Shpalime historie
Qyteti Filibe (katërmijëvjeçar), Pllovdivi i sotëm në Bullgari, shumë më i vonshëm se qyteti shkëmbor (megalitik) i Perperikonit (gjatëmijëvjeçar), është radhitur ndër 10 qytetet më të lashtë në botë. Perperikoni ose Perperakioni është një qytet i lashtë trak në Rodopet lindore, afër 15 km në verilindje të qytetit të sotëm Kërxhali, në Bullgari, ndodhet në një kodër shkëmbore me lartësi 470 metra. Njihet si vendbanim i lashtë dhe tempull i shenjtë megalitik, më i madhi në Evropë, që supozohet se në kohët e lashta ishte faltore e Dionisit. Besohet se edhe varri i Orfeut ndodhet në Perperikon. Qyteti i përket periudhës së neolitit. Edhe në periudhën e Mesjetës ka qenë një qendër e rëndësishme urbane e Romës Lindore dhe një kryepeshkopatë e krishterë nga më të rëndësishmet e asaj periudhe.
Perperikoni është një kompleks gjigant i lashtë prej guri, i njohur në Antikë dhe Mesjetë, i përbërë nga një tempull i shenjtë megalitik, nga mijëvjeçarët VI – V para erës sonë, disa monumente të antikitetit dhe një kështjellë mesjetare. Besohet se ndër trakët çmohej si qytet i shenjtë, por edhe si kryeqytet, kështjellë dhe pallat mbretëror i famshëm.
1. Emri dhe vendndodhja
Kalaja e qytetit shkëmbor Perperikon ndodhet 15 km në verilindje të qytetit të sotëm Kërxhalit. Ajo zë majën më të lartë (deri në 735 m mbi luginën e gjatë 10 km dhe 3-4 km e gjerë, përmes së cilës rrjedh lumi Perpereka, një degë e majtë e lumit Arda.
Qyteti shkëmbor Perperikoni është i rrethuar nga tre anët nga lumi, që ndodhet 6 km në perëndim të fshatit Perperek, 2 km në jug të fshatit Kreshta e Epërme (Gorna Krepost) dhe 4 km në lindje të fshatit Stremsi (Shtremsi). Sipërfaqja e tij është rreth 12.000 metra katrorë. Kompleksi megalitik, më i madhi në Gadishullin Ilirik (Ballkanik), ka një sipërfaqe prej 5.000 metrash katrorë. Tempulli i shenjtë i trakëve të lashtë ndodhet në një lartësi prej 470 metra mbi nivelin e detit.
Dëshmitë më të hershme për qytetin dhe kalanë e Perperikonit janë nga një kronikë mesjetare, në gjysmën e dytë të shekullit të 13-të. Sipas hulumtimeve të profesorit Petar Mutafçiev, në statutin patriarkal të vitit 1339 nën Mitropolinë e Filibes (Pllovdivit) shënohet edhe Peshkopata e Perperikonit. Një kështjellë me të njëjtin emër Perperakion përmendet në mesin e shekullit të 13-të, gjatë luftës midis Mihail Asenit II dhe Theodorit II Laskarisi (George the Acropolis, 108.18, rreth vitit 1254). Kështjella ndodhej në Rodope dhe emri i saj nga janari 1930 është shënuar si Perperekdere, e cila ndodhej në degën e majtë të lumit Arda, në jug të qytetit të sotëm Haskovë. Kalaja mesjetare ngrihet në një lartësi në bregun e djathtë të Perperekut.
Trakologët bullgarë refuzojnë kategorikisht ta quajnë vendin Perperikon, sepse emri është i dhënë gjatë gërmimeve të shekullit XX-XXI, pa asnjë mbështetje në burimet e kohës më të lashtë, në shekujt dhe mijëvjeçarët e mëparshëm. Në fakt, Perperikoni është emri autentik i lashtë trak i vendit, dhe sipas prof. Alexander Fol, është emri i vetëm i mundshëm i tij. Në një leksion të mbajtur në Observatorin Astronomik Yuri Gagarin (Stara Zagorë), më 11 shkurt 2004, “babai i trakologjisë” theksoi në mënyrë eksplicite se “per” dhe “ber” vijnë nga “per” indo-evropiane, që është “fest”. Në gjuhën e fisit të lashtë të Hetitëve në Anadoll (hititisht) do të thotë “shkëmb”. Sipas profesorit Fol, fjala “per” e dyfishtë në emrin Perperik (per-per-ik) është: “me një kuptim shumë të fuqishëm për një maje shkëmbore dhe faltoren e shenjtë”.
Perpereku është gjithashtu një emër trakas, i gjinisë mashkullore, që gjendet edhe te Homeri. Profesor Fol kujton në ligjëratën e tij se emri i gjithë Trakës është Perke, një nga emrat që do të thotë “shkëmb” (Guri), i cili ruhet në emrat e lashtë, si Perperek, Persenk, Perin (dialekt), sot Pirin, dhe Perister – Pelister, mali afër qyteti të Manastirit në Maqedoninë Veriore të sotme.
Perpereku (Perperak) është objekt i hulumtimit të shkencave historiografike bullgare që nga viti 1931, kur profesori i ardhshëm Petar Mutafchiev e përfshiu në studimin e tij me titull: “Drejt gjeografisë kishtare-historike të Plovdivit”. Perpereku (Perperak) është i njohur për shkencën arkeologjike bullgare që nga viti 1932, kur e aktualizoi profesori i ardhshëm Ivan Velkov, dhe kështu vendi hyri në qarkullim shkencor. Në vitin 1938, Perpereku, së bashku me fortesa të tjera të famshme në territorin e Bullgarisë, u bënë edhe pjesë të programit mësimor të shkollave bullgare. Profesori Vasil Zlatarski e përfshin në shqyrtimin e përgjithshëm të fortesave në Rodope edhe Perperekun (Perperak), sipas burimeve të njohura greke mesjetare në “Historia e shtetit bullgar”, Vëllimi III (1940).
2. Ari dhe argjendi i Perperikonit
Kulti i perëndisë Dionis ishte një nga tiparet karakteristike të rajonit të Rodopeve. Tjetra është nxjerrja e arit dhe argjendit, metalet e çmuara me të cilat mali i lashtë është jashtëzakonisht i pasur. Njëra nga minierat më të mëdha në botën e lashtë ndodhej vetëm 2 km nga Perperikoni, deri në fshatin e sotëm Stremtsi. Edhe sot, vizitori mbetet i mahnitur duke hyrë përmes dhjetëra hyrjeve të ruajtura në galeritë tashmë të aksesueshme prej më shumë se 500 metrash.
Një kodër e tërë është e shpuar me një rrjet të dendur tunelesh. Në shumicën e vendeve në ato, njeriu lëviz drejt dhe mund të humbet lehtësisht në labirintin e galerive. Në Pleistocen, ky ishte shtrati i një lumi nëntokësor me rërë jashtëzakonisht të pasur prej ari vendas. Më vonë u humb dhe gradualisht u formua një masë shkëmbore uniforme.
Nuk është rastësi që i vetmi toponim antik i mbijetuar është lumi Perpereshka, i cili rrjedh nën Perperikon. Rezulton se emri Perperikon lidhet në mënyrë interesante me nxjerrjen e arit. Gjetjet arkeologjike tregojnë se minierat pranë fshatit Stremtsi janë zhvilluar në shekujt e fundit të epokës së lashtë dhe më pas janë braktisur. Por gjatë Mesjetës, në shekujt 11-13-të, ato u restauruan dhe rifilluan të eksplorohen minierat e arit.
Në vitin 1082, perandori bizantin Aleks Komneni (Alexius Comnenus) kreu një reformë të rëndësishme monetare, që synonte forcimin e njësisë së arit të shtetit. Një sasi e madhe ari u gjet diku dhe shpejt u pre një monedhë 21.1/3 karat. Mori gjithashtu një emër të ri – “hyperperon” ose i njohur “perpera”. Sot nuk është e qartë se nga vjen ky emër. Disa besojnë se është e lidhur me shkrirjen dhe pastrimin e arit përmes zjarrit. Megjithatë, perandori Aleks Komneni ishte një adhurues i famshëm i trashëgimisë antike dhe shpesh përdorte terma nga kohët e lashta, duke përfshirë ato që lidhen me kultet e hyjnive pagane.
Një gjë është e qartë – lidhja midis emrit të qytetit dhe emrit të njësisë së re të artë. A e quajti perandori kështjellën e rëndësishme sipas emrit që shpiku për shkak të zbulimit të një sasie të madhe të arit aty pranë, apo ky ishte emri i lashtë i qytetit të shenjtë, i pa ruajtur në burime të tjera dhe i lidhur drejtpërdrejt me kultin e Dionisit? Në këtë rast, monedha e arit e mori emrin e qytetit antik. Shpresojmë që kërkimet e ardhshme arkeologjike të hedhin dritë mbi këtë çështje të rëndësishme.
Sipas studiuesit Nikollai Ovçarov, emri i vendit lidhet me monedhat e arit “perpera”, të njohura edhe si monedha ari në Bullgarinë mesjetare. Sipas autorëve të tjerë, emri i monedhës së arit “perpera” lidhet me taksën e parave “perpera” (në gjuhën e sotme shqipe: përpara, paradhënie, taksë, mjet për shkëmbimin e mallit dhe gjësendeve).
3. Diskutimet për prejardhjen e emrit të qytetit
Pikërisht nga epoka e ashtuquajtur “bizantine” (Roma Lindore) është emri i vetëm i ruajtur i qytetit të shenjtë ndër shekuj. Në formën e tij të plotë është Hyperperakion, por historianët e lashtë e shkurtuan shpejt – Perperakion ose Perperikon. Fjala është e vështirë për t’u përkthyer drejtpërdrejt. “Hyperperos”, “hyperpyuros” në greqisht do të thotë “shumë e zjarrtë”, “e mbi zjarrtë”. Është interesante se kjo fjalë nuk ekziston në greqishten e periudhës bizantine. Nga ana tjetër, është pjesë e gjuhës së Aristotelit dhe lidhet me flijimin në altar. Këtu nuk mund të mos lidhet me tempullin e Dionisit dhe ritin e kryer aty, në të cilin zjarri luan një rol të rëndësishëm.
Arkeologu kryesor bullgar, profesor Nikollai Ovçarov ka zbuluar dy vula kryepeshkopi që vërtetojnë ekzistencën e një kryepeshkopate të panjohur më parë në Mesjetë. Ovcharov ka gërmuar në qytetin e lashtë shkëmbor trak të Perperikonit në malet Rodope gjatë disa viteve të fundit dhe gjetjet e tij kanë vërtetuar gjithnjë e më shumë se Perperikoni (i njohur gjithashtu si Hyperperakion) ka qenë një qendër urbane kryesore gjatë Mesjetës, në Perandorinë Romake Lindore (Bizantine) dhe më vonë, dhe jo vetëm në periudhën e Antikitetit.
Arkeologu Ovçarov i ka prezantuar gjetjet e tij të fundit në Perperikon, dy vula plumbi që i përkisnin Kostandinit, Kryepeshkopit të Archidos. Vula e kryepeshkopit u gjetën në një ndërtesë në Perperikon së bashku me monedha të kohës së perandorit bizantin Gjon I Cimiski (969-976), Vasili II – bullgarvrasësi (976-1025) dhe Kostandini VIII (1025. -1028), nga fundi i shekullit X dhe fillimi i shekullit XI, si dhe nga gjysma e dytë e shekullit XII.
Sipas arkeologëve bullgarë, nga ekipi i Ovçarovit, vulat e gjetura dëshmojnë se një kryepeshkopatë krishtere e panjohur më parë – Archidos – ekzistonte në shekullin e X- XII në rajonin e maleve Rodope, Bullgaria e sotme Jugore, dhe selia e saj ishte në Perperikon (Hyperperakion).
4.
Emrin e lashtë Archidos (Ohër-Ohri) banorët e Romës Lindore e përdornin për Rodopet Lindore
Emri Archidos është në gjuhën greke. Kur përkthehet në bullgarishten e sotme do të thotë “Ohër”. Megjithatë, ky toponim nuk i referohet qytetit të Ohrit në Republikën e sotme të Maqedonisë Veriore, por maleve Rodope pasi Archidos ishte emri që bizantinët përdornin për Rodopet Lindore.
Ovcharov thotë se ka prova që sugjerojnë se nga shekulli IV deri në shekullin e XIV Perperikoni ishte një qendër e fuqishme e krishterë me një numër bazilikash dhe vulash peshkopësh, shumica e tyre që datojnë në shekullin X-XII të erës sonë.
Gjatë vitit 2011, ekipi i Ovcharov është fokusuar në pjesën lindore të Perperikonit dhe akropolin e tij. Arkeologët vazhdojnë me zbulimin e mureve të kalasë së Perperikonit, disa prej të cilave janë ruajtur deri më sot, me një lartësi deri në 3 metra.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!