Shkruan: Agim Sylejmani
“SHQIPËRIA NË SYTË E MI”, të autorit Isa Ferizaj.
U dasht të presim 30 vjet për të marrë dikush guximin dhe kurajon për të shkruar të vërtetat e përjetuara në këto 77 vite të mbushura me lavdi e heroizma të papara nga gjaku i derdhur lumë i mijëra dëshmorëve e heronjve të atdheut e të popullit tonë, rënë heroikisht në LANÇ, kundër egërsirës nazi-fashiste pushtuese, por edhe kundër bashkëpunëtorëve me pushtuesit, si edhe kundër klasës shtypëse e shfrytëzuese të një populli të tërë në të kaluarën e errët të paraçlirimit të atdheut.
U dasht të presim tri dekada që dikush ta thoshte me guxim intelektual e me shpirt shqiptarie të vërtetën, që kaq shumë na ka munguar e, që kaq shumë është sulmuar e, po aq shumë është trysnuar kushdo që ka dashur të thotë diçka rreth periudhës gjysmëshekullore të Shqipërisë socialiste, të Pushtetit Popullor. Fytyra e asaj Shqipërie të Demokracisë Popullore është zbardhur e ndriçuar nga puna, djersa, sakrificat e vetëmohimi, nga fryma atdhetare e përbashkuese e pashembullt e një populli të tërë, në luftën heroike rindërtuese e ndërtuese të Shqipërisë tonë të shtrenjtë, në epokën e pasçlirimit; me suksese e zhvillim të paimagjinueshëm, me prosperitet, arsim e edukatë të pashembullt në historinë tonë mijëravjeçarësh, por, fatkeqësisht, edhe me shëmtinë e këtyre 30 viteve të kaluara në gjoja palodemokraci, ku mbizotëroi e sundon ende krimi, korrupsioni, hajnia, prostitucioni… Pas 30 vitesh nga përmbysja e sistemit socialist, më në fund kemi në dorë një libër që ndriçon epokën e pushtetit popullor dhe kohës së riinstalimit të sistemit kapitalist në Shqipëri e kjo, e bërë realitet përmes përjetimeve personale të autorit, Isa Ferizaj, në librin e tij “Shqipëria në sytë e mi”, në dy vëllime voluminoze.
Libri dyvëllimësh, “Shqipëria në sytë e mi”, shkruar nga publicisti dhe poeti tropojan, i mirënjohuri, Isa Ferizaj, është një libër i formatit çfarë i ka munguar hapësirës mbarëkombëtare shqiptare, që të ballafaqohet me të vërtetën e madhe gjysmëshekullore, në formë rrëfimi dhe përshkrimi autobiografik të rrugëtimit të tij jetësor, me rrëfimin artistik, plot ndjenjë, aq sa të duket se kemi të bëjmë me një prozë poetike emocionale, e cila të tërheq e të rrëmben, nga njëra faqe në tjetrën, nga njëri kapitull, tek tjetri. I tërë libri është i bazuar në faktet e bollshme e kokëforta të faktografisë së të dhënave kohore, duke krijuar kështu një libër monumental për atë kohë të lulëzimit të artit e të kulturës, të dijes dhe zhvillimit, të barazisë dhe prosperitetit, por edhe atë libër aktakuzë ndaj atyre që e rrëzuan Shqipërinë nga majat e lavdisë dhe e hodhën në fundin e errësirës, pas fundvitit 1990. Autori e ka ndërtuar librin e tij dyvëllimësh në formën e një inversioni stilistik letrar. Ky mjet stilistik shprehës, vihet re nga një sy i kujdesshëm, ku në vëllimin e parë, kemi nëntitullin: “Shqipëria – nga fundi i errësirës, në kryemajat e lavdisë” e, në librin e dytë kemi nëntitullin: “Shqipëria, nga kryemajat e lavdisë – në fundin e errësirës”. Inversioni stilistik letrar e shtjellues, në këto dy librat e Isa Ferizajt, me të njëjtin titull, nuk është vetëm ai letrari, por ai nënkupton shumëçka brenda atij libri dyvëllimësh dhe të duket sikur e shikon dhe i prek ato realitete që sillen me shumë mjeshtri artistike e faktografike nga autori. Ai është edhe “inversioni” shoqëror, ekonomik, kulturor, psikologjik, moral, botëkuptimor, familjar, buruar nga ai “inversioni” brenda vet njeriut.
Në këto dy vëllime të librit të Isa Ferizajt, ndeshemi me rrëfimin mjeshtëror artistik, plot ngjyrime figurative letrare; ndeshemi me analizën e thellë, plot forcë logjike; ndeshemi edhe me të dhëna aq të shumta statistikore, aq sa na krijohet ideja se a mos kemi në dorë një libër statistikor të një autori staticien. I gjithë libri në të dyja vëllimet e tij, “flet” me një gjuhë të rrjedhshme dhe të kuptueshme për të gjitha shtresat e lexuesve e kjo, falë vramendjes e kujdesit të autorit. Isa Ferizaj, i cili përmes këtij libri ia arrin t’i ofrojë lexuesit një tabllo shumë transparente, të kuptueshme dhe të realtë të periudhës së Shqipërisë së Pushtetit Popullor, deri në fundvitin tragjik të 1990-ës, vit i përmbysjes së gjithë asaj kalaje të ndërtuar për pesëdhjetë vjet, me shumë mund, me shumë djersë e me po aq sakrifica mbinjerëzore e të vetëdijshme të disa brezave njerëzorë me radhë.
Autori i dy vëllimeve të këtij libri, me një guxim të rrallë i është rrekur punës për të trajtuar një çështje, e cila për nënqiellin shqiptar sikur është mbetur tabu, si një gjë heretike. Por, në të vërtetë ai nuk bën asgjë tjetër, as më shumë e, as më pak, sesa një ‘detyrimi’ që ndjen ndaj Kryenënës Shqipëri, këtë përmes shpalosjes së rrugëtimit të tij jetësor nëpër kohërat që ai i jetoi, duke përshkruar edhe të përceptuarit e tij për çdo gjë që përjetoi dhe e rrethoi atë ndër vite. Ai përshkruan rritën e tij dhe e krahason me rritjen e Atdheut, të cilin ai me të drejtë e quan Kryenëna Shqipëri.
Autori na mahnit me një memorje të shkëlqyer, thuajse ka mbajtur ditar të përditshëm dhe të hollësishëm, për gjithçka që ndodh rreth tij dhe, me atë vet. Që në hyrje të librit, titulluar “Dy fjalë parathënëse”, autori Isa Ferizaj vë theksin tek dashuria për mëmëdheun, dashuri e përcjellur brez pas brezi, duke e tërhequr një paralalele krahasimtare sikur në mes të lidhjes nënë – fëmijë. “Nëna ime biologjike nuk vdiq, sepse u bë, brenda vetëdijes time, një me nënën që më rriti”, rrëfen autori, të cilit nëna që e lindi i vdiq kur ai ishte vetëm një vit e gjysmë, por fati i mirë e deshi që ai të binte në duart e në gjirin e nënës që e rriti dhe që i ofroi aq shumë dashuri, sa ai thuajse nuk e ndjeu kurrë mungesën e nënës së tij biologjike, për të konstatuar me të drejtë nga ai se, “Edhe Mëmëdheu na ushqen lidhjet tona, lidhje pa të cilat s’do të kishim as emër, as këtë gjenin e racës tonë. Kështu, sa të rrojë Mëmëdheu, rron edhe lidhja nënë – fëmijë, shqiptarë–Mëmëdhe (Shqipëri) si nga ana reale, por edhe nga ajo shpirtërore e metaforike. Lidhje të tilla kapërcejnë përtej vdekjeve për ta mbajtur të pashkëputur këtë fill jete, sa magjik edhe aq hyjnor”. Sa bukur e thotë autori, “Lidhje të tilla kapërcejnë përtej vdekjeve…”, duke treguar forcën dhe madhështinë e kësaj dashurie brezash ndaj Mëmëdheut, dashuri të trashëguar… prej kush e di se ç’kohërash të largëta që nga fillzënia e jetës së racës tonë shqiptare. Dhe kulmimin e kësaj dashurie autori e shpreh në klithmën e tij shpirtërore përmes emrit “Kryenëna Shqipëri!”
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!