“Politikanit” nuk i ndryshon ngjyra e fytyres kur gënjen, vjedh apo sillet hipokrit, sepse kërkon profesioni.
“Është pa gjak, as skuqet, as verdhet, as nxihet, është i zi dhe nuk duket!”
Këtu fjalet “…është i zi dhe nuk duket” nuk kanë të bëjnë me ndonjë vlerësim racist, por janë thjesht një shprehje për të përshkruar realitetin.
Ky është një vlerësim i dhënë për dikë që “nuk e di” çfarë është turpi dhe është i aftë të bëjë çdo poshtërsi në dëm të të tjerëve.
Zakonisht, njerëzit e mirë dhe me moral, kur bëjnë një gabim të paqëllimtë ndaj dikujt, ose thonë diçka që dikush tjetër nuk e meriton, dhe e kuptojnë në moment se kanë folur ose vepruar gabim, u ndryshon ngjyra e fytyrës, skuqen deri te veshët. Ndaj ka dalë kjo fjale popullore, si vlerësim i karakterit dhe moralit të dikujt.
Megjithatë, praktika e “gjakut në fytyrë” misherohet gjatë zgjedhjeve. Politikanët e vjetër, që kanë dështuar në mbajtjen e premtimeve të tyre, “i njohin këto gabime”, gjejnë një mënyrë për t’u justifikuar, “bëjnë autokritikë”, pra kritikojnë veten, për t’u bërë më të besueshëm për votuesit, edhe pse e dinë dhe janë të ndërgjegjshëm që kjo është pafytyrësi. Por pafytyrësia në politikë nuk ka rëndësi aspak, sepse votuesit shpesh harrojnë shumë shpejt. Mekanizmi i harresës vepron edhe kundër ekzistencës së tyre, e cila “udhëhiqet” nga mungesa e parimeve.
Pafytyrësia e politikanëve mbush xhepat dhe llogaritë e tyre bankare, ndërsa zbrazin dhe shqyen xhepat e popullit. Ky popull, pa e kuptuar as vetë, kthehet dhe barazohet me një pulë pa kokë, e cila, pasi i prehet koka, fluturon në drejtim të panjohur, derisa të ketë shpërdorur gjithçka që ka.
“Pula pa kokë” nuk është rrezik për politikën dhe politikanët, por është e nevojshme, sepse edhe pse nuk bën më vezë, i duhet për t’i ngrënë mishin.
Ndaj, shqiptarëve ua presin vazhdimisht dhe pa mëshirë kokat e mençura të kombit, që “pula të humbasë rrugën në oborr”, të ikë pa vendosur, ku edhe ajo vetë nuk e di se ku po shkon.
Politikanët “e mençur shqiptarë”, për të marrë pushtet, instalohen në politikë nga ambasadat e huaja, mbrohen nga të huajt, me gjykata dhe prokurori të drejtuara nga të huajt. Këta “njerëz të mëdhenj” të politikës shqiptare, që nuk hezitojnë të vrasin apo të dëbojnë me qindra mijëra bashkatdhetarë pa kthim, përsëri “mbeten të nderuar”, dalin nga arresti në paqe, pa u futur një gjemb në këmbë, dhe përsëri, me mbështetjen e ambasadave, hyjnë përsëri në politikë dhe garojnë si “njerëz të ndershëm që janë”.
Është koha që të pafytyrët të largohen. E gjithë politika 34-vjeçare duhet të shkojë, në mënyrën më të mirë, prapa hekurave.
Mjaft është mjaft, o njerëz. Mësoni ta bëni politikën të skuqet nga veprimet dhe mosveprimet e saj që janë në dëm të popullit dhe të Atdheut.
Bëjeni votën tuaj një bombë atomike, që të shkatërrojë këtë rrjetë gjigante merimangash, që po kërcënon zhdukjen e kombit.
Kjo klasë politike është një rrezik real për ekzistencën kombëtare.
Mësoni, o njerëz, nga historia juaj e ndritur dhe e lavdishme kombëtare, dhe nga përvoja e popujve që e kanë çmuar lirinë, pavarësinë dhe integritetin kombëtar.
Mjaft na bënë lesh Arapi!
17 Mars 2025
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!