Pjesë e shkëputur nga ditari personal i kohës, i datës 24 shkurt 1989, këti viti ogurzi për Kosovën dhe popullin e saj, por edhe ngritja e vetëdijes kombëtare në një nivel të lartë.
__________________________-
24.2.1989
Sot dëgjuam se në Bernë qenkan tubuar punëtorë shqiptarë në Helvetiaplatz, për t’u solidarizuar me vëllezërit tanë në Kosovë. E thirra Zahirin, meqë ai duhet ta dijë, por ai më tha: “Është folur diç por s’ka diçka të tillë…”.
Grevat vazhdojnë edhe më me ngulm. Në Obiliq folën Sllobodan Millosheviq dhe Rrahman Morina. Fjalimet e tyre ishin nga më të poshtrat dhe më fashistoidët që dëgjova deri më sot. Se do të revoltoheshin akoma më shumë punëtorët për këtë, kjo veç pritej. Prandaj revoltimi përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, punëtorët, intelektualët, nëpunësit, profesorët, arsimtarët, shkrimtarët, gazetarët, nxënësit e studentët. I madh e i vogël sot është hedhur në grevë. Një punëtori minator të Stantërgut i vdiq e shoqja, por ai nuk e ndërpreu grevën e urisë dhe nuk doli nga zgafella as per ta varrosur! Solidaritet dhe unitet më të madh e sakrifica kaq të mëdha s’ka parë Kosova. Asgjë s’ishte 1981-shi kundrejt kësaj epopeje të lavdishme.
Letra e telegrame përkrahjeje po i shkojnë minatorëve të Trepçës, Novobërdës, Kishnicës, Goleshit e Babushit të Muhaherëve dhe punëtorëve e të rinjve të Kosovës nga të gjitha vendet e ndryshme të botës.
LPRK-ja me adresë e edhe ajo pa adresë akoma po heshtin… siç duket as nuk po dinë çfarë të bëjnë.
Ishte lajmëruar nëna ime sot. Kishte thënë se situata ishte e rëndë, por akoma ishin gjallë punëtorët.
Pasi e biseduam me Hasimin disa herë lidhur me çështjes së grevimit të punëtorëve në Bernë, vendosëm që nëse është e vërtetë, atëherë të dalim edhe ne.
E thirrëm Reshatin me telefon. Televizioni shqiptar kishte dhënë inserte filmike nga grevat e punëtorëve dhe studentëve shqiptarë të Kosovës dhe ishin tmerruar.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!