PJESË E SHQIPTARËVE ISHIN FTOHUR PREJ ATDHEUT TË TYRE

13
Jun
2024
Shkruan: Ali Sh Mehmeti

JANICALËT
Sot, kur me qindra mijëra fëmijë dhe të rinj shqiptar mësojnë dhe studiojnë anembanë rruzullit tokësor në gjuhë të ndryshme, është më se e nevojshme të mësojnë se çka i shkruan rilindësi i parë shqiptarë Naum Veqilharxhi, nipit të vetë Jani Calit.
Naum Veqilharxhi (1797-1846) është rilindës shqiptar, iluminist i orëve të para; më 1844 krijoi një alfabet krejt origjinal për gjuhën shqipe i quajtur Alfabeti i Vithkuqit; Veqilharxhi është ndër figurat më të shquara të viteve të para të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe çmohet si njëri prej ideologëve të saj të parë.
Jani Cali është nip i Veqilharxhit
dhe kishte kërkuar nga xhaxhai i vet të hiqte dorë nga përpjekjet e tij për alfabet dhe shkrim shqip, sepse vet ishte shkolluar nëpër shkolla greke.
Në këtë letër shkruan:
“Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet, d.m.th.
prindërit e tij, farefisin e tij, miqtë e tij, bashkëkombësit e tij, vetë vatrën e tij atërore, varret e stërgjyshërve të tij, gjërat e shenjta të vetë familjes së tij dhe të shkojë për t’i kërkuar këto të gjitha gjetkë, ku kurrë nuk do të ketë mundësi për t’i gjetur, duke vuajtur gjatë jetës. Pra, atë që këshillon gjëra të tilla, nuk e di në ç’kategori ta vendos … Ti të gjitha studimet e tua i bëre në shkollat greke, të cilat janë organizuar për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar … POR SI NUK E KAPE IDENË NGA KRAHASIMI I TË GJITHA KOMBEVE TË TJERA … të gjitha këto patjetër duhet të ta kishin prekur fantazinë tënde, të kishin vënë në lëvizje kërshërinë tënde”
Me fjalë të tjera: atdhedashurinë që ta mbollën grekët për kombin e tyre, pse nuk e përdore për kombin tënd? Prandaj pyetja: si është e mundur që patriotët më të mëdhenj të kombit shqiptar, nga Skënderbeu i shkolluar në Stamboll, te udhëheqësit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare të shkolluar gjithandej nëpër Evropë, e deri te Adem Demaçi që studioi Letërsinë Botërore në Universitetin e Beogradit, dolën nga shkollat e huaja, ka përgjigje të thjeshtë: Edhe pse u arsimuan dhe u edukuan nëpër shkolla të huaja, ku ushqehej patriotizmi i huaj, ditën ta “KAPIN IDENË”.
Kështu ka ndodhur në mungesë të shkollave shqipe, që do ta kishin mbjellë atdhedashurinë në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa pasur nevojë ta “kapin idenë”, sepse janë të paktë ata që shkollohen në gjuhë të huaja dhe arrijnë ta “kapin idenë”, sikur atëherë, ashtu edhe sot. Jo rastësisht, për probleme të tilla shkruan gati dy shekuj më vonë edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare te sprova e tij „Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë“. Mjafton që turqizimit e greqizimit t’i shtohen edhe disa ‘izma të tjerë, që shkrimi të bëhet plotësisht aktual edhe sot.
„Rilindësit duhen lexuar e rilexuar gjithmonë, sidomos në kohëra të vështira. Duke i shfletuar tani, shikojmë se përveç shqetësimit të tyre themelor: çlirimit të Shqipërisë e pavarësisë së saj, ishte një ankth tjetër, i vazhdueshëm, i lidhur ngushtë me të parin: RIZGJIMI I ATDHEDASHURISË … kambanat e tyre, thirrjet e zjarrta, shpeshherë të dëshpëruara, TI SHQIPËRI, MË JEP NDER, MË JEP EMRIN SHQIPTAR, dëshmojnë një të vërtetë tepër dëshpëruese: NJË PJESË E SHQIPTARËVE ISHIN FTOHUR PREJ ATDHEUT TË TYRE. Turqizimi i qindra mijëra shqiptarëve, greqizimi i një pjese tjetër, ngatërrimi i përkatësisë shqiptare me atë fetare, dëshmonin se ndjenja patriotike te një pjesë e shqiptarëve ka qenë jo aq e fortë siç paraqitej. Një pjesë e tyre, me lehtësi ishin gati të këmbenin atdheun e tyre me një tjetër atdhe, NJË PJESË KISHIN TURP TË QUHESHIN SHQIPTARË, të tjerët me lehtësi viheshin në shërbim të forcave kundërshqiptare“.
Jani Calët nuk janë zhdukur, ata ekzistojnë edhe sot, veç e kanë ndryshuar fjalorin.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 13/06/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk