Prej lopatës deri te lapsi

24
Jun
2023
Shkruan: Beqir Elshani

Në pllakatin e qendrës në Therandë është paraqitur një pikturë e qytetarit duke lexuar shtypin, duhet të jetë fotografi nostalgjike, përndryshe askund nuk gjendet në shitje shtypi ditor, të gjitha qoshqet janë mbyllur, prandaj shtypi ka përfunduar jo në bibliotekë, por në piramidën e kompjuterit. Me keqardhje them që teknika kompjuterike po e mbyll dritaren më të bukur në botë – librin. Kështu mobiltelefonat e kanë marrë botën. Prandaj në vizatimin aktual duhet të shfaqet qytetari duke kullotur mobiltelefonin magjik, jo shtypin e madh sa tryeza. Me dhjetëra fabrika të letrës në botë po mbyllen, pasi që shumë gazeta dhe revista po shuhen, të gjitha i ka kapërdirë interneti. Do të na merr malli për shtypin dhe librin e bardhë me shkronja karbonike. Koha po tregon se fëmijët mbajnë monitorin, të rinjtë mobiltelefonët, ndërsa pleqtë mbajnë tespihe. Ndërkohë që ardhmëria me fjalë e ndërton urën, me dorë e rrënon. Në ish-Jugosllavi nuk guxonim të lexonim librat e Sulejman Krasniqit në park, siç janë ”Oso Kuka” dhe ”Pushka top, Bajram Curri”, sot mund të lexosh në autobus, dhe askush nuk të shikon, pasi që të gjithë janë të pajisur me mobiltelefona. Ndërkohë që në Lezhë me 100 mijë banorë gjendet libraria e madhe me libra të shumtë, në Prizren e madh me dyfishin e banorëve nuk gjendet një librari e tillë.
Sipas filmit humoristik portugez ministri i vendit në fillim e mori lopatën dhe sapo i përveshi duart për mbjelljen e pemës, në vend se lopatën ta ngulte në tokë, qëlloi këmbën e kolegut pranë tij. Pastaj duke futur lopatën në dhe, me bisht e qëlloi në bark kolegun tjetër që e kishte prapa shpine, ndërsa kur e mbushi lopatën me dhe, e hodhi në fytyrë të kolegut që ndodhej në krahun e majtë. Më në fund, kur ministri lopatën e vuri mbi sup, kolegun tjetër prapa shpine e qëlloi në kokë, dhe si lis rrëzohet përtokë. Mirëpo ministri qerrata nuk ndalet me sulme të pakujdesshme, prandaj duke vringëlluar lopatën djathtas e majtas, edhe dy të tjerë i qëlloi në kokë. Vetëm njëri prej tyre shpëtoi pa marrë goditjen e lopatës së ministrit, mirëpo kur pa që kishte mbetur vetëm në këmbë, prej tronditjes u rrëzua përtokë. Kështu ministri me mundime dhe pasoja të mëdha e mbolli pemën në kopsht. Prandaj ky ministër, ose është budalla dhe nga dobësia e tij i lëndoi kolegët, ose është fort i zgjuar dhe kolegët i qëlloi me lopatë. Ngjarja të kujton gomarin kokëfortë në Francë, i cili gjatë jetës së vet u ka rënë shkelmë dy gjeneralëve, tetë kolonelëve, shtatëmbëdhjetë kapitenëve, tridhjetë e një togerëve, 544 nënoficerëve dhe një mine gjermane, i cili është nderuar me një shtatore.
Nuk e di nëse shikuesit e kanë kuptuar humorin alegorik të lopatës?! Pikërisht shtypi i sotëm shkruan se për shkak të përhapjes së lojërave të shumta kompjuterike dhe mobiltelefonave, që përdoren me anën e prekjes, fëmijët e kanë vështirë të mbajnë lapsin në bankat e shkollës fillore. Kjo ndodh për shkak të deformimit të muskujve në gishtat e dorës, me anën e së cilës po shkatërrohet sistemi nervor. Prej nga domethënë më bukur dhe më lehtë kemi shkruar shekullin e kaluar se gjeneratat e sotme në kohën e kompjuterit. Këtë e përforcon edhe procesi mësimor në shkollë, nxënësi që ka lexuar librin me përralla të Grimit, në hartim kishte dalë i suksesshëm, duke u shprehur me figura stilistike në dallim me nxënësin që ka shikuar filma vizatimor, prandaj mezi kishte shkruar gjysmën e hartimit.
Me një varr shkruan “Këtu pushon libri i autorit, që për shkak të internetit kurrë në jetën e tij nuk është lexuar”, ndërsa në varrin tjetër shkruan “Këtu pushon stilografi “Pelikan”, që për shkak të ardhjes së kompjuterit asnjë fjalë nuk arriti të shkruajë”. Janë raste të rralla që disa mjete sikur stilografi të quhet me kuptim të figurshëm ’Pelikan’ sipas firmës gjermane që prodhohet. Kështu quhet stilografi, pasi që zogu pelikan gurmazin e mbush me peshq, që zë rreth 15 litra, prej nga stilografi mori emrin e zogut grykës, që zë ngjyrën blu të shkrimit. Me të drejtë stilografi “Pelikan” konsiderohet mbret i të gjitha penave në botë, shkruan bukur, pa gjurmë dhe pa zhurmë. Lavdi e përjetshme stilografit dhe librit!
Me një qytet kam parë një shtatore të lexuesit me një krah librash në duar, më kujtonte vëllain tim, Bislimin, gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës, në fund të javës vinte me një krah libra në shtëpi, që kishte blerë në librarinë qendrore të Rilindjes. Tani iku ajo kohë, nuk shoh ndonjë ngjashmëri të asaj kohe. Një ditë Bislimi, në vitet 70-ta si zakonisht me libra në dorë, erdhi në bibliotekën e ShLP-së, tek unë rastisi shkrimtar i mirënjohur, Prof. Rexhep Hoxha, sapo e pa Bislimin, tha “Kështu njihen lexuesit”. Ndërkohë i tregova që është vëllai im, dhe studion albanistikën në fakultetin filologjik. Ato vite fill pas Prof. Ramadan Shalës në Therandë, bibliotekën më të madhe shtëpiake kishte Bislimi. Për fat të keq, biblioteka e Bislimit u dogj në vitin 1999 gjatë bombardimit serbosllav.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 24/06/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk