Në këtë reagim do të pasqyrojmë partitë, organizatat dhe shoqatat politike të krijuara nga emigracioni kolaboracionist shqiptar, të arratisur pas kapitullimit të Italisë,në shtator 1943, dhe pas çlirimit të Shqipërisë, nëntor 1944, e më pas. Njëkohësishtë do trajtojmë edhe kampet e përqëndrimit që organizoi IRO (Organizata Ndërkombëtare e Refugjatëve), kampet e stërvitjes si dhe kampet e përgatitjes të emigrantve për spiunazh dhe të dërgimit të tyre me misione në Shqipëri. Qëllimi: organizimi i kryengritjes për rrëzimin e Qeverisë Demokratike, e vendosur prej Kongresit të Përmetit – 24 Maj 1944.
Materialin e nevojshëm ku jemi mbështetur për këto lloj organizmesh politike, ushtarake dhe inteligjente, jemi bazuar te “Dosja sekrete e UDB-së – Emigracioni Shqiptar 1944 – 1953”, “Tepër rezervat”, botuar nga Sekretariati Shtetëror i Punëve të Brendshme dhe Drejtorati i Sigurimit Shtetëror, Dega I, Nr.A/E1.1 të Republikës Popullore të Jugosllavisë, (Federativa Narodna Republika Jugoslavia Drzavni Sekretarjat Elaborat: Albanska emogacija u zapadnim zemljana sadrzi 355 strana; prilozi I registar imena 194 strane – ukupno 549 strana. Radjeno u 63 primerka Br.51”), Botuar në Dhjetorin e vitit 1953, në Beograd.
Botuar në shqip, nga KOHA: Veton Suroi, Prishtinë, 2004 & Shtëpia e Librit dhe Komunikimit: Piro Misha, Tiranë.
Njëkohësisht jemi mbështetur edhe në botimin e akademikut Irakli Koçollari “Operacionet sekrete-Shqipëria nën Luftën e Ftohtë”, Tiranë, 2022, i cili është mbështetur mbi dosjet sekrete të zbulimeve: amerikan, britanik, grek, Italian e jugosllav.
Dhe, sikundër del nga këto dosje, Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti mbi dëshmitë e një pjese të 15 % të agjentve shqiptarë kriminelë në shërbim të këtyre zbulimeve qe kane arritur te ktheheshin gjalle nga ato misione vrastare, janë bazuar pët të na treguar se si ka qenë “Shqipëria Komuniste” në vitet 1944-1953!
A). FORCAT POLITIKE TË EMIGRACIONIT TONË KOLABORACIONIST
1). “BLLOKU KOMBËTAR INDIPENDENT” (BKI) – në Itali. Kjo organizatë u krijua menjëherë pas kapitullimit të Italisë, në shtator 1943, me emrin “Nacionalistët” me udhëheqës Gjon Marka Gjoni. Nismëtar ishte prifti katolik Xhovani Fausti, me prejardhje italiane e që kish jetuar në Manastirin Françeskan në Shkodër, e formuar kryesisht nga kolaboracionistët e okupatorit Italian, të cilët u arratisen menjëherë pas kapitullimit të Italisë. Meqë një pjesë e udhëheqjes së organizatës kishte emigruar më 1944-1945, në vitin 1946 u riorganizua me nismën e Ismail Vërlacit.
Gjallërim të madh BKI pati në Shqipëri edhe në vitët 1948-1950 kur ata përforcuan punën dhe propagandën nëpërmjet misioneve të hedhur me parashutë. Ndër misionet e tyre bën pjesë edhe vrasja e Bardhok Bibës, në Gusht 1949. (Dosja e UDB, fq.74-79, 87-92);
2). “BALLI KOMBËTAR”(BK) – themeluar nga Mit’hat Frashëri, e cila mori pjesë edhe në Regjencën kuislinge naziste të 8 shtatorit 1943. Në Këshillin e Regjencës BK delegoi: Fuat Dibrën, Patër Anton Harapin dhe Lef Nosin. Pjesa më e madhe e udhëheqjes dhe e ithtarëve të tij ishin kolaboracionistë. Në nëntor 1944 largohen nga Shqipëria dhe vendosen në Itali. Më 31 Dhjetor, në Itali, 350 anëtarë të tij mbajtën kongresin dhe shndërohet në Parti Agrare Demokratike – Balli Kombëtar, dhe ishte Hasan Dosti ai që e shndërroi nga organizatë, në parti të majtë, (të cilën më së shumti e përkrahën anglezët). (Dosja e UDB, fq. 173 – 224)
3). “Balli Kombëtar (Krahu i djathtë)” – u krijua nga Ali Këlcyra pas ndarjes më 1950 nga BK. Boton gazetën “Zëri Ballit Kombëtar” në Njy York ku kish edhe selinë. Kryetar Ali Këlcyra. Në kryesi: Nuredin Vlora, Koço Muka, Rasim Babameto, Ago Agaj. Dega në Detroit kishte Emin Koplikun, Sinan Leskaj, Hasan Mishgjoni, Sulejman Mane, Shaban Peshtani. Dega në Kanada: Lince Runa, Petraq Ktona, Sherbet Mane, Tomor Zavalani, Viktor Krasniqi. Dega në Australi: Hysni Ciqo, Muharrem Sovjani, Kajo Tresova, Xhevdet Dosti .(Dosja e UDB, fq.195-199)
;4). ”BESLIDHJA DEMOKRATIKE SHQIPTARE”(BDSH) – inisiativën për këtë e mori Ernest Koliqi, një nga udhëheqsit e BKI. Konferenca u mbajt në Aleksandri, më 1 gusht 1948, në të cilën morën pjesë: Ernest Koliqi, Abaz Kupi, Koço Muka, Ago Agaj, Nexhmedin Çoraliu. Grupin e kosovarëve e përfaqëssonin Bajazit Boletini dhe Xhafer Deva.
Në korrik 1949 mbriti në Romë koloneli Maklini, me porosi të zbulimit britanik, i cili, gjatë kohës së luftës ka qenë në Shqipëri si shef i një misioni ushtarak anglez pranë Abaz Kupit dhe konsiderohet ekspert për çështjen shqiptare, që të krijonin me çdo kusht një udhëheqje të përbashkët të emigracionit shqiptar në Perëndim. (Dosja e UDB, fq.225-236)
5). KOMITETI KOMBËTAR “SHQIPËRIA E LIRË” – pas tentimit të pasuksesshëm të Zogut gjatë vitit 1947 për krijimin e nje organizatte të përbashkët për emmigracionin shqiptar në Perëndim, nismën për këtë e mori BK derisa,(me përpjekje në vitet 1947, 1948 dhe 1949, nën patronazhin e anglo-amerikanëve, si dhe me ndërhyrjen e Maklinit dhe të gjeneralit Fullc, arritën që në një konferencë disa ditore në Romë, në të cilën kanë marrë pjesë: Sait Kryeziu, Abaz Kupi, Vasil Andoni dhe Muharrem Bajraktari, arritën që në komferencën një javore 27 Korrikut – 1 Gusht 1949 të formohej “Komiteti Kombëtar Shqipëria e Lirë”. Kryetar Mit’hat Frashëri, nën-kryetar Hasan Dosti, i cili gëzon përkrahjen e amerikanëve. Komiteti kish dy qendra: në Njy York nën udhëheqjen e Hasan Dostit e Nuçi Kotës, dhe tjetra në Romë nën udhëheqjene e Abas Kupit, Sait Kryeziu dhe Zef Pali…“Amerikanët – shkruhet në fq.451 të Dosje Sekrete të UDB – kanë shfrytëzuar “Komitetin” për një veprimtari sa më të suksesshme informative.” (Dosja e UDB, fq. 237-255)
6). “LEGALITETI (LËVIZJA MONARKISTE)” – formohet më 1943 në malet e Shqipërisë nga Abaz Kupi, ish major i Zogut, pas ndarjes nga Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë. Kjo organizatë ishte prozogiste dhe qëllimi i fundit i saj ishte rivendosja e monarkisë dhe sjellja në pushtet e mbretit Zog, i cili pas ikjes nga Shqipëria, më 7 prill 1939, mori me vete një pasuri që shkonte deri në 18 milionë, 857 mijë e 142 napolona flori, të depozituar në bankën turke “Merqes”. Më 23 shkurt 1946 Zogu mbriti në Angli .
Më 1949 kjo organizatë u vendos në Egjypt, nën patronazhin e mbretit Zog. Më 3 dhjetor 1950, Zogu pat deklaruar se “Jugosllavia është i vetmi mik i sinqertë i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar, dhe vetëm në sajë të Jugosllavisë Shqipëria e pasluftës mbeti shtet i pavarur, duke mos u coptuar nga Greqia.”
Ndërsa në gushtin e vitit 1952 Zogu deklaroi: “E vetmia luftë e mundshme kunër regjimit të tashëm në Shqipëri mund të bëhet me mbështetjen e Jugosllavisë…”
Në fillim të prillit 1953 Zogu dërgoi nga Egjypti në Greqi një grup me 7 veta, në marrëveshje me Shërbimin Informativ anglez, 2 anglezë të shërbimit dhe 5 shqiptarë. Qëllimi i vajtjes së tyre është të nxisin trazira në Shqipëri dhe të punojnë për rrëzimin e Qeverisë së Hoxhës. Tani (viti 1953) jeton në Kjaro. .(Dosja e UDB, f.256–288).
7). “PARTIA E BUJQVE DHE E KATUNDARËVE” – themeluar më 14 gusht 1949, në lokalet “Aleksandria” në Romë nga Sait Kryeziu, familja e të cilit ka qenë tradicionalisht besnike ndaj Jugosllavisë dhe është një nga liderët e aksionit që solli sërish në pushtet Ahmet Zogun në fund të vitit 1924, nëpërmjet ndërhyrjes ushtarake nga Jugosllavia.. Morën pjesë Ekrem Telhaj, Perikli Haxhistasa, Kolë Hilaj, Xhevdet Skënderaj, Hysni Mulleti, Zef Shllaku, si dhe Zija Kosova nga Mitrovica, Gjatë okupacionit gjerman ishte deputet i qytetit të Vlorës, i cili gjatë okupacionit gjerman jetonte në Tiranë dhe ka mbajt qëndrim armiqësor ndaj LANÇ dhe shoqërohej me oficerët e Gestapos. Ka qenë një ndër udhëheqsit e “Vullnetarëve kosovarë” që bënë terror nëpër Kosmet e Shqipëri. (Dosja e UDB, fq.289 -303);
😎. “FORCA – FORCA” (Forca e Tretë)” – themeluar më 15 maj 1950 me nismën e dr.Ramazan Shpati dhe Sadik Premtia, i cili në vitin 1943 u bashkua me gjermanët dhe iku bashkë me ta. Ky grup është formuar në Paris dhe ka marrë emrin “Forca forca”, që do të thotë “Forca e tretë”. Grup me një numër të vogël njerëzish, por në emigracion tash për tash nuk ekziston kurrfarë interesimi për këtë grup. (Dosja e UDB, fq.311 -312)
9). “Të Papërcaktuarit” – nën udhëheqjen e Muharrem Bajraktarit. Gjatë kohës së luftës M. Bajraktari ka pas në terren lidhje dhe marrëveshje me Drazha Mihajloviçin, për veprimet çetnike në Kosovë. Kur Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare dëboi gjermanët nga Shqipëria dhe Kosova, çeta e M. Bajraktarit përbënte një ndër formacionet më të mëdha reaksionare, duke lëvizur përgjatë masivit malor të Shqipërisë Veruiore, por në verën e vitit 1946 kaloi në Greqi, duke u vendosur në kampin “Lavrion” ku formoi grupin zogist. Ky grup ka dashur të bashkëpunoi me organizatën “KEVA” (Komiteti për çlirimin e Epirit Verior). Në mars 1953, kur Tito shkoi në Londër, ai ka llogaritur se anglezët kishin mundësi të pajtoheshin që Jugosllavia dhe Greqia ta ndanin mes tyre Shqipërinë. Anëtarë janë: Prenk Previzi, Fiqiri Dine, Hysni Dema, Eqrem Telha, Vasil Gërmenji – i biri i Mihal Gramenos. Në selinë e shtabit të tyre ka qenë majori angles Piter Kemp, majori Ridel dhe kapiteni Henc.(Dosja e UDB, 313-319).
10). “KOSOVARËT” (Grupi i Kosovarëve ose Komiteti i Prizërenit) – emigrantë nga Kosova por që nuk kanë një parti të tyre në emigracion. Udhëhiqen nga intelektuali Dr.Xhelal Mitrovica. Dimë se për këtë grup kanë punuar: Adem Dushi, Ali Draga,, Ejup Binaku, Jusif Agushi, Adem Salihu, të cilët gjatë okupacionit kanë pas pozita të rëndësishme në aparatin okupatorit në Kosovë. Në këtë grup bën pjesë edhe Xhafer Deva, i cili gjatë okupacionit ka qenë personaliteti më aktiv ndër kosovarët, (“Dosja e UDB”,fq.320-326)
Grupi i Kosovarëve kishte në radhët e tij edhe figura me integritet, si Lutfi Spahia, Nik Sokoli, Ndue Gjokmarkaj etj. Përmes këtyre njerëzve (shqiptarëve të Kosovës) ishte bërë e mundur që UDB të bënte për vete individë të caktuar fare pranë Mehmet Shehut. (I.Koçollari ”Operacione sekrete”, 2022, v.2,, f.303).
11). “LIDHJA E DYTË E PRIZËRENIT” – parti e irridentistëve kosovarë të cilët, të mbështetur nga e drejta e vetëvendosjes së popujve, duan të provokojnë ndërhyrjen e OKB-së në mënyrë që krahina e Kosobës t’i bashkohet Shqipërisë. Kryetar i Lidhjes Xhafer Deva, i cili më së shumti qëndron në Austri e Itali (pas vitit 1953 emigron në SHBA). Anëtarë të tjerë janë: Bajazit Boletini, Tahir Zajmi, Mentor Çoku, të cilët gjatë okupacionit kanë pasur pozita të larta në administratën ushtarake në Kosovë e Shqipëri. (Dosja e UDB, fq.327-328)
12). “KEVA (Komiteti për çlirimin e Epirit Verior” – e formuar qysh në 1912, kryesisht nga emigrantët e Epirit të Veriut të vensosur në Greqi. Aktivitetin e saj e ka shprehur pas Luftës Dytë Botërore, në vitet 1945-1948. Grupe të tilla gjenden në Janinë, Filat, Korfuz, Selanik, Kostur, Dramë dhe Patra. Selia është në Athinë me udhëheqje qëndrore: kryetar Pandelejmoni ish peshkop i Gjirokastrës. Mihal Paskopulos – drejtor, ministër i kujdesit social, n/kryetar,(Dosja e UDB, fq.330- 332)
B). KAMPET E PËRQËNDRIMIT
TË EMIGRANTËVE KOLABORACIONISTË SHQIPTARË
Kampet e Përqëndrimit të emigrantëve të arratisur, të cilët u grumbulluan por dhe u përgatitën për terror në Shqipëri, filluan të ngrihen prej fund vitit 1944.
Të gjithë emigrantët që përgatiteshin për t’u hedhur në Shqipëri apo për të depërtuar nga toka e deti, organizoheshin prej Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, Blloku Kombëtar Indipendent, Balli Kombëtar (të majtë e të djathtë), Legaliteti, Partia Agrare Demokratike, Beslidhja Demokratike Shqiptare, Partia Fshatare, Lidhja e Dytë e Prizërenit, Partia e Bujqve dhe e Katundarëve, etj. Për hallet dhe për plotësimin e nevojave të tyre përkujdesej IRO (organizata ndërkombëtare e refugjatëve), e kryesuar nga amerikani Sreten Stefani.
1.KAMPI VERTEHOF afër Mynihut – Gjermani, (ruhet ekkskluzivisht nga shqiptarët), me tabelë në hyrje të kampit “Kompania – 4000”, që komandohet nga shqiptaro-amerikani Vangjel. Këtu përgatiten emigrantët e përzgjedhur nga Greqia dhe Italia. Në gusht 1949 shkuan nga Italia 250, (50 nga Kosova), dhe në vitin 1950 arriti në 670 emigrantë. Në 1 janar 1953 kishte 900 emigrantë (shqiptarë 300). Shumica e grupeve të dërguar në Shqipëri ose janë kapur rob, ose janë vrarë, ose janë vetëdorëzuar, vetëm 15% prej tyre janë kthyer. (Dosja UDB, fq.391-392).
2. KAMPI LAVRION në Greqi – në JL të Athinës. Drejtor i kampit Trëndafilis nga Kreta; krijuar më 1947 nga grekët dhe nën kontrollin e amerikanëve, personeli grek. Nga ky kamp rekrutojnë anglezët dhe amerikanët njerëz për punë informative në Shqipëri, por dhe vetë grekët. Në vitin 1949 kishte 900 emigrantë shqiptarë (qëndrimi ndaj të cilëve i pashpirt), ndërsa në 1 janar 1953 kish gjithsej 252 shqiptarë, përfshi edhe gratë e fëmijët, shumica të fesë ortodokse nga Shqipëria e Jugut, të organizatës KEVA.
Përfaqësues i Partisë Agrare Skënder Dume, (vëllai i Petrit Dumes); i BK – Xhemal Lano nga fsh.Zhulat i Gjirokastrës; i Bllokut Indipendent –Xhevdet Blloshmi nga fsh.Bërzeshtë (Elbasan); i Partisë Fshatare- Safet Majusha nga Erseka; Përfaqësues të Komitetit Shqip e Lirë” – Faik Bukmiri nga Tirana; Përfaqësus i Partisë Agrare – Luan Gashi, dhe i Legalitetit –Hamdi Zubça nga fsh.Kapshticë. (Dosja UDB, f.401-412)
3. KAMPI NË ISHULLIN SIROS në Greqi –(në JL të Athinës) – u krijua në gjysmën e parë të vitit 1948, 60 janë shqiptarë. Në fund të vitit 1952 kish 20 shqiptarë. Dërguan në Shqipëri 8 persona, mes tyre: Hysni Kapllani (nga Arzë e Korçës), Luli Shabani, Osman Hasko, Irfan Goskova, Shefki Gostivari. Në fund të korrikut 1952, dërguan nga ajri në Shqipëri edhe 3 prej tyre. (Dosja UDB, fq.418-421)
4. KAMPI MAKRONISOS në Greqi, në jug të Athinës – mbahen në fshehtësi. Janë vendosur dhjetra emigrantë shqiptarë dhe ekziston rreziku që të likuidohen ngaqë kundërshtojnë të futen në Shqipëri. (Dosja UDB, fq. 422)
5. KAMPI HAXHIQIRJAQI në Greqi, në në buzë bregdetit, afër Pireut – krjuar në 1947, me 600-700 shqiptarë. Në vitin 1951 në këtë kamp kishte 150 emigrantë të cilët u dërguan në kampet Lavrion dhe Siros. (Dosja UDB, fq.422)
Në këtë kamp shembull tipik ka qenë kuislingun Haki Rushiti, të cilit iu propozua në Athinë nga mësuesi Mihal Mano të formonte banda për të hyrë në Shqipëri. (Aleks Çaçi “Përmes Greqisë Heroike”, Tiranë, 1949, f.28 & 34)
6.KAMPI I REXHIO EMILIAS në Itali – krijuar në fund të vitit 1944, kamp anglo-amerikan, me mbi 150 vetë, shumica e tyre shqiptarë. Shërbimi Informative Shqiptar dërgoi në këtë kamp Mehmet Karamanin me qëllim që të vriste ish ministrin kuisling shqiptar Ago Agaj, i cili u qëllua me dy plumba por pa pasoja për jetën.(Dosja UDB, fq. 423)
7. KAMPI BAGNOLI në Itali, disa km larg Napolit – u formua më 1945, me inisiativën e anglo-amerikanëve. Këtu ka qëndruar për kohë të shkurtër edhe Mit’hat Frashëri me Hasan Dostin. Në fillim pati rreth 4.000 shqiptarë; janë kryesisht për shkaqe materiale dhe nuk paraqesin ndonjë tërësi oganizative. (Dosja, f. 424)
8. KAMPI SANTA FAROS, në Itali, rreth 3 km larg Barit. – në mars 1949 erdhën rreth 700 emigrantë nga kampi Lavrion i Greqisë, prej të cilve 60 prej Kosove, 120 prej Shqipërie, të tjerët ishin bullgarë e jugosllavë. Në gusht 1949 veçuan shërbimi amerikan, Italian dhe ai angles, përzgjedhur nga Blloku Indipendent veçuan 21 emigrantë shqiptarë për kurs 4 mujor për parashutistë në Monte Mesolo, afër Tarantos. Në vitin 1951 u rekrutuan edhe 40 shqiptarë, të përzgjedhur nga Komiteti “Shqipëria e Lirë”, për në Mynih, ku do të formohej “Ushtria Demokratike Shqiptare”, të cilëve u premtuan se për 3-4 muaj Shqipëria do çlirohej; por shumica e tyre nuk pranuan. (Dosja UDB, fq. 424-425)
9. KAMPI AVERS, afër Napolit-Itali – u krijua në vitin 1949. Emigrantët shqiptarë u vendosën këtu nga fundi vitit 1951, të ardhur nga kampi Bagnoli. (Dosja, fq. 426)
10. KAMPI – OXON NR.5, në paralagjen e Londrës – u krijua në fillim të vitit 1952 me agjentë shqiptarë të kthyer nga misionet në Shqipëri, si dhe nga ata që kanë kryer kursin e spiunazhit në Maltë. (Dosja, fq. 426)
11. KAMPI I MALTËS, rekrutimin e atyre që shkojnë në këtë kamp e bën vetë komandanti i tij, oficeri i Misionit Anglez në Shqipëri gjatë luftës, koloneli Deivid Smaili, i cili, pasi i përzgjedh agjentët nga kampet në Greqi e Itali, në bashkëpunim me anëtarët e “Komitetit”, të cilët i dërgojnë për agjentë në Maltë. Në Shqipëri futen zakonisht nga toka ose nga ajri, nga Greqia. (Dosja UDB, fq. 428)
Vetë oficeri anglez Deivid Smaili pohon: “Shqiptarët që erdhën në Maltë, (për t’u stërvitur për terror në Shqipëri), u rekrutuan ose nga gjeneral Abaz Kupi, kryetar i Lëvizjes së Legalitetit, ose nga Abaz Ermenji, kryetar i Ballit Kombëtar që, megjithëse nuk ishin në favor të Mbretit Zog, u bashkuan me zogistët në urrejtjen e përbashkët për komunizmin. [..] Ndër instruktorët për radistët ishte edhe kapteri anglez Kollins, që kish qenë me mua në Shqipëri dhe i njihte mirë shqiptarët.” (Kol.Deivid Smaili “Me detyrë në Shqipëri”, Tiranë 1998, f.142-143)
C). PËRGATITJA E KOLABORACIONISTVE PËR PARASHUTISTË
Emigrantët shqiptarë të arratisur në Perëndim pas Luftës Nacionalçlirimtare, për dallim nga emigracionet e shteteve të tjera të Lindjes, u treguan të gatshëm dhe të vendosur që në çdo moment të nisen në luftë për rrëzimin e regjimit të pas Luftës Çlirimtare. Ata u bënë objekt i gjithë ndikimeve të mundshme të shteteve perëndimore. Kurset për përgatitjen e tyre janë mbajtur në Itali, Gjermani, Greqi, Maltë dhe Londër. Hedhja e diversantëve me parashutë fillom në vitin 1948.
1. KURSI i PARË, në fshatin Monte Mesolo, filloi përgatitjen në shtator
1948 dhe zgjati deri 12 shkurt 1949, me ndihmën e BKI-së. Morën pjesë: Alush Leshanjaku, i cili gjatë luftës kish qenë komandant i milicisë fashiste në Elbasan dhe u bashkua me BK; në vitin 1950 u vra në Shqipëri. Xhevdet Blloshmi nga Bërzeshta e Elbasanit, ish një ndër organizatorët e lëvizjes balliste në qarkun e Elbasanit me gradën major, në 1947 u arratis në Greqi. Nue Gjin Melushi nga Rrësheni, okupacioni Italian e gjeti ushtar në gardën e Zogut; në mars 1946, nga frika e burgosjes u arratis në Greqi dhe në 1949 shkoi në Itali. Tani gjendet në Jugosllavi. Nue Pjetër Gjonmarkaj, nga Mirdita, kushëri i Gjon Marka Gjonit, bashkë me të pas lufte emigroi në Itali. Tani gjendet në Beograd. (Dosja, f.429)
Pas përfundimit grupi u nda në dy pjesë. Shef i misionit për Shqipërinë e Mesme u caktua profesori Alush Leshanjaku, ndërsa si antar i grupit Xhevdet Blloshmi.
Shef i misionit në Shqipërinë Veriore u caktua Nue Pjetër Gjonmarkaj ndërsa anëtar i misionit Nue Melushi.
Në 15 shkurt 1949, grupi i Alush Leshanjakut dhe i Nue Pjetër Gjonmarkaj nga Mirdita, u nisën me avjon nga Italia dhe u hodhën me parashut në sektorin e Mirditës .Të parët u hodhën Nue Pjetër Gjonmarkaj dhe Nue Melushi, pastaj u desh që avjoni të bënte edhe rrotullimin tjetër, për të hedhur dy të tjerët në po të njëjtin vend, por piloti për shkak të mjegullës humbi orientimin dhe Alush Leshanjaku dhe Xhevdet Blloshmi u hodhën larg grupit të parë. Grupet nuk arritën të bashkohen, dhe u nisën në drejtime të ndryshme. Alush Leshanjaku u nis në drejtim të Elbasanit, ndërsa Nue Gjomarkaj qëndroi në Mirditë.
Këta në Mirditë pas disa ditësh janë takuar me 5 kryengritës mirditorë: Prenk Gjon Gjonin, Bib Marka Bibën, Prenk Zef Gjergji, Nue Nikoll Prenku si dhe me një tjetër, dhe së bashku shkuan në Pershqesh. I diktuan fshatarët dhe i bllokuan. Në luftime u plagos një diversant, të tjerët u larguan, duke zhvilluar veprimtari të bujshme në terrenin e Pukës e të Mirditës, duke qëndruar një kohë të gjatë, duke u lidhur edhe me një numër të madh fshatarësh. Përshtypje të madhe bënte në popull sidomos pajisja e tyre me flori. Ndonse nuk kishin udhëzime të përcaktuara mbi zhvillin e aksioneve, ata vetë, duke parë disponimin e popullit të Mirëdistës, në muajin Gusht vranë Bardhok Bibën. “Ky është rasti i parë i vrasjeve të kryera nga agjentët e CIA-s, ai i gushtit 1949, – shkruan akademiku Irakli Koçollari, – kur një grup agjentësh të CIA-s, nën emërtimin ”Plan Fontana”, i futur ilegalisht në terrenin shqiptar…Për këtë rast, në vitin 1985, kryetari i Protogramit Branch 7 (PB/7) McCarger, duke raportuar në Kongres për këtë çështje tha: “është fare e qartë se CIA ka vlerësuar, planifikuar dhe madje ka realizuar “operacione speciale”, përfshirë këtu edhe vrasje në një shkallë të caktuar të finalizimit të operacioneve kundër regjimit Komunist në Shqipëri”. Grupi ishte përgatitur nga “Office of Special Operation, në bashkpunim me Italian Naval Inteligence.” (I.Koçollari ”Operacione secrete”, Tiranë 2022, Vll.2,f.241)
Pas kësaj vrasjeje, parashutistët askush s’donte më t’i pranonte në Mirditë. Më 17 gusht 1949, grupi vendosi të kalonte në Jugosllavi, duke marrë me vete 44 kryengritës nga Mirdita dhe Puka.
Grupi i Alush Lershanjakut që shkoi në terrenin e Elbasanit qëndroi disa muaj dhe qëndrimi i mëtejshëm u bë i pamundur, në gusht 1949 kaluan në Greqi dhe prej andej në Itali. (Dosja, fq.431-435)
KURSIN i DYTË 5 mujor për parashutistë – sërish me ndihmën e BKI-së, i cili u zhvillua në muajt gusht-dhjetor 1949, përsëri në fshatin Monte Mesolo. Përsëri udhëheqës kursi Alush Leshanjaku. Në këtë kurs bënin pjesë 21 shqiptarë në tri grupe për t’u hedhur në Shqipëri.
Një grup prej 9 vetë kishte për udhëheqës Kolë Çuni, nga Shkodra, (Kolë Çuni, Pashk Letaj, Zef Luku, , Mirash Marku, Gjon Gjinaj, Nikollë Nika, Nue Prisku, Bardhosh Gjeta, Pjetër Gjoci). Grupi: Kolë Çuni, u hodhën më 29 dhjetor 1949 në malet e Pulës së Komit, afër vendit të quajtur Qafë Kashmiri, rajoni i Pukës. Me rastin e nisjes u dhanë edhe nga 500 monedha ari me vete. Në muajin mars 1950 grupi u lidh me një bandë të arratisurish në Midritë, me kryetar Pashkë Suma dhe 4 të tjerë Nue Gjergji nga Kruja, Luk Perzefi . Mark Lushi, Nue Lala nga Kruja dhe Pal Biba i Pukës.
Deri në Prill 1950 grupi ka qëndruar së bashku me këta të arratisurit në male. Me porosi të BKI nga Roma grupi u nda në dy misione, njëri për Pukën, tjetri për Mirditën. Për Pukën u caktua Kolë Çuni udhëheqës, me Mirash Markun, Pash Letaj dhe Zef Luka, bashkë me të arratisurit me në krye Pash Suma e Pal Bibën. Për Mirditën udhëheqës u caktua Gjon Gjinaj me Pjetër Gjoci, Nue Prishku, Bardhosh Gjeta dhe Nikollë Nika
Grupi i Gjon Gjinit për Mirditën, u hodh me avjon nga italianët ne shkurt të vitit 1950, në malin Fusha e Lalës – Mirditë. Misioni i të dy grupeve ishte të propagandonin për kryengritje dhe sa më shumë arratisje nga Shqipëria. Shërbimi Italian, i informuar nga BKI u hodhi disa herë material nga ajri: në shkurt 1950, në maj 1950, më 26 qershor 1950, në korrik 1950, gusht 1950, në shtator 1950, tetor 1950, në 22 qershor 1951. Në këto tetë dërgesa nga ajri për këta dy grupe, janë hedhur: 6250 monedha ari, përveç 500 monedha që ia dha secilit kur i hodhën, 160 automatikë të shkurtër, 35 revolverë “Bereta”, pako me ushqume, veshmbathje, material sanitare, alkol, granata, këpucë dimri, pelerine shiu, uniforma angleze erj. Në korrik 1951 kaluan në Jugosllavi, së bashku me 80 dezertorë dhe fshatarë të tjerë. Tre vetë nga grupi: Nue Prishku, Bardhosh Gjeta dhe Nikollë Nika u vranë gjatë konflikteve me forcat e ndjekjes.
Informatorë vendas të këtyre grupeve në terren kanë qenë 34 vetë: Mirash B., nga fshati Bagjë, anëtar Këshilit Popllor i fshatit Postresh; Gjon P. po nga ai fshat, Marash L. nga fsh.Qafë-Bushat, Dedë L., Zef T., Qerim D., Marush D., Gjon M., Noc N., Fratër P., Pashk M., Zog S.- mësues, Dedë N., Mark T.-nëpunës dhe anëtar PPSH, Xhevat Gj. inspector i shkollave fillore në Pukë, Kolë T., Çek Ç.- nëpunës në Shkodër, Xhovalin Gj. – gjimnazist, Lin Gj. – mësues, Ali N. dhe Talush N.nga fsh.Degë i Tropojës, Qerim S., Mark Z. nga fsh. Mzi – pasi u zbulua u arratis me gjithë familje në jugosllavi, Ukë T. – ka emigruar në jugosllavi, Zef P., Framus C. – vëllanë e ka në Jugosllavi, Dedë N., Kolë N., si dhe Gjon K., Gjergj K., Lesh K., Gjon K., të katërt nga Fieri, të cilët në korrik 1951 u arratisën në Jugosllavi. (Dosja e UDB, f.438-444)
Grupi i Xhevdet Blloshmi me Isa dhe Kamber Kala, në pranverën e vitit 1951 u hodhën nga italianët me parashutë në rrethin e Gramshit dhe në fund të muajit Gusht 1951 hynë në një mbledhje në fshatin Tek Dushku të Gramshit ku diskutohej për grumbullimin e tepëricave të drithit në fshat, i lidhën të gjithë dhe vranë sekretarin dhe kryetarin e këshillit popullor dhe në shtator 1951, gjatë kthimit për të kaluan në Greqi, në fshatin Varvarë, rrehti i Korçës, vranë nje bari dhe sot janë në kampin Lavrion, ku Xhevdet Blloshmi është kryetar i BKI-së. (Dosja UDB, fq. 445 – 446)
KURSI I TRETË 5 mujor në Itali, nga fundi Janarit deri në qershor 1949 – u përgatit në ishullin Monte Kristo në Itali, në afërsi të ishullit të Elbës, nën kontrollin e anglo-amerikanëve, me 15 emigrantë shqiptarë për t’u hedhur në Shqipëri, si dhe një grup nga Kosova për në Kosovë. Problematika e kursit udhëheqej nga Abaz Ermenit. Këtu u përgatit grupi i Shefqet Braçellarit me detyrë për të vepruar në rajonin e Korçës; grupi i Ali Rizës, të cilin e kish zgjedhur dhë përgatitur Xhafer Deva. Ata ishin: Shefket Ali Braçellari nga Lozhani Korçës, gjatë okupimit ka marrë pjesë me forcat e BK, pas lufte në Greqi dhe në 1949 në Itali, tashti në Jugosllavi; Shahin Dushku nga fsh. Podgorie i Korçës; Mustafa Lulja nga fsh. Dushar i Korçës; Seit Bylykbashi nga fsh. Pilur i Korçës; Riza Aliu nga Prizreni – ish kapiten; Hajredin Vuçiterna nga Rahoveci, Beqir Bajgora nga Shala e Bajgorës; Destan Bilushi nga Bilusha e Prizrenit; Shaqir Kabashi e Ahmet Kabashi nga fsh. Kabash i Gjilanit, si dhe grupi i Et’hem Çakos me Zyber Lika, Kasëm Zhupa nga Delvina dhe Llukman Luftiu nga Tetova që u hodhën në Kurvelesh më 8 korrik 1949, para se të fillonin provokacionet grelke në Vidohovë. (Dosja UDB, f. 446 – 447)
Grupi i Shefqet Braçellarit (me Shahin Dushkun, Mustafa Begjuri dhe Seit Bylikbashi) zbarkoi me barkë në fshatin Divjakë të rrethit Lushnjës, në janar 1950. Pas 7-8 ditësh mbritën në fsh. Dushar të Korçës, duke u strehuar te Sulejman Abazi në Dushar. Sigurimi shqiptar ra në gjurmë dhe i futi në grackën e 18 fshatrëve të armatosur në maj 1950, ku Braçellari mundi të ikte dhe u arratis në Jugosllavi. (Dosja UDB, f. 447 – 448)
Grupi i Ali Rizës, i përzgjedhur nga Xhafer Deva, ku bënin pjesë edhe Beqir Bajgora, Destan Berisha, Ahmet Kabashi, Shaqir Kabashi dhe Hajredin Vuçiterna, u hodh me parashutë në dhjetor 1949 në rajonin Përlat-Mirditë. Me të rënë në tokë u ndeshën me forcat e ndjekjes, ku u vra Ali Riza, anëtarët e tjerë të grupit, të udhëhequr nga Pal Biba u bartën në rretin e Pukës ku veproi deri në shtator 1950, dhe pastaj u futën në Kosovë, ku Hajredin Vuçiterna u dorëzua, ndërsa të tjerët shkuan në Greqi. (Dosja UDB, fq.448 -449)
KURSI I KATËRT në Frankfurt – Gjermani Perëndimore me 16 emigrantë: 8 qershor – 10 shtator 1951, me 15 shqiptarë: Hysen Salko nga Peshkopia, Hysen Ismaili nga Gjilani, Rifat Zyberi nga Shkodra, Dedë Lili nga Shkodra, Azis Rustemi nga Shkodra, Xhavit Ermenji nga Skrapari, Kaptel Meleqi nga Berati, Muço Hasani nga Vlora, Teki N., nga Berati, Muhamet Hoxha nga Gjirokastra, Kasëm Shehu nga Gjirokastra, Riza Qamili nga Gjirokastra, Fadil Veliu nga Gjirokastra, Din Lushnja nga Lushnja, Kalem Xhepe Xhipi nga Lushnja.
Së bashku me grupin e parashutistëve u përgatit edhe grupi I radiotelegrafisë prej 14 emigrantë: Isuf Uka – nga rrethi Prishtinës; Abdulla Kika – nga Kosovë, Dilaver Kaçupi –nga Gjirokastra, Laver Likaj-nga Gjirokastra, Tahir Prençi – nga Peshkopia,, Rushit Plaku-nga Konispoli, Faik Dalipi –nga Berati,, Bajram Meçe-nga Korça, Hajrulla Selim Myrtezi-nga Tërpeza e Gjilanit, Isuf Luma-nga Luma, Hasan Spata – nga Peshkopi, Dalip Cila-nga Peshkopia, Lulash Mihali-nga Dukagjini dhe Emin Alia-nga Vlora.(Dosja, fq. 467)
Pas këtij grupi, në Frankfurt janë trajnuar edhe KATËR GRUPE TË TJERË, po gjatë këtij viti, nga 21 shqiptarë, të cilët ndërmorrën një valë të re hedhjesh parashutistësh në Shqipëri.
Grupi i Han Kotares vet i tretë, Grupi i Dede Bog Hilit vetë i pestë,, Grupi i Xhavit Ermenjit vet i katërt, Grupi Muharrem Hoxhës vet i katërt dhe grupi i Hysen Salkut vet i pestë nga Peshkopia, i cili u hodh në 14 tetor 1951. U vranë Hysen Ismaili, Hyssen Salku helmoi veten, tre të tjerët dolën në Greqi (Dosja, f.468 -473)
Veprimtaria e amerikanëve është gjatë viteve 1952 dhe 1953. Grupi i Tosun Mehmetit (nga Kamenica e Korçës), duke pas në përbërje Kadri Shkozën nga Shkoza e Korçës, Ilmi Voskopoja nga Voskopoja, Kajo Treshova nga Treshova e Korçës. Grupi i Ibrahim Kullës nga Zëmlaku, me Qerim Kulla nga Zëmlaku dhe Rushit Plaku nga Konispoli (Dosja UDB, fq.473 – 476)
Ç). GJASHTË KURSET 4-MUJORË PËR SPIUNAZH
Emigrantët shqiptarë në Perëndim të arratisur pas Luftës Nacionalçlirimtare, për dallim nga emigracionet e shteteve të tjera të Lindjes, u treguan të gatshëm dhe të vendosur që në çdo moment të nisen në luftë për rrëzimin e regjimit të pasluftës çlirimtare, për ta ripushtuar Shqipërinë nga të huaj. Ata u bënë objekt i gjithë ndikimeve të mundshme të shteteve perëndimore.
Hedhja e diversantëve me parashutë për spiunazh fillom në vitin 1948. Kurset për përgatitjen e tyre janë mbajtur në Itali, Gjermani, Greqi, Maltë dhe Londër.
1. Kursi i parë u përgatit në Gjermaninë Perëndimorë (Mynih).në Korrik
– Tetor 1948 me 15 emigrantë, ku bënin pjesë 3 grupe: grupi i Shefqet Braçellari, Ali Rizës dhe i Ethem Çakos. Grupi i Hetem Çakos i përbërë nga Kasëm Zhupa, Llukman Luftiu dhe Zyber Lika u hodh nga ajri më 8 Korrik 1949 dhe u kap nga Forcat e Sigurimit të Tepelenës, ku Zyber Lika mbeti i vrarë. Dosja e UDB ,f. 446)
2. Kursi i Dytë Filloi në Maj 1950 i përzgjedhur nga anglo-amerikanët, me
16 emigrantë: 4 prej Vlore, 3 prej Kruje, 1 prej Tirane, 2 prej Kuksit, 3 prej Peshkopie, 1 prej Burrelit, 1 nga Peja, 1 nga Prizëreni, nën udhëheqjen e Gaqo Gogo-s, Sahit Kryeziu dhe Zef Pali.
Në fillim të Tetorit i çuan në Athinë, dhe në 16 tetor 1950 i hodhën me 26 parashuta; 13 prej tyre ranë në duart e forcave të ndjekjes në Shqipëri. (Dosja e UDB, fq.452),
3. Kursi Tretë në Maltë, përgatiti shumë grupe nga anglezët. Kursi i parë,
1 Mars – 1 Korrik 1951, me 23 kandidatë, ku bënin pjesë Tahir Tela nga Shupenza, Isuf Lala nga Muhri, Sabri Daut Rexha nga Sllatina dhe Sami Rexhep Dedja nga fsh.Lekaj i Kavajës. U futën në Shqipëri më 7 korrik 1951. ( Dosja e UDB, f.459)
4. Kursi i Katërtë në Frankfurt –Gjermani Perëndimore me 14 emigrantë,
8 qershor – 10 shtator 1951. Drejtues kursi majori amerikan me pseudonim “Henrih”, instruktorë Xhemal Laçi, Xhevdet Skënderaj dhe Jani Dilo. (Dosja e UDB f.464),
Gjatë vitit 1951 anglezët futën në Shqipëri edhe grupin e dytë prej 4 vetë me Abil Lejçani nga fsh. Luz i Kavajës, Dalip Ramadan Bili nga fsh. Pleshtan i Kuksit, Ali Rexhep Cara nga fsh. Laç i Krujës, Hidër Xhemal Sefa nga Kruja. Ky grup duhej të vepronte në terrenin Krujë – Kavajë. Edhe ky grup u hodh në 7 korrik 1951.
5. Kursi i Pestë, po në Maltë, në vitin 1952 anglezët përgatitën dhe
hodhën edhe dy grupe të tjerë: Grupi i Dedë Zef Prengut nga Kakariqi i Shkodrës, Nue Frok Zefin nga Kuzhnini i Rrëshenit, Nue Brozi nga Vau Shkez i Rrëshenit, dhe i Sejdi Bajrami nga Peja e Kosovës. Ky grup u hodh në 6 korrik 1952 në Grykë të Drinit. Ditën e tretë të hedhjes Nue Brozi u dorzua në organeve të pushtet. Pas 5 ditësh edhe Sejdi Bajrami. Dy të tjerët më 1 tetor 1952 dolën në Jugosllavi, “të cilët – thuhet në këtë Dosje – kana ardhë tek ne vëllezërit”.
Ndërsa Grupi i Tefik Kojklës, me propozim të Abaz Ermenjit, i përbërë nga Tefik Kokla nga Gramshi, Muço Çeprati nga Gramshi, Baki Ermenji nga Ermeni, Muharrem Skrapari po nga Skrapari, Ali Treblova nga Pogradeci, i cili u përgatitën në Maltë dhe në fillim të Tetorit 1952 zbarkuan me anije në bregdetin shqiptar dhe depërtuan deri në Gramsh dhe atje ranë në përpjekje me forcat e Ndjekjes. U vra Tefiku, Muço Çeprati u plagos dhe në vitin 1953 u pushkatua, ndërsa dy të tjerët u kthyen në Greqi.
– Edhe në fund të marsit 1952 u hodh një grup tjetër i Maltës në Durrës,
njëri u kap të tjerët u vranë;
– Në 6 dhjetor 1952 zbarkoi një grup tjetër me barkë në Durrës, të cilët
u kapën të gjithë.
– Gjatë vitit 1953 anglezët futën edhe një grup tjetër nga Greqia, i cili u
eleminua. (Dosja e UDB, fq. 478. – 485)
6. Kursi i Londrës nga 3 maji deri në 30 qershor 1953 anglezët trajnuan
me 5 emigrantë shqiptarë, të përzgjedhur nga kampi Lavrion në Greqi. Këta ishin: Ibrahim Mula nga Vërlani Korçës, Osman Karaja nga rrethi Tiranës, Nuredin Nurçe nga Arëza e Korçës, Haki Halil Idrizi nga fsh. Tërpezë i Gjilanit, Hajrulla Selim Myrtezai edhe ky nga Tërpeza. Më 18 korrik 1953 kaluan kufirin, por u kthyen pas dy ditësh, ngaqë u sëmur kryetari grupit. Hynë përsëri më 29 gusht 1953 diku mbi fshatin Podgorie ku u përleshën me fshatarë të armatosur, ku vranë 8 fshatarë, 4 prej tyre nga Pojani, dhe 3 ushtarë dhe u kthyen në Jugosllavi më 2 shtator 1953. (Dosja UDB. fq. 486 – 506)
D). NË PROGRAMIN E GRUPVE DIVERSIONISTE ISHTE EDHE TERRORIZMI.
Ata bënin çmos të vrisnin udhëheqës e kuadro të partisë e të shtetit, dhe të propagandonin në popull se i kanë vrarë komunistët me qëllim që të ngjallej vala e zemërimit dhe të hynte përçarja në popull. Atëhere vazhduan luftën me forma të tjera. Gjithë mbeturinat e Ballit Kombëtar e të Legalitetit, filluan të organizoheshin nën patronazhin e oficerave të ish misioneve amerikan e anglezë në Shqipëri gjatë luftës: koloneli Herbert, Emeri, Maklin e të tjerë, që u ngarkuan me këtë detyrë. Ata arritën të krijojnë të ashtuquajturin “Komiteti Shaipëria e Lirë”, pranë të cilit u ngrit edhe një “shtab ushtarak” me në krye Abaz Kupin. Pati nga emigrantët e gënjyer që u penduan dhe donin të ktheheshin, dhe disa edhe u kthyen, ndërsa shumica të mashtruar nga propaganda antikomuniste, shkuan më thellë në rrugën e tyre dhe përfunduan në kampet e strërvitjeve si në Romë, Munih, Londër, Athinë e gjetkë, për t’u përdorur si mish për top në interesat e synimeve greke, serbe e italiane.
Në fillim hidheshin me avjonë trakte kundër pushtetit popullor, të cilët populli i mblidhte, i dorëzonte ose i digjte. Kjo propagandë bëhej për të përgatitur terrenin për parashutimin e kriminelëve dhe futjen e tyre në vendin tonë nëpërmjet Italisë, Greqisë e më pas nga Jugosllavia për të bërë sabotime, atentate etj. Pra, gjithë shpresat e rrëzimit nga pushteti të çlirimtarëve të Shqipërisë, anglo-amerikanët e kishin mbështetur te këta elementë bastardë që, me thikë në njërën dorë dhe flori në tjetrën, u munduan të trembnin e të blinin popullin në masë që t’u vinte pas. Por të gjithë ata që guxuan të kafshonin Shqipërinë, lanë kockat në tokat e saj.
Kjo u përsërit edhe në vitin 1961, kur Abaz Kupi ftohet në Londër e pritet me nderim nga Emeri, tashmë ministër britanik i aviacionit, nga deputeti Maklin, nga koloneli Smail në lirim, nga gazetari Kemp, ndërsa vajza e kryeministrit Makmilan, ishte e pranishme në çdo aktivitet që u organizua për Abaz Kupin (Bazin e Canes) gjatë qëndrimit të tij 3 ditor, dhe është ajo historane, që është shprehur në ato vite: ”E MJERA SHQIPËRI, ME KAQ SHUMË ARMIQ TË FUQISHËM DHE KAQ PAK MIQ !.”
Po atë vit, 1961, reaksioni përgatiti edhe një farsë tjetër, “miratoi” inisiativën e djalit të Zogut për t’u shpallur “Mbret” i Shqipërisë, pranë të cilit caktuan gjeneralin Blomberg dhe major Kempin.
Përballimi i gjithë kësaj veprimtari armiqësore, si një zinxhir i gjatë e i pakuptuar, që është zhvilluar nga kolaboracionistët si dhe nga emigrantë ekonomikë të mashtruar nga armiqtë e jashtëm, përbën një histori lufte gati 10 vjeçare, 1944-1953. Dhe ngaqë populli ynë nuk fjeti në dafina, ajo luftë u fitua falë mbështetjes mbarë popullore, njësoj si gjatë LANÇ-it.
Tiranë, 7 Shtator 2024
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!