POETI ZEMËRBARDHË QË VDEKJA IA KËPUTI ËNDRRËN

05
Jan
2025
Shkruan: Demir Reshiti

Nekrologji në 18 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit e veprimtarit Ramadan Sinani

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Lajmi i papritur për vdekjen e Ramadan Sinanit më goditi rëndë, ishte si një rrufe e befasishme që më tronditi jo vetëm mua, por tërë ata që e njohën dhe e deshën. Poeti papritmas, ndërroi jetë nga një sulm në tru, në moshën 63 vjeçare, në spitalin shtetëror të Shkupit

Monotoninë e ditës së tretë të vitit 2007, po e thyenin cingërimat e telefonit që binte pa pra. Interesoheshin miqtë për gjendjen time shëndetësore, por edhe më nisnin mesazhe urimi për vitin e ri.
Një cingërimë telefoni mu bë se dallonte nga të tjerat. Zilja binte me një ritëm më ndryshe. Ishte një cingërimë e gjatë dhe parandjeva se do të dëgjoj ndonjë lajm të befasishëm. Në anën tjetër të telefonit, dëgjoj zërin e mikut Muhamet Mavraj. U befasova pak, sepse s’kishte as pesë minuta që i kishim këmbyer mesazhet e urimit për festat. Interesohet për gjendjen time shëndetësore dhe më jep kurajo për ta përballur më lehtë sëmundjen që më kishte ngjitur për shtrati…
-Demir, e din çfarë ka të re, -më thotë?. Ka vdekur profesor Ramadani, babai i Arsimit… Është mirë që t’ia nisish një mesazh Arsimit, meqë në këtë gjendje nuk mund të shkosh në varrim apo për ngushëllime… Këputet lidhja, apo e ndërpres unë instinktivisht?.
Lajmi i papritur për vdekjen e Ramadan Sinanit më goditi rëndë, ishte si një rrufe e befasishme që më tronditi jo vetëm mua, por tërë ata që e njohën dhe e deshën. Poeti papritmas, ndërroi jetë nga një sulm në tru në moshën 63 vjeçare, në spitalin shtetëror të Shkupit.
Më pyesin familjarët çfarë telefonate ishte kjo që më tronditi kaq shumë. Ua shpjegoj atë që s’mund ta besoja as unë. Më ngushëlluan, sepse e njihnin edhe ata profesor Ramadanin. Ai në qershor të vitit të kaluar, së bashku me disa kolegë tjerë shkrimtarë kishin qenë mysafirë në shtëpinë time, pas përfundimit të aktivitetit tradicional letrar që organizohet çdo qershor në fshatin e lindjes së Ymer Prizrenit, në Zgatar të Opojës. Zaten ishte pikërisht ky manifestim që më bëri ta njoh më për së afërmi poetin, profesorin, intelektualin, e mbi të gjitha njeriun zemërbardhë Ramadan Sinanin. Në dy veprimtaritë e fundit letrare për Ymer Prizrenin, Ramadani së bashku me krijues tjerë nga Tetova, kishte ardhur në Opojë për ta nderuar këtë figurë të madhe të kombit, por për të na nderuar edhe ne organizatorëve të këtij manifestimi.
…Ishte njeri i qetë, me shpirt poetik, fliste ngadalë e butë, vlerësonte mikpritjen por edhe dinte ta afronte atë. Kafen e fundit me profesor Ramadanin e kam pirë në restorantin “Tivoli” të Tetovës. Ishte fillimi i muajit korrik. E takova krejt rastësisht në kopshtin veror të këtij restoranti. Po bëhesha gati t’i telefonojë kur ma zuri syri. Deshi të më qortonte pse kisha ardhur në Tetovë e nuk i isha lajmëruar. U rehatua vetëm pasi e binda që sapo kisha zbritur nga autobusi dhe po bëhesha gati t’i telefonoja. U bind kur më pa se e kisha formuar numrin e tij në celular…Më prezantoi me mikun që ishte në tavolinë me të, dhe filloi t’i flas atij për Opojën, për veprimtarinë letrare që ishte zhvilluar atje vetëm disa ditë më parë, për kënaqësinë shpirtërore që ia kishte sjellë atij prania e një numri të madh shkrimtarësh nga e gjithë gjeografia shqiptare…
Mos vdeksha pa e bërë “Skardinen”…
…Do ta organizojmë edhe ne në Tetovë një manifestim të tillë letrar gjithëkombëtar, madje ndërkombëtar. E kam bërë projektin dhe e kam dorëzuar në ministrinë e kulturës. Shpresoj se kësaj radhe nuk do ta refuzojnë. Do të mblidhemi në kalanë legjendare të Tetovës shkrimtarë nga i gjithë Ballkani. E kam ëndërruar gjithnjë që ta bëj një gjë të tillë. E kam përpunuar projektin deri në detaje. Do ta quajmë “Skardina”. Një emër shumë simbolik ky. Besoj do ta kem përkrahjen edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës për ta realizuar një projekt të tillë. I them që të llogaris pa as më të voglën mëdyshje në ndihmën e LSHK-së.
-Mos vdeksha pa e realizuar këtë projekt, ia shkrepi profesori! (Eu, pse po e përmend vdekjen ky njeri?!). E prishe profesor, i them. Pse po e përmend vdekjen?! Ende nuk e ke bërë gjysmën e rrugës jetësore… Ke edhe shumë “borxhe” për të larë para se të ikësh nga kjo botë, i them si me shpoti…
-Nuk i frikësohem vdekjes, se fundja është një gjë që do të na ndodh të gjithëve, por kur e thash atë mos vdeksha pa e bërë “Skardinen”, desha të tregojë se sa shumë dëshirë kam për ta realizuar një projekt të tillë…
Për dreq, gati e gjithë biseda lidhej me vdekjen. Edhe pse bënim përpjekje që të dytë t’i shmangemi kësaj teme, nuk i iknim dot. Kthehej e ulej këmbëkryq në tavolinën tonë…Athua ta ketë parandier vdekjen ky njeri?! Ishte takimi i fundit fizik me të. Ishte pikërisht vdekja ajo që ia këputi ëndrrën profesorit dhe krijuesit të nderuar Ramadan Sinanit.
Makiatot që pimë në “Tivoli”, ishin të fundit që i pimë bashkë…Me telefon u dëgjuam edhe herë të tjera. Vërehej një gjallëri te ai, sidomos pas rikthimit të tij në Universitet, aty ku për disa vite kishte dhënë kontributin e tij në edukimin e gjeneratave të reja.
***
Ramadani kishte një energji të madhe krijuese dhe një entuziazëm. Iu gëzohej veprimtarive poetike. Më kujtohet një rast në maj të vitit 2005 kur ishim në Tetovë me Karvanin e Shkrimtarëve për fëmijë. Prezenca e Karvanit në Tetovë pati zgjuar interesim të madh si te nxënësit ashtu edhe te njerëzit e kulturës, të cilët këtë e patën quajtur si ngjarje të madhe kulturore në këtë qytet. Orën letrare të Karvanit e pati hapur profesor Ramadani, i cili këtë aktivitet e quajti festë të vërtetë poetike.
***
Kontributi i Ramadan Sinanit ishte i madh në shumë sfera të jetës: në arsim, në kulturë, në politikë, në çështjen kombëtare, e posaçërisht në fushën e letërsisë ku me një shtrirje vërtet të madhe variacionesh e llojesh letrare dëshmoi formatin e vet të madh prej krijuesi. Vdekja e tij është humbje e madhe dhe e pa kompensueshme për letërsinë tonë dhe për kulturën tonë në përgjithësi.
I përjetshëm do të jetë kujtimi për të, kurse opusi i tij le të na shërbejë si ngushëllim i të gjithëve, që dimë ta çmojmë sadopak djersën e derdhur në të shkrimtari, patrioti, profesori, dhe mbi të gjitha njeriu me zemër të bardhë, Ramadan Sinani.
***
Ramadan Sinani u lind më 16 qershor 1944 në Tetovë, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Në vitin 1971, në Beograd, diplomoi në Gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë. Në vitin 1987, në Universitetin e Prishtinës, magjistroi në temën “Vendlindja në poezinë e sotme shqipe”.
