PËRKUJTIM PËR MBARËSIN E ÇLIRIMIT TË KOSOVËS REXHEP AHMETI

08
Dec
2023
Shkruan: Nisret Ahmeti

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Unë si vëlla bashkëveprimtar me të, kam ndjesinë, sikur ai ende është, sikur prehja e jetës më 08 dhjetor 2019 ishte një vetëm një hapësirë hidhërimi.
Ky përkujtim, në radhë të parë, është për mua, bashkëbisedim me të, që ne kishim intensivisht dhe në mënyrë të vazhdueshme.
Nëna me vite priste që ai sikurse bashkëmoshatarët e tij të martohej.
Për këtë vonesë të Balit, nëna vuante mbi të gjitha në aspektin shpirtëror.
Por Bali,-kështu e quanim ne vëllezërit e vegjël atë, kishte zgjedhur një rrugë të vështirë. Ai vuri në plan të parë interesat e kombit shqiptar. Veprimtarët e kalibrit të tij nuk kishim kohë për vetën. Kishte krijuar në krye të herës lidhje organizative me organizatën e Adem Demaçit, që ishte shumë e goditur.
Gjatë studimeve kishte takuar studentin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe Fadil Shytin, të cilin e bëri bashkëpuntor.
Bali, ka studiuar dy vite krahas Filozofisë, të cilën e përfundoi me nota të shkëlqyera edhe Letërsi dhe Gjuhë Shqipe.
Punonte si profesor në Gjimnazin e Mitrovicës. Blinte pa pushim libra, kaseta për mësimin e gjuhës franceze etj. Aty, u njoh me profesorin e Matematikës Azem Musliun, të cilin e bëri bashkëpuntor.
Për t’ia lehtësuar barrën nënës, unë bëja të gjitha punët e shtëpisë me nënën.
Nëna turpërohej për mua, kur ne ndenim rrobat në oborr, ngase kushërinjtë mund të më shihnin.
Unë i kisha larë hesapet me mentalitetin e modbarazisë gjinore.
Sigurisht se Bali, ishte kokë e këmbë i përqëndruar në atë kohë tek REPUBLIKA E KOSOVËS.
Ai shkruante vetëm Trakte, shpërndarja bëhej nëpër fshatrat edhe më të thella të Shalës. Siç u tha më lart, kishte lidhje organizative me organizatën e Adem Demaçit, që veçse kishte shkëputje organizative për shkak të burgosjeve, apo apo ikjes së tyre. Takohej rregullisht dhe në mënyrë intensive, me një seriozitet të lartë me shokët që vazhdonin ende veprimtarinë rregullisht, kryesisht me Asllan Muharremin, Xhemajl Pllanën.
Shpërndarjen e Trakteve e bënte me vllain, Bexhetin apo me Muhametin .
Rrugës për në Trepçë dhe Vushtrri, në asfalt nga Azem Musliu dhe Bexheti u shkrua me shkronja të mëdha, KOSOVA REPUBLIKË.
Me rastin e atentatit ndaj Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës; ai shkroi trakte dhe tani unë isha në shkollë të mesme 17 vjeçar, filluam me shpërndarjen e trakteve pothuajse nga shkolla ime e infermierisë në Mitrovicë, mbi urë, sheshit kryesor dhe shkuam në pazar të Mitrovicës, tek fshatarët, sepse, qëllimisht ishte zgjedhur e shtuna që është ditë pazari.
Ishim me tërë shpirtin të përkushtuar për çlirimin, sigurisht se, si Profesor i Filozofisë, ay e kuptoi mirë fuqinë e idesë, rrjedhimisht në gjimnaz shfrytëzoi këtë mundësi për përhapjen e ideve të shëndosha dhe energjisë për çlirim.
Frymën e grevës së minatorëve më 20 Shkurt 1989 në Trepçë, u përpoqëm të mbanim ndezur si bazë për bashkimin drejt luftës çlirimtare.
Bali, u përpoq të ngriste shpirtin e minatorëve drejtpërdrejtë.
Së bashku me Fadil Shytin, Azem Musliun dhe mua, formuam një grup dhe nxorëm fletushkën “Bota Proletare”.
Të gjithë muarëm përsipër të shkruanim nga një artikull, Fadil Shyti doli me artikull për, Minatori i Kuq, -Të heqim iluzionet se liria do të na vjen me rezistencë paqësore;
poashtu, Azem Musliu me një shkrim tjetër po të kësaj fryme.
Ne, dolëm me qëndrimin se: duhej të formohej një Front i përbashkët me Kroacinë.
Në pikëpamje ushtarake mbronim qëndrimin se shpërthimi i njëherëshëm i luftës do ishte ndër faktorët vendimtar për çlirim dhe fitore. Serbia, nuk do kishte forcë ushtarake të bënte luftë në shumë fronte aq fuqishëm. Në anën tjetër, furnizimi me armatim nga Kroacia do ishte faktor i rëndësishëm.
Ishim shumë të shqetësuar, se rezultatet e minatorëve të Trepçës do të përvetësoheshin si të tyre, nga ata që nuk kishin qëllim luftën çlirimtare.
Ne u përpoqëm të mos mbetemi në bisht të ngjarjeve.
Bali, për të ngritur çështjen në nivelin më të lartë pas grevës së minatorëve, e themeloi Shoqatën: “Rinia e së vërtetës dhe e lirisë” dhe po me të njëjtin emër, ne nxorëm dhe gazetën “Rinia e së Vërtetës dhe e lirisë”. Ku u angazhuam bashkë, në shpërndarjen e saj, që ishte thellësisht me rininë, roli i tij prej Profesori i jepte shumë mundësi.
Objektivi ynë ishte që ta demaskonim armikun dhe në veçanti idenë famëkeqe të pacifizmit, që atëbotë , “shihej” si opsion: vetëm durimi do të na sjellë fitoren e Republikës së Kosovës?!!!
Bali, Magjistraturën e la anash.
Lëvizja Popullore nuk kishte atë kohë organ sqarues dhe faktikisht nuk merrte qëndrime publike taktike dhe strategjike për kohën e luftës, mbtretronte një terr informativ.
Lëvizja Popullore, thirri në demonstrata përmes një trakti, derisa zhvillohej greva e minatorëve.
Shoku im, Mustafë Krasniqi në shoqëri të Ramiz Ladrovcin m’i dorëzoi këto trakte një një paketim të kamufluar detergjenti, si duket të ardhura nga jashtë.
Këto trakte u shpërndanë drejtpërdrejtë edhe në rrugët e Trepçës nga mua, por, në pjesët tjera të Mitrovicës nga Fadil Shyti, Azem Musliu dhe Rexhep Ahmeti.
LPK vazhdoi më tutje me qëllimet e grevës së minatorëve. Unë me një shok nga Cernusha nga lidhjet e vjetra me Asllan Muharremin, nxitëm edhe në Mitrovicë demonstratën, hodhëm parullën që ishte shkruar në trakt të LPK së, Jo, jo, Jugosllavi, nuk do jesh perandori!
Në këtë kohë LPK organizoi në tërë Kosovën demonstrata.
Nëpërmjet fletushkës “Bota Proletare”, ramë në kontakt me Mehë Ukën. Shoku im, Safet Istrefi nga Bajgora ia kishte dorëzuar këto shkrime Mehë Ukës. Kështuqë, fillimisht u takua Bali me Raifin Çelën, ky ishte anëtar i Lëvizjes Popullore.
Raifi e vlerësoi shumë pikëpamjen tonë të mos rrimë në bisht të ngjarjeve dhe të gjithë ramë në razi të bashkohemi rreth Lëvizje Popullore, rrjedhimisht u ndërpre fletushka “Bota Proletare”.
Ky hap për ne ishte i dhimbshëm dhe asak në përputhje me nevojat.
Raifi, organizoi furnizimin me armatim. Në tregun e Prishtinës, ai m’i dorëzoi mua një gjysmëautomatik dhe një automatik për rrethin tonë, edhe pse ishte orë policore dhe kishte polici shumë nëpër stacione, automatikët i solla, pa u vërejtur nga pesha e rëndë e municioneve.
Ne kështu, patëm fuqinë të organizonim më 1 Maj 1990 një manifestim të fuqishëm në Mitrovicë në një shkollë, ku Bahri Fazliu me vëllain e tij kënduan këngë patriotike. Aty, ishte i pranishëm edhe Adem Demaçi rastësisht, ngase ishte përhapur shpejt lajmi për manifestimin.
Ne kishim bërë punën tonë edhe përmes një njoftimi në formë thirrjeje.
Në këtë manifestim dolëm në publik me qëndrimin tonë, në një referat të gjatë se shpërthimi i njëherëshëm i luftës do ishte ndër faktorët vendimtar për çlirim dhe fitores. Serbia nuk do kishte forcë ushtarake të bënte luftë në shumë fronte aq fuqishëm. Në anë tjetër furnizimi me armatim nga Kroacia do ishte faktor i rëndësishëm, ashtu siç kishim shkruar në fletushkën “Bota Proletare”.
Ne mbronim këtë vijë dhe frymë, rrjedhimisht ishim shumë të interesuar që të fillonim menjëherë me aksione ushtarake, për këtë qëllim u organizuan nga Raifi takime mes nesh dhe Hashim Thaçit. Takimi i parë në fshatin tonë kaloi siç pritej. Ndërsa, takimi i dytë në shtëpinë e Raifit, mes nesh ku ishim unë, bali, Raifi dhe Thaçi, ky u çua në mënyrë të papritur dhe krejt të papërgjegjshme nga takimi dhe iku. Unë dhe Bali nuk e kuptuam këtë sjellje të pahijshme dhe të papërgjegjshme të Thaçit.
Unë e kuptova këtë sjellje jo vetëm si mospërgjegjësi, por edhe si mosbashkim i qëllimshëm. Ne dy rrethet, po të bashkoheshim ushtarakisht, do të krijonim një forcë të pathyeshme dhe mund të përcaktonim rrjedhën e ngjarjeve.
Raifi, sikurse ne ishte i pajtimit që ne të dilnim në krye të ngjarjeve, sepse sipas nesh, ne nuk ishim aspak në krye të detyrës.
Me rastin e Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme të LPK-së më 3 dhe 4 Tetor 1991 Bali shkroi një qëndrim në emër të rrethit tonë drejtuar kësaj mbledhje. Kërkuam nga delegati ynë Raifi, të mbrojë qëndrimin tonë.
Në mbledhjen e papritur të celulës kryesore, unë, Bali dhe Raifi, Raifi kërkoi të përcaktojmë delegatin tonë, aty për aty, pa pasur mundësi të të menduarit. Raifi më jepte mua përshtypjen se, ai nuk po lë vend përfaqësimi nga askush tjetër. Bali ishte i mendimit se ai vet do të përfaqësonte më së miri përcaktimin e rrethit për dalë në krye të detyrës dhe ngjarjeve menjëherë.
Kështuqë, unë nuk munda të jepja në këtë situatë, asnjë mendim.
Ndërsa, Bali kur e pa se Raifi nuk po heq dorë, i tha atij që të shkoj në Mbledhjen e Përgjithshme.
Në këtë mbledhje:
https://emea01.safelinks.protection.outlook.com/?url=https%3A%2F%2Fpashtriku.org%2Fne-30-vjetorin-e-mbledhjes-se-trete-te-pergjithshme-te-lprk-se-me-3-4-tetor-1991%2F&data=05%7C01%7C%7Cb9956560472443789a3e08dbf774f6b7%7C84df9e7fe9f640afb435aaaaaaaaaaaa%7C1%7C0%7C638375853956097403%7CUnknown%7CTWFpbGZsb3d8eyJWIjoiMC4wLjAwMDAiLCJQIjoiV2luMzIiLCJBTiI6Ik1haWwiLCJXVCI6Mn0%3D%7C3000%7C%7C%7C&sdata=DPAIQfhIGHZsWr5B9Ln94sfkvdvwZzWT9NLDWyA2xqo%3D&reserved=0
sipas Ramadan Avdiut, Pashtriku 16 Nëntor 2021, Raif Çela nuk ka marrë pjesë. Pas mledhjes Raifi shumë shkurt tha se: mori pjesë në të, ne nuk mund të presim asgjë nga ata.
Radhët tona, pas kësaj Mbledhje pothuajse po binin në një nivel më të ulur.
Rrjedhimisht, unë u largova. Erdhi formimi i LKÇK-së. Raifi nuk e përfshiu Balin në këtë organizim.
Me të filluar lufta, Bali shkoi menjëherë dhe iu bashkangjit UÇK-së, këtë gjysmëautomatikun e mori me vete.
Unë kisha ndarë mendjen të kthehem, Bali ndikoi që të mos kthehem në Kosovë. Ende sot e quaj gabim këtë vendim timin, nuk besoj se Mitrovica do të mbetej kaq keq, po të kisha gisht në ngjarjen e luftës.
Si mund të merret me mend se UÇK-ja, nuk do të çlironte qytetin e Mitrovicës?!!!
Bali, në UÇK ishte komandant për moral dhe politikë, nuk i dhanë rolin dhe ndikimin që e meritonte.
Pas luftës ishte drejtor i shkollës në Trepçë.
Një kohë prej pothuajse tri vitesh, ishte profesor në universitetin “Isa Boletini”, që me aq vullnet do të kryente punën në arsim më tutje.
Ai ishte Magjistër në shkencat juridike. Edhe këtë vend pune ia morën.
U derdh djersë, gjak aq shumë, humbën dhe u sakatuan shumë jetë dhe ende pas lufte, nuk u bë ajo që ishte, IDEALI TIJ DHE YNË.
Kur qe fjala për ndërrim territoresh, ai së bashku rreth 10 veta, veteranë të UÇK -ës, doli kundër, ndërsa ai veçanërisht u mor me shkrimin kundër Rexhep Qosjes, të cilit me argumenta të pathyeshme i tregoi se: Bliri nuk bën arra.
Shoku i tij Fadil Shyti, me rastin e përkujtimit të figurës së Balit, shkruan si më poshtë:
“Kur e drejta e shtetit bëhet e zbatuar, me veprimtari diturie dhe guximi, vetëm atëherë shteti i së drejtës e plotëson misionin e tij kombëtar dhe ndërkombëtar.
-Shteti i së drejtës, nuk njeh kompromise në dëm të shtetit kombëtar dhe njerëzor.
-Këto janë ca nga porositë (mesazhet) e autorit Rendi Juridik i Mirëfilltë, Rexhep Ahmeti Prishtinë 2013, i cili tërë jetën e tij luftë përpjekjesh titanike me pushkë e penë luftoi për shtetin e së drejtës, për shtetin unikal shqiptar, i cili do të arrihet me një unitet vlerash kombëtare individuale dhe kolektive me një program të qartë, pararojë që në çdo levë të shtetit të sundojë uniteti dhe shteti i së drejtës”.
Bali ynë, tërë jetën iu kushtua jo vetëm lirisë, por edhe shteti i së drejtës, ky ishte qëllim aq strategji para lufte, ne shkruanim atëherë në kohën e grevës së minatorëve se: “Rezultatet e futura me luftë, nuk duhej lejuar të keqpërdoren, rezultati i çlirimit të keqpërdoret nga ata që kanë qëllim të vetëm, të zhvatin”.
Sigurisht institucionalizimi i Kushtetutës së Kosovës më 15 Qershor 2008, për Balin ishte emocion i madh, ai shkruan:
“Tani më në fund kemi Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila hyri në fuqi orën zero zero të ditës së sotme, qe shtatë orë, pra edhe kur shumica prej nesh kemi qenë në gjumë.
Qenka paksa qesharake, kur vrojtuesi i vëmendshëm sheh imagjinativisht, sesi elemente të rëndësishme të rendit juridik po tentuakan të hyjnë në themel të rendit juridik, të hyjnë në fuqi e të funksionojnë edhe kur ne qenkemi të fjetur.
-Kjo qenka një anë e mrekullueshme dhe madhështore e elementëve të rendit juridik. Por, asgjë e mrekullueshme dhe madhështore nuk vjen vetvetiu edhe pse, kur ta krijosh, mund të funksionojë edhe kur ti, popull a individ, je duke fjetur a pushuar. ” faqe 30 /31, Rendi Juridik i Mirëfilltë, Rexhep Ahmeti Prishtinë 2013.
Shteti i së drejtës së mirëfilltë i hedhur nga Bali si KONCEPT, ËSHTË KONCEPT I THELLË I NJË PËRVOJE DHE DIJE, STUDIMI SHUMËVJEQAR STRATEGJIK, por në radhë të parë, tepër konkret, prekës, jo filozofi më vete dhe për vete, në radhë të parë prek rrugën, bazën për ndërtimin e shtetit, të drejtën, ligjin, shtyllën e shtetit, themelin e tij.
Shteti paraqitet si vepër tepër strategjike, si vepër jo improvizuese, si dije e thellë, si filozofi e thellë, si kuptim i thellë i shoqërisë, i jetës, kaq shumë këtë e çmoj, ku ligji paraqitet si VLERË, dije e madhe, aq sa përmban bazën e suksesit të shoqërisë , jo si iprovizim. Kjo është VLERA SPECIFIKE E LIBRIT të Rexhep Ahmetit.
Për Balin suksesi, rregulli i detyrohet dijës, filozofia e Thotit ishte edhe mbrendia e shpirtit të tij, rrjedhimisht Bali shkruante:
” Thotit nuk ka shkruar kot në tabelën e 15 të smeraldit: padituria, terrnia është çrregullim, rrëmujë, sëmurje; drejtësia, drita, njohuria është rend” faqe 35, Rendi Juridik i Mirëfilltë, Rexhep Ahmeti Prishtinë 2013.
Teoria e Rendit juridik të mirëfilltë e Balit, qëndron lart strategjikisht mbi rendin juridik. Është një vetëorganizim më i lartë, një vetëkontroll më i lartë i vetë sistemit nga mbrenda, vetëpastrim i vetëvetës .
Bali shkruante: “Filozofia e mirëfilltë juridike” sheh “se kusht për një Rend Juridik të Mirëfilltë të suksesshëm është….. të studioj njerëzit, qytetarët, subjektet kryesore të krijimit dhe të zbatimit të ligjit legjitim dhe t’i vetëdijësoj ata se krijimi cilësor dhe realizimi, poashtu cilësor, i Rendit Juridik të Mirëfilltë, është vlerë e domosdoshme ekzistenciale, individuale, grupore, komunitare, kombëtare e njerëzore”, faq. 73, Rendi Juridik i Mirëfilltë, Rexhep Ahmeti Prishtinë 2013.
Bali, viteve të fundit, u angazhua me zemër në Lëvizjen Vetëvendosje në Mitrovicë.
Piktorin, tani dëshmor i atdheut, Kadri Kadriun e kishte shok; prandaj, jo rastësisht në kopertinën e Rendit Rendi Juridik i Mirëfilltë, vë skulpturën e tij kuptimplote.
08 Dhjetor, 2023

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 08/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk