Lidhur me komentin poetit kombëtar, Sylejman Qyqalla, për shkrimtarin jopolitik, të njëjtin mendim ia kam thënë edhe unë para dy dekadash pedagoges sime në Suedi, se shkrimtari nuk mund të jetë dualist apo jopolitik ndaj çështjes kombëtare e ndërkombëtare. Shembull konkret është shkrimtari suedez, Vilheml Moberg, që ka shkruar romanin voluminoz “Emigrantët”, po të mos ishte politikan i ndjeshëm ndaj vendit dhe popullit, nuk do të shkruhej një libër kaq i mrekullueshëm për vuajtjen dhe shpërnguljen e suedezëve në Amerikën e largët, me një udhëtim fort të mundimshëm përtej oqeanit Atlantik. Pikërisht me vargjet “O, si nuk kam një grusht të fortë, t’i bij m’u në zemër malit që s’bëzanë”, shihet që Migjeni ka qenë poet i ndjeshëm politik.
Nëse shkrimtarit është apolitik, atëherë nuk është shkrimtar. Sipas shkrimit të poetit, Haxhi Zyba, në ”Zëri i Kosovës” kur udba jugosllave e arrestoi Teki Dervishin, tha që është shkrimtar dhe nuk i interesonte politika. Prandaj këtu kemi paqartësi. E para, Dervishi në mënyrë profesionale e kishte gabim, pasi që njeriu nuk mund të jetë shkrimtar dhe jopolitikë, e dyta, mund që hetuesi i udbës nuk e ka ”kuptuar” terminologjinë e Dervishit, prej nga vetë letërsia është politikë. I vetmi dallim është se për cilin drejtim shkruante, për apo kundër politikës jugosllave. Prej organeve policore mund të lirohej në qoftë se nuk bëhet shkrimtar si Adem Demaçi dhe Fazli Greiçevci. Shkrimtari politik është shpatë me dy presa, të shkruash kundër politikës shtypëse jugosllave, ose të shkruash në shërbim të politikës jugosllave, përndryshe udba nuk të linte të qetë. Flitet se vetëm në sport nuk ka politikë; megjithatë kur serbët në stadiumin e tyre deshën ta djegin flamurin shqiptar, lojtari i kombëtares zvicerane, Taulant Xhaka, e mbrojti me heroizëm. Kompozitori gjerman, Ludvig Betoveni, ishte kompozitor i dyfishtë politik: të parën kur si përkrahës i Napolonit për shembjen e feudalizmit ia kushtoi simfoninë luftarake, të dytën, sapo Napoloni shpallet perandor i Francës, prej zemërimit e grisi. Prandaj të jesh krijues, do të thotë të merresh me politikë. Atë që bëri në krijimtari muzikore kompozitori gjerman, Betoveni, e bëri piktori spanjoll, Francisko de Goja, me pikturën “3 Maj 1808” kushtuar trimave të lirisë të pushkatuar nga trupat pushtuese franceze, që ka qenë një ndër ngjarjet më dramatike nga të gjitha pikturat historike. Pastaj pikturat me motive luftarake, siç janë të Dedë Gjo Lulit, të Hasan Prishtinës, Ahmet Delisë, të Azem e Shote Galicës kanë dallim me pikturat e motivit idilik: për të parat, piktori në ish-Jugosllavi dënohej me burg, për të dytat, udba i kishte duart e lira.
Në vazhdim, ndërkohë që kryetari i Francës, Emanuel Makroni, me mjete diplomatike vepron në dëm të Kosovës, Ismail Kadarenë e nderon me çmimin Oficer i Lartë i Legjionit të Nderit. Shkrimtari Kadare kishte një rast heroik të kundërshtonte çmimin e nënshtrimit politik e diplomatik, sepse nderi më i madh është Kosova e lirë dhe e bashkuar me Shqipërinë mëmë. Me këtë çmim, i pari i Francës njeriun e letrave, Kadarenë, e detyroi të mbajë heshtjen ndaj Kosovës së përgjakur, me synim të krijimit të asociacionit të njëanshëm serb në Kosovë. Që çmimi francez është mjet diplomatik në dëm të Kosovës nuk ka asnjë dyshim. Prandaj më i lavdishëm do të mbetej kundërshtimi se pranimi i çmimit francez! Kadare duhej të merrte shembullin e filozofit dhe shkrimtarit francez, Zhan Pol Sartrit, i cili në vitin 1945 refuzoi Çmimin e Legjionit të Nderit dhe pas dy dekadash Çmimin Nobel të Akademisë Suedeze në Stokholm.
Qëndrim të ngjashëm ka pasur edhe Faik Konica, i cili duke kundërshtuar aneksimin dhe nënshtrimin e Shqipërisë ndaj Italisë, deklaroi: “Më mirë të qëndrojmë turq sesa të bëhemi italianë”, prej nga në mes dy armiqve duhej deklaruar se më mirë që Shqipëria të jetë vend i pavarur e i lirë prej dy pushtuesve me damkë të skllavërisë. Deklarata e Konicës duket se ka pasur ndikim fetar, pasi që për skaj fesë myslimane anonte në anën turke. Kjo do të ishte sikur shqiptari katolik të thoshte “Më mirë të qëndrojmë italianë sesa të bëhemi turq”. Prandaj nëse shqiptarët nuk kishin asgjë të përbashkët me popullin italian – as me racën latine, as me gjuhën, as me traditat, të njëjtin qëndrim kishin edhe ndaj popullit turk të racës mongole.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!