Një kohë punoi në gjimnazin e Vitisë dhe të Tetovës. Që nga themelimi ka ligjëruar në Universitetin e Tetovës, ku e gjeti edhe vdekja.
Ai ishte organizator i aktiviteteve të ndryshme kulturore, letrare e artistike.
Në vitin 1968, si student anëtarësohet në Shoqërinë e studenteve shqiptarë “Përpjekja” të Beogradit, ku organizon veprimtari kulturore e letrare.
Në dhjetor të vitit 1968 e burgosin si organizator për Demonstratat e Tetovës, ku e dënojnë me burg. Dënimin e vuan ne burgun “Shutka” në Shkup.
Ishte themelues dhe kryeredaktor i parë i revistës “Vlera” që del në Tetovë. Ramadan Sinani ka botuar një numër të konsiderueshëm librash me poezi dhe studime letrare. Kështu, më 1990, shtëpia botuese “Rilindja” ia botoi vëllimin me poezi “Kavallet e Sharrit”, ne vitin 1995, vëllimin me poezi “Emblemë i/lirie”, më 2001 përmbledhjen “Heu”, kurse më 2004 “Shtëpi të kesh” dhe në vitin 2006 vëllimin “Zjarr e acar”.
Në vitin 1996, botoi monografinë “Vendlindja në poezinë e sotme shqipe”.
Vdekja e zuri si ligjërues në lëndën “Letërsi e krahasuar” në Programin studimor – Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Ishte Drejtor i festivalit mbarëkombëtar “Fest ARB”; Kryetar i jurisë së Tetovës në ”Këngën në Radio Televizionin Shqiptar”; Organizator i këngëve të stinës në Tetovë; Themelues dhe nënkryetar i Bashkësisë Kulturore Shqiptare; Themelues dhe sekretar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar në Maqedoni; Themelues i manifestimit”Ditët e naimit”;
Një prej bashkëthemeluesve (me të ndjerin dr. Jusuf Rexhepin) i Partisë Demokratike Popullore; Deri në momentin e vdekjes ishte nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar në Maqedoni; Themelues i Festivalit Ballkanik të Poezisë “Skardina” që ishte në përgatitje e sipër por që vdekja e ndaloi ta organizojë si aktivitet ndërkombëtar.
Ramadan Sinani u varros me nderime të larta në varrezat e qytetit në Tetovë, më 4 janar 2007. Ishte e pafund kolona e njerëzve që kishin vajtur nga e gjithë shqiptaria për ta përcjellë në banesën e tij të fundit profesorin e nderuar.
“I bëjmë nderimet e fundit profesorit të këtij Universitetit, poetit e kritikut letrar, intelektualit që kaloi të gjitha golgotat dhe vazhdimisht mbeti model njeri, pedagogu e krijuesi. Po i bëjmë, sot, nderimet e fundit mr. Ramadan Sinanit, ligjëruesit të letërsisë së krahasuar që me aq devotshmëri e studioi artin, ju përkushtua tërë jetën atij, krijoi letërsi. Dhe me aq zell e përcolli atë tek brezat e ri”, ka theksuar në fjalën e tij në mbledhjen e përmortshme, rektori i UT-së, Sadi Bexheti.
“Universiteti Shtetëror i Tetovës është institucioni që kolegu ynë Ramadan Sinani e deshi shumë dhe i kontribuoi që nga fillimi i tij. Ky është institucioni që e la jashtë dyerve të tij dhe që e zhgënjeu shumë. Me kthimin në procesin e ligjërimit ishte përplot entuziazëm dhe dashuri për punën që bënte. Iu kthye besimi krenaria dhe dinjiteti i humbur me vite. Në këtë amfiteatër, në përvjetorin e themelimit të Universitetit, me lot në sy tha: Rruga e intelektualit nuk është e shtruar me lule”, ka shtuar ndër të tjera rektori Bexheti.
“Ramadani ishte letrar dhe shkencëtar, prandaj vdekja e tij është humbje edhe për kulturën shqiptare. Vepra e tij letrare dhe shkencore e bën të paharruar emrin e tij”, ka shkruar në telegramin e ngushëllimit, Akademik Qosja.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 05/01/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk