PO TARTUFI? . . . I SHKRETI !

15
Jun
2024
Shkruan: Gjon Bruçi


Tartufi, personazhi kryesor i komedisë me të njëjtin titull të Molierit, shkon tek shtëpia e pasanikut Orgon dhe kërkon punë. Ai i tha Orgonit se ishte një klerik që nuk i kishte ecur fati në praktikimin e besimit fetar, ndaj kërkonte të punonte si shërbëtor në shtëpinë e tij.
Orgoni, që në takimin e parë, konstatoi një person gjithë kulturë e përulsi ndaj të zotit të shtëpisë, çka e bëri ta merrte shërbëtor në familje dhe në bisnesin e tij privat. Falë sjelljes së përunjur dhe ligjëratave të hatashme që ai formulonte, Orgoni, krijoi bindjen se Tartufi ishte një shërbëtor engjëll dhe i mrekullueshëm, që nuk mund t’ia gjeje shokun në gjithë Parisin.
Pothuajse çdo ditë, Sapo kthehej në shtëpi, Orgoni pyeste kryeshërbëtoren për punën, për njerëzit e familjes dhe për shërbëtorët e shtëpisë. Gjatë këtij dialogu me kryeshërbëtoren, Orgoni nuk harronte të pyeste: “Po Tartufi?”, dhe pa dëgjuar përgjigjen e plotë e pasonte me fjalën “i shkreti!”.
Kryeshërbëtorja me të tjerët mendonin se Tartufi ishte një vagabond, por asnjeherë nuk guxonin t’ia thonin Orgonit, i cili çdo ditë përsëriste batutën “Po Tartufi? . . . i shkreti!”. Besimi absolut tek Tartufi, arriti gjer në atë pikë, sa Orgoni e bëri Tartufin kryeshërbëtor, e madje, pasi përzuri dhe djalin e vetëm të tij, i kaloi me tapi edhe pasurinë. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai nxiti vajzën e tij Marianën, të fejohej e martohej me Tartufin.
Historia do të kishte përfunduar me falimentin e Orgonit, si pasanik dhe njëherësh edhe si zot shtëpie, por djali i tij me disa nga shërbëtorët, i përgatitën një rëng Tartufit, i cili me një skenë të kurdisur enkas, u diskretitue përpara Orgonit. Më në fund Orgoni mori vesh se kush ishte Tartufi i vërtetë, i cili tashmë kishte akaparuar pasurinë, do t’i merrte edhe vajzën dhe do ta flakte në rrugë pronarin e ligjshëm.
Skena mbyllet duke lënë të kuptohet se çështja do të përfundonte në gjykatë, e cila mund ta kthente përsëri Orgonin në pozicionin ligjor e të natyrshëm të zotit të shtëpisë dhe të pasurisë së tij të trashëguar në vite.
. . .
Subjekti i kësaj komedie, që unë do ta quaja “tragjikomedi”, mund të luhet nga aktorët tanë të politikës. Veçanërisht nga ata të partive politike, nëse partinë e tyre ua ka rrëmbyer ndonjë Tartuf, si ai i Molierit të Francës.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/06/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk