në aktivitet politik rreth 120 parti politike; ku pothuaj gjitha Organizatat apo Shoqatat joqevritare janë të dubluara e të “tribluara” me emra e seli të veçanta; ku nga dy apo tri pakica kombëtare, janë “ligjëruar gjashtë apo shtatë të tilla; ku prona e qytetarit ndahet, rindahet, vidhet e stërvidhet me dhjetra herë; ku dallimi midis shtetarit dhe zullumqarit nuk mund të njëhësohet as me lupë; ku hakmarrja e gjakmarrja është në rendin e ditës; ku krimi i rrugës dhe ai i organizuar me pjesëmarrjen e shtetarit, është ngritur në sistem, e plot e plot të tjera, që nuk mund t’i sosë kalemi, tregojnë se përçarja midis qytetarëve, mids brezave, midis klasave dhe shtresave të shoqërisë, dhe më në fud midis popullit dhe qeverisjes, ka arritur kulmin. Kjo ituatë tregon qartazi shkallën e madhe të përçarjës së vendit, çka po e çon popullin shqiptar drejt shpërbërjes si komb.
Përçarja më e madhe që u imponohet sot shqiptarëve, është tollovitja e historisë së tyre të vjetër e të re. Ata që kanë drejtuar e drejtojnë fatet e vendit gjatë këtyre 33 viteve të vetëquajtura “sistem demokratik”, për të mbajtur apo për të rimarrë pushtetin e pamerituar, krahas manipulimeve që i bëjnë popullit me ligje “demokratike” në pamje, por antipopullore e antikombëtare në përmbajtje, kanë nxjerrë në diskutim e në ankand edhe vetë historinë shumshekullore të shqiptarëve. Sapo afrohen datat historike, sidomos ato që lidhen me LANÇ, dy “kaposhët tanë politikë”, PS e PD, nisin duelin për datën 29 nëntor 1944 dhe për vetë LANÇ, duke e emërtuar, njëra “Luftë Çlirimatre” e tjera “Luftë civile”. PD dhe bishtrat e saj, jo vetëm e mohojnë LANÇ, por ditën e saj të fitores, 29 nëntorin 1944 e quajnë një ditë të zezë për kombin, duke i shpallur Luftëtarët dhe Dëshmorët e saj kriminelë. Ndërsa PS, në ditët historike të saj bën sikur e mbron LANÇ, madje bën edhe homazhe e vendos kurora tek varrezat e Dëshmorëve të saj, por të nesërmen e këtyre datave historike, nuk vonon dhe së bashku me simotrën e saj PD, riabilitojnë tradhëtarët dhe kolaboracionistët e kohës së luftës, dhe ngrenë e nxisin Institute për krimet e LANÇ e të komunizmit në Shqipëri, duke përcjellë tek qytetarët një përçarje të pashembullt për historinë, identitetin dhe ndjenjat e tyre.
Që të kuptohet efekti i kësaj çoroditje të qëllimshme të politikanëve e shtetarëve të vendit në dëm të unitetit të popullit, le të ndjekim kronikën e përditshme të korrupsionit galopant dhe të krimit ordiner e të organizuar, kronikë e cila në asnjë kohë të hershme apo të vonë, nuk ka qenë më e ngjeshur se në ditët e sotme. Kjo kronikë e zezë dhe e përditshme, së bashku me gjithë ato që cilësuam në krye të shkrimit, jo vetëm po e shkallmjonë unitetin e dsikurshëm të popullit tonë, por po përgatisin kushtet për revolta popullore, e cila do të degradonte më keq se revolta e vitit 1914 e Haxhi Qamilit. E përmendim këtë rrezik, sepse populli është si deti, i cili, kur trazohet, shpërthen me dallgë të hatashme që përlan gjithçka gjen përpara. Në shumicën e historisë, shqiptarët kanë qenë pa shtet, por janë vetadministruar me kanune krahinore e kombëtare, të cilat ndonëse të ashpra, kanë qenë të precizuara në detaje, çka nuk kanë lejuar të kalohet masa. Nëse në këta 33 vite të kësaj zallamohije të jashtëzakonshme që ka mbërthyer vendin, ende nuk kemi revolta popullore, apo siptoma të luftës civile, merita qëndron tek “diga mbrojtëse e sistemit socialist”, e cila farkëtoi një unitet të pashembullt midis klasave e shtresave të popullit shqiptar. Por, kjo, nuk mund të vijojë për jetë. Shqiptarët, me një potencial minor në resurse njerëzore e materiale krahasuar me të tjerët, mund ta sigurojnë mbijetësën dhe jetësën në botën e sotme të globalizmit, vetëm duke forcuar identitetin, dhe sidomos unitetin midis radhëve të tij. Shembulli më i freskët i këtij parametri të domosdoshëm janë dhe mbeten dy periudhat e lavdishme të kohëve moderne, ajo e LANÇ dhe e Ndërtimit Socialist, të udhëhequra nga Enver Hoxha.
Në 12 prill të vitit 1985, një ditë pas ndarjes nga jeta të Enver Hoxhës, mjeshtri i gazetarise italiane, Indro Montaneli, midis të tjerave do të shkruante:
“Por për të shpëtuar pavarësinë e Shqipërisë, kishte nevojë që Shqipëria të ishte e bashkuar. Ky vend në fakt nuk kishte qenë kurrë më parë i tillë, as prej race, as prej gjuhe e as prej feje. U bashkua nën Enver Hoxhën. Mbi mënyrat me të cilat Hoxha arriti atë që nuk e arriti dot as Skënderbeu, babai mitik i një Atdheu po aq mitik shqiptarësh, ndoshta është më mirë që të mos hetohet”.
Gazetari në fjalë mendon se Enver Hoxha e bëri bashkimin e shqiptarëve me forcë. Sigurisht kjo qëndron, por ai në radhë të parë e bëri me edukim, me atdhetarizëm, me patriotizëm, me ndërtimin e një shteti sa më të drejtë për popullin. Mbi të gjitha ai e realizoi bashkimin dhe unitetin e popullit nëpërmjet emancipimit dhe revolucionarizmit të jetës dhe veprimtarisë politike, ideologjike, kulturore e social ekonomike të shoqërisë shqiptare, e cila nga një shoqëri që vinte nga mesjeta e errët, në gjysëm shekulli socializëm arriti parametrat e popujve dhe vendeve të zhvilluara të rajonit e të kontinetit. Shqiptarët që e kanë përjetuar kohën e LANÇ dhe të Ndërtimit Socialist, e dinë fort mirë këtë të vërtetë, ashtu siç e vertetojnë qindra e mijëra dokumente të kohës, por edhe veprat në terren, ku sidoqë u shkatërruan nga “pseudodemokracia borgjeze”, ende janë të dukshme në të katër anët ë Atdheut.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 17/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk