“Pianoja e verdhë”

09
Aug
2023
Tregim nga Ilir Mborja


Time ëmë gjithnjë e mbaj mend me barkun e fryrë si kacek, se gjithmonë ishte me barrë. Kisha krijuar idenë se e vetmja punë e saj ishte të lindte kalamaj. Bëri shumë e u ndal vetëm kur nxori nga barku të dymbëdhjetin. E ndaloi vdekja dua të them, se vdiq edhe ajo, edhe i sapolinduri. Tmerr i vërtetë… Isha fëmija i parë dhe isha lindur në ditët e para të Çlirimit. Sapo kisha mbushur 13 vjeç. Ishte edhe hera parë shikoja të vdekur… Dhe dy përnjëherë. Ime ëmë dhe një foshnje, mbështjellë me të njëjtën batanije të vjetër që, pas varrimit në një varr të përbashkët, e sollën përsëri në shtëpi… Se, ashtu, “shtëpi” i quanim ato katër mure prej teneqeje, mbërthyer me gozhda pas katër purtekash të trasha që mbanin çatinë, po prej ca tabakë teneqesh të valëzuara. Ishim të varfër sa s’tregohet. Të gjithë prisnim të ushqeheshim nga lala. Vetëm ai punonte si hamall…
Ngaqë bënte shumë shaka, njerëzit shpesh e merrnin sikur nuk çante kokë, por në të vërtetë lala ishte një tip shumë i ndjeshëm. Unë që e njihja: Ishte i drejtë e i ndershëm te Zoti. Edhe dinjitet kishte. Bënte humor, por nuk ishte karagjoz. Rrenacakët i urrente për vdekje.
Kjo që do t’ju tregoj tani ndodhi kur, afër me barakën tonë, nisi ndërtimi i një spitali. Muratorët e bojaxhinjtë ishin të gjithë nga qyteti ynë, madje, disa që punonin aty i kishim edhe kushërinj… Por mua më bënin shumë habi disa burra me pamje të çuditshme, të veshur ndryshe. Vinin nga Jashtë. Për mua ishte hera e parë që shikoja të huaj. Ishin katër. Tre vinin pak si kuqo, ndërsa njëri qe ezmer si ne. Lala për atë thoshte se ishte i dorës tonë. Tani nuk e kujtoj dot mirë, ishin hungarezë apo rumunë, por të huaj qenë. Nga ata të vendeve socialiste që thuhej se na ndihmonin. Me ta rrinte edhe një djalosh bukurosh, qe përkthyesi i tyre. Kur ishte vetëm, ecte pa u ngutur. Gjithnjë me kokën lart, shumë serioz e trupin drejt sikur të kishte kollofitur petësin. Ishte bukurosh, por unë nuk e honepsja fare. Sa herë ne kalamajtë u afroheshim të huajve për t’i parë nga afër, ndonëse buzëqeshte si karagjoz, fjalët që na lëshonte i kishte farmak të hidhura: “Zhdukuni! Qërohuni! Do të thërras policinë!”…
Pastaj, inat për vdekje e mora kur një ditë e dëgjova që i foli lalës me një ton kërcënues: “Po mblidhi një çik e u thuaj të largohen kaçulat që ke pjellë! Ç ‘është kjo punë?! Nuk bëjmë dot një hap me specialistët e huaj se na ngatërrohen nëpër këmbë zbatharakët e tu duke lypur! Mbylli në atë dreq barake! Mos më detyro të njoftoj organet kompetente e ta shkulin që tani atë plehrë! Të lutem shumë!”… Hodha sytë nga lala dhe u tmerrova kur e pashë. Si atë ditë kur i thanë se vdiq ime ëmë, fytyra e tij ezmere fillimisht u zverdh, pastaj, pak nga pak, u zbardh sikur t’ia kishin lyer me gëlqere. Uli kokën e nuk foli fare, por unë e di dhe jam shumë i sigurt se me vete lala e shau: “Karagjoz!”… Se ajo ishte fjala më e rëndë e tij kur shante.
As ne fëmijëve nuk na tha asnjë fjalë. As Lulit, vëllait të vogël trevjeçar, që në fakt, e kish zgjatur njëherë dorën dhe kishte marrë dy karamele dhe një çamçakëz nga ai ezmeri. Lalën e kishte zënë një hall më i madh. Ai i barakës. Përkthyesi ia kishte thënë shqip. Barakën tonë e quante plehrë që kishte mbetur në oborrin e spitalit dhe, nuk thoshte se spitali na kishte zënë oborrin tonë. Më i ndyrë e më shpirt katil se ai njeri nuk bëhej. Lala ishte shumë i trembur. Me të drejtë. Karagjozi që e kërcënoi me hedhjen në rrugë me të njëmbëdhjetë jetimët dukej njeriu më i rëndësishëm aty. Vinte nga Tirana dhe lala thoshte që patjetër kishte të bënte me Enverin, se i ngjante shumë. Kokën i kishte prerë. Megjithëse lala nuk na tha asnjë fjalë, ne kalamajtë bëmë tonën. Asnjë nga ne nuk i afrohej më të huajve. As Luli i vogël, por, tjetër gjë dua t’ju tregoj.
*
Më kujtohet si tani që ishte mesi i gushtit dhe duhet të ketë qenë ora një ose dy e drekës. Mbaj mend gjithashtu që atë ditë bënte shumë vapë dhe të gjithë kalamajtë kishim dalë jashtë. Luanim në oborr nën hijen e ca shelgjeve që lala, kur filluan punimet e spitalit, më shumë se për fresk, i kishte mbjellë nga ana e saj për të fshehur disi pamjen e teneqeve të ndryshkura të barakës. Që tutje pamë që dolën nga ngrehina e spitalit e po kalonin para nesh inxhinierët e huaj që, si gjithnjë, kishin vënë në mes përkthyesin. I pa edhe lala dhe, pasi ngjiti me shpejtësi ca shkallë, përplasi dy a tri herë shuplakat për të na tërhequr vëmendjen. Bëri duart si hinkë dhe na u drejtua me zë të lartë: “Fëmijë të dashur! Është ora e studimit. Prandaj, shpejt në shtëpi! Futuni në sallën e studimit, por mos i bini pianos se zgjohet mamaja!”. Shtanga në vend. Edhe vëllezërit e motrat mbetën pa frymë. Ulën kokën e një nga një u futën në barake. Qëndrova në fund dhe po rrija në prag të derës. Isha kureshtar të kuptoja, ç’i kishte lala ato fjalë?! Vura re nënqeshjen e tij. Fillova të ftillohem. Patjetër e kishte me përkthyesin. Pashë që kishin ndalur në vend dhe shikonin nga baraka edhe të huajt. Merrej vesh se tiranalliu ia kishte përkthyer fjalë për fjalë ç’na kishte thënë lala. Njëri nga specialistët e huaj, ai ezmeri, ma bënte me dorë të afrohesha tek ata. “Hajde, hajde pak këtu! Afrohu!” – mu drejtua edhe përkthyesi. Pashë nga lala, por ai nuk më dha asnjë shenjë. Si të bëja? Rrija te dera e barakës dhe po mëdyshesha. Kur kuptova se ata bënë të vinin drejt barakës, nxitova menjëherë drejt tyre. Nuk doja që ata t’i afroheshin barakës. Në minutë shkova para tyre dhe po prisja i ndrojtur. I huaji që ma bëri me dorë, ai ezmeri pra, fliste në gjuhë të tij me përkthyesin dhe nuk m’i ndante sytë. “Inxhinier Zoltan do të dijë çfarë ngjyre ka pianoja juaj. Thuaj një ngjyrë! Futja kot!” – më shtyu të gënjej përkthyesi që buzëqeshte fals.
“E verdhë” – thashë unë,.. Se mu kujtua ngjyra që i ra në fytyrë lalës kur përkthyesi karagjoz i përmendi prishjen e barakës… Dhe menjëherë ia futa vrapit e ika i frikësuar se mos më pyesnin më tej, e nuk doja të gënjeja më për “sallën e studimit” e “mamanë” që kishte vite që flinte nën dhe…
*
Pas dy a tre javësh, një natë, në barakën tonë erdhën katër policë. U futën brenda dhe pasi hodhën sytë rreth e rrotull, pyetën se ku e kishim çuar pianon. Asnjë nuk foli. Ç’të thoshim?! Pastaj lalës i lidhën duart me pranga dhe duke e shtyrë e hipën në një makinë. Njëri nga ata i gjuajti me shqelm dhe e shau: “Borgjez i ndyrë!”, por lala nuk e dha veten. Ktheu kokën nga ne dhe, duke imituar përkthyesin karagjoz, buzëqeshte si ai. Donte të na bënte për të qeshur, por ne nuk pushuam së qari…
Pas ca ditësh u mor vesh se dikush kish shkruar në një gazetë të huaj një shkrim me titull: “Baraka e verdhë me piano – dëshmi e gjenocidit ndaj artistëve ciganë në Shqipëri”.
Ja ç’na bëri përkthyesi! Hajde e mos i thuaj karagjoz!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 09/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk